2013-12-07

GJEKË MARINAJ ËSHTË SHEMBULLI MË NATYRAL I POETIT TOKËSOR




-- nga Shefqet DIBRANI
Shefqet Dibrani
Adnan Mehmeti - "GJEKË MARINAJ, MË SHUMË SE POET", Shtëpia Botuese "ADRIATIK PRESS", London/New York 2007.
ISBN 0-9728531-4-1, faqe 216.
PARANTEZA E KRIJIMIT:
Rileximi i librit "GJEKË MARINAJ, më shumë se poet" të Adnan Mehmetit, për mua si recensent ishte kënaqësi. Vlerat e këtij evenimenti kulturor tani shihen në një dritë të re, mundësi kjo për t'u rikthyer në kohën kur autori mendonte të sajonte një libër të kësaj natyre. Gjithsesi krijimi i një libri për një krijues i cili ishte në fazën e konsolidimit krijues, veçmas për mua që i njihja të dytë ishte kënaqësi e veçantë. Gjekë Marinaj kishte marrë hov letrar, madje edhe primatin e njohësit të përkushtuar të letërsisë, ndërsa mësimdhënien si profesor universitar në kolegjet amerikane e kishte nisur edhe pak kohë më përpara, ndoshta ishin këto arsye që Adnan Mehmeti kishte vendosur për të bërë një libër të kësaj natyre, ndoshta kanë qenë motive krejt të tjera.
A.Mehmeti - Gjekë Marinaj, më shumë se poetNë anën tjetër, edhe hezitimi i protagonistit për të cilin bëhej fjalë, ishte mbase i arsyeshëm, ngase secili autor, një gjë të tillë më lehtë dhe më me dëshirë do ta pranonte në fund të karrierës së tij se sa qysh në fillimet e saj. Megjithatë edhe autori edhe protagonisti i veprës kanë pasur të drejt. I pari për të bërë një vepër, për krijuesin, ndasht pse në një moshë relativisht të re, por edhe më shumë ndasht pse në fillim të karrierës së tij letrare. Kurse protagonisti ndoshta kishte arsye të mos bënte hop pa e kaluar vaun. Në rastin konkret, autori ishte i vendosur në sprovën e tij letrare, ishte edhe i sigurt në sendërtimin e saj, sigurisht ai dinte çfarë brumi përmbante lënda e tij, me të cilin synonte të bënte një vepër kaq modeste.
Kjo gjë pozitive sikur atakon smirën dhe xhelozin, e cila si kudo në botë ka zënë vend edhe në shpirtin e racës së shkrimtarëve. Mposhtja e kësaj dukurie duket si një proces në ndërtim e sipër, por ajo duhet të kultivohet brendapërbrenda kësaj race, nëse me të vërtetë dëshirojmë që letërsia dhe arti i mirë të ecën përpara.
STRUKTURA E NDËRTIMIT:
Libri "Gjekë Marinaj, më shumë se poet" ndahet në tre kapituj, apo siç na ka ënda të krahasojmë me paradigmat gjuhësore të cilat merren me tërësinë e trajtave gramatikore gjatë zgjedhimit të foljeve të caktuara, ngjashëm na duken paradigmat dhe format e trajtimit që kanë strukturuar këtë libër.
Autori në kapitullin e parë ka bërë një shënim në formë studimi për jetën dhe krijimtarinë poetike të Gjekë Marinajt, e cila përshkohet me ndjenja frymëzimi, duke qit në pah jo vetëm prirjen, por ka dëshmuar edhe njohjen që ka autori në këtë fushë letrare.
Në pjesën e dytë po me ato ndjenja përkushtimi ka zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejt me protagonistin e veprës e cila është prezantuar si një lloj dialogu që i sforcon idetë dhe mendimet e autorit të thëna në kapitullin prezantues, gjë që e fut në funksion real "idenë e rrëfimit" në të cilën protagonisti i veprës mjaft kujdesshëm rrëfen, por duke iu shmangur mënyrës së vetëlavdërimit e cila po të ndodhte sigurisht do t'ia kishte ulur vlerën dialogut si njësi, e në veçanti librit si tërësi.
Ndërsa në kapitullin e tretë janë përfshirë disa nga shkrimet e shumta që kanë shkruar e komentuar poezinë e Gjekë Marinajt, jetën e tij dhe arritjet në fushën letrare dhe pedagogjike.
Struktura e librit është ndërtuar mbi këto tri shtylla të cilat mbajnë pezull jo vetëm projektin në fjalë, por përshkruajnë tërë jetën e kryepersonazhit të kësaj vepre letrare, që është realizuar me përkushtim, kurse autorin e bënë më të besueshëm në fushën e librit, dhe pa fije dyshimi themi se ky libër është më i realizuari që ky autor ia afron botës letrare.
PARADIGMA E PARË:
Në këtë paradigmë letrare Adnan Mehmeti ka folur me mjaftë profesionalizëm për "Universin poetik të Gjekë Marinajt" të cilin e konsideron si një "trokitje drejt majave". Autori si një bletë punëtore ka mbledhur e sistemuar mendime për ta bërë vlerësimin më bindës, më të besueshëm dhe më të qëndrueshëm. Ai nuk le pa u rrekur dhe pa shoshitur edhe aspekte të tjera të jetës, punës dhe angazhimit profesional, gjë që vepra është rrjedhojë, kurse ngjarja e lidh ngjarjen si në një triko mëndafshi në duart e një qëndistareje të pasionuar.
"Gjekë Marinaj - nuk ishte as gjeneral, nuk ishte as shkrimtar i madh në kohën e largimit nga Shqipëria. Nuk kishte pasuri, nuk kishte famë. Kishte vetëm një ideal, kishte vetëm të ardhmen. I besonte vetvetes. I besonte unit të tij poetik. I besonte lirisë, që nuk e gëzonte dot në vendin e groposjes së idealeve njerëzore", faqe 35. Por brenga e autorit dhe e protagonistit të librit se mos kanë bërë mëkat që kanë ikur nga Shqipëria, sikur është bërë një sinopsis i temës dhe motivit të materies së trajtuar, megjithatë autori mendon se "të japësh kontribut, ndihmë, në një situatë të caktuar, në të mirë të njerëzve dhe të vendit është mençuri, është zgjuarsi, është humanizëm i papërsëritshëm...", faqe 37.
Ky venerim (let. vrojtim), duket më shumë si një justifikim ngushëllues që i bëhet ikjes, arratisjes së poetit nga Atdheu, mendim ky që përafërsisht përputhet edhe me qëndrimin e Kadaresë se: "Ikja e tij nga Shqipëria për fat të mirë nuk ka qenë një shkëputje nga Atdheu, por ka qen thjesht një shkëputje nga regjimi komunist, dhe kjo ka luajtur një rol të rëndësishëm të rrugëtimit si shkrimtar", por poeti e ka kuptuar mirë misionin e tij do të shton Kadareja: "Gjekë Marinaj e ka kuptuar mirë se shkrimtari duhet të qëndrojë mbi pasionet përçarëse të politikës. Për të, si shkrimtar, ka një Atdhe që është Letërsia, e Shqipëria e cila qëndron mbi të gjitha parimet patriotike", po aty faqe 46.
Gjithsesi emocionuese janë evokimet e mësuesve: Llesh Rrusha e Hektor Mala. Ky i fundit në një letër që ka nisur nga Fieri për autorin e librit do të shprehet: "Gjekë Marinaj ka qenë student imi në kursin e gazetarisë të cilin e mbikëqyrte gazeta "Luftëtari". Gjeka ishte ushtar, por jo si të tjerët, ishte student, por jo si të tjerët, ishte njeri por jo si të tjerët. Merre prej meje, gjithkund e gjithçka ishte shumë më shumë se të tjerët". Më pas ky mësimdhënës i Gjekës pasi kryen misionin e vlerësimit për personalitetin e ish nxënësit të tij, flet edhe për një shkrim të Gjekës në të cilin si student i këtij kursi të gazetarisë ka përshkruar përvojën e tij "një ditë pranë detit në Porto Palermo" ku kishte vënë në sarkazëm "jo vetëm ushtrinë, por tërë sistemin komunist shqiptar, duke marrë si ide tre peshkaqenë, tre ushtarë, tre oficer dhe tri nëndetëse që së bashku po i afroheshin tunelit me porta të hekurta të Porto Palermos".
Pasi prof. Hektor Mala ka përshkruar në hollësi peripecitë e depërtimit të shkrimit në gazetë, tashti ai zbulon një shqetësim që paska pasur në atë kohë, të cilin qysh atëherë ia paska thënë Dhimitër Gjokës se: "në mos e pushkatofshin një ditë këtë malësor, Gjekë Marinaj do të jetë një nga gazetarët më të jashtëzakonshëm që kemi nxjerrë nga puna jonë". Fati tragjik që si hije e përcillte autorin do të kthehet në fat të mirë që e detyroi të ikte, përndryshe po të mbetej në Shqipëri, (edhe po të mos burgosej), shkëlqimi i tij do të mbytej nga injoranca dhe egoizmi intelektual që do ta rrethonte. Kurse tani nuk do ta kishim një intelektual që "shkëlqen?!" edhe si gazetar edhe si poet siç ka profetizuar profesori i tij Hektor Mala. Ndërsa profesori i lëndës së anglishtes në Brookhawen ka theksuar se Gjeka është "Një nga dashuruesit më të sinqertë të letërsisë, ai është shembull natyral i poetit tokësor", gjë që për ata që e njohin dhe e kanë përcjell poezinë e Gjekë Marinajt ky konstatim do t'ua sforcoj edhe më shumë bindjet për anët pozitive që i kanë menduar, apo i kanë potencuar rreth artit poetik që krijon ky autor.
Misionin e tij prej një intelektuali, qoftë gazetar, poet apo mësimdhënës Gjekë Marinaj do ta arsyeton në çdo plan të jetës, tamam ashtu siç shprehet edhe autori i librit Adnan Mehmeti se "Gjekë Marinaj është një emër i përvetshëm ndër krijuesit e poezisë shqipe", dhe "një përfaqësues i diplomacisë letrare".
Gjekë Marinaj, shprehet i sigurt autori, ndërton me studentët amerikanë çdo ditë "Rozafën shqiptare" në kohën që gjithë natën e errët e të gjatë "të tjerë" rrëmojnë imazhin e saj, faqe 51.
PARADIGMA E DYTË:
Në këtë paradigmë letrare Adnan Mehmeti ka zhvilluar një bisedë të cilën e ka cilësuar si "Dialog me Gjekë Marinën". Ky dialog tashmë nuk zhvillohet si rrëfim i autorit për protagonistin e veprës së tij siç e kemi ndeshur në kapitullin - paradigmën e parë, të kësaj vepre letrare. Tashmë janë ndërruar vendet, protagonisti është detyruar të rrëfehet, përkatësisht të flas për shumë gjëra me interes që i ka shtruar autori i librit Adnan Mehmeti.
Sado që ky lloj dialogimi e vë në pozitë të papërshtatshme rrëfyesin, përkatësisht protagonistin e veprës, ai, pra Gjeka ka arritur t'iu shmanget vetëlavdërimeve. Edhe në gjëra konkrete ai do të përgjigjet sikurse vëzhgues pa qenë vetë i involvuar në ngjarje, përkatësisht ai do t'i shikon gjërat duke i kundruar nga prizmi i vrojtuesit, gjithmonë duke qenë i kujdesshëm nga vetëlavdërimi i cili zakonisht e vë me shpatulla për muri secilin rrëfimtarë që nis rrëfimin e tij për jetën, bëmat dhe proceset nëpër të cilat kalon ai dhe shoqëria njerëzore. Gjekë Marinaj, në këtë paradigmë, edhe gjërat intime, ato më personale do t'i shtron dhe trajton njerëzisht, në mënyrë që përgjigjja të jetë sa më shumë në shërbim të lexuesve, pse jo edhe në shërbim të emancipimit njerëzor.
Edhe në këtë pjesë si temë sensuale do të mbetet "arratisja", por tashmë rrëfimi është më i ndjeshëm më trishtues. Procesi i ikjes - për t'u kthyer, si një krijues letrar, si një shkollar është evident. Nga e gjithë jeta e njohur e gjertanishme e Gjekë Marinaj dhe nga ajo që e gjejmë brenda këtij libri do të venerojmë se ikja, për kohën ishte zgjidhja më e mirë. Peripecitë tjera janë ngjizje artistike për jetën dhe idealin e tij.
Mënyra e qasjes dhe formulimit është dukuri tjetër më vete e kësaj paradigme. Këto elemente pozitive me një peshë të rëndësishme do t'i gjejmë kur shprehet për personalitetin e gruas të cilën e vlerëson lartë, jo vetëm si njeri por si ndikues i pashmangshëm në konceptin dhe procesin e tij krijues e intelektual. Po me të njëjtin përkushtim i rreket trajtimit të gjuhës letrare, rëndësisë së unifikimit të saj, që e ka bashkuar kombin në një pikë të vetme.
Ka edhe shumë tema e çështje që nuk po arrijmë t'i përmendim e t'i përfshijmë në këtë shënim, por një gjë esenciale tek Gjekë Marinaj është gjuha e komunikimit me lexuesin. Ai, edhe kur qorton, edhe kur i bënë qasje ndonjë fenomeni, por edhe kur kritikon ndonjë dukuri, ai vazhdimisht është i kujdesshëm, si me thënë i peshon fjalët, duke gjetur mënyrën më të përsosur për ta thënë e shprehur mendimin e tij, që del aq butësisht, për të arritur efekte sa më të suksesshëm në shërbim të lexuesit.
PARADIGMA E TRETË:
Kjo paradigmë është përbërë me shkrime e materiale të shumta, që për autor kanë krijues të fushave të ndryshme ndër të cilët po veçojmë: Agron Tufa, Anton Çefa, Arben Çokaj, Dashamir Cacaj, Dashnor Kaloçi, Ilir Seci, Luigj Çekaj, Mikel Gojani, Prend Buzhala, Rudolf Marku, Sami Milloshi, Skifter Këlliqi e ndonjë tjetër të cilët kush nga një e kush nga prizmi tjetër iu kanë rrekur, iu kanë kthyer, e rikthyer veprës poetike të Gjekë Marinajt, madje janë përfshirë edhe disa ese që kanë trajtuar vetëm ndonjë poezi të këtij autori.
Por për shijen time do të veçoja shkrimin e Arben Çokajt "Turner - një kthesë për në vendlindje", reportazh ky nga një takim poetësh që është mbajtur në Tiranë ku kanë asistuar Marinaj, Turner e shumë të tjerë. Për mua shkrimet emocionale të kësaj natyre më duken më të sinqertë, pavarësisht se në raste të caktuara ka vlerësime e madje glorifikime, por autori i shkrimit ka dhënë gjithçka në shërbim të njeriut që e njeh dhe e adhuron, prandaj themi se ky tip i shkrimit ka ngrohtësi, ka afri njerëzore me kondita humane. Po me një ndjenjë sinqeriteti më duket edhe intervista e Mirjeta Selimit, një gazetare nga Prishtina e cila falë teknologjisë së internetit ka realizuar një synim të saj.
Si zakonisht, autori në fund të librit ka dhënë shënimin për burimet dhe literaturën e përdorur, dhe diku tjetër nuk kishte harruar të ju kërkon falje të gjithë atyre autorëve, shkrimet e të cilëve nuk kishte arritur t'i prezantonte në këtë libër.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...