2015-04-06

Vitet e Krizës Lindore 1875-1881

image




















Shkruan: Besnik Emini, Maqedoni


Shqiptarët e Malit të Zi 


Nga aspekti i zhvillimeve në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi rëndësi të veçantë kishte Kongresi i Berlinit, respektivisht vendimet e tij. I projektuar si kongres i cili duhej t’i korrigjonte vendimet e marrëveshjes preliminare të Shën Stefanit, ai në masë të madhe i trazoi shqiptarët.

Në Krizën Lindore, që shpërtheu në mesin e viteve të ‘70-ta të shekullit të XIX, u përfshinë edhe shqiptarët. Pas shpërthimit të kryengritjes që pati shtrirjen e vet në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe trazirave në Ballkan, u mbajt Kongresi i Berlinit. Duke e pasur parasysh që Perandoria Osmane e kishte humbur fuqinë e saj për t’u përballur me lëvizjet e popujve të Ballkanit, të ndihmuara nga disa prej fuqive të mëdha të kohës, kufijtë e saj vazhdonin të ngushtoheshin. Disa prej popujve të Ballkanit kishte kohë që i kishin krijuar shtetet e tyre, siç ishin malazezët, serbët dhe grekët, madje në situatën e dhënë të Krizës Lindore ata shihnin një rast të mirë për t’i zgjeruar kufijtë e tyre. Afrimi i ushtrive ruse në paralagjet e Stambollit kishte ulur fuqinë e Perandorisë Osmane për të diktuar kështu edhe zhvillimin e ngjarjeve në Ballkan. 

Marrëveshjet e dëmshme

Duke i ndjekur këto ngjarje, një pjesë e veprimtarëve shqiptarë më 10 qershor 1878 themeluan Lidhjen e Prizrenit. Ndërkohë Serbia dhe Mali i Zi i kishin shpallur luftë Perandorisë Osmane që në fund të qershorit, respektivisht në fillim të korrikut 1876, vendime të cilat kishin marrë mbështetje konkrete në armatime dhe ushtarë nga Perandoria Ruse. Krahas përgatitjeve ushtarake, shtetet e përmendura ballkanike zhvillonin një aktivitet të ngjeshur diplomatik për të arsyetuar dhe mbështetur planet e tyre kombëtare për zgjerim tokësor në hapësirat që administroheshin nga Perandoria Osmane, të cilat ishin të banuara me popullsi shumicë shqiptare. Duke e pasur parasysh që në mesin e fuqive të mëdha të kohës nuk kishte mbështetës që në mënyrë konkrete do ta mbështetnin formimin e një shteti shqiptar, veprimtarët shqiptarë e shihnin si tejet të ndërlikuar situatën ku Mali i Zi, Serbia dhe Greqia, nga njëra, dhe Perandoria Osmane nga ana tjetër pretendonin të kishin nën zotërimin e tyre hapësirat e banuara me shqiptarë. Në rrethanat e këtilla si zgjidhje më e përshtatshme shihej vilajeti autonom shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane, kjo si një zgjidhje për të çuar drejt pavarësisë. Në vitet 1875-1881 janë të rëndësishme dy ngjarje që krijuan lëvizje në skenën politike të Ballkanit: Marrëveshja preliminare e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit. 
Nga aspekti i zhvillimeve në mesin e shqiptarëve të Malit të Zi rëndësi të veçantë kishte Kongresi i Berlinit, respektivisht vendimet e tij. I projektuar si kongres i cili duhej t’i korrigjonte vendimet e marrëveshjes preliminare të Shën Stefanit, ai në masë të madhe i trazoi shqiptarët pikërisht për shkak të ndryshimeve tokësore. Përderisa marrëveshja preliminare e Shën Stefanit i zgjeronte në masë të konsiderueshme zotërimet e Bullgarisë, Kongresi i Berlinit i zgjeronte zotërimet e Malit të Zi e të Serbisë. Megjithatë, këtu nuk do të thellohemi në të gjitha ngjarjet kryesore, ku ishin të përfshirë shqiptarët, por do të fokusohemi vetëm në përfshirjen e shqiptarëve që sot jetojnë në Malin e Zi, e që morën pjesë aktive në ngjarjet kryesore të asaj kohe. 
Krahas shteteve të tjera, edhe kufijtë e Malit të Zi përjetuan ndryshime, duke u zgjeruar në drejtim të krahinave të Tivarit, Podgoricës, Plavës, Gucisë, Rugovës e Kolashinit. Në atë kohë aneksimi i Ulqinit nuk u njoh, por Mali i Zi e fitoi mundësinë që anijet tregtare të lundronin në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës. Kështu, Mali i Zi, përveç krahinave të përziera, ku jetonin edhe shqiptarë, mori edhe hapësira me popullsi homogjene shqiptare, siç ishin viset e Plavës, Gucisë e të Rugovës. Popullsia e këtyre viseve u përgatit për të kundërshtuar dorëzimin e tyre Malit të Zi dhe kjo e vuri në gjendje të vështirë edhe Perandorinë Osmane, e cila i shmangej një konflikti të hapur me shqiptarët, të cilët ishin acaruar nga gjendja e re e krijuar.

Konfrontimi frontal

Megjithatë, për Perandorinë Osmane kazaja e Gucisë me një popullsi prej rreth 10 mijë banorësh nuk kishte një rëndësi strategjike, krahasuar me territoret tjera të cilat iu shkëputën, siç ishte rasti i Bullgarisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. E gjendur mes parëndësisë së Plavës dhe Gucisë dhe acarimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve, Porta e Lartë në fillim hezitoi t’i dorëzojë këto krahina, por duke i pasur parasysh pretendimet e Rusisë, ajo më vonë shpejtonte t'i përmbyllë këto çështje. Prandaj e emëroi Mehmet Ali Pashën, të mbiquajtur nga shqiptarët Maxhar Pasha, si të deleguar me detyrime të posaçme për të bërë dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë. Megjithatë, ai nuk arriti ta përmbushë këtë detyrë, për shkak se u vra gjatë një konfrontimi me trupat shqiptare në Gjakovë. Mehmet Ali Pasha, dikur e kishte pasur emrin Karl Detroit. Ai ishte i lindur në Magdenburg, ishte gjerman me origjinë franceze, që në rini kishte ardhur në trojet e Perandorisë Osmane dhe pasi e kishte ndryshuar emrin dhe fenë duke u bërë mysliman, ishte futur në radhët e ushtrisë osmane duke bërë një karrierë të shpejtë. Shqiptarët e njihnin që më herët atë, pasi ai disa herë ishte dërguar për t’i shuar kryengritjet e mëparshme dhe meqë mendonin se ai ishte hungarez (maxhar), e quanin Mehmet Ali Pashë Maxhari. 

Sa i përket interesit shtetëror, duke menduar se mund të ndryshonin rrethanat, knjazi i Malit të Zi, Nikolla, insistonte që Fuqitë e Mëdha të ndërhynin pranë Perandorisë Osmane që ajo të bënte sa më parë dorëzimin e hapësirave që Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Për këtë arsye Mali i Zi hezitonte ta dorëzojë Ulqinin, Dinoshin dhe Bregun e Bunës, që i mbante të pushtuara, e të cilat sipas Kongresit të Berlinit duhej t’i kthehen Perandorisë Osmane. Më e zëshme në këtë presion ishte Rusia, e cila vononte tërheqjen e ushtrive të saj nga territori i Perandorisë Osmane, ndërsa pikërisht për këtë arsye edhe Fuqitë e Mëdha kishin frikë nga qëndrimi i zgjatur i ushtrive ruse në hapësirën e përmendur. Megjithatë, udhëheqësit e Lidhjes së Prizrenit, për të kundërshtuar dorëzimin, formuan shtab ushtarak të posaçëm nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë. Me këtë rast Fuqitë e Mëdha formuan një komision ndërkombëtar për përcaktimin e pikave kufitare, të përbërë edhe nga përfaqësues të Malit të Zi dhe të Perandorisë Osmane, mirëpo më 22 gusht 1879 shqiptarët paraqitën një notë me shkrim, ku deklaronin se nuk do t’i pranonin këto vendime pa pjesëmarrjen e krerëve të Lidhjes së Prizrenit, andaj komisioni e ndërpreu aktivitetin e mëtutjeshëm. Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi i shtoi forcat e veta ushtarake në kufi, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe Lidhja e Prizrenit, ku përveç popullsisë që jetonte përreth, atje shkuan edhe vullnetarë nga Gjakova, Shkodra dhe Malësia. Në këtë periudhë erdhi edhe deri te përleshja e forcave malazeze dhe atyre të Lidhjes, me ç’rast pati viktima nga të dyja palët, që sipas burimeve të kohës shkojnë deri në 300 të vrarë nga çdonjëra anë. Aty e humbi jetën edhe udhëheqësi ushtarak i Lidhjes, Jakup Ferri.
Në këto rrethana as Mali i Zi e as Lidhja e Prizrenin, nuk tregonin shenja tërheqjeje, ndërsa Porta e Lartë duke dashur t’u ikë komplikimeve të mëtejshme, mori vendim të ndërhyjë në zgjidhjen e çështjes duke e dërguar në Kosovë mareshalin Ahmet Muhtar pashën, që ishte komandues i Armatës Osmane të Rumelisë, qendra ushtarake e së cilës ishte në Manastir, i cili i printe një ushtrie prej rreth 6.000 ushtarësh. Ai ndërmori masa që të pengonte vajtjen e vullnetarëve të Lidhjes drejt viseve të përfshira në luftë. Duke e parë se situata ishte e ndërlikuar dhe, që të mos hapet një konflikt mes ushtrisë dhe shqiptarëve, ai hoqi dorë nga misioni i tij dhe u kthye në Prizren. 

Humbja e Ulqinit

Duke e parës se çështja nuk mund të zgjidhet me ndërhyrjen e të tjerëve, knjaz Nikolla vendosi të fillojë një sulm të përgjithshëm në janar të vitit 1880, që sipas burimeve të kohës përfshinte një ushtri prej 9.000 ushtarësh, e cila kishte për qëllim ta marrë Plavën dhe Gucinë. Në këtë kohë më 3 prill 1880 në Shkodër u mbajt një Kuvend Krahinor, ku u mor vendim që Hoti dhe Gruda të mbrohen, me ç’rast u formua edhe shtabi i mbrojtjes në krye me Hodo Sokolin dhe aty u formulua një peticion, i cili iu dërgua Fuqive të Mëdha. 
Revolta e shqiptarëve u rrit edhe më tepër kur u përhap lajmi që ambasadorët e Fuqive të Mëdha më 18 prill 1880 e nënshkruan Protokollin e Stambollit, i cili mbante emrin “Protokoll mbi kufijtë e Turqisë dhe të Malit të Zi”. Kjo i motivoi shqiptarët që të dërgojnë protesta të shumta telegrafike drejt qendrave të shteteve nënshkruese. 
Meqenëse më 22 prill 1880 ushtria osmane, sipas Protokollit të Stambollit, obligohej që ta lëshonte kalanë e Tuzit dhe pikat e tjera që i takonin Malit të Zi, vullnetarët nga Shkodra, duke lundruar me anije, një ditë më parë u nisën nga Shkodra drejt Tuzit. Ngjashëm ndodhi edhe në Plavë, Guci, Hot, Grudë, ku forcat e Lidhjes i zunë pikat e rëndësishme para ardhjes së ushtrisë malazeze, që më 22 prill solli deri te përleshja te vendi i quajtur Ura e Rzhanicës, me ç’rast ushtria malazeze u tërhoq në drejtim të Podgoricës. Gjendja e këtillë ndikoi që Fuqitë e Mëdha ta rishikojnë edhe njëherë Protokollin e Stambollit. Në mesin e Fuqive të Mëdha Anglia dhe Rusia insistonin në ndërhyrje të përbashkët ushtarake të Fuqive të Mëdha, por kjo u kundërshtua nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. Kështu më 15 qershor 1880 Fuqitë e Mëdha miratuan propozimin e Anglisë dhe të Austro-Hungarisë që në vend të Hotit e të Grudës, Malit të Zi t’i jepet qyteti bregdetar i Ulqinit dhe rrethina e tij. Këtë propozim e pranoi Mali i Zi. Por, forcat e Lidhjes, të udhëhequra nga Isuf Sokoli, Haxhi Mehmet Beci, Mehmet Gjyli dhe të tjerë, u sistemuan rreth Ulqinit dhe i bënë përgatitjet e nevojshme që të futen në Ulqin pasi që ushtria osmane të largohet nga qyteti. 
Rreth çështjes së dorëzimit të Ulqinit, Fuqitë e Mëdha ushtruan kërcënime ndaj Perandorisë Osmane se do të bënin një protestë detare në Adriatik dhe se më vonë do të zbarkonin në Izmir. E shqetësuar për këtë çështje dhe për t’u ikur shqetësimeve të mëtejshme, Porta e Lartë vendosi që të dërgojë në Shkodër gjeneralin Riza Pasha me rreth 3.000 ushtarë, që ai të bënte dorëzimin e Ulqinit pa zhvilluar konflikt të armatosur. Ai shpalli se do të përdorte forcën kundër atyre që do të pengonin këtë dhe vendosi ta ndalë qarkullimin në drejtim të Ulqinit. Megjithatë, forcat e Lidhjes edhe më tej vazhdonin të qarkullonin në drejtim të Ulqinit. 
Prandaj më 1 shtator 1880 Fuqitë e Mëdha organizuan një demonstrim force detare në brigjet e Ulqinit, për të shprehur kështu vendosmërinë e tyre rreth çështjes së Ulqinit. Por, Lidhja vendosi që edhe më tej ta kundërshtojë këtë vendim. Dega e Lidhjes së Prizrenit në Ulqin u dërgoi një memorandum konsujve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, në të cilin shprehte protestën dhe mospajtimin rreth çështjes së dorëzimit të Ulqinit. Në këtë situatë më 17 shtator komanduesi i forcave detare të Fuqive të Mëdha, që merrnin pjesë në këtë protestë detare, i dërgoi një ultimatum Riza Pashës, në të cilin kërkonte që ai në një afat prej tre ditëve që ta dorëzonte Ulqinin. Në këtë situatë forcat e Lidhjes, që ishin rreth Ulqinit, hynë në qytet, ndërsa ushtria osmane u tërhoq nëpër kazerma dhe më pas u largua nga qyteti. Konsujt britanikë dhe austro-hungarezë vendosën që disa krerë të Lidhjes t’i bindin të heqin dorë nga mbrojtja e Ulqinit, me arsye se shqiptarëve do t’u jepen të drejta autonomiste, kështu që nga presioni i Fuqive të Mëdha, presionet e autoriteteve osmane, furnizimet e kufizuara etj., erdhi deri te luhatja e disa udhëheqësve. 
Çështja e Ulqinit u shqyrtua edhe në Kuvendin e Dibrës, që filloi më 20 tetor 1880. Në mesin e delegatëve u shfaqën mendime të ndryshme rreth zgjidhjes së problemeve dhe Kuvendi solli dy rezoluta, të cilat u dërguan të veçuara pranë Portës së Lartë.  Ndërkohë më 25 tetor 1880 Porta e Lartë e largoi nga Shkodra gjeneralin Riza Pasha, duke e zëvendësuar me mareshalin Dervish Pasha, i cili i dha ultimatum komitetit ndërkrahinor të Shkodrës që t’i tërheqë vullnetarët nga Ulqini. Duke e pasur parasysh se Lidhja e Prizrenit nuk kishte një ushtri të uniformuar, thelbin e forcave të saja e përbënin vullnetarët e krahinave të ndryshme të cilat drejtoheshin atje ku shfaqej nevoja. 
Për dorëzimin e Ulqinit aktivitet diplomatik ushtronin edhe konsulli anglez K. Grin dhe ai austro-hungarez F. Lipih, të cilët ishin të vendosur në Shkodër. Kështu, një pjesë e anëtarëve të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës u shprehën se tërhiqen nga ideja e mbrojtjes së Ulqinit dhe në këtë mënyre erdhi deri te formimi i një komiteti të ri të Lidhjes për Shkodrën, anëtarët e të cilët mendonin që Ulqini gjithsesi duhet të mbrohet. Në të bënin pjesë Selim Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka etj. Situata e këtillë i dobësoi kapacitetet e Lidhjes për t’u përballur me situatën dhe në këto rrethana ushtria osmane marshoi nga Shkodra drejt Ulqinit dhe u përball me forcat e Lidhjes, me ç’rast u vra edhe udhëheqësi i tyre Isuf Sokoli. Pas kësaj ushtria osmane hyri në Ulqin dhe më 26 nëntor 1880 qyteti iu dorëzua forcave malazeze. Me këtë u përmbyll edhe çështja e përkufizimit kufitar të Perandorisë Osmane dhe Malit të Zi, që për më se 30 muaj rrinte peng. Ndërkaq aktiviteti i Lidhjes së Prizrenit vazhdoi edhe më tej në viset tjera deri në shpërbërjen përfundimtare të saj. 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...