Nga Albert Z. ZHOLI
Të dhëna jetëshkrimore për Prof.dr. Eshref Ymerin.
Është i biri i Hasan Ymerit, veteran i Luftës së Vlorës, i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës së Shqipërisë me medaljen“Për veprimtari patriotike”, me nr. 4040, datë 14 korrik 1965, me këtë motivacion:
“Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ka lindur më 25 dhjetor 1938. Mbaroi shkollën fillore në fshatin e lindjes Mesaplik dhe shkollën 7-vjeçare në fshatin Ramicë të Smokthinës, me rezultate shumë të mira. Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë e përfundoi më 1959. Për rezultate të larta në mësime, u dërgua për studime universitare në Bashkimin Sovjetik. I ndërpreu në vitin 1961 për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1966, në Universitetin e Tiranës, për gjuhë dhe për letërsi ruse. Në shtator të po atij viti u emërua pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse. Në vitin 1975 u dërgua me një shërbim 6-mujor në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur nga afër botimin në gjuhën ruse të vëllimit të dytë të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës prej 1000 faqesh. Në mars të vitit 1979 e emëruan përkthyes të veprave të Enver Hoxhës në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja, në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”. Më 01 gusht 1981 iu ngarkua detyra e përgjegjësit të asaj redaksie, të cilën e drejtoi deri në tetor të vitit 1990. Më 01 janar 1992 e rikthyen pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, ku punoi derisa doli në pension më 01 shtator 2003.
Është përkthyes i 3200 faqeve në gjuhën ruse nga veprat e Enver Hoxhës.
Është përkthyes i 20 veprave artistike të autorëve të tillë, si Dostojevski, Zhorzh Amadu, Italo Kalvino, Kobo Abe, Aleksej Prijma, Nikollaj Kolada, Ludmilla Razumovskaja, Zheni Kostandinova, Leonid Grossman.
Është përkthyes i skenarit të Vath Koreshit në gjuhën ruse, për filmin “Porta Eva”, me regjisor Albert Mingën. Prodhim i përbashkët shqiptaro-rus i vitit 2001.
Është bashkautor i dy librave:
“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet Toena, 2006.
“Antologjia e Kryqëzimit. Rusia dhe Çështja Shqiptare. 1878-2012”. Botim i Universitetit “Iliria”. Prishtinë 2012.
Është leksikograf. Është bashkautor i pesë fjalorëve.
Është redaktor i dy fjalorëve:
Fjalor rusisht-shqip. Shtëpia Botuese EDFA, 2007.
Fjalor Shqip-rusisht. Shtëpia Botuese EDFA, 2009.
Është autor i Fjalorit të Madh Frazeologjik Rusisht-Shqip, i cili është depozituar për botim në Shtëpinë Botuese EDFA.
Është publicist. Janë me qindra artikuj publicistikë, të botuar në faqet e gazetës “Rimëkëmbja” dhe të gazetave të tjera, por sidomos në faqet e internetit.
Në vitin 1989 ka mbrojtur disertacionin dhe ka marrë gradën“Kandidat i Shkencave”, e konvertuar në vitin 1994 në gradën“Doktor”.
Në vitin 1994 ka marrë titullin shkencor “Profesor i Asociuar”.
Në vitin 2001 ka marrë titullin shkencor “Profesor”.
Pyetje: Si e kujtoni babanë tuaj Hasan Ymerin në tregimet e tij mbi luftën e Vlorës. Çfarë të veçantash ka pasur ajo luftë sipas tregimeve të tij?
Përgjigje: Babai na ka rrëfyer episode nga Lufta e Vlorës. Para se të fillonte ajo luftë, sipas kujtimeve të tij, u mblodh Kuvendi i Beunit, afër fshatit Vajzë. Atje qe vendgrumbullimi i çetave të fshatrave. Madje në një këngë që e kam pas dëgjuar kur e këndonin bashkëfshatarë të mi të Mesaplikut dhe të mbarë Smokthinës, më kujtohen dy vargje të saj: Në Beun çetat u mblodhë, Dymbëdhjetë komisionë. Çeta e Smokthinës quhej edhe Çeta e Shullërit, sepse nga të katër fshatrat e Smokthinës – Mesapliku, Ramica, Bashaj dhe Matogjini – këta tre të fundit, dielli i rreh menjëherë, sapo rrezet e tij shpërthejnë që prapa malit të Këndrevicës në verë dhe që prapa Malit të Çipinit në dimër. Pra, këta tre fshatra quheshin ndryshe edhe “Fshatrat e Shullërit”.
Në Kuvendin e Beunit, pas vendimit që u mor për ta nisur sulmin kundër forcave italiane që ishin vendosur në Kotë, që ndodhet buzë lumit të Shushicës, disa kilometra poshtë Beunit, njerëzit u shtruan të hanin bukë. Babai, me këtë rast, kujtonte bashkëfshatarin e tij, Zigur Lelon, i moshuar, i njohur për natyrën e tij burrërore. Pasi hëngri një shpatull mish qengji, Zigur Lelua e mori pllakoren e shpatullës, e ktheu nga dielli, e këqyri mirë e mirë dhe, pasi e flaku tutje, u tha të pranishmëve fjalët profetike: “Kota do bjerë në duart tona, i pari do vritem unë”. Dhe vargjet e këngës vazhdonin: Zigur Lelo deli burrë, Nuk i trembej syri kurrë, Kur e tha fjalën furtunë, I pari do vritem unë. Dhe ashtu ndodhi vërtet.
Sulmi do të fillonte pas mesit të natës. Të dhënat ishin siguruar më herët për fortifikimin e trupave italiane dhe për depon e municionit. Por paraprakisht u vendos që një grup zbulimi prej tre vetësh, i përbërë prej Zigur Lelos, Hasan Ymerit dhe Razip Hitos nga fshati Bashaj, të nisej në pararojë, t’i afrohej fortifikimit të trupave italiane nga ana e lumit dhe, pa u diktuar, të hapte zjarr për të ngjallur panik në radhët e tyre. Ky grup ishte i armatosur me manxera turke, por fishekët i kishte të paktë. Por fjala ishte lënë që, sapo të dëgjoheshin të shtënat e para të grupit të zbulimit të Zigur Lelos, nga jugu i Kotës do të sulmonte në çast Çeta e Smokthinës, kurse nga kodrat në veriperëndim të Kotës do të hidhej menjëherë në sulm Çeta e Kurveleshit, me komandat Shaban Doracin. Kur grupi i zbulimit u afrua barkas pranë fortifikimit, Razip Hitua (një trim i tërbuar, siç e karakterizonte babai) priti derisa roja italiane të kthente shpinën, u hodh mbi gardh dhe hapi zjarr, duke e lënë rojen të vrarë në vend. Ushtarët italianë asokohe ishin duke fjetur në taracën e një depoje ushtarake. U zgjuan të tmerruar. Zigur Lelua u çua më këmbë, shtiu disa herë në drejtim të italianëve që u lëshuan drejt armëve, kurse Hasan Ymeri mbulonte me zjarr Razip Hiton. Kur Ziguri u bë gati të kalonte gardhin, një plumb e mori në gjoks dhe ra përdhe. Ndërkohë, Çeta e Smokthinës dhe Çeta e Shaban Doracit qenë hedhur menjëherë në sulm dhe pas pak minutash italianët u dorëzuan në panik e sipër. Më vonë sulmi vazhdoi drejt Drashovicës dhe më pas drejt Vlorës. Zigur Lelua qe dëshmori i parë i sulmit kundër trupave italiane dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë e ka dekoruar me medaljen “Hero i Popullit”.
E veçanta e asaj lufte ishte se ajo, siç na rrëfente babai, bëri që të ngrihej më këmbë fshatarësia e trevave të Labërisë së Sipërme dhe të Poshtme, si edhe të krahinave të tjera të vendit. Trimat e çetave luftonin, por edhe prapavijat bënin punën e tyre. U ngritën më këmbë edhe gratë, të cilat sakrifikuan aq shumë për t’i furnizuar luftëtarët me ushqime. Ajo ishte një luftë kur burrat dhe gratë u ngritën peshë më këmbë. Njëherë, rreth vatrës familjare, e patëm pyetur babain me shaka se si kishte vendosur të shkonte në Luftën e Vlorës, kur ai atëherë ishte i fejuar dhe në muajin tetor të atij viti do të martohej. Ai na e ktheu buzagaz: “Më thirri balta e vendit, dheu, ugari, vatani, m’u kujtua gjyshja ime, Kale Hodja, e bija e Hodo Ali Nivicës. M’u kujtuan stërgjyshërit e mi, Lulo e Mukë Barjami, që, bashkë me Bilbilenjtë e Kurveleshit, turku i vari në rrapin e Janinës, dhe i dhashë karar: në qoftë taksur të vritem, le të vritem”.
Përgjigje: Unë, bashkë me një grup studentësh, më 27 gusht të vitit 1959, u nisëm për të vazhduar studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Në aerodromin e Moskës na pritën përfaqësues të ambasadës sonë. Na vendosën me banim në qytetin “Studenti”. Aty ndenjëm disa ditë. Ushqeheshim në mensën e studentëve. Në fund të sallës së mensës ishte një tryezë e gjatë me bukë të prera, të vendosura nëpër kanistra. Buka ishte falas, mund të merrje sa të doje. Ne, shqiptarët, “bijtë e bukës”, i erdhëm hakut një kanistre. Ky ishte prezantimi i parë me gjendjen ekonomike të Bashkimit Sovjetik. Pas ca ditësh, unë u nisa për në Leningrad, se atje do t’i vazhdoja studimet universitare. Gjatë dy vjetëve të qëndrimit në Bashkimin Sovjetik, vura re se gjendja ekonomike ishte e mirë. Vitet ’50 shënuan një rritje të ndjeshme ekonomike në Bashkimin Sovjetik, pas krizës së rëndë që iu desh të përballonte gjatë luftës dhe në vitet e para të pasluftës. Për gjendjen ekonomike të vendit unë gjykoja me aq sa shikoja konkretisht: në shitore kishte produkte të bollshme ushqimore: bulmet, gjalpë, djathë, mish, peshk, sallam etj. Për gjendjen ekonomike të vendit mund të gjykoje thjesht edhe nga menuja e ushqimit në mensën e studentëve të universitetit: në menu kishim gjellë të parë, të dytë dhe të tretë (ëmbëlsirë ose lëng frutash). Për kuriozitet, në menunë e mensës figuronte një lloj supe, që quhej “supë harço”, gjellë e kuzhinës gjeorgjiane, që shoqërohej me ajkë kosi dhe që shërbehej në një pjatë të thellë dhe të kujtonte tasqebapin tonë. Ajo ishte një gjellë kaq e bollshme me copëza mishi, saqë me të mund të ngopeshe. 40 vjet më vonë, në nëntor të vitit 1999, isha me shërbim në Moskë, me shkrimtarin e skenaristin Vath Koreshi dhe me regjisorin Albert Minga, në kuadrin e një bashkëpunimi me producentin rus Aleksandër Mihajllov, për xhirimin e filmit “Porta Eva”, sipas skenarit të Vath Koreshit, të cilin unë e kisha përkthyer në gjuhën ruse. Na vendosën me banim në Hotel Moska. Diku, në mjediset e hotelit, më zunë sytë një tabelë ku shkruhej: “Restorant gjeorgjian”. I propozova Vathit të shkonim të drekonim në atë restorant. Kur erdhi kamerieria, e porosita të na sillte një “supë harço”. Kur kamerieria solli porosinë, vura re se “supa harço” e kohës së Bashkimit Sovjetik të vitit 1959, ishte katandisur në një gotë çaji, me pak lëng dhe një thelë të vockël mishi.
Universiteti e kishte si rregull që, në fund të vitit akademik, t’u jepte shpërblim të gjithë atyre studentëve (vendës apo të huaj) që i merrnin notat “shkëlqyeshëm” në të gjitha provimet. Në fund të vitit të parë të studimeve, kur mbaruam provimet, të cilat i dhashë të gjitha me notën “shkëlqyeshëm”, universiteti më shpërbleu me një fletë turistike, me të cilën do të udhëtoja dhe do të ushqehesha falas për një muaj në itinerarin Leningrad-Moskë-Orxhenikidze (kryeqytet i Osetisë së Veriut) që shtrihet në këmbët e maleve të Kaukazit Verior. Udhëtimi me tren, nga Leningradi (përmes Moskës) deri në Orxhenikidze, vazhdoi për 24 orë. Pasi qëndruam aty ca ditë, morëm rrugën automobilistike drejt Kaukazit. Kaluam Qafën e Kryqit (Krestovëj Pjerevall) dhe zbritën në Gjeorgji, qëndruam në qytetin Telavi, në vendlindjen e Stalinit në Gori dhe në kryeqytetin Tbilisi. Së këtejmi, udhëtuam për në qytetin Batumi, derisa arritëm në pikën e fundit të itinerarit turistik, në qytetin Afoni i Ri (Novëj Afon), në bregun verilindor të Detit të Zi. Gjithandej nga udhëtova, vura re se shitoret ishin të furnizuara mirë me produkte ushqimore.
Studentët me formim kishin informacion për Shqipërinë dhe më thoshnin me shaka se “Shqipëria është prapavija e kampit socialist, e rrethuar nga vende kapitaliste”. Por kishte edhe nga ata që vinin nga zonat e thella që informacionin për Shqipërinë e kishin fare të zbehtë. Njëherë më ra rasti të bëj një debat shumë të ashpër me një student nga krahina Kostromskaja, Vladimir Gorbatovin, shok i grupit tim në universitet. Ishte koha kur Hrushovi i kishte ngrohur marrëdhëniet me Titon. Në debat e sipër, ai më tha: “Ne duam ta kthejmë në anën tonë Jugosllavinë se ajo ka një popullsi prej 16 milionë banorësh, nuk e kemi hallin te ju, se ju dy milionë jeni a s’jeni gjithsej!”. Unë u bëra bishë dhe ia ktheva: “Ti ke një edukatë të egër në qëndrimin ndaj vendit tim që është një vend i vogël, prandaj do të ishtë mirë që t’u bëje shoqëri arinjve që sillen nëpër pyjet e veriut rus”.
Pyetje: Pedagogët tuaj, a e njihnin Shqipërinë dhe si ju trajtonin? Si ishin studentët shqiptarë në raport me të vendeve të tjera të demokracisë popullore?
Përgjigje: Pedagogët tanë kishin informacion të kënaqshëm për Shqipërinë dhe, përgjithësisht, për studentët shqiptarë kishin respekt. Sepse studentët shqiptarë ambientoheshin menjëherë në mjedisin rus, gjuhën ruse arrinin ta zotëronin shpejt dhe ta flisnin bukur. Unë i kujtoj me shumë respekt të gjithë pedagogët, por veçanërisht profesoreshën Tatjana Soboleva që më jepte mësime praktike për shkathtësimin e gjuhës së folur ruse. Ajo ishte shumë e dashur dhe të gjendej me kohë e pa kohë.
Nga studentët e vendeve të demokracive popullore, më bënin përshtypje studentët bullgarë, të cilët, gjithashtu, ambientoheshin lehtë në mjedisin rus. Por, në krahasim me të gjithë studentët e demokracive popullore, studentët shqiptarë ishin me të ardhura më të pakta financiare. Ne e kishim bursën 600 rubla në muaj, sipas kursit të asokohshëm. Kurse studentët e vendeve të demokracive popullore e kishin bursën shumë më të lartë. Merreni me mend, studentët mongolë e kishin bursën 1500 rubla në muaj.
Pyetje: Kush nga udhëheqësit shqiptarë të asaj kohe ka ardhur në Rusi, çfarë kujtoni dhe si është pritur?
Përgjigje: Unë, siç e theksova më lart, arrita në Bashkimin Sovjetik në fund të gushtit të vitit 1959. Deri në fund të atij viti dhe në muajt e parë të vitit 1960, unë nuk kam pasur ndonjë informacion për vizitën e ndonjë udhëheqësi shqiptar në Moskë, sepse ambasada jonë na informonte rregullisht për vizita të tilla. Në vitin 1960, deri në Konferencën e Partive Komuniste dhe Punëtore të botës që u zhvillua në nëntor të atij viti, u vu re një ftohje e theksuar e marrëdhënieve të Tiranës me Moskën për faj të Hrushovit. Kjo për faktin se Sofokli Venizellosi, në takimin që kishte pasur me Hrushovin në fund të muajit maj të vitit 1960, i kishte parashtruar çështjen e autonomisë së Epirit të Veriut. Në atë takim Hrushovi i kishte dhënë fjalën se do ta diskutonte këtë çështje kur të takohej me Enver Hoxhën në Bukuresht. Ky ishte një qëndrim flagrant i Moskës ndaj tërësisë territoriale të vendit tonë, prandaj edhe Enver Hoxha nuk mund të mos revoltohej në kulm kundër Hrushovit.
Pyetje: A ishit në BS kur erdhi Enver Hoxha dhe cilat janë kujtimet e tua të atyre ditëve?
Përgjigje: Po, në Bashkimin Sovjetik isha kur Enver Hoxha erdhi në Moskë, në Konferencën e 81 partive. Asokohe, më kujtohet, mes qytetarëve sovjetik duhet të kenë qarkulluar informacione për ecurinë e punimeve të asaj konference. Sepse një ditë, kur konferenca ishte duke i vazhduar punimet dhe Enver Hoxha e kishte mbajtur fjalimin, studentët e kursit tonë ishin në sallën e leksionit të historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Të gjithë pedagogët tanë e kishin si rregull që para se të fillonin leksionin apo seminarin, u drejtoheshin studentëve nëse ndokush kishte ndonjë pyetje. Më pëlqente shumë kjo mënyrë e fillimit të leksioneve apo të seminareve nga ana e pedagogëve. Kur profesori, Levini, na u drejtua me pyetjen e zakonshme, një student aty afër fundit të sallës së leksioneve, që nuk ishte i grupit tim, u ngrit dhe pyeti:
“Kemi marrë vesh se udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha, në Konferencën e 81 partive, ka mbajtur një fjalim me sulme kundër Bashkimit Sovjetik. Ju lutem, a mund të na flisni më hollësisht?”.
Ndërkohë, një tjetër student, Oleg Botkini, që ndodhej dy banka para meje, pa pritur që profesori t’i përgjigjej pyetjes, ngrihet menjëherë më këmbë dhe thotë:
“Kjo është një pyetje me vend, duam të dimë hollësira se këtu mes nesh kemi edhe një student shqiptar”.
Këtu dëshiroj të theksoj se Oleg Botkini kishte qenë i pranishëm kur unë, siç e përmenda më lart, pata debatuar ashpër me shokun e grupit, Vladimir Gorbatovin. Me sa duket, Oleg Botkini, duke e parandier se në auditor mund të krijohej ndonjë incident nga ana ime nëse profesori do të fliste keq për Enver Hoxhën dhe për vendin tonë, vendosi t’i dilte situatës përpara: ndërhyri menjëherë, para se profesori të merrte fjalën. Dhe profesori, kur e mori vesh që në sallën e leksioneve ndodhej një student shqiptar, ndërhyri aty për aty:
“E po mirë, ju mund të pyesni studentin shqiptar për t’ju sqaruar”.
Profesori mua nuk më njihte se ai na jepte vetëm leksionet, kurse seminaret na i zhillonte një profesoreshë. Ajo e dinte që unë isha shqiptar.
Kur mbaroi leksioni, askush nga studentët nuk erdhi të më pyeste për të kërkuar ndonjë sqarim. Por edhe sikur të kishte ardhur ndokush, unë nuk dija se çfarë sqarime t’i jepja se nuk më kishte ardhur ende informacioni nga ambasada për përmbajtjen e fjalimit të Enver Hoxhës. Por paskëtaj vura re një qëndrim pak të ftohtë që filloi të mbahej ndaj meje, sidomos nga përgjegjësi i universitetit Matvej Sovatejevi, që merrej me studentët e huaj, i cili deri asokohe me mua ishte sjellë me shumë dashamirësi. Më vonë, siç na erdhi një informacion nga ambasada, atasheun tonë ushtarak në Moskë, Halim Ramohiton, Hrushovi e kishte shpallur person të padëshirueshëm dhe i kishte lënë afat të largohej nga territori i Bashkimit Sovjetik brenda 24 orëve.
Pyetje: Si u ndjetë kur u caktuat pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse në UT?
Përgjigje: Studimet universitare i mbarova në fund të vitit akademik 1965-1966. Pas përfundimit të provimeve, studentët e fakultetit tonë dhe të fakultetit të mjekësisë, shkuan të punojnë një muaj në aksionin e rinisë në Radhimë të Vlorës, për të hapur brezare për plantacionet e agrumeve që do të mbilleshin në to. Studentët ishin të ndarë në brigada
. Kur kishte kaluar mesi i muajit në aksion, nuk mbaj mend se kush erdhi nga fakulteti dhe na lajmëroi mua dhe Agron Duron, shokun e grupit tim, se na kishin emëruar me punë në fakultet: Agronin në Katedrën e Përgjithshme të Gjuhës Ruse, katedër kjo që mbulonte mësimdhënien në gjuhën ruse në fakultetet e tjera, kurse mua në katedrën që përmendët ju, si katedra e specialitetit.
Sigurisht që ky ishte një gëzim shumë i madh për mua. Ishte edhe një shpërblim që fakulteti më jepte mua për rezultate shumë të larta në mësime. U jam shumë mirënjohës përgjegjëses së katedrës, docentes Vitore Ballvora (Angoni), profesoreshës sime të nderuar, si edhe zëvendësrektores së universitetit, profesoreshës sime po aq të nderuar, docentes Shpresa Zenelaj, që më krijuan mundësinë të punoja si pedagog në katedër. Unë nuk kisha asnjeri me pozitë në hierarkinë shtetopartiake që të ndërhynte për të më emëruar në katedër, siç ka shpifur për mua në faqet e internetit një servil i Janullatosit. Ishte thjesht vlerësimi objektiv i rezultateve të mia në mësime nga ana e atyre profesoreshave të nderuara që bëri të mundur punësimin tim në katedër.
Pyetje: Si ishte UT i atyre kohërave? A kishte pedagog të përgatitur? Si ishte kërkesa e llogarisë? A ishte shkolla jonë e nivelit evropian?
Përgjigje: Universiteti i Tiranës asokohe kishte nivel të lartë shkencor në procesin e mësimdhënies, nivel me të vërtetë evropian. Kishte kërkesë llogarie dhe nuk njihej absolutisht fryma e lëshimit në dëm të cilësisë së mësimdhënies. Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë përfshiheshin edhe degët e gjuhëve të huaja, të cilat atëherë nuk ishin fakultet më vete, si tani. Pedagogu, normalisht, nuk mund të shkonte në auditor pa pasur të përgatitur konspektin e mësimit, ku pasqyrohej imtësisht kontrolli i mësimit të ditës dhe analiza e mësimit të ri që do t’u jepej studentëve për herën tjetër.
Veç kësaj, katedrat e gjuhëve të huaja kishin të hartuar një plan kontrolli të kolegut nga kolegu: në atë plan parashikoheshin vizita të ndërsjella në mësimet ose leksionet e njëri-tjetrit, në të cilat mund të merrnin pjesë edhe kolegë të tjerë të katedrës, madje edhe vetë përgjegjësi i katedrës. Pastaj organizohej mbledhja e katedrës dhe atje analizohej ora e mësimit që kishte dhënë kolegu, viheshin në dukje anët pozitive të mësimdhënies, si edhe ndonjë e metë, në aspektin metodik, që të përmirësohej në orët e tjera të mësimit.
Pra, pedagogu në auditor dallohej për një nivel të admirueshëm shkencor gjatë mësimdhënies. Studentët e brezit tim kanë pasur fatin të kenë pedagogë me një nivel shkencor të shkëlqyer, si Vitore Ballvora (Angoni), Shpresa Zenelaj, të cilat kishin studiuar për gjuhë dhe për letërsi ruse në Universitetin Lomonosov të Moskës, universiteti më elitar në Bashkimin Sovjetik.
Na kanë dhënë mësim edhe tri pedagoge ruse, të cilat, duke e pasur rusishten gjuhë amtare, pavarësisht se nuk kishin studiuar në universitet për filologji ruse, nivelin shkencor të mësimdhënies së gjuhës praktike ruse e kishin shembullor.
E vetmja pedagoge ruse që studimet e larta i kishte përfunduar për filologji ruse, ishte Ludmilla Zoraqi, një pedagoge mjaft e talentuar dhe me autoritet shkencor, që na jepte leksionet e hyrjes në gjuhësi, të morfologjisë dhe të sintaksës së gjuhës ruse. Lëndën e letërsisë ruse na e jepnin profesoreshat Vitore Angoni dhe Shpresa Zenelaj, si edhe profesori Jorgji Doksani, i cili, po ashtu, studimet universitare i kishte përfunduar në Moskë
Studentët e brezit tim diplomën e merrnin për mësues të gjuhën ruse dhe të gjuhës shqipe. Prandaj gjuhën shqipe ne e studionim dy vjet. Në vitin e parë studionim fonetikën, hyrjen në gjuhësi, leksikologjinë dhe morfologjinë, në vitin e dytë sintaksën. Pedagogët tanë kanë qenë dhe janë shkencëtarë me emër në fushën e gjuhësisë.
Për ta kam nderim të jashtëzakonshëm dhe i kujtoj me respekt të thellë, si profesorët Selman Riza, Spiro Floqi, Mehmet Çeliku, Remzi Përnaska, Anastas Dode, Jani Thomai dhe Emil Lafe. Lëndën e letërsisë perëndimore, të cilën e studionim dy vjet, na e jepte profesori Nexhip Gami. Letërsinë shqipe na e jepte shkrimtari Jakov Xoxa. Që të gjithë këta profesorë ishin të nivelit evropian. Prandaj duhet thënë me plot gojën se Universiteti i Tiranës atëherë kishte një nivel me të vërtetë evropian në procesin e mësimdhënies.
Pyetje: A ekzistonte mitmarrja në atë periudhë?
Përgjigje: Sikur kjo pyetje t’i drejtohej ndonjë pedagogu të asaj kohe kur unë isha student, me siguri që ai do të hapte sytë i befasuar. As që mund të imagjinohet që asokohe fjala “mitmarrje” të ishte në qarkullim në të folmen e përditshme. Duke qenë jashtë përfytyrimit të çdo pedagogu të asaj kohe, kjo fjalë hynte në leksikun pasiv të gjuhës shqipe. Besoj se me kaq sa thashë, bëhet plotësisht e qartë se sa i lartë ka qenë asokohe morali i pedagogut në marrëdhëniet me studentët. Ne, studentët e asaj kohe, e shikonim dhe e vlerësonim pedagogun si një figurë të shenjtëruar.
Pyetje: Në vitin 1975 u dërguat me një shërbim 6-mujor në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur nga afër botimin në gjuhën ruse të vëllimit të dytë të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës prej 1000 faqesh. Pse pikërisht në Kinë? Me se shkuat dhe si ishte aerodromi ku u ulët? Si ishte gjendja e Kinës në atë kohë? Kush i përgatiste veprat e Hoxhës?
Përgjigje: Sipas një marrëveshjeje të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Kinës, veprat e zgjedhura të Enver Hoxhës, në 6 vëllime, do të përktheheshin, do të redaktoheshin dhe do të korrektoheshin në Tiranë, por botimi i tyre në katër gjuhë të huaja (në anglishte, në frëngjishte, në spanjishte dhe në rusishte) do të bëhej në Pekin. Botimin në Pekin do ta ndiqte një përkthyes nga Tirana për çdo gjuhë dhe një përgjegjës nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste.
Vëllimi i parë u botua në Pekin në vitin 1974. Për të ndjekur nga afër botimin e vëllimit të dytë në gjuhën ruse, në vitin 1975 më dërguan mua me shërbim në Pekin. Bashkë me përkthyesen e anglishtes Natasha Hito, të frëngjishtes Teuta Turhani dhe me përkthyesin e spanjishtes Skënder Vuçini, të shoqëruar nga një punonjës i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Selim Beqirin, u nisëm për në Pekin me avion, në linjën Tiranë-Bukuresht-Teheran-Pekin Udhëtimi vazhdoi 12 orë e 30 minuta. Aerodromi i Pekinit ishte mjaft i madh. Na vendosën me banim në Hotel-Pekin, që ndodhej në anë të bulevardit kryesor të qytetit. Një hotel luksoz dhe me ushqim të bollshëm. Tërë kohën punuam në hotel për të kontrolluar fashikujt e librit që na i sillte kohë pas kohe një punonjës i shtypshkronjës. Në fundjavë dilnim nëpër qytet dhe shikonim gjëra interesante. Na bënte përshtypje që përgjatë këmbësoreve (trotuareve) të gjera të bulevardit kryesor të qytetit, tregtarë privatë shisnin lirshëm produktet e tyre bujqësore, fruta dhe zarzavate të shumëllojshme, me një bollëk të jashtëzakonshëm, gjë që në vendin tonë ishte rreptësisht e ndaluar.
Gjatë ditëve që ishim duke pritur ardhjen e fashikujve ose edhe në fundjavë, miqtë kinezë na argëtonin me shëtitje në vende të bukura, interesante, piktoreske. Veç kësaj, na çuan edhe në vende të tjera, si në Murin e Madh Kinez, në fushat naftëmbajtëse në lindje të vendit, pranë Detit të Kinës, përballë Japonisë, në vendstrehimet gjigante nën tokë që ndodheshin në nëntokën e qytetit të Pekinit, ku, në rast lufte, krejt popullsia mund të strehohej në to. Në ato vendstrehime kishte jo vetëm tunele të pamata, por edhe mjedise të bollshme për strehimin e popullsisë, ku jeta mund të vazhdonte si në sipërfaqe.
Gjatë qëndrimit në Pekin, na priti në një takim ambasadori ynë në Kinë Behar Shtylla.
Kur e mbaruam punën për botimin e vëllimit të dytë, miqtë kinezë na organizuan edhe një ekskursion në qytetin e Shangajit dhe prej andej udhëtuam me tren për të vizituar vendlindjen e Mao Ce Dunit, në Shaoshan, lokalitet i qarkut Svjatan të provincës Hunan. Nuk patëm mundësi dhe as kohë të shkonim në zona të thella dhe të njiheshim nga afër me nivelin e jetesës së njerëzve të thjeshtë, por me aq sa pamë gjatë kohës së qëndrimit në dy qendrat më të mëdha urbane, Pekin dhe Shangaj, gjendja ekonomike na u duk normale. U kthyem në Pekin, u çlodhëm një ditë dhe të nesërmen u nisëm për në Tiranë. Ishte muaji tetor.
Më pas u ndërpre botimi në Pekin i vëllimeve të tjera të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës. Vëllimi i tretë, i katërt, i pestë dhe i gjashtë u botuan në Tiranë. Me sa dukej, po afrohej “tërmeti” i ftohjes së marrëdhënieve me Republikën Popullore të Kinës që u bë fakt i kryer në verën e vitit 1978.
Veprat e zgjedhura të Enver Hoxhës i përgatiste Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dhe mandej ia përcillte për përkthim Redaksisë së Botimeve në Gjuhë të Huaja në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”.
Pyetje: Në mars të vitit 1979 u emëruat përkthyes i veprave të Enver Hoxhës në Redaksinë e Botimeve në Gjuhë të Huaja, në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”. Si u ndjetë? A ishte përgjegjësi? Cila ishte vepra e parë që përktheve? Kush i kontrollonte përkthimet?
Përgjigje: Nuk ishte hera e parë që unë po filloja përkthimin e veprave të Enver Hoxhës. Gjatë vitit 1978 dhe deri në mars të vitit 1979, kur intensiteti i punës përkthimore ishte shtuar së tepërmi në Redaksi, sektori i rusishtes të asaj Redaksie më pati angazhuar si përkthyes të jashtëm, me honorar. Por kur fillova punë, si përkthyes i emëruar në Redaksi, sigurisht që ndjeva shumë përgjegjësi. Së pari, sepse tani isha punonjës i brendshëm dhe kërkesat për cilësi të lartë përkthimi ishin të rrepta. Së dyti, sepse ritmet e përkthimit ishin të përshpejtuara dhe mua më duhej të mësoja të përktheja shpejt në makinë shkrimi, me të cilën nuk kisha punuar ndonjëherë. Sepse që të gjithë përkthyesit, në të gjithë sektorët e gjuhëve të huaja, përkthenin në makina shkrimi. Për mua u gjet një makinë e vogël daktilografimi me tastierë në gjuhën ruse. Fillova të stërvitesha intensivisht dhe që ditën e parë arrita të përkthej katër faqe. Por puna nuk priste për katër faqe. Atëherë, në marrëveshje me përgjegjësin e sektorit të rusishtes, Myfit Mushin, redaktor, një specialist i shkëlqyer i gjuhës ruse, vendosëm kështu: gjysmën e kohës së punës (katër orë) të stërvitesha në përkthim me makinë shkrimi, kurse gjysmën tjetër t’ia diktoja përkthimin përkthyeses Xhevrije Myderizi, e cila daktilografonte shumë shpejt. Me diktim unë isha në gjendje që për katër orë të përktheja 15 faqe. Herë-herë përkthimin ia diktoja edhe përkthyeses Eli Troja (Progri), të cilën e kisha pasur studente gjatë viteve 1967-1971. Një studente shumë e talentuar që e meritonte të punonte edhe si pedagoge në universitet.
Vepra e parë e Enver Hoxhës, për përkthimin e së cilës kam dhënë kontrubutin tim edhe unë, ka qenë “Imperializmi dhe revolucioni”.
Përkthimet i redaktonte dhe i kontrollonte Myfit Mushi, i cili, si një specialist i përsosur i gjuhës ruse, si mjeshtër i përkthimit gojor (i interpretimit), dikur, në vitet 1956-1961, kishte punuar në Komitetin Qëndror të Partisë, si përkthyes i Enver Hoxhës. Në sektorët e tjerë të gjuhë ve të huaja, kontrollin përfundimtar të përkthimeve e bënin redaktorët.
Pyetje: Kur je ndjerë më keq në përkthimet e veprave të Enver Hoxhës, a kishte normë në përkthime?
Përgjigje: Dikur jam ndier keq në një rast: Unë asokohe isha përgjegjës i Redaksisë, detyrë, të cilën e kisha filluar më 01 gusht 1981. Dhe ja sepse:
Në Redaksi pati një periudhë kur na u krijua një gjendje ankthi. Redaksia jonë ishte vendosur në katin e katërt të Shtëpisë Botuese “8 nëntori”, së bashku me Redaksinë Enciklopedike. Një ditë prej ditësh, në hyrjen e katit të katërt erdhi një specialist dhe vendosi një portë hekuri. Të nesërmen na erdhi për përkthim një pjesë materiali nga libri “Titistët”.
Ndërkohë, nga ana e jashtme e portës së hekurt, pamë të ulur në karrige një person të panjohur. Më vonë u mor vesh se ai person qenkej një ushtarak pensionist nga ata që kishin shërbyer në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë tërë kohës që vazhdoi përkthimi i librit “Titistët” dhe deri sa doli nga shtypi, ushtarakët pensionistë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësonin njëri-tjetrin me turne, duke kryer shërbimin e rojës pranë portës së hekurt. Në katin e katërt nuk lejohej të hynte kurrkush nga të jashtmit, madje as punonjës të redaksive të tjera që ishin të vendosura në katin e dytë dhe të tretë, se katin e parë e administronte shtypshkronja.
Shqetësimi im ishte shumë i madh se edhe sektori i rusishtes duhej të ecte me ritmin e përkthimeve si në sektorët e tjerë të gjuhëve të huaja. Prandaj mua më duhej të drejtoja punën e Redaksisë dhe të ndihmoja me përkthime edhe sektorin e rusishtes që përkthyesit i kishte të paktë. Prandaj, me orar të zgjatur, ua diktoja përkthimin ose Xhevrie Myderrizit ose Eli Trojës (se daktilografiste të gjuhës ruse nuk kishim) dhe pata arritur të përktheja deri në 35 faqe në ditë. Norma e përkthimit ishte katër faqe në ditë. Në këto raste ftonim si bashkëpunëtor të jashtëm specialistin e gjuhës ruse në Radio Tirana, Enver Leka, një përkthyes shumë i talentuar, si edhe Naim Ballën, që punonte si redaktor i teksteve të gjuhës ruse për shkollat në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Ai daktilografonte shumë shpejt. Edhe atij unë ia diktoja përkthimin. Në bashkëpunim me të, kisha arritur, po ashtu, të përktheja 35 faqe në ditë. Por në Redaksi kishte rendimente edhe më të larta. Në sektorin e frëngjishtes, Jusuf Vrioni kishte arritur të përkthente edhe 50 faqe në ditë.
Përkthyesit, redaktorët, të habitur, shkëmbenin në heshtje vështrime me njëri-tjetrin: ç’nevojë kishte të mbylleshim me portë hekuri dhe të shpikej një sekreti kaq i madh në përkthimin e një vepre, në të cilën shtjelloheshin marrëdhëniet e Partisë Komuniste të Shqipërisë me Partinë Komuniste të Jugosllavisë, të cilat diheshin si kishin nisur dhe si kishin përfunduar? Por e çuditshme ishte se në atë vepër, Enver Hoxha nuk ndalej dhe të analizonte hollësisht periudhën e dashurisë përvëlimtare për Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe për Titon personalisht, shkaqet e lindjes së saj me një zjarr të patreguar më 08 nëntor 1941 dhe të fliste shkoqur nëse komunistët shqiptarë patën pasur ndër mend ose jo të vetorganizoheshin në një parti komuniste, sikur të mos qenë dërguar në Tiranë emisarët jugosllavë. Këtë po e nënvizoj tani, sepse shumë vjet më vonë, në periudhën e pluralizmit, kanë dalë në dritë dokumente që hedhin dritë mbi të vërtetën se ç’përfaqësonin në thelb komunistët shqiptarë. Në një letër të Mehmet dhe Fiqrete Shehut, që i drejtohej Dusham Mugoshës në pranverën e vitit 1944, thuhet:
“Nuk kishim parti, por kishim dhe ishim bashibozukë, ishim një “turli” me zarzavate të hidhura e me udhëzimet e Miladinit e të tuat, me ndihmat tuaja mundëm të seleksionoheshim, të formojmë partinë tonë komuniste, ta forcojmë. Na dhatë dorën, na mësuat, na ngritët si nëna foshnjën”. 22 prill 1944 (Citohet sipas: “Lertra e Mehmet dhe Fiqrete Shehut për Mugoshën”. Marrë nga faqja e internetit “AlbDreams.Net”. 05 tetor 2010).
Gjithsesi, tërë periudha e përkthimit, e redaktimit, e daktilografimit dhe e kontrollit përfundimtar të librit, deri në zbritjen në shtypshkronjë dhe daljen e tij nga shtypi, u përcoll me një heshtje të ankthshme.
Puna jashtë orarit asokohe ishte shndërruar në një ritual të përditshëm. Ka pasur raste, kur ishim duke përkthyer veprën “Shënime për Kinën”, që puna në redaksi ka vazhduar 36 orë rresht. Për të shmangur stërmundimin e përkthyesve, të redaktorëve dhe të daktilografisteve, që të ruhej shëndeti i tyre, u detyruam të ndërtonim një grafik për ata që duhej të vazhdonin punën dhe për ata që duhej të shkonin të çlodheshin, që pastaj të ktheheshin në punë, për të ikur të tjerët për pushim.
Më vinte keq për kolektivin e redaksisë që punonte duke gogësitur mbi makinat e shkrimit, që rraskapitej me orar aq të stërgjatur dhe në fund të pesëmbëdhjetëditëshit (siç paguheshin rrogat asokohe) nuk merrte asnjë shtesë mbi rrogën. Ajo ishte një grabitje e pastër e punës intelektuale, të cilën, përveç mohimit të mbishpërblimit material, shteti e shoqëroi edhe me mohimin e pronës intelektuale, duke mos lejuar shënimin e emrave të përkthyesve dhe të redaktorëve në ballinat e librave të përkthyer, pikërisht ashtu siç kishte vepruar me mohimin e pronës intelektuale të përkthyesve të veprave të klasikëve të ideologjisë komuniste.
Pyetje: Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste a ju dërgoi materiale për përkthim me rastin e demonstratave të fuqishme që studentët kosovarë shpërthyen në Prishtinë në pranverën e vitit 1981 për Kosovën Republikë? Asokohe qenë botuar ca artikuj të fortë në gazetën “Zëri i Popullit”.
Përgjigje: Jo, ai institut nuk na dërgoi materiale për përkthim për ato ngjarje. Artikujt e “Zërit të Popullit” me siguri që do t’i jenë dërguar për përkthim Radios së Jashtme në Radio Tirana, ku përkthimet bëheshin në 20 gjuhë, si edhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Por me Redaksinë tonë ndodhi diçka me të vërtetë e paimagjinueshme. Pasi kishin kaluar ca muaj pas shtypjes së përgjakshme të atyre demonstratave nga ana e shovinizmit serbomadh dhe pikërisht në muajin shtator, instituti në fjalë na dërgoi në gjuhën shqipe për përkthim në gjuhë të huaja Përkujtesën e Vasa Çubrilloviçit (1897-1990), akademik, historian, profesor i Universitetit të Beogradit, një shovinist i kalibrit të lartë, armik i tërbuar i popullit shqiptar të Kosovës, i cili, në vitin 1937, ia drejtonte kryeministrit jugosllav Milan Stojadinoviç (1888-1961). Në atë Pëkujtesë ai kishte hartuar projektin për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.
Porosia na u dha që materiali të përkthehej sa më shpejt se situata vazhdonte të mbetej e ndezur në Kosovë. Materiali u përkthye dhe u bë gati për në shtypshkronjë, ku do të botohej në format broshure. Por para se ta zbrisnim në shtypshkronjë, në Redaksi erdhi porosia e prerë që në kapakun dhe në ballinën e broshurës nuk duhej të figuronte as autorësia e botimit, as enti botues, as viti i botimit. Kjo porosi tingëlloi në redaksi si paradoksale, por përkthyesit dhe redaktorët bisedonin me njëri-tjetrin vetëm në intimitet. Të gjithë e ndiem veten keq.
Me një fjalë, broshura në gjuhë të huaja duhej të dilte “kaçake” dhe e tillë duhej të qarkullonte në vendet e huaja. Ishte me të vërtetë një porosi absurde. Me mikun tim përkthyes, Edmond Tupja, bisedonim me zë të ulët: me sa duket, dashuria zhuritëse për Jugosllavinë dhe për Titon që pati shpërthyer më 08 nëntor 1941, edhe pas prishjes në dukje të marrëdhënieve me Beogradin në vitin 1948, vazhdonte ta rrezatonte afshin e nxehtë në fshehtësi edhe pas 33 viteve që kishin kaluar. Pra, që të mos i mbetej qejfi Beogradit shovinist, broshura me Përkujtesën e Çubrilloviçit, do të bridhte “kaçakçe” nëpër botë, si “jetime” hesapi, por askush s’mund ta akuzonte Tiranën komuniste se e paskej hedhur ajo në qarkullim, se ajo mund të ishte botuar, fjala vjen, edhe në Burkina Faso, edhe në Zanzibar apo edhe në Guinea Bisao! Ky ishte një qëndrim prej servili të pështirë i udhëheqësit komunist shqiptar Enver Hoxha ndaj Beogradit shovinist, por edhe një qëndrim prej tradhtari të kulluar nga ana e tij ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Pyetje: Kur je ndjerë më keq në tërë këtë rrugëtim të vështirë?
Përgjigje: Kjo më ka ndodhur në Moskë, në qershor të vitit 1995, kur, së bashku me zonjën Engjëllushe Shqarri, ish-kolegen time të nderuar në Redaksinë e lartpërmendur, një përkthyese gojore (interprete) e shkëlqyer e anglishtes, po shoqëronim, si përkthyes, Kryetarin e Parlamentit, zotin Pjetër Arbnori, në punimet e Konferencës së Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi (PABSEC – The Parliamentary Assembly of the Organization of the Black Sea Economic Cooperation) që i fillonte punimet më 04 qershor. Asokohe Republika e Shqipërisë, që prej 01 janarit, mbante kryesimin e radhës të PABSEC-ut dhe zoti Arbnori ishte kryetar, post ky, i cili, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 1995, do t’i kalonte Kryetarit të Parlamentit të Armenisë.
Punimet e Asamblesë zhvilloheshin në mjediset e Hotelit “President”. Pas seancës së parë, u bë një pushim i gjatë. Gjatë atij pushimi, kryetarët e delegacioneve, të shoqëruar edhe me një ose dy anëtarë të tjerë, u mblodhën në një sallë të vogël të hotelit për një takim për të diskutuar për pranimin e Greqisë si anëtare të kësaj organizate. Kur kjo organizatë qe themeluar ca kohë më parë, me nismën e Republikës së Turqisë dhe të Federatës Ruse, Greqia nuk kishte pranuar të bëhej anëtare e saj,
pavarësisht nga thirrja që i kishin drejtuar dy vendet nismëtare. Greqia, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe si “aristokratja” e Ballkanit, me sa duket, e kishte hundën në lis dhe nuk pati denjuar të hynte në një organizatë me ca vende “varfanjake” përreth pellgut të Detit të Zi, paçka se detin në fjalë e ka në prag të derës.
Më pas, Athina, qerose dhe fodulle, na qenkej bërë pishman dhe kishte kërkuar që edhe ajo të anëtarësohej në këtë organizatë. Por Republika e Turqisë nuk pranonte në asnjë mënyrë. Ndërkohë, një delegacion grek kishte ardhur drejtpërdrejt nga Athina dhe ishte duke pritur në ca kolltuqe jashtë derës së asaj salle të vogël të hotelit. Debati vazhdoi për tre orë e gjysmë rresht. Mua dhe Engjëllushes na u komunikua paraprakisht se si gjuhë pune në atë takim, do të përdorej rusishtja, jo anglishtja. Kështu që në atë takim shkova unë si përkthyes.
Zoti Arbnori, si Kryetar i PABSEC-ut, drejtonte debatin. Diskutimet qenë të nxehta. Pala turke nuk dëshironte të tërhiqej në asnjë mënyrë nga këmbëngulja e saj. Aty vura re stilin aq origjinal të zotit Arbnori në komunikimin me diskutuesit, gjakftohtësinë e tij befasuese, mendjemprehtësinë fenomenale dhe taktin e admirueshëm diplomatik. Anëtarët e delegacionit grek po prisnin jashtë derës çehrevrarë, si puna e atij dhëndrit të njëherenjëkohshëm që, me gjak të ngrirë, priste përgjigjen e njerëzve të nuses nëse pranonin ose jo ta fejonin vajzën e tyre me të. Greqia, e cila krekosej me anëtarësinë e vet në Bashkimin Evropian, vendet përreth Detit të Zi, deri asokohe, i kishte shikuar nga lart poshtë, kurse tani na e paskej ulur bishtin dhe kishte vendosur të vinte në “Kanosë”. Pasi debati vazhdoi dy orë e gjysmë, mua më filloi dhimbja e kokës. Aspirina kisha marrë me vete nga Tirana, por i kisha lart, në dhomë. T’i kërkoja leje Kryetarit Arbnori për të shkuar të merrja një aspirinë, më vinte zor. Prandaj përkthimin e vazhdova me siklet të madh. Kur u bënë tri orë e gjysmë debat, e mori fjalën një deputete e parlamentit të Ukrainës, një bukuroshe ezmere shtatlartë dhe me ca sy të mëdhenj shkëlqimtar që të “shitonin” në vend. Ajo, ndër të tjera, tha:
“Tani jemi para një situate të tillë, kur nusja është bërë gati për t’u nisur për te burri, me të gjitha stolitë që ka veshur, dhe, në këto kushte, t’i thuash asaj se dhëndri ka çuar fjalë se nuk të do, është njëlloj sikur atë ta vrasësh në vend. Prandaj unë them që Greqinë ta pranojmë si anëtare të PABSEC-ut dhe propozoj që t’i mbyllim këto diskutime”.
Me fjalën “nuse”, zonja deputete linte të kuptohej se e kishte fjalën për anëtarët e delegacionit grek, të cilët, atje jashtë derës, po prisnin një përgjigje pozitive nga zoti Arbnori, si drejtues i debatit. Kjo ndërhyrje e deputetes ukrainase, me sa duket, ndikoi për mirë dhe përfaqësuesit e Republikës së Turqisë dhanë pëlqimin e tyre që edhe Greqia të pranohej në PABSEC. Me të mbaruar debati, unë u turra për në dhomë, mora aspirinën, e përtypa shpejt e shpejt dhe e shoqërova me ujë, kur aty për aty më plasi gjak nga hundët. Kjo më qetësoi. Për qejfin e grekëve, m’u desh të përballoja aq shumë tension, pa bërë asnjë minutë pushim, për tre orë e gjysmë rresht, kur dihet që në praktikën botërore, përkthyesit me gojë, sidomos përkthyesit-sinkronistë, zëvendësohen nga kolegët e tyre çdo 25-30 minuta.
Pyetje: A e ke takuar ndonjëherë Enver Hoxhën, Mehmet Shehun apo Nexhmije Hoxhën për vetë detyrën që kishe?
Përgjigje: Jo, nuk më ka qëlluar asnjëherë rasti për t’i takuar drejtpërdrejt.
Pyetje: Kush nga udhëheqësit interesohej direkt për përkthimet e veprave të Enver Hoxhës?
Përgjigje: Ramiz Alia.
Pyetje: Ku ishe kur vdiq Enver Hoxha? Si u ndjeve dhe a vazhdoi më përkthimi i veprave të tij?
Përgjigje: Isha në Tiranë. Ç’mund të them se si u ndjeva? Siç e dini edhe ju vetë, që prej janarit të vitit 1982, kudo nëpër Tiranë, si edhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, njerëzit kishin filluar të zinin radhë për bulmet, për mish e pastaj edhe për zarzavate dhe për ushqimore, për vajguri po e po. Pikërisht në muajin shkurt të vitit 1985, pasi shkova zura radhë në orën 24-00, për katër veta, në derën e tregtores së bulmetit, pranë bustit të Çajupit, para bllokut të pallateve “1 maj” të Tiranës së Re, në orën 04-30 (sepse tregtorja e bulmetit hapej në orën 05:00) shkova zgjova time shoqe, djalin dhe vajzën, që ishin të mitur, për të marrë nga një pako gjalpë secili, se asokohe vetëm një pako gjalpë 100-gramëshe të jepnin në javë për person. Vitet ’80 ishin pasqyra më domethënëse e përfundimit të veprës shkatërrimtare 41-vjeçare të Enver Hoxhës që Shqipërinë e rrethoi me tela me gjemba, duke e katandisur në një izolim skandaloz, kurse Bllokun e rrethoi me bajoneta, për të ruajtur mirëqenien e vet dhe të Byrosë Politike. Prandaj nuk mund të ndieja ndonjë keqardhje për vdekjen e tij. Juve mund t’ju duket e pabesueshme, por ndoshta edhe mund ta keni dëgjuar. Ju asokohe keni qenë në Greqi. Nuk më kujtohet se cili vit ka qenë konkretisht, por, besoj, duhet të ketë qenë viti 1992, pas zgjedhjeve të 22 marsit. Ishte koha kur anëtarët e Byrosë Politike po i shpërngulnin nga Blloku. Njërit prej tyre, siç u shkrua në shtypin e kohës, gjatë zhvendosjes së plaçkave, i gjetën në vilën e Bllokut 640 kuti njëkilogramshe me mish të konservuar.
Kur vdiq Enveri, sigurisht që nuk ishte më ai tension i jashtëzakonshëm në punë, si në përkthimin e librave të tij me kujtime.
Pyetje: Ka shumë hipoteza për librat e Enverit. Thuhet se nuk i shkruante vetë. Cili është mendimi juaj dhe si ishin librat e tij nga ana artistike?
Përgjigje: Kësaj pyetjeje mjaft interesante nuk mund t’i përgjigjem dot se duhej të kisha informacion të drejtpërdrejtë. Këtë mundësi unë nuk e kam pasur. Por për këtë pyetje ka një përgjigje mjaft domethënëse që e ka dhënë një ish-bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, publicisti i mirënjohur dhe doktori i shkencave sociologjike, miku im i vjetër Andon Dede, i cili tani është qytetar amerikan dhe jeton në Nju Jork. Këtë pyetje, këtu e ca vjet të shkuara, atij ia ka pas bërë drejtori i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kur e ka marrë në intervistë. Pyetjen dhe përgjigjen po i vendos në kllapa katrore.
[Pyetje: Për Enver Hoxhën, përfshi këtu edhe veprat e tij, është shkruar e folur shumë. Janë shfaqur mendime nga më të ndryshmet. Shumë veta kanë thënë se ato ia kanë shkruar të tjerët, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe pohimet se ai i ka shkruar vetë, madje edhe se ka pasur një farë talenti për të shkruar. Ju, duke u marrë direkt me botimin veprave të tij, mbase mund të keni ndonjë mendim tuajin për sa më sipër?
Përgjigje: Është në nderin e atij që përgjigjet që të jetë sa më objektiv, pavarësisht se cili është objekti për të cilin flitet. Në këto raste ne duhet të dalim nga vetja dhe të zhvishemi nga pasionet e mllefet që me të drejtë na imponohen kur flasim për atë regjim që lamë pas. Këtë do përpiqem të bëj dhe unë, me aq sa i kam mundësitë.
Cilido që më njeh apo që ka lexuar shkrimet e mia të pasdiktaturës, e di mendimin tim për Enver Hoxhën e regjimin e tij. Por kjo nuk më pengon që të pohoj disa të vërteta që mund të mos u pëlqejnë disave që i shohin gjërat bardhë zi dhe jo në kompleksitetin e tyre, siç janë në jetë.
Kam lexuar shumë shkrime apo dhe libra që e paraqesin Enver Hoxhën si një njeri që jo vetëm i kanë munguar aftësitë e njëfarë talenti për të shkruar, ta quajmë kështu, por gati edhe si debil e budalla, gjë që i bën për të qeshur ata që kanë pasur rastin ta njohin. Nga vetë puna në Televizion për rreth pesëmbëdhjetë vjet, kam pasur rastin që të bisedoj me shumë ish-shokë të tij të shkollës apo ish-kolegë kur ka punuar si profesor në Liceun e Korçës apo gjimnazin e Tiranës. Në biseda intime e të lira me ta, më kanë thënë se ai, qysh në shkollë, kishte një farë delli për të shkruar, pra nuk qe pa gjë. Hartimet e tij, më ka thënë një syresh, lexoheshin shpesh në klasë. Këtë, me të drejtë, e pohon dhe Kadareja, në mos gabohem në librin e tij “Dialogje me Alen Boskenë”.
Veç kësaj, fakt ësht që ai edhe lexonte shumë, përfshirë dhe letërsi artistike. Pra, kjo është njera anë e portretit të Enver Hoxhës, lidhur me pyetjen që bëtë ju, por akoma nuk i jam përgjigjur asaj plotësisht. E di se nuk them ndonjë gjë të re, por dihet se diktatorët, me mëndjen e errësuar nga etja për lavdi, duan të mbeten në histori jo vetëm si politikanë e udhëheqës, por edhe si teoricienë, e pse jo, edhe si shkrimtarë, e të lënë edhe vepra pas. Nga ky rregull nuk bën përjashtim as “Enveri ynë”, për më tepër që, siç thashë edhe më sipër, ai kishte njëfarë delli për letërsinë dhe pretendonte se qe dhe shkrimtar. Për këtë ai, pas viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, nisi intensivisht jo vetëm botimin e veprave seriale të tij, por edhe gjini të tjera, si analiza teorike, kujtime etj. Për këtë, në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste u krijua një sektor i veçantë, me disa nënsektorë, si të thuash: njëri merrej me veprat e serisë, një tjetër me kujtimet; një i tretë me veprat teoriko-studimore etj. Këtu tani ndryshon puna. Jo të gjitha kanë dalë nga pena e tij, në kuptimin e ngushtë e konkret të fjalës. Këtë e kupton vetë dhe çdo njeri me sadopak kulturë. Mjafton të kujtojmë, p.sh., “Shënimet për Kinën”, ku rrezik dhe vetë kinezët nuk i kanë përshkruar e shtjelluar ngjarjet e të ashtuqaujturit “Revolucion Kulturor” me aq hollësi sa ç’i gjejmë në këto vëllime të trasha të “xhaxhi Enverit”. Edhe më naivi mund të bëjë pyetjen, tek i lexon ato: “A kishte mundësi numri një i shtetit që të shkruante çdo ditë, deri edhe njëzet apo tridhjet faqe, siç shohim aty? Sigurisht që jo. Këto, pra, dhe shumë të tjera, i përgatisnin të tjerët. Po kështu dhe librat teoriko-studimorë përgatiteshin me kontributin e shumë specialistëve, sipas fushave përkatëse. Edhe këtë e konstaton lehtë kushdo që i ka lexuar ato, si nga stili, ashtu dhe nga pamundësia reale për t’i shkruar, qoftë thjesht edhe për faktorin kohë. Kjo nuk e përjashton mundësinë që ai të ketë dhënë ide e mendime për to”]. Citohet sipas: Andon Dede. “Dialogje me të tjerët dhe me veten”. Shtëpia Botuese: “GlobusR”, Tiranë 2010, f. 229-238.
Pyetje: Përkthyes i 3200 faqeve në gjuhën ruse nga veprat e Enver Hoxhës, si je ndjerë dhe a i lexoje me dëshirë veprat e tij?
Përgjigje: Gjatë viteve që punova si përkthyes dhe si përgjegjës i redaksisë, derisa u largova më 31 dhjetor 1991, për t’u rikthyer në profesionin e pedagogut në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja më 01 janar 1992, pata krijuar bindjen se puna përkthimore në atë Redaksi ishte me të vërtetë një universitet për këdo që ishte punësuar aty pas përfundimit të studimeve të larta. Po të bëhej një krahasim i thjeshtë, mund të thuhet me siguri se ajo Redaksi shërbente si një “det i thellë”, ku duhej të dije “të notoje”, pas mësimeve të “notit” që kishe marrë në universitet.
Përkthyesi i sapoemëruar, duhej të ulej para makinës së shkrimit dhe duhej t’i futej përkthimit drejtpërdrejt, pra, duhej të hynte drejt e “në thela”. Për t’u specializuar në fushën e terminologjisë politike në gjuhë të huaj, ai duhej të konsultohej jo vetëm me fjalorë dygjuhësh, por edhe me fjalorë shpjegues në gjuhën përkatëse të nivelit akademik, duhej të mbante nëpër duar fjalorë frazeologjikë të gjuhës së huaj, duhej të lexonte rregullisht shtypin në gjuhë të huaj. Në shtëpinë botuese kishte një bibliotekë të pasur, ku përkthyesit merrnin fjalorët përkatës. Aty vinte rregullisht edhe nga një kopje gazete në çdo gjuhë të huaj dhe punonjësja e bibliotekës, Marina Shundi, na gjendej në çdo kohë për të na i vënë në dispozicion.
Pra, mund të them me bindje të plotë se puna në atë Redaksi ka qenë një “kudhër” e vërtetë, një “universitet i dytë”, siç e quan me shumë të drejtë përkthyesi i shquar erudit, publicisti dhe profesori i frëngjishtes Edmond Tupja. Pra, ajo djersë e derdhur në atë Redaksi për gati dy dhjetëvjeçarë, nuk shkoi dëm për përgatitjen e gjithanshme shkencore të përkthyesve, të cilët, pas shpërbërjes së Shtëpisë Botuese, u larguan me disa gjuhë të përvetësuara dhe me një bagazh të admirueshëm kulturor e profesional, çka bëri të mundur që ata ta gjenin veten pa vështirësi në kushtet e ekonomisë së tregut.
Veprat e serisë me 71 vëllime të Enver Hoxhës nuk i kam lexuar. Arsyen se pse, “ma ka shpjeguar” me një pyetje të thjeshtë kunati im, burri i sime motre, Isuf Lami, ish-punëtor në Uzinën Enver. Njëherë, në vitin 1975, kur unë sapo isha kthyer nga shërbimi i lartpërmendur në Kinë, ai, bashkë me motrën time, Nakon, 35 vjet punëtore në Kombinatin e Tekstileve “Stalin”, erdhi për vizitë dhe kishte sjellë me vete njërin nga vëllimet e serisë së veprave të Enverit. Vëllimet e serisë, punëtorëve të asaj uzine ua jepnin falas. Ai e kishte shfletuar të gjithë atë vëllim dhe mua m’u drejtua me pyetjen: “Çfarë vepre qenka kjo? Fjalim këtu, fjalim atje, nga fillimi deri në fund. Pse, fjalimet përbëkan vepër?”. Unë ia ktheva aty për aty: “Ti lëri filozofirat, lexoje, siç të kanë thënë kur ta dhuruan dhe mos u ndiej!”. Veprat me kujtime, çështë e vërteta, i kam lexuar. Sigurisht, ato që kam kaluar nëpër duar gjatë përkthimit.
Pyetje:Ju, si përgjegjës i Redaksisë, a kishit ndonjë informacion se ku përfundonin gjithë ato vepra të përkthyera të Enver Hoxhës?
Përgjigje: Unë, si përgjegjës i Redaksisë, asokohe nuk kisha kurrfarë informacioni se ku përfundonin veprat e përkthyera të Enver Hoxhës, për botimin e të cilave përkthyesit, redaktorët, daktilografistet dhe tërë kolektivi i shtypshkronjës, kishin derdhur aq shumë mund, aq shumë djersë dhe kishin harxhuar aq shumë mbikohë pune. Por ju, në qoftë se ju kujtohet, gati një vit më parë, i keni marrë një intervistë përkthyesit Edmond Tupja, në të cilën i jeni drejtuar edhe me pyetjen e mësipërme. Dhe ai, në përgjigjen e vet, ka zbuluar një të vërtetë tragjike:
“Dërgoheshin nëpër ambasada që ato t’i shpërndanin në popull apo në aktivitete të ndryshme. Shumica e tyre mbeteshin stoqe dhe mbushnin depot e ambasadave kudo në botë. Është një punë kolosale, por puna ka shkuar kot” (Albert Zholi. “Edmond Tupja: Përkthimi i veprave të Enver Hoxhës na dërrmonte”. Intervistë e botuar në faqen e internetit të gazetës “Telegraf”. 11 shkurt 2014).
Por një të vërtetë, edhe më tragjike, për fatin e atyre veprave të përkthyera të Enver Hoxhës, e zbulon përsëri Andon Dede, në intervistën e lartpërmendur që i ka marrë Vehbi Bajrami. Në atë intervistë, Vehbi Bajrami i është drejtuar edhe me pyetjen e mëposhtme, të cilën, së bashku me përgjigjen, po e përcjell përsëri në kllapa katrore:
[Pyetje: Në atë institut ka punuar dhe Fatos Nano që tani është numri një i shtetit në Shqipëri. Ç’përshtypje ruani nga koha që keni punuar bashkë?
Përgjigje: “… Ai shkoi njëherë në një delegacion rinie, në Burkina Faso, ish-Voltën e Sipërme. Kur u kthye, na foli për përshtypjet e vizitës. Në mos gabohem, qe hera e parë që ai dilte jashtë. Na tregoi se kishte marrë pjesë rastësisht në një seminar teorik që po zhvillohej atje, kur vajtën ata. Referuesi, sipas tij, citoi disa herë edhe shokun Enver Hoxha. Në pushim, gjithmonë sipas Fatosit, kur ai kishte marrë vesh se në sallë ndodheshin dy shqiptarë, iu afrohet dhe i thotë Fatosit: “Shiko, ja ku e kam të shkruar që më parë, se mos ma merrni që e citova se ishit ju këtu”. Ne, – vazhdoi Fatosi, – edhe më pas e vumë re se shoku Enver jo vetëm që njihej, por edhe kërkohej. Por ne, shoqja Nexhimije, nuk dimë të bëjmë propagandë. Atje i kërkonin veprat e shokut Enver dhe nuk i gjenin”, – konkludoi shoku Fatos. Dhe Nexhmija, që po e miratonte me kokë tërë kënaqësi diskutimin e tij, tha: “Ja kur dërgon njerëz të përgatitur”. Kjo qe një gënjeshtër me bisht, siç themi ne. Ajo që më habiti mua qe se si e hëngri Nexhmija. Ajo e dinte më mirë se ne se si qe e vërteta për veprat e të shoqit. Sa e sa herë qe bërë problem që ambasadat nuk po punonin si duhet për shpërndarjen dhe propagandimin e tyre. Sa herë që jepeshin pritje në to dhe ato u jepnin mysafirëve veprat e “marksist-leninistit të shquar”, e shihnin se të nesërmen ato kishin përfunduar në koshin e plehrave. Këtë e dinte fare mirë dhe Fatosi, si gjithë të tjerët. Mirëpo, për të nuk kishte fare rëndësi si qe e vërteta, por si e donin ata lart”]. Citohet sipas: Andon Dede. “Dialogje me të tjerët dhe me veten”. Shtëpia Botuese: “GlobusR”, Tiranë 2010, f. 250.
Pyetje: Përkthyes i 20 veprave artistike të autorëve të tillë, si Dostojevski, Zhorzh Amadu, Italo Kalvino, Kobo Abe, Aleksej Prijma nga gjuha ruse, kë do veçosh nga këto përkthime?
Përgjigje: Mbresa të fuqishme më ka lënë krijimtaria e shkrimtarit të shquar japonez Kobo Abe (1924-1993), njërit nga udhëheqësit e avangardës japoneze në art në periudhën e pasluftës. Temën kryesore të krijimtarisë së tij e përbëjnë kërkimet që bën njeriu për të gjetur identitetin e vet në botën e sotme. Romani “Gruaja e burgosur në rërë” që e kam përkthyer këtu e ca vite të shkuara për Shtëpinë Botuese “Bota Shqiptare”, është mjaft interesant për simbolikën e tij karakteristike. Heroina kryesore e merr botën ashtu siç është, nuk lufton me rutinën, nuk shkrihet në të. Përditshmëria dhe rëndomësia nuk është diçka e jashtme që të imponohet nga shoqëria, ajo është, para së gjithash , myk në kokat e njerëzve. Ky autor dallohet për zbërthimin mjeshtëror të botës psikologjike të herojve të vet.
Pyetje: Po nga autorët tanë kë ke përkthyer në rusishte dhe kë do të veçosh për cilësi?
Përgjigje: Me përjashtim të skenarit të Vath Koreshit që përmenda më lart, të cilin e përktheva me kërkesë të tij dhe të regjisorit Albert Minga, nuk kam pasur kërkesë tjetër për përkthin nga ndonjë shkrimtar shqiptar.
Pyetje:Autor i Fjalorit të Madh Frazeologjik Rusisht-Shqip, mendoni se ia keni arritur qëllimit?
Përgjigje: Me këtë pyetje më keni prekur telat. Këtë fjalor e kam përgatitur gjatë 40 vjetëve. E kam nisur në dhjetor të vitit 1972 dhe e kam përfunduar në dhjetor të vitit 2012. Kjo është një vepër prej 1260 faqesh kompjuterike dhe përmban mbi 25 mijë shprehje frazeologjike. Ideja për hartimin e një fjalori të tillë, më pati lindur fare rastësisht që kur isha student në Leningrad. Por për historikun e hartimit të tij, do të shkruaj gjerësisht kur ai të dalë nga shtypi. Fjalori është si puna e një gurre që nuk shteron kurrë. Sepse gjuha dhe pasuria e saj frazeologjike është në begatim të vazhdueshëm. Unë jan munduar të pasqyroj atë pasuri frazeologjike të gjuhës ruse, në ballafaqim me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, deri në ditët e sotme, brenda caqeve të fondit aktiv të të dyja gjuhëve. Por pasuria leksikore e gjuhës dhe e fondit frazeologjik të saj, nuk ka as anë e as fund, po të futesh në të folmet dialektore, krahinoriste. Jam i kënaqur kaq sa kam bërë. Breznitë që vinë pas ndoshta mund të bëjnë edhe më shumë.
Pyetje: Kur ikët në SHBA dhe pse? Si e menduat dhe si e gjetët “armikun tonë të përjetshëm”?
Përgjigje: Për vizitën e parë që unë dhe ime shoqe, Havaja, bëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bënë sebep fëmijët tanë, Plarenti dhe Kesiana, ish-studentë në Akademinë e Arteve, në fakultetin e muzikës: Plarenti në degën e Pianos, kurse Kesiana në degën e vjolës. Që kur ishin studentë, ata aplikuan për t’i vazhduar studimet në SHBA. Pas aplikimeve, të dyve u erdhën përgjigje pozitive. Plarenti u nis për në SHBA në gushtin e vitit 1996, kurse Kesiana në gushtin e vitit 1998. Në muajin korrik të vitit 2003, Plarenti do të martohej me një shoqen e tij të universitetit, me të cilën qe njohur kur po vazhdonte studimet pasuniversitare për master në Universitetin e Indianës, ku shoqja e tij, Anita Rollo, vazhdonte, po ashtu, studimet pasuniversitare për kanto. Dasma do të bëhej më 4 korrik të vitit 2003, në qytetin Sent Luis të shtetit Misuri. Neve na erdhi ftesa për të marrë pjesë në dasmë nga prindërit e Anitës, doktor Xhon Rollo dhe avokate Ana Rollo. Pasi morëm vizat në ambasadën amerikane, u nisëm më 14 qershor 2003. Udhëtuam në linjën Tiranë-Milano-Çikago-Minesota.Unë nuk do t’ju flas se si e mendova dhe se si e gjeta Amerikën, “armikun tonë të përjetshëm”, siç thoni ju, por do të bëj një kthim prapa në kohë dhe ju gjykoni vetë se si e pata menduar dhe se si e gjeta Amerikën.
Kërshëria për Amerikën do të më ndizej një pasdite gushti të vitit 1956, kur ndodhesha me pushime pranë familjes, në fshat, pas përfundimit të klasës së parë të gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë. Para pak ditësh qenkësh kthyer nga Amerika bashkëfshatari ynë, xha Arifi (Arif Rakipi). Gjatë viteve të Luftës Antifashiste, ai qe rreshtuar në radhët e “Ballit Kombëtar” dhe, pas fundit tragjik të këtij formacioni politik, në përplasjen me komunistët, ashtu si edhe shumë anëtarë të tjerë të kësaj organizate, qe larguar jashtë vendit dhe kishte përfunduar në Amerikë, në qytetin e Çikagos. Pas një amnistie, të shpallur nga Kuvendi Popullor aty nga mesi i viteve ’50, ai u kthye në vendlindje, sepse aty kishte lënë të shoqen dhe tre djem, në kushtet e një varfërie të skajshme.
Atë pasdite xha Arifi erdhi të takohej me tim atë, për t’i kthyer vizitën që ky i kishte bërë fill pas ardhjes së tij. Sa e pashë, më la pa mend pamja e tij: ishte një burrë i moshuar, mjaft simpatik, me shtatin si bajrak. Kishte veshur një palë këpucë të verdha, një kostum veror bojëgri me vija, një këmishë bojëqielli me jakë të ngrirë, kishte vënë një kravatë në ngjyrë të gjelbër dhe një republikë verore bojëhiri, me strehë të gjerë.
Kishte një fytyrë lëmake dhe ca sy bojëjeshilë, të cilët, tek harmonizonin mrekullisht me blerimin e pemëve rreth shtëpisë sonë, dukej sikur të zhbironin tejpërtej. Xha Arifi kishte qëndruar dhjetë vjet në SHBA, se dy vjet, bashkë me të arratisur të tjerë politikë, ishte hallakatur nëpër Evropë, e cila, po të mos kishte ndërhyrë energjikisht ish-kryekomandanti i trupave aleate në kontinentin e vjetër, gjenerali amerikan Ajzenhauer (Eisenhoëer), për t’u dhënë strehim politik në Perëndim, ishte gati t’ua dorëzonte komunistëve shqiptarë për t’i masakruar.
Kur iku xha Arifi dhe ne u mblodhëm në darkë në shtëpi, babai tha:
“Eh, si e bën njeriun e shkretë ajo Amerikë e bekuar! Kush mund ta besonte që Arifi, i këputur nga fukarallëku kur ishte këtu në fshat, do të kthehej nga Amerika tjetër njeri, tamam si një kasaballi!”.
Në vizitën tonë të parë, gjatë 45 ditëve që qëndruam në Amerikë, bashkë me djalin dhe me time shoqe, shëtitëm shumë, vizituam 9 shtete. Përshkuam 4159 mile (6654,4 km). Më parë kisha lexuar shumë për Amerikën, por shumë gjëra i pashë me sytë e mi. Vend i hapësirave të mëdha dhe vend i mundësive të mëdha. Amerika i ka mësuar njerëzit ta duan punën dhe njerëzit e duan punën. Sepse Amerika di t’i ushtrojë njerëzit “të notojnë” mirë në “det të thellë”, jo nëpër “cekëtina”.
– Faleminderit për intervistën.
– Nderi ju takon juve.