2015-12-06

Si e luftoi korrupsionin Pashko Vasa

Pashko Vasa lindi në vitin 1825 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq me 29 qershor 1892 në Beirut të Libanit, ishte veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, shkrimtar, poet, publicist dhe guvernator i Libanit derisa vdiq.
Pashko Vasa

Pashko Vasa, i quajtur edhe Vaso Pashë Shkodrani, lindi në Shkodër më 17 shtator 1825. I ati quhej Mhill (Hilë) Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do të ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin zhvendosur në qytet, në atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirsojë dijet e tij në gjuhët e huaja: Italisht, Frëngjisht, Turqisht dhe Greqisht. Gjithashtu kishte njohuri në Anglisht e Serbisht[1]. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësísë Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d'Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtër, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, të ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish zë vend në shoqërinë e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur më vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandoríës Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme për të lënë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët ditën ti përdornin postet në dobí të çështjes shqiptare. Nga disa të dhëna që dalin nga përmbledhjt me vjersha italisht "Rose e spine" ("Trëndafila e gjemba"), botuar në Stamboll më 1873, mësohet se Pashko Vasa ka qenë i martuar me një shqiptare (rreth vitit 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa të paktën që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht "Gramatikë e shqipes". Më 1862 e gjejmë në Shkodër. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshirë Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për një kryengritje antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënjë në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis përpjekjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtarinë e dendur për çështjen kombëtare e zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d'après les traditions de l'Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatët, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l'Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasës i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L'alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l'usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l'aide d'un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t'u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Tituj të veprave

Rose e spine - Drandofilla e gjemba, vëllim poetik.
Bardha e Temalit



******


Image result for vaso pashe shkodrani

Si e luftoi korrupsionin Pashko Vasa

Për të treguar se shqiptarët kanë nxjerrë historikisht njerëz të mëdhenj për të mbrojtur pasurinë e atdheut, tokën dhe pasurinë e popullit, duhet marr si simbol rilindësin e madh Pashko Vasë Shkodrani, i cili për vlerat historike të kontributit të madh të tij që ka dhënë me pendë e me jetë përgjatë 40 viteve të veprimtarise së tij për kombin tonë, populli ynë e ka vlerësuar lart dhe e ka vendosur ne piedestalin e lartë të burrave të shtetit.
Pashko Vasë Shkodrani ka lënë edhe një vepër madhështore në drejtim të administrimit shtetëror si guvernatori për 10 vite i qytetit të madh dhe të lashtë të Bejrutit në Liban, përveç atyre vlerave të mëdha në letërsi në gjuhën amtare që tani populli e i njeh mirë dhe të cilat bukur i ka paraqitur në veprat e tij shkrimtari prof. Vehbi Bala.

Por unë ju drejtova këtij burri të shteti për luftën që i bëri për 10 vite në administratën që ai drejtonte që vilajetit të Bejrutit. Ju duhet të dini se figura e tij e madhe merr permasa të reja kur ai ka dhënë edhe një kontribut të shquar edhe për popullin arab të Libanit, shkruan Muamer Vuci.
Image result for vaso pashe shkodrani
Duke qenë themelues i teatrit kombëtar libanez në Bejrut ai shkroi për disa vite shumë vepra me vlera të mëdha edukative të cilat u shfaqën periodikisht në teatrin e Bejrutit. Pra është ky burrë shteti që zotëron 6 gjuhë të huaja, duke përfshirë edhe arabisht që në përvojën e tij historike dha një kontribut të madh edhe për kulturën arabe. Veprat e tij i botoi plotësisht kur ishte guvernator në Bejrut (1883-1892).Në këtë 10-vjeçar të drejtimit të tij nuk ka asnjë dokument që vërteton korrupsionin e tij personal ndaj këtyre investimeve. Prandaj me të drejtë shqiptarët pyesin tani: “Po si e luftoi korrupsionin asokohe në administratën e Bejrutit ky rilindas?”. Sigurisht edhe asokohe ka patur korrupsion, por me energjitë dhe aftësitë e tij ai u tregua gjithnjë parimor e reformist në luftën kundër korrupsionit.

Ai filloi në sektorin e drejtësisë ku shkeljet më të mëdha ishin bërë në këtë sektor nga njerez të veçantë dhe në sistemin e drejtësisë ai largoi nga puna me dhjetëra të korruptuar që ishin përfshirë në abuzime apo për rryshfete të ndryshme. Ai thoshte se ndershmëria e një gjykatësi apo prokurori është pasqyra më e gjallë te puna e tij e përditshme, te familja, te pasuria, te jeta e thjeshte si një nëpunës. Kështu ai bëri thirrje që në rradhët e sistemit të drejtësisë të emëroheshin gjithnjë njerëz të ndershëm, profesionistë dhe me horizont.

Në mbarimin e mandatit të parë dhe fillimin e të dytit u ndesh me korrupsionin që bënte dhëndrri i tij italian, Kupelinjo, që asokohe ishte drejtor i sektorit politik për marrëdhënien me jashtë. Ky korrupsion që filloi të marre erë dhe u pasqyrua në disa gazeta arabe bëri që emri dhe figura e guvernatorit të lakohej në shtypin e asaj kohe. Dhe Pashko Vasa, me kujdes duke mos nënvlerësuar për asnjë rast shkrimet kritike të gazetarëve mori kontakt me këta gazetarë dhe u bind për ato që shkruheshin.
Image result for vaso pashe shkodrani
Vendosi me gjakftohtësi largimin nga puna të dhëndrrit të tij, duke e detyruar që të shkojë përsëri në Itali së bashku me vajzën e tij, Rozën dhe dy mbesat. Ai u shpreh kështu: “Nuk lejoj të më nxihet fytyra, por dhe zemra para popullit libanez të Bejrutit për të cilët jam betuar se do t’u shërbej me ndershmëri....





O moj Shqypni, e mjera Shqypni


O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pas qenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pase shumë t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke qenë ma e mira!

Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ke qenë për luftë e n'luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhe besen burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhen gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t'bardhë gjithmonë asht nda!

Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s'të ka mbetun as em'n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t'zezë!

Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,
Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;
Sa thonë kam fe sa thonë kam din;
Njeni:" jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: " Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazen t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej!

Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëzue e bamun trokë!

Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!

Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekë
Ket fare trimneshe, qi sot asht mekë?
Ketë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kam?

Nuk, nuk! Këtë marre askush s'e do
Këtë faqe t'zezë gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht Shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund l'shon dielli vap'ë dhe rreze,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t'tanë
Të desim si burrat që vdiqën motit
Edhe mos marrohna përpara Zotit.

Pashko Vasa

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...