Rexhep Qosja: Refuzoj të përfshihem në fjalorin Enciklopedik



PRISHTINE- Në një letër të dërguar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,  akademik Rexhep Qosja ka bërë publik refuzimin e tij që të përfshihet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që do të hartojë ASHAK-u. Për këtë shkresë akademik Rexhep Qosja bën me dije edhe Redaksinë e Fjalorit Enciklopedik së cilës i kërkon që përmes saj të bëhet me dije edhe ASHAK-u se shkak kryesor i këtij refuzimi “është koncepti dhe përmbajtja e tij si vepër partiake – e LDK-së”. Konflikti mes institucionit të ASHAK-ut dhe akademik Qosjes këtë vit ka ardhur duke u thelluar.


Anëtarë të kësaj akademie kanë nisur të ngrenë akuza dhe manifestojnë mllef dhe sharje ndaj figurës së akademikut. Në fund të muajit shkurt pas këtyre ndodhive 37 personalitet të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kanë reaguar duke u bërë apel anëtarëve të ASHAK-ut se “Momenti historik që po kalojmë na shtyn t'i bëjmë thirrje ndërgjegjes intelektuale të kombit, për të reflektuar për përgjegjësitë e saj para popullit tonë dhe përpara historisë”. Por ASHAK ka kthyer sërish një përgjigje me akuza të tjera për Rexhep Qosjen, ku ky i fundit nuk ngurron të përballet me argumentat e tij, ku bëhet fjalë për vepra me rëndësi shkencore, siç është edhe rasti u Fjalorit Enciklopedik të Kosovës. Në letrën e tij akademik Qosja parashtron argumentet pse e refuzon përfshirjen e tij.

Ja letra e plotë e Qosjes:

“AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS

Sekretarit të administratës

Me këtë shkresë kërkoj që Redaksinë e Fjalorit Enciklopedik e, përmes saj, edhe Akademinë ta bëni me dije për sa vijon:

Refuzoj të përfshihem në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës që do ta hartojë ASHAK-u. Arsyet e refuzimit janë këto:

1. Siç shihet prej përmbajtjes së Fjalësit të tij, me gjithë arsyetimin e rrejshëm të shprehur në Parathënie, se Fjalori i ardhshëm Enciklopedik nuk cenon tërësinë e botës shqiptare, në këtë Fjalor në të vërtetë cenohet plotësisht dhe qëllimisht njësia e historisë, e gjeografisë, e kulturës dhe e qytetërimit shqiptar: e historisë politike, e arteve, e shkencave, e traditës dhe e jetës kombëtare në përgjithësi.

Në këtë mënyrë Fjalori në fjalë bëhet përmbushje “shkencore” e konceptit serb mbi ndarjen e Kombit shqiptar në dy kombe: në kombin e shqiptarëve të Shqipërisë të quajtur albanci dhe të kombit të shqiptarëve të Kosovës dhe të Jugosllavisë në përgjithësi të quajtur shiptariose shiftari. Cenimi i këtillë i njësisë së Kombit shqiptar e bën Fjalorin në fjalë vepër antikombëtare që komprometon vetëdijen historike, shkencore dhe kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi.

2. Fjalësi i këtij Fjalori të ashtuquajtur enciklopedik me konceptin dhe me përmbajtjen e tij është vepër partiake – e LDK-së, që e shpërdoron Akademinë për interesa dhe koncepte të veta tash e sa vjet!
3. Në Fjalësin e këtij Fjalori shihet se redaksitë e ndryshme të tij janë të përbëra, në të shumtën e rasteve, prej njerëzve që nuk mund të quhen kompetentë për fushat që mbulojnë, kurse në mënyrë fanatike janë shpërfillur njerëzit më kompetentë që shumë më mirë do të mund t’i mbulonin ato fusha.

4. Në Fjalësin e Fjalorit në fjalë, po ashtu, shihet se në Fjalorin e ashtuquajtur Enciklopedik përfshihen edhe emrat e fëmijëve, të etërve, të vjehrrive dhe të miqve të anëtarëve të Bordit, të Këshillit, të Redaksisë së ashtuquajtur Qendrore dhe të Redaksive të fushave të ndryshme të fjalorit.

Kjo e bën Fjalorin vepër pseudoshkencore me ngjyresa të forta lokale, partiake, klanore, familjare, ku krahas atyre që meritojnë të jenë në të do të “përjetësohen” emrat e shumë individëve që s’përfaqësojnë asgjë, ama bash asgjë, në historinë, në artet, në shkencat, në arsimin, në politikën a në fushat e tjera të jetës kombëtare shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës.

Rexhep Qosja
Prishtinë, më 28.3.2014 

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)