Eleni Laperi
E nis ditën duke dëgjuar titujt e shtypit të ditës nga Bashkim Hoxha. Dhe sot u hodha nga shtrati, kur dëgjova për peticionin e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Inva Mulës, Tedi Papavramit, Luljeta Lleshanakut e Rudolf Markut. Më në fund disa shqiptarë me emër në botë u bënë bashkë për të kërkuar prej pushtetit shqiptar të ndreqë diçka, po u trishtova, kur mësova çfarë kërkonin në peticionin e tyre këta yje botërorë të kulturës!
Nuk kam asgjë kundër kërkesës për të liruar Nazime Vishën dhe ndjeshmërisë ndaj dhunës e ndaj dramës së asaj vajze, por më habit fakti, që këta personazhe me emër të kombit tonë kanë dëgjuar për dënimin e Nazimes, ndërkohë që në këta 23 vjet nuk kanë dëgjuar për dhjetëra, në mos qindra familje, ku ka qindra në mos mijëra fëmijë, vajza e gra, që pa faj janë “burgosur” në shtëpitë e tyre nga dhuna e pandëshkuar deri më sot e zakonit barbar të gjakmarrjes!
Gjakmarrja merr përvit jetë njerëzish në Shqipëri e sakaton qindra shpirtra për gjithë jetën. Të gjitha qeveritë kanë heshtur para këtij fenomeni, që na shtrembëron kujtesën kombëtare, që na mban të lidhur me një të shkuar të mbrapshtë e na nxin faqen para popujve të qytetëruar, të cilët e kanë flakur gjakmarrjen me kohë në koshin e hedhurinave. Për vite me radhë u munduam këtu në Shqipëri një grup artistësh të nxitnim ndjeshmërinë e qeveritarëve e ligjvënësve për këtë problem. Po askush nuk na dëgjoi. Pastaj, në vitin 2004 me shpenzimet tona (dhe ju siguroj, të nderuar miq me famë se janë më modeste sesa mund ta imagjinoni!) shkuam pranë disa familjeve të ngujuara të rrethit të Shkodrës dhe me ndihmën e biznesmenëve fotografë u dhamë nga një aparat fotografik e i mësuam si të bënin fotografi, për të treguar ëndrrat e dëshirat e tyre. Me ato fotografi organizuam një ekspozitë në Tiranë dhe thirrëm për të biseduar për gjakmarrjen përfaqësues të Parlamentit, të Presidencës, ministrive e mediat. Përveç një zyrtareje nga Presidenca e një përfaqësueseje të Ambasadës Amerikane, asnjë pushtetar nuk iu përgjigj thirrjes sonë. Ekspozitën rastisi ta shihte Pascal Hamon, atëherë në Drejtorinë e Muzeve të Francës dhe anëtar i shoqatës “Albania” në Paris. Z. Hamon e mori ekspozitën në Francë dhe me shpenzimet e veta, “Albania” organizoi ekspozita shëtitëse në Francë, të shoqëruara me një katalog modest. Katalogun na e dërguan edhe ne dhe ne ua shpërndamë disa parlamentarëve, grave deputete e disa ministrave. Reagime pati vetëm nga fëmijë francezë, të cilët kishin bërë edhe kërkime, për të njohur Shqipërinë e gjakmarrjen e saj.
Pse i përmend këto? Sepse nënvlerësohet çdo gjë që krijohet në vend, duke mbivlerësuar çdo gjë që vjen nga jashtë, sepse në Shqipëri artistët dhe intelektualët, që ngrihen çdo mëngjes e nisin të punojnë e studiojnë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe shëmbëlltyrën reale e imagjinare të Shqipërisë, që bien për të fjetur duke shkruar më parë se çfarë do bëjnë nesër për Shqipërinë, nuk respektohen dhe nuk përfillen nga pushteti. Të cilin ata e mbajnë me taksat që paguajnë, bashkë me shtetasit e tjerë shqiptarë. Asnjë piktor, me krijimtari tashmë të kristalizuar, nuk ka nga shteti vëmendjen minimale: një katalog. As Abdurrahim Buza i shkëlqyer, as Kol Idromeno i Motrës Tone, as Vangjush Mio – Orfeu i pejzazhit shqiptar, as Edi Hila i mrekullueshëm, as Gazmend Leka – i shpirtit arbëror, as Lumturi Blloshmit – tronditëse! Ajo që është më absurde: nuk ka katalog as Galeria Kombëtare e Arteve! Ndërkohë, mblidhen tri ministri e bëjnë katalog për një ekspozitë të B. Ahmetit – se jeton në SHBA, i bëjnë katalog O. Kaleshit – se jeton në Paris, ngrenë në qiell si yje dhe ftojnë nga jashtë të ndihmojnë kulturën e artin shqiptar një grup artistësh, edhe ata me shumë më pak vlera se artistët e studiuesit e shumëvuajtur e aspak-të-begendisur të këtushëm. Vetëm se ata jetojnë jashtë shtetit. Si dikur: mësonim përmendësh Naimin e Çajupin, po nuk njihnim Fishtën, Kutelin e Lasgushin madhështorë, që lanë kockat këtu.
Nga ana tjetër, po përhapet me shpejtësi kultura e mëshirës. Shumë nga ne mësuan të ndezin qirinj për përshpirtje, duke tretur kilogramë të tërë dylli nëpër trotuaret e shkallët e godinave të bulevardit të Tiranës, duke u kthyer më pas të lumtur në shtëpi, sikur të kenë kryer një vepër të madhe. Edhe pse me qirinjtë e tretur në bulevarde veç kanë shprehur mëshirë e kanë larë duart si Pilati, se nuk kanë zgjidhur asnjë problem deri tani. Një gjest mëshire bëjnë sot edhe personazhet e nderuar me peticionin për Nazimenë. Koncepti fetar i mëshirës u ndje më fort në shoqërinë Perëndimore, pasi u pranua koncepti judeo-kristian i Zotit si një hyjni, që ndien keqardhje për të gjithë njerëzimin. Dhe unë e pranoj mëshirën e Zotit, po them se vetëm Zoti ka të drejtë të mëshirojë. Ne, vdektarët nuk kemi të drejtën e mëshirës. Ne kemi të drejtën dhe detyrën të respektojmë jetën, punën, vdekjen dhe të luftojmë që gjithkush të rrojë me dinjitet. Gjakmarrja, si shkelje e të drejtës së njeriut për jetë, arsim e punë mbijeton deri më sot, sepse për të është treguar vetëm mëshirë: koncerte nga znj. Topalli për gratë e ngujuara, disa ndihma ushqimore nga organizatat fetare e joqeveritare, thirrje të një gazetari për të ndezur qirinj për vajzën e vrarë bashkë me gjyshin, disa dokumentarë me portrete të lotuar në plan të parë… Edhe ministrja e tanishme e Arsimit shtron problemin e librave për fëmijët e ngujuar, jo zhdukjen e gjakmarrjes.
Unë i adhuroj poezitë e Dritëroit, romanet e Kadaresë, zërin e Inva Mulës, tingujt e violinës së Papavramit, filozofinë e vargjeve të Luljetës. Madje, para ca kohësh, në një intervistë për mbrojtjen e monumenteve të kulturë sonë, si pjesë e kujtesës së kombit që po shkatërrohet çdo ditë, kërkova (me naivitet) reagimin e Ismail Kadaresë, Inva Mulës, Tedi Papavranit etj. Pasi kisha bindjen se zëri i tyre do të dëgjohej nga shteti ynë, që zërin tonë nuk e dëgjon aspak, edhe kur kemi dëshpërimisht të drejtë. Ndaj kur dëgjova sot se ishit mbledhur bashkë e kishit bërë një peticion, shpresova shumë të dëgjoja britmën tuaj për zgjidhjen e problemeve madhore të kombit tonë, si: gjakmarrja, mbrojtja e monumenteve të kulturës apo rishkrimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e hartuar shkel e shko. Po ju e gjetët të arsyeshme të shpenzoni vullnetin e energjinë tuaj për një gjest të vogël mëshire.
Prandaj dua t’ju them se më zhgënjyet, e kësaj here nuk jam me ju! Jam me klithmën e poetit Uilliam Bllejk: Nuk do nevojitej mëshirë për të mjerët, nëse nuk do t’i varfëronim të tjerët!