Plotë tri dekadat super të suksesshme njëherësh përplot sfida në jetën profesionale, ky është argumenti i cili dëshmon jetën e një artisti të merituar. Të jesh i kompletuar në një profesion siç muzika, aspak nuk është e lehtë. Që t’ju dalësh na ballë gjithë atyre barrierave të cilat di t’i sjell rubikoni artistik, nevojitet forcë, durim, kurajo e mbi të gjitha dashuri për një gjë të tillë. Këngëtari shqiptarë me famë botërore Frederik Ndoci është një ndër artistët e rrallë të cilët asnjëherë nuk u dorëzua, megjithëse jeta e përplasi në shumë murre të botës.
Përplot suksese, albume dhe hite të regjistruara në shtëpitë më të njohura botërore diskografike, prezantime dinjitoze dhe vlerësime ndër më të lartat, janë disa nga karakteristikat të cilat do e pasqyronin legjendën e gjallë të këngës, Frederik Ndoci.
Në këtë intervistë ekskluzive dhënë Portalit “Zhurnal”, Frederik Ndoci rrëfen për karrierën e tij të gjatë muzikore, pjesëmarrjet nëpër shfaqje të ndryshme teatrale si aktor, si dhe pasionin e tij të zjarrtë për poezinë. Ai po ashtu ne këtë bisedë përplot sinqeritet nuk hezitoi të ndanë edhe momentet më të lumtura dhe ato të hidhura por të kaluara nga jeta e tij private.
Intervistë ekskluzive me këngëtarin shqiptar me famë botërore, Frederik Ndoci.
Intervistoi: RAJAN ARAPI
Zhurnal: z.Ndoci jeni një ndër artistët të cilët nuk jeni aq shumë i pranishëm në media e kam fjalën me intervista. Cila është arsyeja e shmangies nga mediat e shkruara ?
Frederik Ndoci: Është pjesërisht e vërtetë kjo pyetje, pasi nuk e di se për çfarë mediash e keni fjalën, por sigurisht që jam mjaft i klikuar në mediat e shkruara Shqiptare, qoftë edhe për anët pozitive por siç dihet shumë herë mediat nisen edhe nga fakte thashethemesh ose nga burime jo të vërteta dhe sajojnë lajme, ndonjëherë kjo nuk bëhet me qëllim për të zbehur figurën e artistit apo për të shkelmuar artin e tij, por bëhet thjeshtë edhe për të shitur gazetën, sidomos gjatë muajve të verës me ka ndodhur me tri verat që nga viti 2007 e gjer në këtë të fundit. Por sigurisht në demokracinë perestrojkjane shqiptare nuk është fenomen i çuditshëm, pasi nuk i bën përshtypje si mediave ashtu edhe publikut. Sikur një fenomen i tille të ndodhë në perëndim në SHBA apo Evropë sigurisht që artisti gjobit median për prishje të imazhit dhe përdhosje të personalitetit. Në Shqipëri as që bëhet fjalë pasi mediat në emër të një sllogani që quhet demokraci dhe liri e fjalës, nuk e kuptojnë të drejtat e detyrat e medias. Por gjithsesi mediat edhe nëse nuk më duan atëherë më do populli që më njeh dhe më respekton, kështu që dashtë apo pa dashtë mediat në rastin tim bëjnë një vetëvrasje kur japin në përgjithësi lajme të tilla.
Zhurnal: Megjithatë nuk kanë munguar edhe shkrime të ndryshme të cilat kanë prekur jetën tuaj private, publikime këto të cilat janë futur në detajet më intime të jetës suaj ?
Frederik Ndoci: Kjo pikë është gjithsesi delikate, pasi nga thashethemet mund edhe të dëmtohet edhe vetë perëndia, por gjithsesi nuk më kanë tunduar shumë punën në krijimtarinë time, megjithëse kjo bën që aftësia e juaj të mos fluturojë edhe aq lartë, pra të jetë afër me disnivelet e tjera të pseudoartisteve të cilët tranzicioni i sjell si kërpudhat pas shiut. Vërtet diçka ka sepse kot populli nuk thotë: “ku është zë, nuk është pa gjë”. Por gjithsesi unë mendoj se gazeta do ishte më e shitur sikur mediat të pranojnë se janë në të njëjtin nivel të pseudoartistëve të shumtë jo profesional, të cilët kur debutojnë, për shumë njerëz janë jo edhe aq të adhuruar, kështu edhe gazetat dalëngadalë do të humbin imazhin e tyre kur vazhdojnë të bërtasin si ai çobani i çmendur që alarmonte miqtë kot se koti: ”Ujku Ujku” Jeta e individit është fat nëse nisemi nga metafizika ose besojmë në Zot. Gjithsesi fati i artit nuk është si fati i jetës i shëndetit ose i lotarisë etj, diku fatin e ke në dorë sidomos lotarinë po nuk e provove zor se e fiton, po ashtu edhe për shëndetin, nëse nuk kujdesesh ose abuzon, ai të le, ndërsa të jesh artist cilësor varet nga kërkesat e tua si artist përveç atë pjesë që ta jep Zoti i madh që është talenti, mirëpo ne kemi edhe talent të cilët abuzojnë me talentin e tyre dhe nuk kujdesen për një punë sistematike në mënyrë që të kesh ecuri rritje dhe gjithnjë i freskët. Për mua nëse heshtë së punuari për të rritur personalitetin aftësinë si artist atëherë me siguri jam duke vdekur edhe si artist edhe si njeri. Ndërsa për fatin e lidhjes me njëri-tjetër është aq e vështirë aq edhe jo e vështirë, pasi procesi i njohjes nuk është një çast apo një ditë është një jetë. Mirëpo për shumë njerëz sinqeriteti është një veti jo vetëm e njerëzve naivë, por edhe i disa njerëzve pozitive, kjo kam kërkuar gjithnjë tek partnerët e mia, të cilat janë treguar të sinqerta me mua gjer në ditën kur nuk i nevojitej me të ishin të sinqerta ose më shumë se të sinqerta, atëherë planetet nuk kanë me tërheqje graviteti kur mungon dielli që ti shtyjë dhe ti tërheqë, kështu që parimi im është antagonizmat nuk mund të pranohen në jetën e një çifti, mund të pranosh gabime njerëzore, sepse të gjithë gabojnë, por deri aty që e lejon koha e bashkëjetesës pesha e gabimit dhe mundësia për të vazhduar jetën me një njeri që se kupton jetën bashkëshortore si dy shorte por vetëm si një short, duke e barazuar shortin me një shfrenim ose abuzim të lirisë. Gjithmonë në çdo çift njeri është më i gabuar, dhe une e pranoj që jam më i gabuar, se po të mos isha i gabuar nuk do të lidhesha me këdo, e cila në një kohë mund të të bëje me ty çfarëdo.
Zhurnal: Cila ishte arsyeja e ndarjes me bashkëshorten e juaj të dytë Aide, me të cilën bashk ishit edhe pjesëmarrës në Festivalin “Euro Song” para disa vitesh ?
Frederik Ndoci: Përse nuk e pyesni atë vetë? Pasi ajo e besoj se është aq e sinqertë sa të tregojë se ku, kur dhe kush e ka prishur martesën tonë dhe sa kohë më është lutur që mos ta publikoja arsyen bile as edhe ndarjen. Mirëpo edhe sot edhe pse ia ka kërkuar avokati im divorcin, ajo mban prapë mbiemrin tim !!! Aida N’Doci, duket se i dashuri i saj është aq modern sa që e pranon lehtësisht një gjë të tillë. Për mua do ishte pak e rëndë të mbaja mbiemrin e një njeriu që e kam tradhtuar.
Zhurnal: Meqenëse jeta juaj është karakterizuar me kthesa mjaft të mëdha. A ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të shkruani për vetë një autobiografi ?
Frederik Ndoci: Biografia ime është një telenovelë pa fund, me ulje ngritje, me lot gëzimi dhe trishtimi me ankth kurbeti, me ngazëllim fitoresh, me gëzime të papara kurorash dhe lëvdatash, por edhe me shkelje dhe ulje të dinjitetit nga të paaftët që ishin dhe janë sasior. Mesiguri do të ishte aq e lexuar, por të jesh i bindur këtë kuriozitet to ta ketë lexuesi pas vdekjes sime të vërtetë, pasi si artist më kanë mbytur shumë e shumë herë edhe para viteve ‘90 edhe pas edhe sot vazhdojnë snajperë të gjuajnë drejt kurorës së lisit të artit tim, por e keqja është se nuk merren me artin, por merren me stilin veshjen kapelet, ndarjet, pra me intimitete të cilat nuk kam qejf as edhe të lodhem ti mendoj. Sa herë për shembull keni lexuar se emri i Frederik Ndocit është nderuar në listën e aktivitetit më të madh në botë për muzikën, ”49-th Grammy Nomination” plot 14 herë, në vitin 2006-2007, si kompozitor si artist me cd “Canterina” që kam fitur vendin e tretë në botë në “IMA” Indipendent Music Awards, me këngën e kompozuar nga unë tekst e muzikë ”Corason de cristal” ku në vendin e katërt ishte Henrikue Iglesias, që kam fituar ne Epic Unisong USA vendin e parë me këngën “The crying field” , që kenga “Return to me” është marrë nga cd “canterina” dhe është futur në një tjetër cd të grupit “The October Project”, ku në fletëpalosjen e cd-se grupi shkruan tekstualisht kështu. We think is the Gods voises who is singing our song...që Cd-të e mia shiten në të gjitha grupimet më të mëdha botërore, si Amazon, CDBABY, ITUNES etj. Që një kengë e imja këndohet në aparaturat e vendosura nga NASA në planetin Mars, pikërisht kënga “Piano in a Moon”. Pra më thuaj ti i dashur gazetar edhe ti i nderuar lexues çfarë mund të presim tjetër nga paaftësia e mediave tona, e cila nganjëherë kthehet në tendencë për të varrosur vlerat dhe për të ngritur në piedestal antivlerat.
Zhurnal: Posa jeni bërë edhe njëherë prind. Ne ju urojm përzemërsisht për lindjen e vajzes suaj. Do na tregoni diçka më tepër për këtë segment të jetës, bashkëjetesën me këngëtaren Alisa Baraku si dhe lindjen e vajzës së posalindur Marilu, meqenëse kemi dëgjuar se ka qenë një ceremoni lindje jo e zakonshme ?
Frederik Ndoci: Sigurisht edhe pse tokësoret media i kam pothuajse jo miq, kam një jashtëtokësor që vazhdimisht më ka dashur dhe më ka qëndruar pranë, është Zoti i Madh që herë pas here më ka mbrojtur dhe më ka dhënë dhurata si kjo e fundit. Lindja e Mariluse ka ndryshuar jetën time edhe të së dashurës Alisa Baraku, e cila ka përformuar ose debutuar që nga viti 1997 gjer në vitin 2007 Nentor, pranë Filarmonisë së Kosovës si koriste dhe soliste dhe ka dhënë mësim edhe për studentë, Alisa ka kryer fakultetin e Akademisë së Arteve në Tiranë për Canto (soprano colorature) pasi folem më sipër e pat të vështirë të çante turmën e të paaftëve ose turmën e antivlerave dhe me rrëmujat nacionale të viteve ‘97 ajo largohet tek kushuriënjt e vet në Gjakovë (Baraket). Pas pak ajo debuton si soliste e Presidences e cila dha një kontribut jashtëzakonisht të madh, për sa i përket vlerësimit të njohjes së kulturës botërore, pasi bota nuk është se vdes për tallava-të tona. Sivjet në ditët e para të Janarit morëm lajmin se së shpejti do të kishim një fëmijë, nuk pranuam assesi të merrnim vesh se me çfarë do na gëzonte Zoti, për ne ishte krijesa dhe vullneti i Tij dhe ne e quajmë “bebi” gjer me 14 Shtator ditën që e kishim lënë për një ndërhyrje kirurgjikale, pasi për bebin paraqitej domosdoshmëri kjo ndërhyrje. Unë desha ti jap një goditje primitivizmit shqiptar, i cili shpesh e ka trajtuar gruan si plaçkë, por unë besoj se në sallën e lindjes nëna merr përmasa edhe më të mëdha se vetë Zoti, pasi edhe vetë Zoti mesiguri e kishte një NANË. Vendosa me Aldon drejtuesin e famshëm të emisionit “Aldo Morning Show” që nëse ishte e mundur të isha direkt i lidhur me sallën e lindjeve të shtëpisë se lindjes, ai u tregua më se i gatshem e atëherë siç din ai, bëri të mundur çdo gjë bile edhe lidhjen me Scype nga Gjermania të njërës prej motrave Rites dhe Mames time. Pra ekrani kishte emocionet e salles së lidjes dhe gjysma tjetër e ekranit ishte familja ime në Gjermani. Imagjino çfarë emocionesh ku u mundova të jem sa më racional arrita gjer aty sa të këndoja Mariluse vetëm disa minuta të jetës së saj, e afruan afër meje dhe Alises e shtrirë Vip-in më të ri të globit ”Marilu-në” dhe ajo çuditërisht pushoi së qari duke ndjekur ngrohtësinë e faqes së nënës së vet, dhe zërin tim. Gjithçka në atë dhomë u krye me së perfekt, pra sigurisht që misticizmi shkon gjer aty sa të mendosh se vetë Zoti ishte i pranishëm në çdo cep të dhomës. Atë ditë vërshuan mediat dhe urimet në të gjitha linket e mia në facebook, e-mail, në telefon, në mesazhe, në web faqe etj, nga e tërë bota, pra ja çfarë bën media.
Zhurnal: Po ashtu keni edhe dy vajza të rritura, na tregoni diçka më tepër për profesionet e tyre, dhe gjithçka çfarë kanë trashëguar nga i ati i tyre artist i nderuar ?
Frederik Ndoci: Dy vajzat e rritura vërtet të rritura sepse Flodia është 26 vjeçe dhe Klea rreth 21 vjeçe, Ato jetojnë në Kalifornia ku Flodia ka mbaruar studimet e larta PHD, ndërsa Klea me pak probleme, nga që liria shpesh nuk kuptohet drejtë nga adoloshenca, por fatmirësisht ajo është mirë dhe pasi ka bërë një film në TLC (televizion mjaft prestigjios në SHBA) se: ”si shpëtova nga ndikimi i drogës ”Nuk e di nëse është reality show apo një sajim ose krijim artistik, unë komunikoj më shumë me Klean, kur jam në SHBA, pasi nuk është e lehtë që të lidhesh në Amerikë e sidomos në Kalifornia. Klea këndon mjaft bukur. Unë jam munduar që të mos i lëndoj për arsyen e ndarjes, kështu që ato shpesh ngatërrojnë të vërtetën me atë çfarë u duket më e lehtë për ta kuptuar dhe dënuar babain e tyre. Por sigurisht në një të ardhme ato do ta kuptojnë se babai i tyre se ka pasur të lehtë ta mbajë të fshehtë një të vërtetë që edhe ato do të ishin dakord dhe do vepronin njëlloj si unë.
Zhurnal: Një kohë të gjatë keni jetuar në Itali. Çfarë ishte jeta juaj atje, sa e ndjenit mungesën e Shqipërisë ?
Frederik Ndoci: Motrat e mia dhe babai me nënën kanë jetuar dhe jetojnë atje, unë për vehte kam jetuar në Itali kryesisht në Bergamo, Spanjë, USA (Kalifornia, New York dhe Florida). Si çdo refugjat edhe unë mundohesha të lehtësoja përveç plagëve të tjera edhe plagët e mëdha që sjell mërgimi, por shumë shpejt u bëra i veçantë falë talentit dhe punës punova në grupin “Le Rose Rosse” si kitarist dhe solist (në Piacenza) për afro tre muaj, mu afrua një punë edhe ma më nivel vetëm si solist dhe drejtues grupi me emrin “Frederik e Pagine D’album” ku shumë shpejt do të vinte edhe cd-ja e parë ”Di tutto di piu” me këngë spanjolle dhe italiane anglisht dhe frëngjisht, dhe 5 videoklipe, ku dy nga këto qëndruan për 6 muaj si sigla e programeve në tërë Italinë “Canta Italia” më vonë bëra cd-në “Sono Gitano” jam endacak, pak më vonë në Spanjë dhe Belgjikë një cd tjetër “Canta Frederik” , pastaj mu desh të lëshoja Italinë pasi deklarova se jam shqiptar, mirëpo në vitet 1994-95 shqiptarët ishin njerëzit më të rrezikshëm për tërë Italinë dhe lajmet më makabre ishin çdo ditë të pranishëm në të gjitha mediat e shkruara italiane. Pikërisht në këtë kohë në një emision televiziv “Maurizio Costanzo show” deklarova se jam shqiptar, për më pak se tre muaj gjithë suksesi im i ngjante një shkume sapuni, pasi sallat filluan të më boshatisen, nga se urreheshin të gjithë shqiptarët dhe as që nuk besonin që mund të kishte edhe shqiptar që këndonte cilësisht aq mirë sa gjynah më qenë shqiptar, pasi shqiptarët vetëm vrisnin, villnin, plaçkitnin kontrabandë njerëzish, femrash drogë etj, pra po lindët mafia e re shqiptare. Mu desh ta lë europen dhe t’i drejtohem USA (San Diego- Kalifornia) me ftesën e tyre shkova për një CD të re me këngë gospel, e cila do të dilte në treg në vitin 1997 pikërisht në kulmin e trazirave familjare, doli kjo CD me 12 këngë e titulluar “Frederik Ndoci and friends” mu desh të lë edhe Kalifornian duke marrë me veht edhe copat e moralit artistik të dërmuar pa asnjë shpresë se do mund ti ngjis shkallët e të gjeja edhe një herë vendit nga ku më rrokullisi teposhte ndarja alla shqiptarshe, me akuza si prepotent si sadist dhe vrasës. Mu desh shumë prova dhe punë të bindja gjykatësin kalifornian nëse vërtet isha artist apo vrasës. Në lindje në Neë York fillova të rimarr vehten pasi filluam të punojmë së bashku me artistët e tjerë shqiptarë, gjer në atë kohë unë kisha punuar vetëm për të huaj dhe auditorë të huaj, shpesh shqiptarët me ndiqnin në salla, disa dhjetëra por sa mund të duken 30-40 vet në një salle me 3000-4000 vetë. Ndërsa tani në NY po punoja direkt për shqiptarë, ishin në prag te luftes së Kosovës ku koncertet tona dhanë kontribut të rëndësishëm për diasporen e cila nuk kurseu asgjë për të ndihmuar luften. Në vitin 1999 pasi takohem dhe jetojmë pak me Aiden vendosim të martohemi. Në vitin 2003 më ofrohet një ofertë më e madhja për mendimin tim, bashkëpunimi me prodhuesin e cd se 5 “Canterina” me z. George Gesner, një amerikan me origjinë greko-shiptare, sipas tij por sigurisht e ëma e kish keq informuar, pasi kishte gjyshërit e tij kristian nga Permeti e Korca, por zakonisht kristianëve u thuhej gjithnjë se ishin ose serb ose grek ose maqedonas dhe jo shqiptare. Për suksesin e cd-se “canterina” që doli në treg në vitin 2005 fola më lart. Vendosa ti afrohem zjarrit të gjirit mallit për atdheun Shqiperisë, dhe ashtu bëra, në veren e 2006 erdha ne Ulqin për një kontratë e cila nuk pati jetëgjatësi pasi mu desh ta lija në mes dhe iu drejtova Shkodres, 10 vite pa e parë dhe shkelur, atë vjeshtë pastaj siç e dini vendosa të bashkëpunoj me Pandi Laçon dhe Adrian Hilen për një këngë në festivalin e 45 të RTSH “Ballada e gurit” ku Aida edhe pse ka qenë jashtë jetës sime si subjekt e kam ndihmuar duke mos thënë se nuk jemi më bashkëshortë, pasi ajo zgjodhi jetën e vet duke iu rikthyer së kaluarës edhe në dashuri. Por unë assesi nuk e dëmtova imazhin e saj në mënyrë që të mos arrinte në ndonjë trazirë psikike që në të tilla raste janë të shumta, por gjer në Helsinki të gjithë e kanë ditur se është gruaja ime me përjashtim të njerëzve te mi (prindërve) dhe njerëzve të saj, të cilët sigurisht e dënonin vazhdimisht atë për papjekurinë dhe padenjësinë e saj ndaj familjes që vetë e kishim krijuar. Por janë gjëra që ndodhin...
Zhurnal: Pse vendoset që të ktheheni në Shqipëri ?
Frederik Ndoci: Pas kësaj ngjarjeje, prishjes së martesës, Amerika për mua nuk kishte më kuptim, këtu pashë se njerëzit kishin një respekt të pashoq, ishte një grumbull i madh njerëzish që respektonin edhe artin tim gjer në atë shkallë sa që më luteshin “të lutem mendo edhe për ne”, pra kjo ishte njëra nga arsyet e mëdha të qëndrimit, pastaj lëvizja në botë është si nga Florida ashtu edhe nga Tirana, veçse këtu në sekond e ndjen se je i dashuruar nga të gjithë, ndërsa atje assesi jo edhe pse i respektuar, por gjer në atë shkallë që ne e quajmë shpesh hipokrizi intelektuale. Pra në një mënyrë ose një tjetër kam vendosur të më përcjellin shumë vetë në banesën e fundit dhe jo punëtorët e shërbimit komunal.
Zhurnal: Jeni njëri ndër këngëtarët, artistët më të respektuar shqiptar. Keni plasuar shumë albume me vlera të larta artistike, keni mbajtur një sërë koncertësh në mbarë globin. A jeni të kënaqur me arritjet e juaja dhe gjithë kontributin e dhënë për kulturën botërore ?
Frederik Ndoci: Artistin kurrë nuk duhet ta pyesni a jeni i kënaqur, pasi të gjithë artistët edhe ato që nuk jetojnë do të donin të vazhdonin punën për rritjen e aftësive dhe automatikisht edhe të famës, sigurisht që është kënaqësi që bota të njohë Shqipërinë edhe nga një artist, për shembull në Japoni është një vajzë japoneze që në facebook-un e saj shkruan për këngëtarin e saj të preferuar Frederik Ndoci, ajo ka hapur edhe Klubin me emrin tim ku ka me qindra-mijëra fansa etj. Në Kinë po ashtu, në të gjithë boten, kam qenë mjaftë herë në mërgatën e madhe në qendër të Shkupit dhe njërës të nderuar me afrohen dhe nuk ngurrojnë të më bëjnë komplimenta duke treguar respekt dhe admirim, e unë assesi nuk kam ndërmend të vdes pa i kënaqur të gjithë pambarimisht, ja për shembull së shpejti fillon një maratonë e 100 këngëve popullore qytetare të shekullit, në të cilën do të marr pjesë, krahas artistëve tuaj Selami Kolonja, Merita Halili, Ramadan Krasniqi, Rosela Gjylbegu, Maja, Irini Qirjaqi, Vellezerit Korçarë, Bujar Qamili, Saimir Cili, për 12 javë në TV Klan.
Zhurnal: Në çfarë projektesh muzikore jeni aktualisht i angazhuar ?
Frederik Ndoci: Pas këtij projekti kam një kontratë me Australinë për një periudhë tre mujore, pra në muajin Shkurt nisem për atje.
Zhurnal: Kur jemi tek muzika shqiptare. Sa mendoni sot ka vlera artistike brenda muzikës, dhe si i vlerësoni këngëtarët e shumtë të cilët kanë pushtuar në një formë televizionet ?
Frederik Ndoci: Sigurisht ku ka sasi do ketë edhe cilësi por kjo cilësi në krahasim me sasinë është aq e vogël sa që mund të jetë e pa përfillshme për kritikun e artit. Muzika shqiptare përfundimisht është në një rrezik të madh, pasi vërshimi i pseudo ballkanizmave, po dëmton rëndë melosin tonë shekullor dhe po i afrohet atij rom gipsy dhe oriental, fillimisht tendencat e para kanë ardhur nga trevat maqedonase me ndikimin qëllimor të një muzike tallhava dhe gabele, pastaj dalëngadalë ajo erdhi dhe zuri vend saqë vështirë të gjesh një të ri ose të re 20 e poshtë që mund të thotë se një incizim shqiptar i viteve ‘90 ai ose ajo do të thotë se është jo muzikë shqiptare por është muzikë indiane, pasi muzika shqiptare sot është ajo bullgare, greke, serbe por e kënduar nga pseudoartistë shqiptar, me fjalë shqip.
Zhurnal: Përpos muzikës merreni edhe me shkrime, përkatësisht me poezi. Na tregoni diçka më tepër për këtë pasion tuajin ?
Frederik Ndoci: Për të shuar kureshtjen tuaj dhe të lexuesit po publikoj ekskluzivisht për “Zhurnal” disa nga poezitë e mia të shkruara ndër vite.
SINQERISHT DASHURI
Çdo ditë që shkon
dhe më fort unë ndjej
dashurinë që tek ti unë gjej.
Dhe lumturia na përshkon se dashuria
e forcon përgjithnjë, me besnikërinë.
Dua që kënga ime, n’zemër ty të zgjoj
ditën kur dashuria, nisi të më robëroj.
Kur të puthja më rrihte zemra brenda gjoksit me shpejtim.
Hëna dhe yjtë
Humbisnin krejt përpara syve tona çdo vezullim.
Dhe për një çast, buzëqeshnim lehtë të turbulluar,
Qepallat ulje, unë të shtrëngoja,
N’krahët e tu, unë gjithë botën e përqafoja.
Tiranë 1981
ZEMRA dhe QELQI
Ishim të lumtur ne vite më parë
Asaj dashurie këtë kënga ja kushtoj.
Vite kaluan tani jemi ndarë
Por ja që dhe sonte për ty ëndërroj.
Jo, kaq lehtë zemra ime s’të harron
E di mirë, më s’më do ti aspak
Dhe ja sjellja jote e tregoi
Se ujë ke n’zemër dhe jo gjak.
Ah ç’ti bëj zemrës që si qelq ma copëtove
Edhe shikimin tënd shpejt nga unë e largove
Më harrove.
Më kot që frikësohesh kur rrugës kalon
Se më asnjëherë në rrugë s’të ndaloj
E di se do vuaj por s’do të rënkoj
Kjo qeshja e jote më çmend, më tërbon.
Jo, jo se harroj lumturinë
As jo kurrë ëndrrat e rinisë
Sa kollaj flake përjetë dashurinë tonë
Që më s’kthehet asnjëherë tek ne.
Ah, ç’ti bëj zemrës.........etj.
Zhurnal: Nga ju vjen i gjithë inspirimi për këto poezi, sa janë të dedikuara qoft jetës suaj, apo ndoshta realitetit në përgjithësi ?
Frederik Ndoci: Poezia është nëna e të gjitha arteve, pasi është lidhësja e shpirtit direkt me muzeun. Në fillimet e para arti im i poezisë mund të mos ketë peshën e vargjeve që sot shkruaj, sigurisht ndikon pjekuria e poetit dhe përballja me fenomenet e ndryshme të natyrës shpesh edhe pasqyrohet kjo në krijimtarinë time. Kam rreth 120 poezi dhe vjersha.
Zhurnal: Përveçse jeni këngëtar, dhe poet, ju po ashtu keni luajtur edhe në disa filma, si jeni ndjerë në aktrim?
Frederik Ndoci: Unë studimet e larta i kam kryer për aktor, dhe kam debutuar në gjashtë filma, dhe sigurisht që kam hyrë në enciklopedinë e krijimtarisë kinematografike shqiptare, sigurisht një defekt i madh është dhe nuk ka ndreqje gabimesh në artin e kinematografisë, ndërsa një këngë e kënduar 20 vjet përpara sigurisht që sot mund të tingëllojë nga i njëjti artist shumë ndryshe.
Zhurnal: z.Ndoci, padyshim se në fund të kësaj bisede të këndshme do kërkonim nga ju një porosi për të gjithë këngëtarët dhe artistët e rinj, e po ashtu edhe një porosi për të gjithë adhuruesit e juaj të cilët me vite të tëra me ëndje kanë dëgjuar këngët e Frederik Ndocit ?
Frederik Ndoci: Une do i lutesha çdo artisti që sekreti i artit qëndron në zbërthimin e tre pyetjeve çelës: ku? Kur? pse?. Kur artisti të zbërthejë këto tre pyetje para së ta materializojë artin e tij, ai do ketë sukses, pastaj çelësi i vazhdimësisë së suksesit është vullneti për ta parë veten shumë të vogel me artin që sapo debutove, nesër duhet të punosh që të jetë sa më cilësor, si ti si arti yt.
Mos kopjo...
Pasi nuk je më bir i natyrës por je nip i saj.
Artisti krijues është bir i natyrës.
Frederik Ndoci kurrë nuk ka qenë i lumtur në bravurën ose përsosmërinë e artit të vet, gjithnjë më ka munduar motoja, nesër duhet të studioj që si ta bëj më mirë.
Tashti do i publikoj ekskluzivisht për portalin tuaj disa nga aforizmat e mia, të cilat dhe këto janë afro 129.
Nëse ndihmon dikë mos ia thuaj kujt, pasi Zoti nuk është mirënjohës për ndihmën tënde...
Krijoni mitet për vetveten, edhe Zotat nuk filluan ndryshe.
Për fajet e baballarëve, shpesh ndodh që bijtë të shpërblehen.
Ai që pas vdekjes, nuk vëren asnjë ndryshim, ish i pa vlerë që kur u lind.
Kur njerëzimi ka fat, krimet përjetësohen në art.
Bashkëshorten në se se njeh, shpjerë larg ku nuk e njohin, ajo me siguri do shpërfaqet në vërtetësinë e saj.
Shpesh bukët e ringjitura ndjehen pasi gëlltiten.
Kam parë aktorë të mëdhenj që luanin vetveten. Atëherë kuptova sa të vegjël do të ishin sikur mos të ishin aq të mëdhenj.
Sa e tmerrshme është kur ta vjedhin persekutimin e një jete, mendo pastaj kur ta vjedh persekutuesi.
Etja për famë shumë herë përpin njerëz por përfundon në përpirjen e vetvetes.
Pendesa pas gabimit është shenjë hyjnore, por nuk është e tillë në se pendohesh në burg !
Kur rikthehesh në bankën e shkollës në moshë të thyer, nostalgjia e lotëve ndodh’ vetëm për ato momente që harxhove kot në rini.
Sa më shumë vdekje ka artisti, aq më shumë i pa vdekshëm bahet. Mos i tolero shumë injorancës në se nuk do që nesër të thërrasin “injorant”
Zhurnal: z.Ndoci ne ju falënderojmë shumë për gjithë sinqeritetin e treguar në këtë intervistë. Ju dëshiroj shëndet, suksese në karrierë, si dhe gjitha të mirat për ju dhe familjen tuaj ?
Frederik Ndoci: E unë u dëshiroj jetë të gjatë dhe të lumtur plot shëndet dhe dëshira të realizuara si do Zoti për njerëzit e mirë.