2015-12-06

Rudolf Marku: Një roman mbi zhgënjimin


Rudolf Marku

Shkrimtari Rudolf Marku ka debutuar sukseshëm në Panairin e Librit që po zhvillohet këto ditë në Tiranë me qindra kopje të shitura.“Tre divorcet e Viktor N.” është romani që e bëri Rudolf Markun të parin shkrimtar që nderohet me çmimin letrar “Kadare”. Një roman mbi zhgënjimin e madh të një shqiptari që jeton prej 15 vitesh në Londër, e ka cilësuar shkrimtari në një intervistë pas promovimit, të enjten mbrëma në Panairin e Librit. Megjithëse edhe autori jeton në kryeqytetin britanik, saktëson se nuk ka asnjë element biografik.Një rrëfim që e bën protagonistin të kalojë divorce nga më të çuditshmit, një syresh edhe me një shtet...
Para pak ditësh udhëtuat nga Londra për të marrë çmimin “Kadare”, i pari i këtij lloji i akorduar nga Fondacioni Mapo. Si u ndjetë? Ç’do të thotë ky çmim për ju?
Në fakt, unë nuk udhëtova për të marrë çmimin, unë kam ardhur në Shqipëri, kam ardhur në vendin tim. Por padyshim, çmimi ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ky çmim mban emrin Kadare dhe ka një domethënie dhe një peshë të madhe, po aq sa çka peshë shkrimtari Ismail Kadare për letërsinë dhe qytetërimin shqiptar. Unë jam njeri që nuk sugjestionohem nga çmimet, por dua të them se Çmimi Kadare ka një vlerë të veçantë, ka prestigjin e shkrimtarit dhe do të ketë jetëgjatësinë e veprës së tij dhe impaktit të shkrimtarit Kadare në letërsinë shqipe. E them këtë, sepse Kadare është një fenomen i jashtëzakonshëm i letrave shqipe, me një rrezatim europian dhe botëror dhe në këtë pikëpamje, Çmimi Kadare është një peshë e jashtëzakonshme dhe do të ketë një jetëgjatësi shumë të madhe në letrat shqipe, veçanërisht për mua se jam i përkëdhelur nga fati që jam i pari që e marr dhe e vlerësoj edhe më tepër për këtë fakt.
Ju njiheni më shumë si poet, si publicist, kishit vite pa ardhur me një roman. Ishte një koincidencë të shkruarit e këtij romani pikërisht këtë vit që u dha ky çmim, apo e kishit shkruar më parë dhe nuk e kishit botuar?
Ky është romani i tretë që unë botoj. Pra, është e vërtetë që i jam kushtuar më shumë poezisë, pasi kam që 18 vjeç që shkruaj poezi. Kam mbi 10 libra me poezi dhe poezitë e mia janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe janë përkthyer në antologji botërore. Por, pas njëfarë kohe, poeti e ndjen se duhet të zgjerojë dimensionet e veta dhe vjen një moment që poeti kalon natyrshëm dhe në prozë, por jo domosdoshmërisht të gjithë poetët. Për mua, është eksperienca e tretë, kam botuar “Allahland” dhe “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”. Pra, nuk e kisha shkruar më parë dhe e nxora nga sirtari. Ndodhi që unë isha duke e shkruar –pasi e kam pasur të nevojshme ta shkruaj – dhe qëlloi që kur e mbarova, mësova për shpalljen e këtij konkursi dhe në mënyrën më të natyrshme e kam çuar te konkursi në formë dorëshkrimi. E dorëzova dhe pastaj s’kam pyetur se çfarë po ndodh, pasi jetoj në Londër. Një ditë, papritur marr një e-mail nga kryetari i jurisë, ku më thoshte se isha fituesi. Por dhe nëse do të kisha fituar sërish, do të isha prezent në ndarjen e këtij çmimi, pra do ta bëja këtë udhëtim.
Personazhi juaj është një shqiptar që jeton në Londër. Sa ka nga Rudolf Marku te Viktor N.? Pse zgjodhët një personazh të tillë, që është mes dy vendeve?
Nuk mendoj se ka elementë biografikë në këtë libër, por në njëfarë kuptimi, çdo personazh është vetë autori, por jo në kuptimin biografik. Ka disa elemente të largëta ngjashmërie, por jo nga jeta ime personale. Tani shqiptarët jetojnë në gjithë vendet e botës. Po ju sjell një ngjarje që më ndodhi vetëm një ditë para se të vija këtu, që e vërteton këtë. Në lagjen time në Londër ku jetoj, njihem me një grua kineze, doli që ajo ishte një pedagoge e Letërsisë angleze. Ajo thotë ‘jam nga një ishull i vogël, që quhet Tajvan’ dhe unë i them se është hera e parë që takoj një tajvaneze. Ajo më pyet mua nga je dhe i them jam shqiptar. ‘Oh! –thotë ajo, – unë njoh një shqiptar që jeton në Tajpei dhe ka restorantin më të famshëm atje. Dhe, me stërmundim, tha fjalën Shkodra. Pra shqiptarët i ke në gjithë botën.
A është një roman që prek temën e emigracionit?
Jo. Është më tepër ana shpirtërore dhe psikologjike se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me shqiptarët. Ky më tepër është një roman mbi zhgënjimin, është një roman mbi zhgënjimin e madh të një njeriu, të një shqiptari që jeton prej 15 vitesh në Londër. Romani ndahet në tri pjesë dhe janë tri divorce. Në pjesën e parë, personazhi përjeton një divorc, një divorc në kuptimin klasik të fjalës, divorcin nga bashkëshortja, në pjesën e dytë ai kthehet në Shqipëri, në Shqipërinë kaotike. Është një kthim pas 15 vitesh dhe kupton pas shumë përpjekjesh për të rizbuluar vendin e vet, miqtë e vet, se ka ndodh një divorc shpirtëror me vendin e tij dhe ky është divorci i dytë. Divorci i tretë ndodh më pas. Ai takohet me ish të dashurën e vet, një vajzë që ka 25 vite që nuk e sheh, në njëfarë kuptimi, ajo ka qenë dashuria e vetme e jetës së tij. Ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme fizike dhe mundohen ta ringjallin ndjenjën e dashurisë, por personazhi kupton se ka ndodh divorci i tretë për të, divorci me ndjenjën. Në njëfarë kuptimi është një roman tragjik, por është shkruar herë me humor apo me figura groteske dhe mua më duket sikur vlera më e madhe e këtij libri është se është një prozë që lexohet me lehtësi. Një miku im që është një njohës i shkëlqyer i letërsisë, më tha se e ka lexuar për tri orë dhe nuk ka arrit me u shkëput. Ky roman besoj se ka si aksesibilitet gjuhën, në kuptimin ashtu siç e kanë romanet e Kunderës ose të Kohercit ose shumë autorëve të tjerë. Besoj se është shkruar në një frymë bashkëkohore.
Një roman mbi zhgënjimin dhe një roman që nuk i ngre kult ndenjës, por që thotë se, në kohën që jetojmë, s’ka më vend për ndjenjën…?
Ne shpesh besojmë tek ato gjëra që kemi dëshirë dhe i besojmë ashtu siç duam ne që të jenë, por realiteti është diçka tjetër. Kulti i ndjenjës është dëshira jonë që ajo të ekzistojë, por është një fenomen i rrallë në realitet.
Ku ndiheni më mirë, në publicistikë apo në letërsi?
Në letërsi, pa dyshim. Sepse romani është letërsi artistike, është përkushtim artistik dhe në njëfarë kuptimi dhe poezia të ndihmon, poezia e mirë të ndihmon të shkruash një prozë të mirë, duke ruajtur ADN-në e secilit zhanër.
A jeni njohur me librat në panair? A besoni se kemi një letërsi bashkëkohore shqiptare dhe çfarë tiparesh ka sipas jush?
Unë besoj se ka libra jashtëzakonisht të mirë. Në të njëjtin konkurs me mua ishte dhe Zija Çela, që konkurroi me një libër me tregime “Një princ që na buzëqesh”. Është një libër që unë e kam lexuar dhe i kam bërë parathënien dhe mund të them që është një nga librat më të mirë që është shkruar në gjuhën shqipe. Është një libër brilant, të cilin unë kam prit që të merrte këtë çmim dhe fakti që unë e kam marrë, më ka dhënë një ndjenjë faji ndaj këtij libri duke e ditur që sa vlerë ka. Mora shembull këtë libër që unë kam lexuar, por dhe libra të tjerë që janë paraqitur në këtë konkurs mund të jenë më të mirë se sa unë dhe uroj me gjithë shpirt që të jenë më të mirë. Unë kam besim te letërsia shqipe, ajo ka poetë brilantë, si Preç Zogaj dhe Bardhyl Londo e sa e sa poetë të tjerë. Unë besoj se shkrimtarët më të mirë janë ata që unë nuk e di hala se ku janë, por që i ndjej që ekzistojnë në letërsinë shqipe.
A ju uroi Kadare për çmimin?
Kadarenë nuk kam pasur fatin ta takoj gjatë kësaj kohe, por më ka çuar mesazhe dhe ka qenë shumë i kënaqur që unë kam marrë çmimin që mban emrin e tij. Ka thënë se është i kënaqur që një autor si unë ka marrë këtë çmim, dhe për mua, kjo është një tjetër lumturi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...