2014-06-01

Nga Fatmir Terziu - Universi Prozaik i Kadaresë mes Mitit dhe Veshjes



image


Ismail Kadare, tashmë njëri nga shkrimtarët më në zë të letërsisë evropiane dhe botërore, në një gjysmë shekulli krijimtarie realizoi një projekt letrar të mishëruar në identitetin kulturor të shqiptarëve. Ky projekt që përfshin më shumë se dyzetë vepra, të përkthyera gjithandej në botë, i ka dhënë rolin e një Homeri shqiptar, i ardhur me misionin e lartë për identitetin shqiptar. Në qarqet eminente letrare frënge dhe asaj ku ai ka marë çmimet e larta, flitet për universin kadarean. Për universin letrar të Kadaresë kanë folur mjaft autorë të huaj, si Eric Faye, John Carrey, Peter Morgan, Robert Elsie, Dominique Fernadez, Alain Bosquet, Julian Evans, Anjez Hyfner, Andre Clavel, por edhe autorë e studiues shqiptarë si Tefik Çaushi dhe Ali Aliu. Por edhe pse kanë trajtuar apriori dhe e kanë cilësuar këtë term që përfshin krijimtarinë e Kadaresë, ata nuk janë ndalur gjerësisht në këtë fenomen, ku ky univers letrar ka dyert e tij kulturore të hyrjes e të daljes, ka kode kulturore të vetat, bart shenjat e një sistemi unik funksional mitik, me cultural devices, mite e personazhe, të cilat emetojnë sinjalet drejtuar njeriut nëpër kohëra dhe hapësira të ndryshme. Ky univers është vetë tërësia universale dhe harmonike me parashenjat ekzistenciale dhe metafizike. Në sfondin e një lëvizjeje dinamike të kulturës, infrastruktura e këtij universi romanor, në rrethana përherë të reja nëpër interkontekste dhe intertekstualitete, rrezaton përherë ide dhe përmbajtje të reja.


Brenda këtij sfondi të dinamikës kulturore, i shtrirë në kohën dhe parakohën historike dhe antike shqiptare, brenda këtij portretizimi të shpirtit dhe identitetit shqiptar nëpër shekuj, përvijohet, penetron dhe është i pranishëm edhe vizioni gjithënjerëzor, misteri i ekzistencës së njeriut, cultural resistance. Universi letrar i Kadaresë ristrukturon të gjitha cultural devices, për të fokusuar gjininë, identitetin, bazuar në traditën dhe risinë me të cilën portretizohet shpirti i shqiptarit, herë më qartë e herë më diskretshëm me një multidirectional memory. Universi letrar i Kadaresë kësisoj përplotësohet nga vepra në vepër përmes transcendentimit të kësaj bote dhe e kundërta. Thellësitë mitike dhe legjendat, plotësohen nga refleksi letrar i Kadaresë, madje me të ngjyrat më të bukura që i afron cultural memory. Ky dinamizëm mitik e ngre në shkallë majash narrative tonin ideoestetik në tërë opusin prozaik të Ismail Kadaresë.


Mes një dinamike kulturore të detajuar universi letrar i Kadaresë, paraqiti izolimin shqiptar gjatë shekujve, sidomos atë nën diktaturën komuniste, duke dhënë detaje të mirëfillta e të qëndrueshme historike, që thelbin e kanë mes daljes nga errësira, zbrazëtia dhe boshësia, në dritë dhe lëvizje të plotë e të lirë. Përmes romanit Kush e Solli Doruntinën, Kadare tregoi se dalja nga izolimi i bunkerizuar në botën e lirë ishte më tepër se një mesazh, ku dora e hekurt e diktaturës staliniste në Shqipëri, e kishte kthyer kufirin e lirisë në një rrethim me mort. Kadare që nga botimi i Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur deri tek Pallati i Ëndrrave e mjaft botime të kohëve të fundit, u përfshi siç thotë vetë tek Autobiografia e Popullit në Vargje në idenë për të ‘projektuar vizionin e një ferri’ (Kadare, 2002: 99).


Jashtë errësirës së këtij ferri, universi letrar i Kadaresë, gjeti mjetet më të rrëndësishme kulturore për të transferuar dinamikën kulturore në shërbim të identitetit. Veshja e njëriut të projektuar në këtë ferr, ngjyrat, ritmi i hapave, ritmi i mendimit, fytyra e tij janë në marrëveshje të plotë me këtë vizion të errët e të izoluar, mbi të cilin qenia njerëzore shfaqet, së pari, në jetë dhe së dyti ku r e fundit i vjen lamtumira e kësaj bote. Asgjëkund tjetër veshjet e grave malësore, me njollat e bardha e të zeza në to, nuk janë në harmoni të plotë sesa në peisazhin me borë të shkrirë vende-vende të ‘udhëtarëve mjeranë, me ato hijëza skeletike në duar, apo me shpina të kërrusura nën thesin me misër’ (Kadare, 2003: 64). Asgjëkund tjetër vijat e tirqeve të malësorit nuk japin dinamikën e ecjes së tij sesa në ngjitje apo zbritje të terrenit malor. Kështu gjinitë dhe identiteti i përshkruar mes veshjeve, plotëson misionin e këtij universi letrar, ku edhe qeleshja e bardhë, ‘kapela kombëtare’ siç e quan vetë Kadare, është ‘shëmbëllimi i një shtrese bore mbi kokën e njeriut, imazh që ndoshta është nxjerrë nga pamja e maleve në dimër’ (Kadare, 2002: 98).


‘Kapelja shqiptare’ është një kontrast me të cilin Kadare i jep një qartësi të dukshme ‘borsalinos’, por jo një shembull i vetëm. Përdorimi i borsalinos tek Kronikë në Gur jep qartë efektin e saj transcultural të identitetit kulturor shqiptar, që shfaqet jashtë pamjes krenare, trimërisë dhe forcës që i jep qeleshja e bardhë shqiptarit. Është momenti kur Harilla Lluka, ‘hoqi borsalinën gjithë respekt’ dhe kur ai shfaqet nën këtë veshje si ‘frikacaku më i madh i lagjes’ (Kadare, 2000: 112). Borsalinoja e doktorit tek Konkurs Bukurie në Bjeshkët e Namuna është një tjetër kontrast mes të cilit jepet një pamje tjetër në kokën e njeriut me kulturë. Kështu universi letrar i Kadaresë qëmton deri në detajin më të vogël tërë rolin që kryen cdo element kulturor në shërbim të identitetit shqiptar për ta bërë atë sa më të denjë në mesin e identitetit evropian, për të cilën ai ka ngulmuar e shkruar gjithmonë. Edhe kur mpleksja e garmenteve ndodh për efekte kohore, apo edhe të përcaktimit të identiteve kulturore roli i veshjes është parë në veprën e kadaresë si një element kulturor në shërbim të këtij universi letrar.


Si për të plotësuar këtë univers letrar të tij, Kadare shkruan se ‘ajo që të bën përshtypje te veshja popullore shqiptare është luksi i saj në krahasim me gjithë nivelin e jetesës’ (Kadare, 2002: 98). Ky moment fragmentar, por i rrëndësishëm i romanit Prilli i Thyer, kur ‘Diana, me faqen të ngjeshur pas dritarëzës, krejt e mrekulluar, nuk i shkëpuste dot sytë nga kostumet e grave’ na qartëson vetë rolin e Kadaresë në projektin e tij, ‘Sa të bukura, oh, sa të bukura, thoshte herë pas here me vete’ (Kadare, 2003: 72). Jeta e mbërthyer mes varfërisë, poshtërimit, izolimit dhe mungesës së lirisë, përthyhet në veprat e Kadaresë mes punimeve të saj të veçanta, ngjyrave, qëndismave, pasurive të saj. Haberlandt e ka theksuar qartë vlerën e veshjeve shqiptare, duke qartësuar se në Shqipëri mund të gjejmë pothuaj të gjitha tipet e veshjeve të përdorura në Ballkan (Haberlandt, 1928: 139). ‘Me këtë veshje të jashtëzakonshme në trup, lëviznin malësorët në ditët e tyre të zakonshme’ (Kadare, 2002: 99). Kjo lëvizje shënonte aspiratën e tyre të jetës dhe daljes nga izolimi shekullor. Dëshira për të bukurën e jetës ishte edhe mes lëvizjes, edhe mes vetë bukurisë së veshjes. ‘Ajo është shprehje e qartë dhe e gjithkundshme e një aspirate barazimi’ (Kadare, 2002: 99). Por në veprat e Kadaresë, sidomos në ato që unë kam marë në konsideratë më të gjerë, veshja popullore, një temë e gjerë dhe e komplikuar, na intereson në masën që ka lidhje me krijimtarinë e Kadaresë. Dhe ajo ka lidhje të gjerë, të cilën do ta analizojë më gjerë në këtë studim.


Universi prozaik i Kadaresë kuptohet më qartë kur ai gërsheton mes elementëve kulturorë forma të ndryshme lidhjesh identitare. Një pjesë e veprës së tij nuk ka të bëjë me Shqipërinë, as si peisazh, as si ngjarje. Subjekti i romanit të tij Piramida, pavarësisht se ka në thelb një ide universale për diktaturën, duke përfshirë edhe atë më stalinisten shqiptare, ngjarjet i zhvillon në Egjiptin e lashtë. Romani Pallati i Ëndrrave ndodh në Konstandinopol, dhe mjaft romane të tij të tjera ndodhin në Moskë, në Greqinë Veriore, ose edhe në troje irealë e imagjinarë (qiell, skëterrë). Vetë Kadare shprehet se ‘nuk bëj ndonjë sforcim për të mbetur brenda kufirit shqiptar, ashtu sic nuk bëj sforcim për të dalë jashtë tij’ (Kadare, 2009: 45). Ky fakt dhe detajet e mësipërme e bëjnë të qartë se pse universi letrar i Kadaresë rrok një botë të gjerë kulturore dhe është e mbetet një sinkron i gjinisë dhe identitetit. Identiteti ballkanik dhe ai shqiptar në mjedisin letrar të Kadaresë është i përshkruar në një sens më detajues kulturor, ka detajin e saj tipik, koloritin me ngjyrat e saj kulturore, ka një dramacitet të vecantë. kultura shqiptare është pjesë e këtij mozaiku kulturor, ku shquhet për faktin se popujt e Ballkanit kanë një epizëm më të theksuar epik në kulturën e tyre, ‘kanë të përzier shpesh kulturën me probleme të kombit, të historisë, të patriotizmit, të clirimit’ (Kadare, 2009: 56)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...