2015-12-06

Tringa Rexhepi, artistja shqiptare e Kanadasë që mediet po e krahasojnë me Hirushen


Tringa Rexhepi

Ajo si i vogël e kishte përjetuar në lëkurën e saj ndjesinë e refugjates. Lufta e fundit në Kosovë kishte bërë që ajo bashkë me familjen e saj të ikte nga Gjilani për Kanada, vend i cili hapi dyert për artisten Tringa Rexhepin. Ajo deri më tashti ka marrë pjesë në shumë shfaqja teatrale dhe shumë projekte të tjera që lidhen me artin. Mediet kanadeze e quajtën Hirushe. Ndërkaq, vetë Tringa Rexhepi rrëfen për KultPlus se pse e krahasuan me këtë personazh. Ajo gjithashtu ka folur edhe për këngën e saj debutuese “GO”, të cilën e ka perfomruar live edhe në skenën prestigjioze të Torontos, ku është mbajtur Miss Globe 2015
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju sapo keni lansuar këngën debutuese “GO”, në Kanada, sa e keni ëndërruar këtë moment?
Tringa Rexhepi:
 Ka një vit që e kam shkruar këtë këngë dhe ndihem shumë e kënaqur që tani të gjithë mund ta dëgjojnë. Më ka marrë shumë kohë deri në realizimin e kësaj kënge, sepse nuk kisha dëshirë të nxjerrë diçka që nuk jam 100% e kënaqur. Nuk e kam pasur idenë se si do të pritet nga publiku,  por tani jam shumë e lumtur nga reagimi mbi këtë këngë, dhe kjo pritje është edhe një vulë që të vazhdoj me këngët e tjera që tashmë i kam në plan. 
 
KultPlus: Mediet në Kanada po ju quajnë edhe “Hirushe”, gjithnjë duke iu referuar jetës suaj, pasi që, si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, ju bashkë me familjen tuaj ikët nga Kosova. Ju pëlqen ky krahasim?
Tringa Rexhepi:
 Unë mendoj se ajo që e bën historinë time të ngjashme me historinë e "Hirushes" , bazohet në kohët e vështira, sikurse që bazohet edhe në atë se unë dua të nxjerr sa më shumë nga jeta, duke punuar shumë për të përfituar nga çdo mundësi. Unë kam qenë gjithmonë një fëmijë kokëfortë,  kështu që ideja që unë nuk mund të arrij diçka, më bën të luftojë shumë dhe të punojë aq më shumë që të arrijë qëllimet e mira. Unë mendoj se përpjekjet e mia më kanë shtyrë për të mësuar gjuhën angleze shumë shpejt, dhe me përvojat dhe historinë time ti motivoj të tjerët që të arrijnë në çdo situatë. Dhe nga ana tjetër, të jap, të kontribuoj në komunitetet në Kanada,  të cilët ishin ata që na ndihmuan aq shumë kur kemi ardhur këtu, nga lufta e Kosovës. Pastaj, unë kam një familje shumë mbështetëse të cilët janë dhe feministë. Prindërit e mi kurrë nuk më kanë dhënë ndjesinë e asaj që unë jam vajzë dhe unë nuk mund të arrij qëllimet e mia. Unë kam qenë gjithmonë e barabartë me çdo djalë dhe burrë,  si ne familje ashtu edhe më gjerë,  dhe kjo më ka bërë të pavarur, të fortë dhe më e rëndësishmja një krijuese. Unë nuk pres për mundësitë apo shanset që të vijnë tek unë, unë punoj dhe bëj mundësitë për veten time.


 
KultPlus: Kënga debutuese “GO”, duket të jetë pritur mirë, është motivuese që të punoni më shumë në drejtim të këngës apo do të përkushtoheni më shumë në teatër, duke e pas parasysh se ju keni qenë e angazhuar edhe në shumë projekte teatrale në Kanada?
Tringa Rexhepi: 
Unë jam shumë e lumtur me reagimin e mahnitshëm për këngën "GO".  Unë nuk kam bërë asnjë promovim dhe publicitet,  përveç që e kam postuar atë në Facebook. Kështu që unë me të vërtetë duhet ti falënderoj për mbështetjen  artistët e tjerë dhe adhuruesit e muzikës, të cilët e kanë mirëpritur këngën time. Më pëlqen të mendoj se edhe në qoftëse vetëm10 njerëz i dëgjojnë këngët e mia, unë nuk do të heq dorë dhe do të vazhdojë të krijoj muzikën që unë dua. Motivimi im vjen nga dëshira që dua të sfidoj veten dhe aftësitë e mia duke krijuar muzikë që unë ndjehem 100% e lidhur.  
Deri më tani, unë kam dashur dhe kam pas pasion të krijoj muzikë,  kështu që unë do të vazhdojë të bëjë atë. Nëse të tjerët mund ti lidh muzika ime dhe ta ndjejnë, atëherë kjo është një bonus. 
 
KultPlus: Po me këtë këngë ju perfomruat live edhe në spektaklin e bukurisë Miss Globe që është mbajtur në Toronto, një arritje e ëndërruar, besoj?
Tringa Rexhepi:
 Unë isha shumë e tronditur,  sepse ishte performanca ime e parë e kënges"GO" ku pata mundësi të marrë pjesë në një skenë të tillë të bukur,  në një mbrëmje shumë prestigjioze dhe të madhe. 


 
KultPlus: Ndërkohë, pothuajse në të katër anët e botës po dëgjohen emra të ndryshëm të artistëve shqiptarë që po arrijnë të depërtojnë në fusha të ndryshme, si të bën të ndihesh?
Tringa Rexhepi: Unë ndihem krenare me miliona herë kur shoh aq shumë shqiptarë duke punuar shumë dhe duke krijuar diçka për veten e tyre. 
 
KultPlus: Kur jemi te ndjesia, të rrëqethin lajmet kur dëgjon mbi refugjatët?
Tringa Rexhepi:
 Përvoja ime si refugjate ishte kur isha fëmijë. Unë shpresoj që asnjë fëmijë në bote nuk duhet të jetojë në një zonë konflikti, të përjetojë tmerret e luftës dhe të humb gjithçka që ka njohur. Shpresoj që së shpejti do të ju ofrohet ndihmë e ngjashme edhe refugjatëve të Sirisë,  ashtu siç na ka ofruar ne Kanadaja. 
 
KultPlus: Dhe për fund, jeta juaj artistike ka nisur dhe po vazhdon në Kanada, mirëpo,  e ëndërron ndonjë performancë në Kosovë apo në ndonjë event të organizuar nga shqiptarët? 
Tringa Rexhepi:
 Patjetër. Edhe pse unë fillova së pari të performojë në Kanada, unë duhet patjetër të kthehem në Kosove, të marrë pjesë në ngjarje kulturore dhe të këndoj disa këngë të Vaqe Zelës, unë do të vazhdoj ti mbaj rrënjët e mia të forta shqiptare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...