2015-12-21

Kosova është e cunguar



Shkruan: Sylë Osmanaj

Me rastin e ribotimit të tekstit aktual për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi

Demarkacioni kufitar kërkon kufi të drejtë e paqësor

Ribotimi i dokumentit “Demarkacioni Kosovë - Mali i Zi” aktualizon çështjen e caktimit të drejtë parimor e demokratik të kufirit me Malin e Zi dhe rrëzon si të paqëndrueshëm, të padrejtë dhe antishtetëror miratimin e marrëveshjes së nënshkruar nga Komisioni qeveritar i Kosovës për demarkacionin kufitar me Malin e Zi

Çështja aktuale e demarkacionit në mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, është temë që ndriçohet nga ribotimi i veçantë tematik nga një ekip studiuesish nga Qendra për Promovimin e Zhvillimit (QPZH), me titullin “Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi – (Aspekte ndërkombëtare gjeografike, politike dhe historike)”. I botuar nën redaktimin e studiuesit me përvojë shkencore, prof. dr. Muhamet Sadiku, kontributin e tyre hulumtues e studiues në botim e japin, mbi një metodologji racionale, anëtarët e ekipit hulumtues: prof. dr. Zejnullah Gruda, prof. dr. Muharem Cërabregu, prof. dr. Riza Smaka, prof. dr. Florim Isufi, prof. dr. Shpejtim Bulliqi, prof dr. Muhamet Sadiku, prof. dr. Zymer Neziri dhe Sylë Osmanaj. Mbështetës material i botimit të dytë është fabrika e ujit të pijshëm “Ujë Rugove”.

Për kufi real mbi argumentimin shkencor hartografik e faktografinë historike

Shkrimi hyrës i botimit thekson aktualitetin dhe rëndësinë e ndriçimit real të demarkacionit, duke e parë si gjë të domosdoshme nevojën e trajtimit të çështjes mbi baza të argumentimit shkencor hartografik dhe të faktografisë historike. Në informatën bazike të bërë nga redaktori prof. dr. Muhamet Sadiku shtrohen tematikisht dy çështje themelore të këndvështrimit dhe të trajtimit të problemit: aspektet politike e kushtetuese dhe aspekte gjeografike. Më tutje në këtë informatë bazike Sadiku thekson se “gjatë përcaktimit të vijës kufitare Kosovë – Mali i Zi, në gjatësi 60 km, më së shumti do të afektohen rajoni dhe qytetarët e Pejës, por edhe të Deçanit e të Istogut. Kjo nënkupton se përcaktimi i vijës kufitare do të reflektohet esencialisht në aspektet politike ekonomike demografike dhe etnike të këtyre komunave. Nga kjo rezulton se përcaktimi i kësaj vije kërkon që të mbështetet në argumentet shkencore, në faktet hartografike dhe në aspekte të tjera shoqërore dhe politike”.

Një vështrim të thellë dhe të gjerë nga aspekti socio-juridik dhe politik për çështjen e shtruar e bën profesori i së drejtës ndërkombëtare dr. Zejnullah Gruda, i cili shqyrtimin e tij e analizon dhe e plotëson edhe me informacione të dëshmuara, politike dhe juridike, po edhe me momente të realiteteve të përjetuara të kohës. Gruda përmend parimin politik të kohës së ish-Jugosllavisë, të Kushtetutës së vitit 1974, se kufijtë e Kosovës, sikundër edhe kufijtë e të gjitha njësive të tjera të Federatës, nuk mund të ndryshohen pa pëlqimin e Parlamentit të Kosovës. Në këtë kontekst Gruda thekson faktin se “vijat administrative që janë vendosur pas Luftës së Dytë Botërore kanë vazhduar të ekzistojnë edhe më pastaj, pra edhe gjatë viteve të shtatëdhjeta, kohë të cilës i referohen pjesëmarrësit tanë në procesin e demarkacionit. Por, ndryshe nga ç’thonë këta (anëtarët e Komisionit të Kosovës – nënvizoi S.O.), edhe në vitin 1945, edhe gjatë viteve të ’70-ta, kufiri i Kosovës me Malin e Zi ka qenë në Çakorr, në Qafë të Diellit dhe në Kullë, si kufi historik (gjë që e vërteton qind për qind deklarata e Gjilasit, i cili ka qenë personi më i rëndësishëm në këtë proces), por edhe hartat që mund t’i konsultojë kushdo qoftë pa mund të madh. Mjafton këtu të përmendet se harta e Malit të Zi, që e përmban Enciklopedia e Entit Leksikografik të Kroacisë, e botuar në Zagreb në vitin 1977, e ka Bjelluhën brenda Kosovës (Opca Enciklopedija Jugoslavenskog Leksikografskog Zavoda 2, Zagreb, 1977, fq. 137).”

Për temën e demarkacionit në pika të gjera, duke e vështruar fenomenin në aspektin teorik, shkruan dr. Riza Smaka. Problemin e koncepton mbi shqyrtimin e delimitacionit dhe demarkacionit kufitar ndërmjet Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Në këtë kontekst thekson se “në raste të caktuara kufijtë shtetërorë caktohen me aktgjykim të Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë apo të Gjykatës së caktuar të arbitrazhit.

Faktori kosovar kurrë nuk është konsultuar për caktimin e kufirit

Në trajtimin e tij dr. Muharem Cërabregu flet për parimet e përgjithshme dhe të veçanta në përcaktimin e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës. Në objekt të trajtimit vë në fokus analize dy terma primarë: termin e demarkacionit dhe të hinterlandit. Vlen të theksohet koncepti që autori i bën balancimit të drejtësisë në raport me demarkacionin. Në këtë kontekst ai thekson se faktori kosovar kurrë nuk është konsultuar për caktimin e vijave kufitare të vendit. Kjo ka qenë si pasojë e kushteve okupuese dhe gjenociduese të ushtruara nga dominuesit. Prandaj kufijtë ekzistues të Kosovës janë arbitrarë, dhe se Kosova është e cunguar. Vija kufitare që e kishte caktuar pushteti i ish-Jugosllavisë, ishte caktuar sipas nevojave strategjike të këtij pushteti dhe, në kontekst të realizimit të kësaj strategjie, si “pikë tejet strategjike mbetet edhe bjeshka e Bjelluhës, e cila në hartat e vitit 1958 dhe të publikuara zyrtarisht në Enciklopedinë e Jugosllavisë të vitit 1962, ishte brenda territorit të Kosovës. Tani Mali i Zi pretendon pikërisht në këtë pikë strategjike, e cila nëpërmjet Qafës së Diellit Pejën e lidh me Plavën dhe Gucinë të banuara me shqiptarë”.

Dy profesorë të gjeografisë, dr. Florim Isufi dhe dr. Shpejtim Bulliqi, kanë hulumtuar dhe kanë gjetur të dhëna të sakta hartografike mbi kufirin Kosovë – Mali i Zi. Në këtë drejtim ata për ta realizuar këtë qëllim janë mbështetur në këta dy objektiva kryesorë:

Në karakterin shkencor gjeografik morfohidrologjik;
Në parimin për të mos e pësuar ndikimin e politikës ditore në vërtetësinë e rezultateve.

Fakte e konstatime relevante rreth të dhënave hartografike

Në bazë të hulumtimit dhe të analizave që i kanë bërë, duke prezantuar edhe vizuelisht kësombllat e hartave sipas viteve, ata sjellin disa fakte e konstatime relevante rreth të dhënave hartografike, duke theksuar vitet më të rëndësishme të hartimit të hartave topografike. Sipas tyre fiksohen këto vite: 1945, 1948, 1956, 1958, 1962, 1999 dhe viti i tashëm i caktimit të demarkacionit! Këto harta, si çmojnë studiuesit, janë përpiluar e përdorur në kohën e Aleksandër Rankoviqit (ky ishte në atë kohë ministër i Punëve të Brendshme të ish-Jugosllavisë), dhe po të shihte ai ndonjë “gabim” në përpilimin këtyre hartave kur vija kufitare nuk do të përputhej me “realitetin” në terren, ai i pari do të reagonte dhe do ta ndërpriste përdorimin e hartave të tilla. Hartat topografike me vijat kufitare të prezantuara e të publikuara në vitet 1948, 1958 dhe 1962 janë të sakta dhe të pranuara për atë kohë.

Sipas vijës kufitare të propozuar Kosova do të humbte 8.990.52 hektarë tokë

Këta autorë theksojnë faktin se sipas vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova do të humbte sipërfaqe toke prej 8.990,52 hektarësh. Ndërkaq, sipas vlerësimit analitik të këtyre dy studiuesve vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi shkon përgjatë vijës ujëndarëse dhe qafave malore e kurrsesi nuk shkon nëpër terrene të vështira dhe të padefinuara në aspektin fiziko-gjeografik. Gjithashtu studiuesit konstatojnë se nga hartat topografike vërehet qartë se vija kufitare kalon nëpër Qafën e Çakorrit dhe Qafën e Kullës, gjë që nxit konstatimin se vendosja e punkteve dhe e pengesave nga malazeztë është thellë në territorin e Kosovës!

Këto fakte dhe fakte të tjera të këtij krahu, si nënvizojnë këta dy bashkëstudiues, nuk shprehin pretendime territoriale, kur dihet se përcaktimi i kufijve administrativë brenda territori të ish-Jugosllavisë ishte nën monitorimin e Gjilasit, dhe se hartat janë përvijuar dhe publikuar në kohën e Rankoviqit. Këta konkludojnë, ndër të tjera, se vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është përpunuar shumë më herët sesa Kushtetuta e vitit 1974, prandaj nuk mund të merren qëndrime përfundimtare në lidhje me demarkacionin kufitar pa analizuar historikisht ndryshimet e mundshme të kufirit.

Në vështrimin e prof. dr. Zymer Nezirit trajtohen disa aspekte historike të kufirit Kosovë - Mali i Zi. Çështjen e demarkacionit autori e trajton në aspektin e së drejtës historike, duke theksuar edhe faktorin e mbrojtjes së kufirit edhe me fuqinë e armës në zonat dhe pikat e këtij kufiri që kapte nga Qafa e Çakorrit, Mokna, Smilevica, Hajla e deri në Kullë. Shkrimi i publicistit Sylë Osmanaj trajton në aspektin socio-historik, socio-etnik dhe sociogjuhësor – të toponimisë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për ta saktësuar si vijë kufitare me Malin e Zi Qafën e Çakorrit, Moknat dhe Kullën.

Ky botim aktual dhe i rëndësishëm mbyllet me vështrimin e prof. dr. Muhamet Sadikut “Reagimi institucional dhe qytetar”. Në kontekst të shkrimit në fillim flitet për punën e komisionit qeveritar për shënimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror duke e parë këtë punë si punë të papërgjegjshme dhe joprofesionale, meqë në kryerjen e kësaj pune “kanë hyrë njerëz të fushave të ndryshme, por jo edhe ekspertë të gjeografisë – hartografisë që i disponon Kosova”. Ky komision, sipas informatave të terrenit, ka “harruar” kontaktet intervistuese që është dashur t’i krijojë me njerëzit e terrenit, dhe me injorimin e tyre, ka shkaktuar edhe revoltin dhe reagimin e ashpër qytetar.

Konkluzionet

Nëse palët kanë pozicione të papajtueshme dhe nëse nuk shihet përfundimi i suksesshëm i përcaktimit të vijës së demarkacionit, propozojmë që kjo çështje të bartet për zgjidhje në Arbitrazhin ndërkombëtar...

Ribotimin “Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi” e bëjnë më të plotë, më argumentues dhe më komunikues hartat që publikohen dhe bëhen krah i fuqishëm i dokumentimit të fakteve rreth krijimit dhe pranimit të një vije të demarkacionit që fuqizon funksionin e shëndoshë, të drejtë e demokratik të shtetit të Kosovës dhe forcon raportet paqësore me shtetin fqinj.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...