2014-06-28

Një histori e 40 viteve më parë, treguar nga Dr.Flamur Topi

Entela Resuli
Flamur Topi, doktori i njohur, është skenarist i filmit “Guximtarët”, ku protagonist kryesor ka qenë Artan Santo, në rolin e Ilir qullacit. Një nga filmat më të dashur për fëmijë, me një temë edukative, ka për aktor kryesor bankierin, që dy ditë më parë u ekzekutua në ish-Bllok, zona më e frekuentuar e Tiranës. Pas përfundimit të homazheve nga familjarë, miq e të afërm, në hotel “Sheraton”, ne shkuam tek një person, i cili e ka njohur që fëmijë, që në momentin kur u përzgjodh të ishte ai figura kryesore e filmit “Guximtarët” (prodhim i vitit  1970), dr. Flamur Topi. Ai e ideoi si personazh në letër e më pas, një ekip u mor me realizimin e filmit në terren. Me qindra fëmijë u testuan nga regjisori Gëzim Erebara. Sytë dhe mendja ndaluan te i vogli Artan Santo, në atë kohë 14 vjeç. Për t’ua kujtuar pak, përmbajtja e filmit është pak a shumë kështu: “Iliri (Artan Santo) po rritet si një fëmijë egoist dhe tepër i përkëdhelur. Shokët e tij të klasës e rrethojnë me dashuri dhe përkujdesje për interesa më të gjera. Ai njihej ndryshe si “Ilir qullaci”, për shkak të rezultateve të dobëta në orën e fizkulturës. Për të tejkaluar këtë opinion, ai niset me një grup alpinistësh të rinj në malet e Shqipërisë së Veriut. Kur arrin majën e malit, ai e sheh jetën nga një tjetër këndvështrim”. Dr. Flamuri, në këtë bisedë për gazetën “Dita”, na tregon detajet e përzgjedhjes së Santos në atë kohë mes qindra fëmijëve të tjerë dhe batutat e fundit që ka shkëmbyer me të në korridoret e bankës…
Dr. Flamuri, si është bërë përzgjedhja e Artan Santos në filmin “Guximtarët”, ku ju jeni autor i skenarit?
Ka qenë një përzgjedhje e përkryer e regjisorit të filmit, Gëzim Erebara. Janë provuar qindra fëmijë, të Tiranës kryesisht, dhe me Santon qëlloi që të bënte një zgjedhje shumë të gjetur. Artani, nga pamja e jashtme të linte vërtet përshtypjen e një fëmije të përkëdhelur, i shëndoshë, me flokë të drejta dhe deri në këtë pikë kështu ishte. Të jepte idenë e një fëmije paksa qullac, ndaj edhe në film është quajtur “Ilir qullaci”, por në të vërtetë, ai në jetën reale ishte një djalë i shkathët dhe shumë inteligjent. Ndaj, te “Guximtarët” është tjetër gjë dhe në jetën reale ishte tjetër gjë. Ashtu si në film, që ngjit majën e Pionierit i pari, ashtu ngjiti dhe maja të tjera në jetë, si në biznes, ashtu edhe në art, sepse Artani ka shkruar disa libra.
Filmi_GuximtarëtKu janë bërë xhirimet e filmit?
Shumica e xhirimeve janë bërë në natyrë, jashtë Tiranës, pa harruar këtu Lurën e bukur. Në atë film mund të gjejmë pamjet e fundit të Lurës reale, të pashkatërruar. Më ka ardhur shumë keq që ai film nuk u bë me ngjyra, është prodhim i vitit ’69, në ’70 ka filluar të shfaqet dhe janë bërë tashmë 44 vite që është realizuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe është shfaqur me shumë sukses. Madje një sukses të madh ka pasur edhe në Kinë, duke qenë edhe atje një film i dashur.
Ishte Santo një aktor i mirë?
Aktor shumë i mirë. Domethënë, kërkesave të regjisorit Gëzim Erebara, ai iu përgjigj shumë mirë. Krijoi një figurë bindëse. Tani vinte nga një familje intelektuale, i përkëdhelur nga nëna dhe babai. Në këndvështrimin tim si skenarist ishte mëshirim i personazhit që unë kisha krijuar në tekst. Ishte një gjetje shumë e mirë.
Po më vonë, me kalimin e viteve, keni pasur kontakte me të?
Po, kam pasur. Kontakte shoqërore, pasi kishim  ndjekur rrugë të ndryshme, por sa herë që takoheshim, takoheshim me shumë mall dhe respekt për njëri-tjetrin.
Ka qenë i lodhshëm ai film?
Për ta përshtatur skenarin ka qenë shumë e vështirë. Më është dashur të ulem e ta punoj të paktën tri herë.  Duhej të përputhej edhe me mentalitetin dhe politikën e kohës. Është shfaqur atëherë në të gjitha përfaqësitë tona diplomatike.
Vetë personazhi i Ilirit në film kishte shumë elemente pozitive, që ngriheshin përtej figurës së qullacit. Se pavarësisht që ishte qullac, ishte djalë shumë i mirë, i edukuar, i mirë në mësime… E tejkaloi të qenit i “ngathët” dhe u bë një djalë super i shkathët.
E ka dashur filmin Artani në atë kohë, domethënë është përfshirë me qejf në këtë sipërmarrje filmike?
Me shumë qejf, madje ai edhe ka konkurruar për këtë gjë. Më kujtohet që marrëdhëniet e tij me Tinka Kurtin kanë qenë shembullore. Ajo, një mjeshtre e madhe, u pozicionua mjaft mirë në film, në rolin e nënës.
Kur takoheshit më vonë, e kujtonit filmin?
Gjëja e parë, kujtonim filmin. Ishte një kujtim i përbashkët dhe shumë i bukur. Na vinin batutat pa dashje. Herën e fundit që e takova, më kujtohet, ishim në korridoret e bankës Credins dhe i them: Ti Ilir (e ngatërroja shpesh, sepse më kishte ngelur në mendje emri Ilir si në rol) nuk ke qenë kurrë si Ilir qullaci.  Artani reflektonte inteligjencë, zgjuarsi dhe shkathtësi, të gjitha këto i kishte të natyrshme. Ka qenë djalë me shumë vullnet. Njeri punëtor dhe mik shumë i mirë, jo vetëm për mua, po për të gjithë.
Karakteristikën e të qenit një njeri i zoti, ai e arriti edhe në film..
Pa diskutim. Nga një djalë i mbyllur brenda katër mureve. Arriti të ngjiste majën më të lartë të Pionierit dhe të meritonte gjithashtu titullin “Pionier”. Jeta e tij mund të kishte edhe këtë simbolikë, pasi i përngjan ngjitjes së një maje. Ai u ngjit gradualisht, në lartësi të të mundshme për t’u  kapur nga kush do, por jo nga çdo kush, dhe realisht ai u ngjit.
Vërtet nuk e kalonte dot kaluçin, ashtu si në film…?
Jo, jo. Ai ka qenë një djalë i shkathët. Ai e kalonte dhe ne i thoshim: Mos e kalo, qëndro aty. Ndërsa kur duhej që ta kalonte, e bënte pa problem.
Dr. Flamuri, ju kur morët vesh për lajmin e hidhur të ndarjes së tij nga jeta, çfarë menduat?
Nuk e kam besuar. Gjithmonë pas një vrasjeje njeriu dyshon “e vranë për këtë apo atë gjë”. Në rastin e Artanit, nuk dija ku ta çoja mendjen. Ai ishte vërtet një figurë e respektuar njerëzore. I ndershëm, punëtor, i rregullt, korrekt. Akoma nuk e  besoj. Nuk e di se çfarë motivi i ka shtyrë vrasësit apo ata që kanë porositur vrasjen për t’u marrë me një person të tillë. Tani po dëgjoj se e paskan ndjekur edhe më parë deri në Durrës me motor dhe gjëja më e pafalshme është kjo që: pse ai nuk dha alarmin, ndërkohë, që kishte konstatuar që ndiqej nga ky motor! Unë e shpjegoj vetëm me një gjë: ai kurrë nuk ka dyshuar se të tjerët mund të kenë plane dashakeqëse për të, sepse nuk i ka njohur vetes arsye. Këto janë vdekje të tmerrshme, pasi kur e di që ke një arsye për t’u ruajtur, ruhesh; por kur ti ndiqesh dhe ti nuk e beson që ndiqesh sepse s’ke bërë asgjë për t’u ndjekur, këto janë vrasje nga më të hidhurat dhe tradhtaret.
Në një emision për zemrën po thosha që ka situata apo sëmundje kur njeriu nuk mund të lërë dot amanete, siç është infarkti.  Por, kjo vdekje, kjo vrasje që iu bë Santos nuk i ka lënë kohë as të mendojë se po vritet, kaq shpejt është vepruar. Ai nuk e ka menduar që po vritet.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...