Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe zëvendës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi janë shpallur qytetarë nderi të Ulqinit.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur përsëri për bashkimin e shqiptarëve. Ai ka thënë në Ulqin se shqiptarët po ecin drejt bashkimit kombëtar, por sipas tij, kjo do të ndodhë në familjen evropiane.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se shqiptarët kanë barrën e veçantë të jenë nxitës të lidhjeve të paqes dhe stabilitetit në rajon, duke pasur në këtë mënyrë përgjegjësinë historike për të dhënë shembull.
“Kënaqësi krejt e posaçme prej nderit te madh që ju me bëni me këtë titull. Çmoj praninë e Presidentit të Malit të Zi në këtë ceremoni që bashkon ne si shqiptare e malazez në një moment festiv por edhe reflektimi për rrugën e përbashkët. Në këtë rrugë Ulqini është një pikë përbashkimi mes shqiptarëve dhe malazezëve. Na takon në këtë kohe të re të paqes të jemi nxitës të lidhjeve të paqes, por shqiptarëve iu bie një barrë e veçantë pasi sot janë më mirë se ç’kanë qenë po kanë përgjegjësinë historike për dhënien e shembullit të tyre”, u shpreh kryeministri Rama sot në Ulqin.
Kreu i qeverisë tha se i gjithë komuniteti shqiptar po ecën drejt bashkimit të të gjithë shqiptarëve në familjen evropiane. “Do ecim drejt bashkimit kombëtar, të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në familjen evropiane”, tha Rama
Thaçi: Kosova ndihen shumë afër Ulqinit
“Komuna e Ulqinit dallon si komunë e pasur në Ballkan për trashëgimi kulturore, monumentale, natyrore dhe ç’ është më e rëndësishmja edhe për vlera njerëzore, prandaj edhe unë sot ndjehem i privilegjuar që më keni nderuar me këtë çmim”, tha Hashim Thaçi në fjalën e tij në Ulqin.
Sipas Thaçit, qytetarët e Kosovës ndihen shumë afër Ulqinit, sepse e lidhin këtë trevë me kujtimet më të bukura të tyre gjatë stinës së verës. “Përveç pushimeve verore, një tjetër urë e fortë lidhëse mes Kosovës dhe trevës suaj ka qenë edhe Universiteti i Prishtinës, në të cilin janë shkolluar me mijëra bijë dhe bija tuaja, por edhe ku kanë kontribuar dhjetëra kuadro të dala nga popullsia shqiptare e Malit të Zi”, shtoi numri dy i qeverisë së Kosovës.
Kësaj ngjarjeje i kanë dhënë jehonë edhe mediet ruse, sipas të cilave njoftimi se Rama dhe Thaçi do të shpallen qytetarë nderi të Ulqinit, me vendim të kryetarit të Komunës, Fatmir Gjeka, ka shkaktuar reagim negativ në qarqet politike të Malit të Zi, sidomos të forcave politike proserbe.
“Në Malin e Zi po lëviz “Shqipëria e madhe’”, është titulli provokues i lajmit të agjencisë ruse të lajmeve REGNUM.
Kjo agjencia e ka cituar anëtarin e Kryesisë së Partisë Demokratike Popullore të Malit të Zi, Zoran Lakushiq, I cili këtë akt të kryetarit të Ulqinit e ka cilësuar si “akt të terrorzimit politik” kundër tërësisë territorial dhe pavarësisë së Malit të Zi.
“A është Komuna e Ulqinit në Mal të Zi apo tashmë ka shkuar drejt projektit ‘Shqipëria natyrale’”, ka pyetur Lakushiq, I cili, sipas shënimeve zurtare të partisë së tij, e di vetëm rusishten.
Copëtimi i Shqipërisë ishte procesi i ndarjes së trojeve shqiptare nga Kongresi i Berlinit deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në 1913 .
|
Lufta Ruso-Turke (1877-1878) i cënoi rëndë zotërimet osmane në Gadishullin Ballkanik, duke e lënë perandorinë vetëm të mbahej në pozicione të pasigurta në Maqedoni dhe në trojet e banuara nga shqiptarët. Në anën tjetë i dha një frymëmarrje shumë të gjërë shteteve dhe popullsive ortodokse, për analogji me Rusinë që tashmë konsolidoheshin ne shtetet fqinje që njëkohësisht e përdorën si një armë propagande edhe kundër kombeve si ai shqiptar.
Shqiptarët në atë kohë banonin në katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Llogaritet se nga 2 500 000 banorë që kishin këto vilajete, 2 milionë ishin shqiptarë, dhe pjesa tjetër vllehë, maqedonas sllavë, grekë dhe romë. Shqiptarët ishin shumica absolute në të katërt vilajetet.
Copëtimi i parë: Kongresi i Berlinit
Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dhe qytetin e Tivarit dhe Podgoricën, ku gjithashtu kishte popullata shqiptare.
Për t'i bërë ballë copëtimit të trojeve shqiptare, u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë aneksimin e trojeve shqiptare. Luftime të rrepta u zhvilluan në Plave e Guci, ku sipas burimeve të kohës "zona kufitare u mbulua me gjak". Forcat malazeze nuk mundën të marrin Plavën e Gucinë dhe kërkuan nga Kongresi i Berlinit një zonë tjetër.
Kongresi caktoi Hotin e Grudën, ku sërish pat luftime të përgjakshme dhe forcat malazeze nuk arritën të thyejnë qëndresën shqiptare. Kongresi atëherë i dha Ulqinin Malit të Zi. Forcat e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u ndodhën para sulmeve të ushtrisë malazeze dhe nga lindja nga sulmet e ushtrisë Osmane, e cila u dërgua nga Sulltani për të shtypur Lidhjen dhe për të dorëzuar Ulqinin te malazezët. Shqiptarët u tërhoqën dhe u mundën nga forcat e shumta osmane të udhëhequra nga Dervish Pasha, të cilat shkatërruan Lidhjen e Prizrenit në një sërë betejash.
Gjatë copëtimit të parë, shqiptarët humbën zonat veriore të Toplicës, Pazarit të Ri, Nishit, Ulqinin dhe disa territore në jug të Çamërisë.
Ulqini (mal. Ulcinj dhe Улцињ) është qytet bregdetar në jugun e Malit të Zi, i cili laget nga Deti Adriatik. Është një pikë turistike e rëndësishme dhe qyteti me rrethinën e tij posedon një pasuri të madhe kulturoro-historike dhe natyrore.
Ulqini është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga Ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Romakët dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Bizantit. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj në atë të Balshajve. Në këtë kohë ishte qendër e rëndësishme e pushtuesve të rinjë. Më 1405 u morr nga Venedikasit e pasaj më 1571 nga Osmanët.
Në Ulqinin osman jetoi vitet e fundit të jetës edhe "mesia i rremë", Sabataj Cevi. Më 1880 e pushton Principata e Malit të Zi. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Ulqini do të përjetoj edhe epokën e tij të artë, që u ngrit nga turizmi i nivelit të lartë.
Ulqini është qendra e Komunës së Ulqinit dhe e komunitetit shqiptar në Mal të Zi. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Ulqini numëron 10,707 banorë, ndërsa komuna numëron 19,921 banorë.
Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878)
Në punimet e Kongresit të Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, i kryesuar nga ministri i saj i Jashtëm, Kara Theodhor Pasha, me ndihmës të parë Mehmet Ali Pashën, një mareshal turk me origjinë gjermane. Por delegacioni turk nuk kishte të drejta të barabarta me ato të Fuqive të Mëdha. Ai mund të diskutonte për çdo çështje të rendit të ditës, por nuk kishte të drejtë të votonte për vendimet e Kongresit.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.
Megjithëse kjo platformë e autonomisë ishte pranuar nga shumica e qarqeve patriotike shqiptare, nuk munguan t’u paraqiten Fuqive të Mëdha edhe kërkesa të tjera, që parashikonin formimin e një shteti të pavarur shqiptar. Kështu, në memorandumin, që një grup atdhetarësh shkodranë i dërguan më 13 qershor 1878 lordit Beaconsfield, kryetar i delegacionit anglez në Kongresin e Berlinit, pasi flitej hollësisht për rrezikun që i kanosej tërësisë territoriale të Shqipërisë nga shtetet fqinje, parashtrohej si zgjidhja më e përshtatshme për çështjen shqiptare, në kushtet në të cilat ndodhej Evropa Juglindore, formimi i një shteti shqiptar të pavarur. Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar do ta çlironte popullin shqiptar nga zgjedha shekullore osmane, do të krijonte në Ballkan një mburojë kundër pansllavizmit rus dhe do të shërbente si një element ekuilibri në lindje.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “nuk ka një komb shqiptar”.
Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi i Berlinit. Të mbledhura për të rishikuar Traktatin e Shën-Stefanit, Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në Kongres Fuqitë e Mëdha nuk u udhëhoqën nga parimi i lirisë së popujve, por nga interesat e tyre të veçantë, të cilët ishin në kontradiktë të thellë ndërmjet tyre. Perandoria Ruse luftonte për të sanksionuar kushtet e Traktatit të Shën-Stefanit, kurse Britania e Madhe me Austro-Hungarinë përpiqeshin të pakësonin sa më shumë përfitimet e Rusisë dhe t’i përforconin pozitat e tyre në Evropën Juglindore. Perandoria Gjermane orvatej të kënaqte Austro-Hungarinë për të mos e lënë që të bashkohej me Francën dhe ta neutralizonte kundërshtimin e Rusisë, duke provokuar keqësimin e marrëdhënieve të saj me Perandorinë Britanike. Synimi kryesor i Francës ishte izolimi politik i Gjermanisë, kurse Italia, nga ana e saj, kërkonte zgjidhje të tilla që do të çonin në dobësimin e pozitave të Austro-Hungarisë në Gadishullin Ballkanik.
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.
Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit, mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.
Përfitime tokësore në kurriz të Perandorisë Osmane patën sidomos dy fuqi të mëdha, të cilat nuk kishin marrë pjesë fare në luftën ruso-turke: Austro-Hungaria dhe Britania e Madhe. Austro-Hungaria fitoi të drejtën për të pushtuar ushtarakisht, gjoja për t’i administruar, Bosnjën dhe Hercegovinën, përveç limanit Spic, në brigjet jugore të Dalmacisë, të cilën e aneksoi zyrtarisht; po ashtu fitoi të drejtën për të mbajtur garnizone ushtarake në sanxhakun e Novi Pazarit. Britania e Madhe, e cila u paraqit në Kongres si mbrojtësja më e flaktë e Perandorisë Osmane, i shkëputi kësaj ishullin e Qipros.
Me përkrahjen e Anglisë e të Francës, Kongresi i Berlinit mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë, e cila gjithashtu nuk kishte marrë pjesë në luftën ruso-turke. Athina pretendonte të aneksonte Thesalinë, Maqedoninë, Kretën dhe sidomos Epirin (vilajetin e Janinës). Pas mjaft debatesh, Kongresi, duke marrë parasysh kundërshtimin që bëri Anglia për Kretën dhe Rusia për Maqedoninë, nuk pranoi që këto t’i jepeshin Greqisë, ndërsa për pretendimet greke në Epir, Perandoria Osmane deklaroi haptas se aneksimi i Epirit nga Greqia do të ishte i rrezikshëm për të dyja palët, pasi aty mbisundonte popullsia shqiptare, e cila do t’u shkaktonte telashe si Greqisë, ashtu dhe Turqisë. Më në fund u vendos që kufiri në Thesali dhe në Epir të caktohej nga një komision turko-grek. Megjithatë, Kongresi rekomandonte si vijë kufiri lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali. Në rast se Greqia e Turqia nuk do të merreshin dot vesh ndërmjet tyre, thuhej në nenin 24, atëherë do të ndërhynin Fuqitë e Mëdha.
Vendimet e Kongresit të Berlinit cenonin rëndë interesat e popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit, edhe ai nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike. Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. Ai nuk e respektoi as tërësinë e saj territoriale. Malit të Zi, përveç trojeve me popullsi të përzier shqiptare e sllave, iu dhanë përsëri disa vise thjesht shqiptare (krahinat e Plavës, të Gucisë e të Rugovës), sikundër edhe Serbisë (krahinat e Vranjës, të Trenit e të Pirotit). Bullgarisë nuk iu njohën viset e Shqipërisë Lindore, por, nga ana tjetër, iu dhanë Greqisë (e cila nuk përfitonte asgjë nga Traktati i Shën-Stefanit), viset e Çamërisë. Veç kësaj, me Traktatin e Berlinit lindi edhe një rrezik tjetër për trojet shqiptare. Ky rrezik vinte nga Austro-Hungaria, e cila, përveç pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, fitonte gjithashtu të drejtën të vendoste garnizone ushtarake dhe të ndërtonte rrugë strategjike në sanxhakun e Novi Pazarit “deri përtej Mitrovicës”. Me këto koncesione Vjena hidhte hapin e parë për të pushtuar një ditë krejt Kosovën dhe për të dalë pastaj në Selanik.
Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt, dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit, Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre, në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi, do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. E dyta ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta). Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Të dyja këto vendime ishin negative për Shqipërinë.
Katër vilajetet shqiptare të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës që u propozuan për autonomi nga Lidhja e Prizrenit
Me nenin 23 Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, jo pse e detyronin Perandorinë Osmane t’i pajiste viset ballkanike me administratë autonome “të përshtatshme” me nevojat e tyre, por me të drejtën që fitoi Porta e Lartë për ta mbajtur edhe në të ardhmen ndarjen administrative që ishte në fuqi, pra copëtimin e trojeve shqiptare ndërmjet katër vilajeteve të ndryshme. Reformat administrative autonomiste i kërkonin vetë qarqet përparimtare rilindëse, por ato i kushtëzonin këto reforma me bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Pajisja e katër vilajeteve me “rregullore organike” të veçantë, gjoja në përshtatje me nevojat e vendit, do t’i vështirësonte edhe më tej lidhjet ekonomike, shoqërore, politike e kulturore ndërmjet krahinave shqiptare të këtyre vilajeteve. Për më tepër, e drejta që fituan me nenin 23 Fuqitë e Mëdha për të ndërhyrë në këtë çështje, u dha atyre mundësinë, siç shkruante pak më vonë Abdyl Frashëri, që t’u jepnin reformave karakter joshqiptar, por serb në vilajetin e Kosovës, bullgar në atë të Manastirit dhe grek në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e nenit 23 rritej më tepër në të ardhmen rreziku i aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike dhe vështirësohej më shumë lufta e shqiptarëve për bashkimin e këtyre trojeve në një vilajet të vetëm autonom.
Po ashtu, me Protokollin nr. 13, Fuqitë e Mëdha cenonin interesat jetike të Shqipërisë, sepse çështjen kombëtare shqiptare e reduktuan vetëm si problem të popullsisë së saj katolike dhe në mënyrë të veçantë vetëm si çështjen e një krahine të saj, siç ishte krahina e vogël dhe e prapambetur e Mirditës, e cila, sipas tyre, nuk aspironte gjë tjetër, veçse të ruante statusin e saj partikularist e patriarkal. Protokolli nr.13 i hapte kështu rrugën Vjenës, e cila gëzonte prej kohësh të drejtën e mbrojtjes së popullsive katolike të Perandorisë Osmane (kultusprotektoratin), që të ndërhynte lirisht në jetën e brendshme të Mirditës dhe ta kthente atë në një pikëmbështetje të avancuar për ekspansionin e saj të mëtejshëm drejt brigjeve shqiptare të Adriatikut dhe drejt viseve të Ballkanit Qendror.
Copëtimi i dytë: Konferenca e Ambasadorëve në Londër
Kryengritjet e armatosura të shqiptarëve të viteve 1910, 1911, 1912, nxitën shtetet ballkanike që të vepronin me shpejtësi në copëtimin e trojeve shqiptare. Serbia , Bullgaria , Mali i Zi dhe Greqia lidhën aleanca poltike dhe ushtarake ndërmjet tyre dhe në tetor të vitit 1912, ato i shpallën luftë Perandorisë Osmane duke shënuar kështu fillimin e Luftës së Parë Ballkanike.
Shqiptarët mbajtën një qëndrim asnjanës në këtë luftë, por u shqetësuan kur shihnin se shtetet ballkanike synonin ndarjen e territoreve shqiptare. Për pasojë shqiptarët mbajtën një kuvend në Vlorë dhe me 28 nëntor 1912 shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Pavarësia nuk u njoh nga disa vende kurse Serbia, Mali i Zi dhe Greqia vazhduan t'i mbanin trupat e tyre në territoret shqiptare.
Gjatë kësaj kohe u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile shqiptare. Leon Trocki, i dërguar si korrespondent mbi Ballkanin, tregon se si "fshatra të tërë shqiptarë ishin kthyer në grumbuj zjarri. Nga kufiri me Serbine e deri në Shkup shihje vetëm zjarr e plaçkitje...". Sipas burimeve të huaja, rreth 25 mijë shqiptarë u vranë vetëm në Kosovë në muajt nëntor 1912-janar 1913.
Më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës të cilat diskutuan për fatin e Shqipërisë. Më 29 korrik 1913 u mor vendimi që Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha. Ndërsa kufijtë, pas shumë diskutimesh u caktuan por duke lënë jashtë tyre Kosovën dhe Çamërinë,.por duke lënë brenda kufijve territore që sot jane janë jashte kufijve shtetërorë të Shqipërisë si p.sh. Shën Naumi
Pasojat
Të gjendur nën pushtimin e ushtrive serbe, malazeze e greke, me qindra mijëra shqiptarë nga troje që sot gjendjen në Mal të Zi, Serbi, Kosovë, Maqedoni e Greqi, more rrugën e u dyndën si refugjatë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile, dhe u krye spastrim etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.
Copëtimi i trojeve shqiptare la jashtë kufijve më shumë se gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët historikisht, dhe më shumë gjysmën e popullsisë shqiptare të asaj kohe. Në Kosovë, trupat serbe ushtruan terror dhe u munduan ta ndërrojnë përbërjen e popullsisë me anë të shpërnguljeve me dhunë. Gjuha shqipe u ndalua, dhe dhjetëra mijëra serbe kolonë u vendosën në tokat e shqiptarëve të vrarë ose të përzënë. Më shumë se 150 000 shqiptarë u detyruan të lenë Kosovën në vitet 1912-1920 .
Trojet etnike historike shqipare
Shumica e tyre u vendosën në Shqipëri, në zonat e Fierit, Lushnjës, Durrësit, e Kukësit. Po ashtu, popullsia çame u spastrua në përmasa të mëdha, duke lënë në Çamëri vetëm një pjesë të popullsisë çame të besimit ortodoks, që sot numëron 30-70 mijë banorë në Çamëri. Pasoja e këtij copëtimi ende ndjehen në kombin shqiptar, ku shembujt më të freskët janë Lufta e Kosovës në 1998-1999, dhe rebelimi i armatosur në Maqedoni në 2001-shin.
Gjendja aktuale
Copëtimi i Shqipërisë është një barrë e rëndë për kombin shqiptar, e cila ka shtyrë shumë atdhetarë që pas copëtimit të punojnë politikisht e me përpjekje të armatosur, për ribashkimin e kombit shqiptar. Kjo i dha jetë dhe çështjes kombëtare shqiptare, ribashkimit të trojeve etnike shqiptare të copëtuara në 1913-ën.
Mendimi i publikut në Shqipëri e Kosovë rreth ribashkimit të Shqipërisë ka ardhur duke i rritur, sidomos vitet e fundit. Në 2011-ën, sipas Gallup Balkan Monitor, 75% e të anketuarve në Shqipëri dhe 68% e të anketuarve në Kosovë, mbështesin ribashkimin kombëtar. Çështja kombëtare tashmë është e përfaqësuar dhe politikisht nga parti politike si Vetëvendosja në Kosovë dhe Aleanca Kuq e Zi në Shqipëri, në programin e të cilave është ribashkimi i trojeve shqiptare në një shtet.
Literatura :
^ Paul R. Magocsi: Encyclopedia of Canada's peoples, S. 180, University of Toronto Press 1999, ISBN 0802029388, 9780802029386 (Lexuar më 1 shkurt 2012)
^ Stephanie Schwandner-Sievers, Bernd Jürgen Fischer: Albanian identities: myth and history, S. 44, Indiana University Press 2002, ISBN 0253341892, 9780253341891 „..events of 1913 when a major part of the Albanian-inhabited territories was partitioned among neighbouring Balkan states.“
^ George Walter Gawrych: The crescent and the eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874-1913 (Anglisht), S. 99-101, I.B.Tauris 2006, ISBN 1845112873 , 9781845112875 „"Albanians comprised a majority in all four provionces"“
^ Florian Bieber: }, S. 17, Taylor & Francis 2003, ISBN 0714683272, 9780714683270
^ R.J. Crampton: Eastern Europe in the twentieth century and after. 23: Routledge 1997, ISBN 0415164222, 9780415164221
^ http://books.google.ee/books?id=RRgbAgAAQBAJ&pg=PA107&lpg=PA107&dq=luma+1912&source=bl&ots=EDmfv7eAeX&sig=Y_aFU9IljxrfcLatMTPY1p_MjVM&hl=en&sa=X&ei=OpW4UozwO4b14QSh24HgAQ&ved=0CFkQ6AEwBQ#v=onepage&q=luma%201912&f=false
^ 1913 | Consul von Heimroth: Situation in Skopje and Kosova Following the Serb Invasion
^ Janusz Bugajski: Political parties of Eastern Europe: a guide to politics in the post-Communist era. 448: M.E. Sharpe 2002, ISBN 1563246767 , 9781563246760
^ Robert et al Bideleux: The Balkans: a post-communist history, S. 530, 522, Taylor & Francis 2007, ISBN 0415229626 , 9780415229623