Promovimi i librit në çekisht dhe mbrëmja e leximit në bibliotekën “Vaclav Havel”, një bashkëbisedim me studentë e pedagogë nga Universiteti i Pragës dhe një intervistë në një prej gazetave të rëndësishme të vendit…Ylljet Aliçka flet për rëndësinë e prezantimit të letërsisë shqipe në një vend ku kjo e fundit është pak e njohur…
Për një vend që ka një të kaluar të ngjashme në komunizëm, me drama që mbarten edhe sot e me përpjekje të shoqërisë për të bërë paqe me të, letërsia shqipe është fare pak e njohur për lexuesin çek…
Ylljet Aliçka me përmbledhjen me tregime të shkurtra “Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë”, i cili u promovua në Pragë dy ditë më parë, bëhet shkrimtari i dytë shqiptar pas Ismail Kadaresë që përkthehet në gjuhën çeke.
Një mbrëmje leximi dhe diskutimi në bibliotekën “Vaclav Havel” bëri bashkë kritikë, studiues, shkrimtarë e njerëz të medias, përfaqësues nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Jashtme e Çekisë. I pranishëm ishte edhe ambasadori shqiptar në Republikën Çeke, Riza Poda.
Prezantimi i librit u bë nga shkrimtari i njohur çek, Jachim Topol, bashkëpunëtor njëkohësisht i Vaclav Havel-it. Zgjedhja e kësaj biblioteke për prezantimin e librit ishte një befasi e këndshme për Aliçkën, i cili ka pasur rastin ta takojë dhe të bisedojë personalisht me filozofin dhe politikanin e famshëm çek, Vaclav Havel.
Kritikja letrare dhe përkthyesja e shkrimtarit Ismail Kadare, Hana Tomkova bëri një panoramim të krijimtarisë së shkrimtarit Aliçka.
Aktorë nga teatri i Pragës lexuan tregime të autorit, ndërsa gazetari i gazetës më të madhe çeke “DNES”, zhvilloi një intervistë të gjatë me shkrimtarin Aliçka.
Tema për të cilën u diskutua ishte “Të mendojmë, të punojmë, të jetojmë si revolucionarë”.
Tregimet e shkurtra të Aliçkës sjellin në retrospektivë jetën dhe përditshmërinë shqiptare, komunizmin dhe kolapsin. Autori tregon eksperiencën e tij në shtetin i cili në krahasim me shtetet e tjera europiane kaloi në regjime të ndryshme, në zhvillime politike të rrepta dhe ideologji të llojllojshme. Të lexosh letërsi në vitet e 80-ta në Shqipëri ishte e ndaluar, shumë autorë ishin të ndaluar nga shteti dhe u futën në listën e zezë.
Shkrimtari shqiptar, i ftuar nga Universiteti i Pragës, zhvilloi një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë, ku u fol për veprën letrare, për komunizmin, për çmimin Nobel – Kadarenë e Kunderën. “Kishte mjaft interes. Letërsia shqipe në Çeki është thuajse e panjohur. Është përkthyer Kadare, dhe unë tani. Ka vështirësi për tu njohur e botuar në këto vende”, – shprehet vetë autori.