Presidenti amerikan, Barack Obama, ka dërguar një letër Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan në lidhje me operacionet ushtarake amerikane nëpër territore të ndryshme nëpër botë.
Në këtë letër, siç raporton Koha.net, Obama ka ofruar të dhëna në lidhje me misionet ushtarake amerikane në Afganistan, Irak, Siri, Turqi, Somali, Jemen, Xhibut, Libi e Kubë.
Në këtë letër, siç raporton Koha.net, Obama ka ofruar të dhëna në lidhje me misionet ushtarake amerikane në Afganistan, Irak, Siri, Turqi, Somali, Jemen, Xhibut, Libi e Kubë.
Veç këtyre, Obama ka përfshirë edhe operacionet ushtarake në Kosovë, ku ka thënë se aktualisht objektivi kryesor i KFOR-it është mbajtja e një ambienti të sigurt.
“Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka autorizuar Shtetet Anëtare që të themelojnë një Forcë të Kosovës të drejtuar nga NATO (KFOR) përmes Rezolutës 1244 më 10 qershor, 1999. Misioni fillestar i KFOR-it ka qenë monitorimi, verifikimi dhe, në rast nevoje, përdorimi i forcës në pajtim me Marrëveshjen Ushtarake Teknike në mes të NATO-s dhe të ish-Republikës së atëhershme Federale të Jugosllavisë (tani Serbisë), ndërsa në të njëjtën kohë të sigurojë ambient të sigurt dhe të qetë. Sot, KFOR-i frenon përsëritjen e dhunës armiqësore në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare. Detyrat kryesore të forcave të KFOR-it janë të ndihmojë në mbajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë dhe të sigurojë lirinë e lëvizjes në mbarë Kosovën. Kontributi i SHBA-ve në KFOR është me rreth 700 personel ushtarak amerikan nga forca e përgjithshme që numëron rreth 4,600 personel”, ka thënë Obama në raportin e tij dërguar Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan
“Kam drejtuar pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura Amerikane në të gjitha këto operacione në pajtim me autoritetin tim kushtetues dhe statutor si Komandant Suprem dhe Shef Ekzekutiv (përfshi autoritetin për të zbatuar Ligjin Publik 107-40 dhe statutet tjera), si edhe autoritetin tim kushtetues dhe statutor për të zbatuar marrëdhëniet e jashtme të SHBA-ve. Zyrtarët e Administratës sime dhe unë komunikojmë rregullisht me lidershipin dhe me Anëtarë tjerë të Kongresit në lidhje me këto zbarkime, dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka përfunduar Obama.
Në përgjithësi, Obama ka bërë me dije se SHBA-të kanë të dislokuar rreth 15,475 trupa ushtarakë për të luftuar terrorizmin.