2015-12-06

Fluidi Elton Deda: Kemi prurje shumë të mira

Elton Deda

Është emëruar drejtor artistik i Festivalit të Këngës në RTSH, festival ky që i jep trofeun më të mirit për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Pikërisht këtë emërim e kanë mirëpritur artistët, të cilët, nëpërmjet komenteve të tyre u patën shprehur se po vjen një frymë e re në Festivalin e RTSH-së. Vetë Elton Deda në një intervistë të dhënë për KultPlus është shprehur se do të mundohet të implementoj elementet e strategjisë dhe filozofisë së tij, në kuadër të këtij edicioni. Ai poashtu beson shumë se me këtë edicion do të kenë shumë sukses, gjithnjë duke u bazuar në vlerat e kompozitorëve dhe të artistëve që janë në këtë garë
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Tashmë janë selektuar këngëtarët pjesëmarrës për edicionin e 54-të të Festivalit të RTSH-së, sa jeni i kënaqur me prurjet?
Elton Deda: Me thënë të drejtën jam optimist dhe entuziast. Kemi prurje shumë të mira dhe mendoj që këtë vit kompozitorët i kanë kushtuar shumë vëmendje edhe stileve muzikore, që normalisht janë elemente të rëndësishëm të origjinalitetit të këngës. 

KultPlus: Me rastin e emërimit të juaj në pozitën e drejtorit artistik të këtij festivali, ka pas shumë reagime pozitive nga artistët, si e vlerësuat këtë reagim?
Elton Deda:
 Ka qenë diçka e mrekullueshme për mua. Më kanë dhënë shumë mbështetje dhe vlerësim. Unë do punoj që mos ti zhgënjej për shumë arsye,  që s’kanë nevojë për koment.

KultPlus: Besoni se do të kemi një edicion më ndryshe?
Elton Deda:
 Besoj që fjala "ndryshe" është subjektive dhe varet nga konteksi i gjithsecilit. Unë do mundohem të implementoj elementet e strategjisë sime dhe filozofisë sime si Elton. 

KultPlus: Në anën tjetër ka pas shumë reagime edhe mbi vlerësimin e këngëve në këtë festival, gjithnjë duke pas theksin te juria, sa jeni duke punuar në një përzgjedhje të duhur të jurisë?
Elton Deda:
 Kjo është një pike e nxehtë  sigurisht,  e cila duhet parë me kujdes. Puna vazhdon intensivisht,  por nuk është e lehte të gjenden persona të cilët janë "super të pakompromentueshem". Jetojmë në një vend të vogël ku të gjithë gjejnë çdo numër telefoni. Por,  edhe për këtë pikë kemi një strategji të re,  e cila shpresoj të rezultojë efikase. 


 
KultPlus: Në të shumtën e rasteve Shqipërinë e kanë përfaqësuar femrat, kurse në këtë edicion ajo që ka rënë në sy, është pjesëmarrja më e madhe e këngëtarëve meshkuj, e prisje një përzgjedhje të tillë?
Elton Deda: Ka një balancë midis femrave dhe meshkujve në këtë edicion. Gjithsesi,  unë s’kam probleme fare me këto gjëra. Për mua,  rëndësi kanë profesionistët, qofshin meshkuj apo femra.
KultPlus: A do të thotë se me ardhjen tuaj në këtë pozitë, besuan meshkujt më shumë që ia mësyn kësaj gare?
Elton Deda:
 Nuk e besoj fare këtë.
KultPlus: Ndërkaq, sa i përket mbrëmjeve të festivalit, sa do të jetë ndryshe prej festivaleve të tjera?
Elton Deda: 
Festivali ka fytyrën e vetë klasike, s’mund të bëjmë revolucione këtu. Mbrëmjet këtë vit do kenë më shumë këngë. Gjithashtu,  po i kushtojmë vëmendje edhe grafikave. Do kemi edhe të ftuar sigurisht.
KultPlus: Dhe krejt për fund, sa jeni optimist se do të kemi një përfaqësim të suksesshëm?
Elton Deda:
 Jam shumë optimist,  pasi e di se cfare artistësh janë në garë. Shumë emra mund të mos jenë tepër të njohur, por edhe Elton Deda s’ka qenë i njohur dikur. E rëndësishme është të shkëlqejmë të gjithë bashkë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...