2015-05-03

Luciano Moggi me Andrea Ligabue-n : Topi është imi


Moggi, ish-drejtori i përgjithshëm i ekipeve italiane të futbollit, Juventusit, Napolit, Romës, Torinos, ka provuar gjatë jetës së tij shumë goditje, me top e pa top. Dy prej tyre shohim se i ka të gdhendura thellë në memorie. E para lidhet me akuzat “Calciopoli”, prej ku buron dhe një nga motivet e të shkruarit të këtij libri tërheqës, me synimin për të nxjerrë sportdashësin nga qorrsokaku, dhe e dyta, një goditje me grusht. “… Isha ftuar për darkë në shtëpinë e deputetit La Russa, një interist i çmendur, dhe në një moment, djali i tij afrohet tek i ati dhe e pyet, i sigurt që unë nuk po e dëgjoja: ‘O ba, po ky është ai zotëria që vjedh ndeshjet e kampionatit?’, dhe e qëllon me grusht. Ishte përpos se grushti i një nëntëvjeçari.”



E kupton këtë nga thjeshtësia që përshkon librin si një fill i kuq, nga kreu deri në fund. Hyn këtu në lojë origjina, natyra popullore, karakteri i fortë dhe edukata familjare e Luciano-s, si shprehje e fortë e natyrës ku u formua ky personalitet. Këtë qëllim i vë vetes Moggi, duke dhënë shpjegime për sportdashësit dhe lexuesit, që ata të përpiqen t’i bashkojnë e rregullojnë në mendjen e tyre, me aq sa munden, për të riprodhuar të vërtetat. Falë gjuhës së thjeshtë e të kuptueshme të përdorur nga shqipëruesi, publicisti i mirënjohur Mustafa Nano, për lexuesin “përtypja” e lëndës bëhet edhe më e asimilueshme. Në libër përshkruhet gjithçka e madhe që ka ndodhur në futbollin italian dhe atë botëror në këto 30 vitet e fundit, ku në shumicën prej tyre, Moggi ka qenë i pranishëm ose dëshmitar.
Përmbajtja e librit “Topi është imi”, ngjason të ndërtohet në formën e rrëfimeve, eseve të shkurtra dhe “pyetje e 100 përgjigje”, kushtuar figurave të shquara e të shumënjohura të sportit popullor, që hynë në jetën e tij përmes veprimtarisë si drejtues i madh. Përmenden e vlerësohen emrat e futbollistëve elitarë, gjyqtarëve të takimeve, presidentëve të klubeve, trajnerët e ekipeve e plot personazhe të mirënjohura të botës së futbollit. Kujtimet mbartin si vlerën historike të “sekreteve e mistereve”, ashtu dhe atë çlodhëse e me vlera enciklopedike.

Tipari dallues i eseve të Moggi-t, shkruar në bashkautorësi me gazetarin dhe kryeredaktorin e bolonjezes, “Il Resto del Carlino”, Andrea Ligabue, nuk mund të themi se është aq krijimtaria letrare, sesa tregimi, zhbirimi i psikologjive, zbërthimi e shpjegimi i karaktereve, konflikteve dhe debateve që u ndezën në kohërat e tyre nga shtypi dhe mediat. Kur Moggi merr përsipër të flasë për një futbollist të njohur, për të cilin të tjerë para tij kanë shkruar plot, ai nuk përsërit atë çka të gjithë e dinë, por e jep në optikën e tij, zbulon anë të errëta, më pak të njohura, pa pretendimin të japë ose të bëjë një portret. Përkundrazi, qëndron larg këtij synimi!

Rrëfimtari, me thjeshtësi dhe sinqeritet të dukshëm, rrëfen se ndihet krenar kur përmend origjinën punëtore të familjes nga vinte, përpjekjet e të atit, punëtor pylli, për ta udhëhequr me ndershmëri në jetë, kohën e rinisë së hershme që kaloi në hekurudhë, periudhë të cilën kundërshtarët e tij ia përmendnin me përbuzje. “… Madje, jam i lumtur që kam punuar në sektorin publik të hekurudhave. Ka qenë një përvojë e rëndësishme, që më ka ndihmuar të mbaj edhe familjen, edhe pasionin për futbollin. Prindërit e mi më kanë mësuar gjithë kohën se puna e ndershme, cilado qoftë ajo, i dallon njerëzit e zotë e të mirë nga pjesa tjetër”, rrëfen në libër Moggi.

“Calciopoli”

Futbolldashësit shqiptarë të brezit tim e njohin dhe e kujtojnë kohën kur “më i dashuri dhe më i urryeri”, Luciano Moggi dhe Juve, ndodhen në qendër të një krateri llavënxjerrës, të ndodhisë që mori emrin “Calciopoli”. Libri me kujtime, “Topi është imi”, përmes rrëfimeve të çiltra, jep një qasje të kthjellët ndaj asaj se çka ndodhur në të vërtetë. Është e qartë se në rrethana të tilla, kur akuzohesh se titujt kampionë i ke të pamerituar dhe se ke mbërritur tek ato duke blerë ndeshje, gjyqtarë e lojtarë, nuk mund të mos ndikojnë në formulimin e maksimave mbrojtëse rrëfimet e dukurive më konfidenciale. Te rrëfimet e sinqerta të Moggi-t, përfundimet e “Calciopoli”-t nuk jepen në formën që të nxirren me nocione abstrakte. Përkundrazi! Rrethanat shpjegohen me ilustrime konkrete ngjarjesh e personash pjesëmarrës në një pafundësi rastesh.
“Futbolli nuk është sport. Është një sëmundje!” – i ka thënë një ditë atij trajneri i Romës, Nils Liedholm. Është viti 1976 dhe Moggi e gdhend këtë shprehje në përcaktimin për rrugën drejt majave. “Në këtë botë, asgjë s’më ka ardhur si dhuratë”, shkruan Luciano. “Nuk jam punësuar me mik. Kam fituar një konkurs për vendin e punës, ‘asistent stacioni’ dhe nuk u kënaqa me kaq.” Nuk ka droje ky njeri që të të japë besim, ky njeri që në 2006-n ndau Italinë në mes dhe tronditi themelet e ngrehinës futboll, dhe përfundimi: të bën ta besosh! Një varg pyetjesh për shumë gjëra në libër që pasohen nga pohime e mohime. Ato ndjekin natyrën e fjalëve pyetëse, sa ngacmuese, aq dhe provokative. Ne lexuesit do të marrim të vërtetë ato që thotë autori, i cili u jep rrugë pështjellimeve të burimeve të tjera keqinformuese për ato 12 vjet që drejtoi Juventusin. E ka në dorë lexuesi që me aftësinë e tij të lejojë të kuptohet dhe të të besohet ajo që pohon dhe mohon Moggi, duke nxjerrë kështu një përfundim të drejtë mbi ndodhitë. “… Në jetë, domosdo edhe në futboll, nuk merren rezultate pa rrezikuar – shkruan Moggi. – Unë personalisht e kam marrë gjithnjë rrezikun në sy. Kam rrezikuar lëkurën time.” Dhe e rrezikoi vërtet!

Moggi futbollist …?!

Pak njerëz e dinë se Luciano ka luajtur futboll. E njohin përpos si administrator dhe zakonisht kjo racë drejtuesish nuk e ka pas të domosdoshme të bënte prekje të topit. Si sportist provoi fillimisht çiklizmin, të cilin e la, por jo pa kapur më parë disa rezultate. “Luajta në kampionate të ndryshme amatorësh, kujton Moggi, në Toskanë e në Lazio, e më pas më mori Akragas-i, skuadra e qytetit të Agrigento-s, që luante në Serinë e katërt, në një kampionat gjysmëprofesionist. Ishte sezoni 1957-1958 … Nuk kam kujtime të shumta nga ajo përvojë. Kujtoj mirë ama që, në fund të stërvitjes, në dhomat e zhveshjes, nuk kish ujë të nxehtë. E të mos flasim për fushën. Ishte pa asnjë fije bari. Nëse rrëzoheshe, gjunjët e bërrylat të bëheshin gjak.” I solla paksa gjatë nga teksti këto pasazhe, se ngjashmërisht u shkojnë për shtat gjithë djemve të brezit tim në Shqipëri.
Ndonëse në kokë kishte vetëm futbollin, kuptoi se nuk do të kish të ardhme si futbollist. Lodhja ishte e madhe dhe pagesa ishte e vogël. E la, por jo pa arritur të kuptonte orientimin nga duhej të ecte.

Cilësia e tij e madhe, të zbulonte vetitë

Duke lexuar librin, kupton se strumbullarët ku përqendrohet jeta e Moggi-t në futboll janë dy: rezultati i ndeshjes dhe shitblerja e futbollistëve. Nga kontakti me këto dy struktura, shpjegohet thelbi i brendshëm i gjërave që rrëfen çiltërsisht Moggi. Për të ardhur te këto synime madhore, që përbënin përmbajtjen e punës së tij, e ndihmoi së tepërmi intuita për të zbuluar vetitë e futbollistëve. Që herët ai vihet në kërkim të fëmijëve të talentuar që luanin në fushat e provincave, aftësi që më pas e shtriu deri në majat më të larta të talenteve. Për Moggi-n, të njohësh do të thotë të kuptosh të përgjithshmen, por sidomos veçantitë e lojtarit cilësor, përdorimin e topit, vizionin në lojë, goditjet me dy këmbët, loja me kokë, personaliteti, teknika e përdorimit të topit, shkëputja … dhe të gjitha këto i shihte vetë në fushë, kudo që të ndodhej lojtari. Ambicia e libërshkruesit për të zbuluar talentet flet vetiu për intelekt, nuhatje. Askush si ai në kohën e tij, nuk ka ditur ta bëjë më mirë. Mendjemprehtësia e tij krijuese, e aftësisë për të zbuluar, zgjedhur e për të komanduar, e renditi Moggi-n në pëlqimet e klubeve më të mëdha. Besimi ndaj tij ishte pakufi. Për besimin që i jepnin presidentët e klubeve, ai shkruan: “Ishin njerëz, për të cilët ti ishe i gatshëm të jepje gjithçka, në mënyrë që të mos ndodhte asnjëherë që ti të tradhtoje besimin që ata kishin manifestuar se kishin te ty”. Duke shfletuar librin, kupton se ai nuk priste. Donte të ishte para të tjerëve, nuk i linte gjërat pezull, nuk i braktiste kurrë projektet e veta. U bë një ekspert i pashoq.

Jeta e qytetit dhe fusha

Merr shumë vend në libër pjesa kur flet posaçërisht për lojtarët me të cilët jetoi dhe punoi, si: Maradona, Paolo Rossi, Gentile, Alex Del Piero, Zebina, Nedved, Ibrahimoviç, Zidane, Zola, Camoranesi, Vieri, Davids etj. Jeta e qytetit dhe fusha ku duket lojtari, ishin detyrë e administratorit pa ndërprerje, pa luhatje, pjesë edhe e jetës së tij. Lexuesi i nderuar mund ta marrë me mend se sa e vështirë për Moggi-n do të ketë qenë te Napoli administrimi i supertalentit Maradona, por veçse kur e lexon nga ai, kupton se nuk ishte punë e lehtë t’i mbaje në ekuilibra, të cilat shfaqeshin mjaft të brishta në ndeshjen mes qytetit, femrave, drogës e pijes dhe asaj në fushë, ku mbizotëronte goli-rrjeta, rezultati, stërvitja, topi, stresi e dëmtimi fizik, stoli dhe kundërshtari. Sidomos kur dëgjonte se tek X lojtar, ishin bërë rutinore frekuentime të lokaleve të jetës së natës, Moggi do të ndodhej aty. Të emocionon shembulli që autori jep për figura brilante, për futbollistët juventinë, Nedved e Ibrahimoviç, jetën e tyre të përkorë, lidhjet e forta me familjet dhe stërvitja serioze. “Për mua të vraposh është liri, dëfrim”, i thotë Nedved, Moggi-t. Shumë nga rrëfimet për ta shoqërohen me një humor të këndshëm. “Paolo Rossi – Klubi toskan ra dakord ta shiste për 15 milionë lireta dhe për 60 topa (!?); Gentile-n, për 200 milionë lireta dhe një numër traktorësh. (Po, po, e keni dëgjuar mirë, traktorë.)” Dhe, siç e do zakoni i administratorëve, në libër nuk mungojnë edhe qëndrimet e Moggi-t mbi veshjet e futbollistëve, mënyra e mbajtjes dhe prerjes së flokëve, xhinglat, tatuazhet, grindavecët, lojtarët problematikë tip Gaskonje etj. Më mirë lexojini vetë! Moggi na tregon te botimi i tij edhe për ata lojtarë që në fushë dinin ta lexonin ndeshjen në mënyrë të përkryer, për lojtarë që ishin të aftë të frymëzonin të tjerët, si dhe për drejtorë sportivë që betoheshin se “kurrë nuk do të ndodhte që t’i jepte një lojtar Moggi-t; nëse do ta bëj një gjë të tillë, jeni të autorizuar qysh tani të më pështyni në fytyrë”, deklaronte një prej tyre. Gjithsesi, ndonëse Moggi nuk e thotë, askush nuk i pështyu kur ata patën mirëkuptimin ta jepnin lojtarin. Jo pak rrëfime ka dhe për figurën e presidentëve të klubit, ku shumë prej tyre u shkatërruan për futbollin, gjë që ndodh shpesh. Trajnerët: mirënjohës dhe mosmirënjohës. Kështu i klasifikon në botim. Kudo ku drejtoi Moggi luajtën dhe bënë rolin e trajnerit zgjedhjet përpos se të tij. Historitë me ta janë të shumta dhe tërheqëse. Mazzari, Mancini, Lipi, Murinho, Prandeli, Boshkov, ConteMontonico etj., janë e bëhen pareshtur pjesë e kujtimeve të tij.
Ky libër nuk ka dyshim, me komunikimin shpirtëror që e përshkon, se do të zërë një vend të veçantë në radhën e përkthimeve cilësore të botuara deri tani, që i përkasin botës sportive. Lexoni “Topi është imi” dhe shihni si shpaloset hapësira e topit të rrumbullakët, si shikimi yt për botën italiane të futbollit shkrihet harmonishëm me pamjen e përftuar nga libri i Moggi-t. Lexim të këndshëm!

Botimet “Saras”
Autori: Luciano Moggi
Përshtati në shqip: Mustafa Nano
Çmimi: 1200 lekë

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...