2015-01-04

Tradita jonë e krishterë dhe sfida e autoqefalisë


ndricim kullaNga Ndriçim Kulla
Afërsisht mbi 90 vjet më parë, në Berat zhvilloi punimet një Kongres kishtar, që ia vlen të çmohet e rikujtohet në tërë madhështinë e përfundimeve që arriti. Por, përpara se të mbërrijmë tek ai, le të themi dy fjalë për historinë e krishterimit shqiptar.
Është e provuar se në Shqipëri Krishterimi është apostolik, d.m.th, ai është marrë nga arbërit direkt nga goja e apostujve, e ky është një fakt me tepër rëndësi për sa i përket pretendimeve të popujve sllavë (sidomos serbëve) për lidhjen e tyre të fortë e të lashtë me ortodoksinë, pasi këtë besim ndryshe nga ne, ata e kanë marrë përmes popujve të tjerë. Në hapësirat e Arbërisë, kanë predikuar  Shën Pali, Shën Andrea, Shën Luka; ky i fundit autor i librit “Vepra e Apostujve” dhe nxënës i pandarë i apostullit Pal. Është për t’u përmendur edhe një dokument që flet se në Durrës në vitin 58 ka pasur 60 familje të krishtera.
Vijueshmëria dhe konsolidimi i kësaj tradite na jepet edhe me fakte të tjera. Mozaikët me brendi të krishterë në kishën e Shën Anargjirëve, që mendohet të ketë qenë qendra peshkopale e Durrësit, të ndërtuar rreth viteve 610-641, janë të ngritura nga dyshemeja mbi mure dhe shfaqen si pararendës të afreskeve të mëvonshme.
Ky nuk është një fakt i thjeshtë, përkundrazi; ngritja e tyre mbi mur nuk është bërë për shkaqe ekspozimi, por për shkaqe psikologjike dhe adhurimi, çka tregon se krishterimi këtu kish arritur një fazë konsolidimi. Ndërkohë që dëshmia se nëpër këta mozaikë gjejmë shkrime në gjuhën greke, nuk tregon aspak etninë e vendasve, pasi gjuha greke në këtë kohë ishte gjuhë e Kishës si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Madje edhe shumë nga dokumentet e Vatikanit deri në shekullin VII janë në gjuhën greke.
Historia provoi se shumë nga popujt politeistë u zhdukën përgjithmonë nga faqja e dheut e kjo u vërtetua edhe me lëvizjen e ethshme të popujve deri në shekullin VI-VII. Popujt politeistë u përpinë dhe asnjëri prej tyre nuk formoi dot kombësi, duke mbetur vetëm si emra në histori. Ky është gjithashtu edhe një argument bindës se si një popull, relativisht i vogël në Ballkan siç qenë arbërit, të mos përpihej as nga gotët, as nga hunët, as nga avarët, as nga sllavët, as nga romakët e as nga grekët. E kjo, sepse ata ishin me një krishterim të konsoliduar kur filloi kjo lëvizje e madhe e popujve që e përshkruan për një kohë të gjatë vendin e tyre.
Për sa i përket shekujve të ardhshëm, mund të vëmë në dukje se popullsitë ilire, që herët i bindeshin vetëm klerit të tyre, kurse vetë Roma sanksiononte zgjedhjen e primatit që ata paraqisnin, si dhe miratonte zakonet e veçanta të Kishës së Ilirisë. Po kështu, disiplina e kishave të Ilirisë afrohej më shumë me atë të kishës romane, pasi ato ndiqnin liturgjinë dhe vareshin drejtpërdrejt prej saj.
Ajo e Bizantit ishte krejt ndryshe. Në vijim, nga fragmentet e një krisobule të publikuar nga Rali dhe Pote, një kopje e plotë e së cilës gjendet në Malin Sinai, shihet se organizimi fetar deri në atë kohë nuk e përfshin Primatinë e Ilirisë nën selinë e Bizantit. Edhe nga dokumente të tjera del po i njëjti përfundim, pra se qysh prej vitit 640 e deri më 1017, domethënë në katër shekujt e errët deri në Skizmën e madhe, ajo nuk varej nga Bizanti.
Është mjaft domethënës edhe fakti që shumë nga terminologjitë e Kishës sonë shqiptare janë me origjinë latine si: meshë, kungatë, prift, shenjt, pagëzim, peshkop, kryq, mallkim etj. Fjalët altar, abat, abaci, frat apo ferr, kanë hyrë direkt nga latinishtja në gjuhën e kishës. Në këtë vijim historik, një kapitull i veçantë duhet hapur  për Justinianën e parë dhe Patrikanën e Ohrit.
E kjo për një arsye madhore që lidhet me traditën tonë të gjatë në fushën e autoqefalisë së kishës. Justiniana e parë u themelua nga Justiniani me anën e një akti të lëshuar më 14 Prill të vitit 535 dhe që lexohet në Letrën XI. Jo vetëm për jetën fetare të popullit shqiptar, por pothuaj të të gjithë gadishullit Ilirjan, Ohër-Justiniana ka qenë metropoli i tij nga viti 535 deri në 1767, kur u shkatërrua nga vandalizmi greko-bizantin dhe nga intrigat e fanariotëve. Duhet theksuar se në të gjithë Kishën Lindore ka pasur gjithsej vetëm tri Patrikana autoqefale: ajo e Ohrit, e Pejës (e suprimuar në po atë vit me Ohrin) dhe ajo e Qipros, e cila e ruan autoqefalinë edhe sot.
Ndaj shfaqet si vërtet rrënqethës krimi i shkatërrimit me një përkujdesje të skajshme i arkivave të primatisë ilire, dhe të gjitha pjesëve përkatëse të marrëdhënieve kanonike, të cilat ajo i kish pasur deri në atë kohë me Romën. Ekzistonin edhe dokumente të çmuara në manastirin e Shën Naumit, por ato u shkatërruan me urdhër të patriarkut grek në vitin 1850 ose 1851. Dhe ajo çka të habit është se nuk janë vetëm arkivat e Primatisë së Ohrit dhe të Shën Naumit ato që shkatërroi patriarku grek. Historiani rus Venelin tregon, gjithashtu, se edhe ato të Tërnovës së madhe u asgjësuan me urdhër të patriarkatit grek.
Ja pse në luftën e madhe e të rëndësishme që ndërmori populli shqiptar rreth 150 vjet më vonë nga shkatërrimi i Patrikanës së vet autoqefale, ai nuk mundej të ndihej i patraditë. Kish shekuj të tërë që e kish pasur, pavarësisht se nuk ka gjurmë dokumentare. Nacionalistët grekë u rrekën menjëherë për ta përdorur rënien e Autoqefalisë së Ohrit dhe nëpërmjet Kishës dhe patriarkëve të vet synuan fortësisht idenë e tyre të helenizimit të të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit me divizën se të gjithë ortodoksët duhet të quheshin grekë, ashtu siç thoshin turqit.
Ja, pse shkatërrimi i Mitropolisë së Ohrit dhe arkivave të saj ishte një gjëmë kombëtare historike për shqiptarët, sepse i hoqi të gjitha barrierat e mundshme fetare dhe historike ndaj furisë së lëvizjeve helenizuese. Dhe për këtë arsye shfaqet si proverbiale shfaqja e vrullshme e fuqisë së këtij shpirti, në veprimin e 30 Korrikut 1919, kur u shpall Kisha Ortodokse Shqiptare e Amerikës si Kishë Autoqefale dhe Fan Noli si peshkop i saj. Mirëpo mbetej që kjo të kryhej brenda vetë Shqipërisë, për t’i vendosur kështu një barrierë përdorimit të deriatëhershëm të Kishës dhe përkatësisë ortodokse të shqiptarëve, për qëllimet politike të Greqisë së atëhershme.
Ky akt nisi me Kongresin Kishtar të Beratit dhe me formulën e tij për klerin shqiptar të vendosur pas shumë diskutimesh në mbledhjen e 52-të të datës 31 Maj të vitit 1923:
Me veprime e tij të guximshme, të menduara mirë e të mbështetura fort në kanonet e shenjta shqiptare, Fortlumturia e tij Visarion Xhuvani, arriti ta vijojë traditën tonë autonome apo autoqefale nga viti 1919 deri në maj të vitit 1936, kur Patrikana Ekumenike e kushtëzoi dhënien e Tomus-it me largimin e tij, një punë kjo që gjithsesi u krye me përkushtim nga një tjetër Hirësi shqiptare si Kristofor Kisi.
Ndaj s’është e udhës të thuhet se ne nuk kemi një traditë të fortë autoqefale. Përkundrazi, është e udhës të thuhet se shtegu që çeli me aq mund e dhimbje Visarion Xhuvani dhe gjithë qarqet patriotike ortodokse shqiptare të mbledhura përreth tij, brenda dhe jashtë vendit, nuk është hapur ende si duhet dhe sot, 90 vjet pas vendosjes së formulës së klerit shqiptar, në atë udhën e drejtë e të pakthyeshme të konsolidimit dhe zbatimit të kësaj formule. Ende dhe sot nuk ndihet i gjallë dhe udhërrëfyes parimi parësor i Visarion Xhuvanit, sipas të cilit “Kisha nuk është një vend vetëm për t’iu lutur Zotit, por është një vend ku ungjilli me gjuhën e vet tregon se si duhet të punojmë për kombin”.
Është në dobinë imperative të Shqipërisë që edhe kjo “aventurë” e autoqefalisë si periudhë afatgjatë e historisë së saj, të përfundojë me ndarjen  njëherë e përgjithmonë nga epoka e “tranzicionit” mbi 20-vjeçar dhe të ngjashmëve me të që mund ta zëvendësojnë, të ecë në gjurmët e traditës e të përmbushet si dhe shumë herë të tjera me fitoren e shpirtit të kombit, çka do të thotë, me konsolidimin përfundimtar të traditës në zbatimin e përhershëm të formulës për klerin ortodoks shqiptar dhe me parimet kombëtare të udhëheqjes së tij.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...