2014-06-02

Format e vlerësimit: Recensioni


Kritika letrare nëpër media (ose praktike) shërbehet me tipe të ndryshme tekstesh që synojnë intepretimin dhe vlerësimin e veprave, epokave, problemeve letrare, autorëve e të ngjajshëm. Gjersa portretet, letrat e hapura, intervistat, esetë, dialogjet e imagjinuara janë raritete dhe sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit kanë marë statusin e «species» në vdekje e sipër, recensioni dhe «vitirina e librit» (përshkrimet e shkurtëra për veprat e sapobotuara që i praktikojnë shumica e gazetave të përditshme shqiptare) vazhdojnë të mbijetojnë. Ato bëjnë jetë të hendikepuar, ama megjithatë po mbahen.
Recensionet që i lexojmë në të përditshmet shqiptare si «Shekulli», «Koha jonë», «Koha ditore», «Zëri i ditës» si dhe në revista e website të «specializuara» për letërsi në përgjithësi lënë shumë për të dëshiruar.
Tekstet që vijnë të mbititulluara si recensione ose që sugjerohen si të tilla nuk përmbajnë në vete elementet themelore që duhet të kenë. Të rrallë janë ata autorë që marrin mundin për të përfshirë të gjitha segmentet e nevojshme që kërkon recensioni për të qenë i kompletuar, si:
1.Të dhënat biografike për autorin (ky segment mund të lihet anash vetëm në rastin e autorëve shumë të popullarizuar, mirëpo përsëritja e biografisë është prapseprapë me rëndësi për shkak se biografitë ndryshojnë).
2. Informata në lidhje me veprat e mëpërparshme të autorit si dhe krahasimi i asaj të fundit me më të hershmet.
3. Analizimi i vlerësimeve kritike mbi autorin, vërtetimi, modifikimi apo kundërshtimi i tyre.
4. Krahasimi i veprës së autorit me vepra të autorëve tjerë aktual.
5. Informata mbi temën, përmbajtjen, strukturën, gjuhën, intencionin dhe përgatitjen teknike të librit.
6. Vlerësimi i tekstit dhe
7. Konkluzionet vlerësuese mbi librin.
Nëqoftëse intepretuesi nuk punon sipas këtij katalogu parimor, themelor dhe teksti i tij nuk përmban në vete informatat e sipërradhitura (pavarrësisht renditjes së tyre) ai asnjëherë nuk mund të jetë i bindshëm se di të shkruajë recension, ai nuk do të mund të jetë i besueshëm se ka lexuar, analizuar dhe njeh tekstin që trajton.

Recensioni sipas katalogut që shtruam mungon. Në vend të tij bëjnë jetë intepretimet që mund të emërohen si gjithçka tjetër, por jo si recensione.
Për çdo ditë na bie të hasim ndonjë tekst të mbititulluar si «recension». Lexuesi i privuar nga e drejta e ndërhyrjes, i cili luan vetëm rolin e konsumatorit të fjalës publike, është i detyruar të pranojë atë si të tillë. Me një mbititull të tillë paralajmërohet publikimi i ndonjë vepre të re. Autorët e teksteve të tilla, harrojnë përgjegjësinë që kanë ndaj lexuesit dhe japin konstatime nga më të çuditshmet pa qenë koshient për të arsyetuar mendimin e vetë. Ata thjeshtë shkruajnë; „ky është më i miri“ ose „ai është më i keqi“ pa ndier nevojën për të treguar konkretisht shkakun!
Në fund të një shkrimi, poashtu të mbititulluar si «recension», lexojmë konstatimin; «X është poeti më i mirë i (filan) gjeneratës së shkrimtarëve shqiptarë». Autori i atij shkrimi pompoz që nga shkronja e pare e tekstit e deri në fund shihet se është një injorant i kategorisë së asaj sorte që me shumicë i gjen nëpër mediat shqipe.
Për të demostruar sa më ashpër «dashurinë» ndaj poezisë (ose lirikut vetë), autori kishte rishkruar (besojmë me dorë të vetë) vargjet dhe i kishte futur ndërmjet fjalëve të veta, kështu që më në fund, pas një llogaritjeje të thjeshtë dilte se ai nuk kishte thënë më shumë se sa nja dhjetë fjali të fshehura ndër citatet që përmbushnin pothuaj gati një faqe gazete të formatit klasik. Ato dhjetë fjali, që të gjitha, rrotulloheshin rreth të njejtës gjë; «X. është poeti më i mirë, gjenial, kolosal...».
Nëpër sallone apo në kafene edhe po të kërkoi dikush llogari për ndonjë konstatim të përshpejtuar, mund të refuzosh që të pijsh më tej me të në tavolinë dhe të çohesh e të ikësh, ndërsa fjala e thënë publike të nënshtron përpara një obligimi, përgjegjësie më të madhe, për arsye se çdo konstatim duhet të jetë i argumentuar, i «dokumentuar», përndryshe ai mund të konsiderohet si shpifje. Keqpërdorim i lexuesit dhe mediumit ku plason mendimet.
Autori i konstatimit të lartëshënuar pa fije turpi donte t`i imponojë lexuesit të sinqertë mendimin e tij, pa ndier nevojë që t`i sqarojë atij; përse – sipas mendimit të tij – poeti X është më i miri! Ata që kanë mundësinë ta sigurojnë librin do të shohin se autori i «recensionit» ose është gjetur ngushtë gjatë hulumtimit të vlerave, të cilat ai do t’i bënte shtyllë të tekstit të tij ose nuk e ka lexuar fare librin dhe gjithë frymëzimi i tij fillonte dhe mbaronte në kopertinat e librit në fjalë. Kjo e dyta është më e sigurtë, sepse librat, për të cilat flasin «kritikët» e tillë jorrallë përmbajnë vlera që mund të përfliten, mirëpo me parakushtin që ata, pra «kritikët» së pari duhet t’i bëjnë nervat tok e t’i lexojnë si duhet e mos të flasin përmendsh.
Domethënë kriteriet themelore të vlerësimit nuk janë ato që kërkohen mëlartë por: Lavdërimi i tepruar ose sharrja deri në asht.
Për të mos rënë në pozitën e «recensentit» të përshkruar më lartë kritiku serioz duhet të manovrojë së paku me mjetet themelore të vlerësimit që analiza e tekstit i vë si parakusht. Kritiku i angazhuar dhe serioz asnjëherë nuk e nis intepretimin e tij për një vepër pa përshkuar së pari katalogun e pyetjeve themelore që kërkon analiza e tekstit. Katalog që në sipërfaqe duket skolastik, porqë jo vetëm se është i pashmangshëm por bashkë me çelësat personal interpretues (shih formularin mëposhtë) edhe përcakton nivelin e njohjes së objektit në studime e sipër dhe ajo më kryesorja dëshmon për punën, seriozitetin dhe besueshmërinë e vlerësuesit.


Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...