2015-12-08

Lulzim Basha: Qeveri teknike dhe zgjedhje, koha nuk pret

SHBA uron Shqipërinë për 25 vjetorin e përmbysjes së komunizmit
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përshëndet Shqipërinë me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, që këtë vit shënon edhe 25 vjetorin e lëvizjes studentore, që çoi në përmbysjen komunizmit më 8 dhjetor të vitit 1990.
Në krye të këtij tranzicioni historik, thotë Kerry, ishin udhëheqësit e guximshëm të lëvizjes studentore, të mbështetur nga qytetarët e zakonshëm, të cilët marshuan dhe demonstruan kundër diktaturës, dhe të ndihmuar nga ish anëtarë kurajozë të partisë, që ndihmuan në vendosjen e një regjimi përfaqësues.
“Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme gjatë këtyre 25 vjetëve. Sot Shqipëria është një aleat i përkushtuar i NATO-s, që jep ndihmesën e saj për paqe dhe stabilitet në botë”, ka thënë Kerry në urimin e tij.
Shqipëria, sipas tij, është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkurrente tregu të lirë.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe dëshirojnë thellimin e partneritetit mes dy vendeve në të ardhmen”, përfundon Kerry.
Mitingu i PD, rreth 1500 forca policie angazhohen për mbarëvajtjen e protestës
Rreth 1500 forca policore janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së organizuar nga Partia Demokratike. Burime policore bënë të ditur se mes forcave të policisë të angazhuara janë edhe ato të FNSH-së.


Mitingu i PD, rreth 1500 forca policie angazhohen për mbarëvajtjen e protestës
Policia është vendosur në shkallën e gadishmërisë nr 2, ndërsa kordoni i parë mes protestuesve dhe uniformave blu përbëhet nga police femra.
Dyshimet e policisë janë se ndaj godinës së Këshillit të Ministrave mund të qëllohet me vezë.

Policia ka bllokuar disa nga aket rrugore në kuadër të masave për mbarëvajtjen e mitingut, që sipas selisë së PD-së mund të zgjasë deri në orët e pasdites.

Fillimisht qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skëndërbej” dhe para pak minutash ka nisur lëvizje e tyre përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit. Protestës në Tiranë i janë bashkuar qytetarë të kryeqytetit dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës në mënyrë të organizuar.


Basha: Qeveri teknike dhe zgjedhje, koha nuk pret

Lulzim Basha beson tek të rinjtë në përmbushjen e misionit të opozitës për largimin e qeverisë “Rama”.

Në prezantimin e kreut të ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Basha u kërkoi të rinjve që ashtu si në vitin 1990, të rimarrin fatet e vendit në dorë për të larguar nga qeverisja ata që kreu i demokratëve i quajti “grup kriminelësh”.

“Nesër nis një marshim për lirinë për të zgjedhur, për t’u shprehur, për t’u punësuar, për lirinë nga krimi dhe tirania e varfërisë dhe padrejtësisë, që është shtruar sot në çdo cep të Shqipërisë. Koha ka ardhur që rinia të rimarrë edhe njëherë të ardhmen në dorë. Ne duam që rinia të ketë mundësi studimi. Le ta pagëzojmë 8 dhjetorin si ditën kur rinia nuk e iku por qëndroi, nuk uli kokën po u ngrit dhe fitoi”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Por jo vetëm të rinjtë, Basha shpreson që në protestë të tërheqë edhe nga vetë radhët e Partisë Socialiste.

“Çdo shqiptar e ka të qartë, demokratët po e po, por edhe socialistët e kanë të qartë se partia e tyre është përdorur për të ushtruar pushtetin një grup kriminelësh pa asnjë lidhje me ta”, u shpreh Basha.

Basha gjeti kohë që mes entuziazmit të të rinjve të thumbonte kryeministrin Rama dhe turin e Partisë Socialiste, ‘Ta pastrojmë më tej Shqipërinë’.

“Para se të vija këtu pashë kokoshin që kishte zënë çdo ekran dhe për një momment më erdhi keq për të; po i rridhnin hundët dhe ky që do pastronte Shqipërinë nuk pastronte dot hundën e vet. Nuk ka si të pastrojë Shqipërinë njeriu që e bëri pis me aleancën e tij me kriminelët”, tha Basha.

Basha: Kryeministri Rama futi trafikantët dhe kriminelët në sallën e Parlamentit

Partia Demokratike po mban që prej orës 11 të së martës manifestimin e paralajmëruar kundër qeverisë dhe politikave represive të saj, që sipas opozitës po zhvasin dhe varfërojnë qytetarët.



Përpara mbështetësve që iu përgjigjën thirrjes për protestë, Lulzim Basha ripërsëriti kërkesën për largimin e qeverisë, krijimin e një kabineti teknik dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Sot në ditën tonë më të bekuar, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të qytetarëve të lirë për të kërkuar, për të diktuar me fuqinë e bashkimit të zemrave dhe mendjeve tona, largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeveri teknike që do të bëjë gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, nisi fjalën e tij Lulzim Basha.

Për kreun e demokratëve koha nuk pret dhe maxhoranca e dogji mandatin e vet 4-vjeçar.

“Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në 2 vjet mandatin e vet 4-vjeçar ndaj duhet të largohet”, tha Basha.

Dy janë rrugët që kanë shqiptarët, sipas kreut të opozitës.

“Ose të rrëzojmë qeverinë e fatkeqësisë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë. Ose të reagojmë sot, ose nesër do të jetë vonë. Rrugë të mesme nuk ka! Nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë. Pritja e mbaroi kohën e saj”, u shpreh kreu i demokratëve.


Shefi i opozitës u ndal edhe tek akuzat që Partia Demokratike lëshon në drejtim të kabinetit qeveritar për korrupsion me tenderat dhe atyre ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me trafikun e drogës.

“Janë një bandë që nuk kanë ndërmend të ndalen po nuk i ndalëm ne sot”, thotë Basha.




Tiranë, opozita mban protestën; PD: Jo, qeverisë që zhvat e rrënon qytetarët


Manifestuesit e kanë nisur marshimin e tyre nga sheshi Skëndërbej, për të vazhduar më pas përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe për t’u ndalur para selisë së Kryeministrisë, ku me ta janë bashkuar kryetari i PD Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha.

Disa protestues kanë djegur pankarta me foton e kryeministrit Rama, të tjerë kanë hedhur vezë dhe shashka gazlotësjellëse ndaj selisë së Kryeministrisë, ndërsa të tjerë kanë tentuar të ngjisin shkallët e godinës.

Ndërkohë, duke marrë fjalën i pari në këtë manifestim, deputeti demokrat Gent Strazimiri ka përsëritur akuzat e njohura të opozitës se, qeveria aktuale ka sjellë krimin në pushtet, duke e kthyer atë në sistem.

“Atdheun tonë sot e plagosën sërish. Po na qeverisin tutorë e kriminelë. Sot fillojmë nga ky shesh rrugëtimin tonë për t'i thënë ndal kthimit të së shkuarës. Sa më shumë të bëhemi bashkë, aq më shumë shpresa do të ngjallim. Nuk ndërrohet atdheu, por qeveria”, ka thënë Strazimiri.

Edhe pse ka qëndruar në të njëjtat linja, deputeti tjetër Arben Ristani e ka vënë theksin edhe tek emigrimi i shqiptarëve drejt vendeve të Perëndimit, eksod që sipas tij po shkaktohet nga zhvatja që qeveria po u bën qytetarëve.

“Shqiptarët sot po ikin nga vendi për shkak të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Shqiptarët ikin e varfërohen, ndërsa Rama, Meta dhe Beqaj pasurohen me qindra milionë euro. Vetëm me aferën e CEZ Rama dhe Meta kanë siguruar 600 milionë euro të tjera”, ka thënë Ristani.

“Kriminelët sot duhet të ishin në burg dhe jo në Parlament. Ky është turp i madh. Nuk mund ta durojmë këtë zhvatje e këtë vjedhje që po sjellin rrënimin”, ka shtuar Ristani.

Në vijim të fjalimeve, deputeti tjetër Flamur Noka, sipas të cilit qeveria e sotme fut në burg fukarenjtë dhe jep liri për trafikantët, banditët dhe kriminelët.

"Ata po vjedhin paratë që duhet të shkojnë tek xhepat tuaj dhe të çdo shqiptari. Sot jemi përballë të njëjtit regjim me atë të diktaturës, sepse kemi përballë djemtë e tyre bastardë", ka thënë Noka.

Ky kryeministër, ka vijuar ai, është i lidhur me krimin, i kapur nga krimi dhe i mbytur nga korrupsioni. "Këta janë njerëz që kanë ngritur krimin në pushtet dhe në sistem. Ne jemi mbledhur sot këtu për të thënë se zot të këtij vendi janë shqiptarët dhe jo trafikantët. Ta rrëzojmë këtë regjim, më bastardin që ka parë kjo Shqipëri”, ka thënë më tej Noka.

Demokratët e Vlorës janë nisur mëngjesin e së martës drejt kryeqytetit për t’iu bashkuar protestës së opozitës. Nisja ishte planifikuar me autobusë të vënë në disposicion në lagjen e Skelës, në qendër të qytetit, por edhe në Novoselë.

 Duma: Ky është fundi i qeverisë

Shqiptarët kanë prekur fundin e varfërisë, por ky nuk ëhstë fundi i shqiptarëve, por fundi i kësaj qeverie. Kështu deklaroi Sekretarja për Marrdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma, në fjalën e saj para protestuesve.
Ajo tha se shqiptarët nuk falin më dhe nuk do të lejojnë të dhunohen, keqtrajtohen dhe varfërohen nga kjo qeveri.
“Varfëria nuk është blu, nuk është rozë nuk ka ngjyrë partiake, ajo është e zëze e zëzë është hija që qëndronë në mesin e qytetarëve sot.
25 vite më parë, studentët ndërruan fatin e historisë së vet, 25 vite më pas askush nuk fal më. Shqiptarët po prekin fundin me varfërinë e tyre, por askush nuk fal më që fëmijët të ikin jashtë atdheut.
Askush nuk fal më të vjedhësh milionë në tendera ilaçesh. Askush nuk fal më të taksosh me milionë dhe të rritet numri i të papunëve. Si mundesh ti kryeminsitër të shkelësh besimin e 1 milionëve dhe sot të qeverisësh mjerimin e dy milionëve, nuk qeveriset mjerimi.
Shqiptarët kanë prekur fundin e varfërisë, pork y nuk ëhstë fundi i shqiptarëve por fundi i kësaj qeverie”, deklaroi Duma.

Rreth 500 persona mendohet të jenë nisur prej Vlorës me 5 autobusë 50-vendësh dhe dy minibusë. Dy autobusë të tjerë konfirmohet se janë nisur ndërkohë nga Novosela.

Nisja drejt Tiranës është shoqëruar edhe me masa të rrepta sigurie. Policia e Vlorës ka kërkuar të kontrollojë kartën e identitetit të çdo protestuesi, me qëllim identifikimin e tyre dhe moslejimin e eksponentëve kriminalë t’i bashkohen opozitës.

Kjo ka sjellë edhe përplasje mes kreu të opozitës në Vlorë dhe policisë, pasi efektivët u kërkuan qytetarëve që nuk kishin dokument identifikimi të zbrisnin. Kjo ka sjellë një vonesë prej 1 orë e gjysmë të nisjes, që ishte planifikuar në orën 6 të mëngjesit.

Krahas autobusëve, udhëtimi drejt kryeqytetit është bërë edhe me makina private, çka e çon pjesëmarrjen e vlonjatëve në protestë në rreth 1.000 persona.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...