2016-01-11

NGA KOLEC CEFA/ATDHETARI E POETI DOM NDRE ZADEJA

ndre_zadeja

I lindun në një fis të vjeter, dallue per squetësi e prirje intelektuale, i rritun dhe i edukuem në një mjedis me kulturë prendimore, i ushqyem nga gurra e atdhetarizmit familjar e popullor, Dom Ndreu i bani sherbime të mëdha atdheut dhe la gjurmë të pashlyeme në fushen e letersisë artistike. Edhe pse nuk u trazue në rrymat politike të kohës, regjimi totalitar enverist, mbështetë në këtê kohë mbi politikën antishqiptare sllave dhe i perkrahun prej fanatizmit shqiptar, i këputi me dhunë jetën e dobishme, në një moshë burrnore e të pjekun me mund.
U lind në Shkodër në një familje të vorfen ekonomikisht, por të pasun në virtyte, me 1891. Qe sakrificë per prindët e Dom Ndreut, por dëshira e etja per arsim i shtynë ta fusin djalin e tyne të squet në shkollë. Mësimet e fillores e të mesmes i kreu në shkollën e jezuitëve, në Shkodër. Kjo shkollë, siç e pohon edhe Konica, ka qenë shkollë e mirë, e fortë dhe pranonte zakonisht nxanës të squet të të dy besimeve. Mësimet e nalta per teologji i kreu në Insbruck, në Austri, më 1912-1916. Në moshën 26-vjeçare bani ceremoninë e parë fetare në kishën brijë kalasë së Shkodrës, per të cilën do të shkruejë me aq pasion.
Sherbeu në Shkodër si sekretar i Monsinjor Serreqit e mandej si famullitar në fshatet e Shkodrës, si: në Mal të Jushit, Boks, Shkrel e Sheldi. Në rininë e vet nuk u angazhue në ndonjë parti politike, pa u shmangë nga detyra ndaj atdheut. Në Shkodër âsht i njohun si kundershtar i politikës italiane. Pati shoqni me Fishten e Mjeden, të cilëve u kushtoi poezi. U shoqnue shumë me Dom Aleksander Sirdanin, mbledhësin e palodhun e të pasionuem të folklorit tonë e që diktatura e shfrenueme e hodhi gjallë në gropën e ujnave të zeza ku e shtyu me cfurk që të mbytej; me Dom Nikollë Gazullin, gjuhëtarin atdhetar që mblodhi me kujdes fjalën e rrallë të gjuhës sonë kombtare, me Dom Lazer Shantojen, opozitarin e madh antizogist që mbajti gjallë e me mund të papaguem gazetat “Ora e maleve” e “Ora e Shqipnis” e që mbasi e tortutruen në mënyrë çnjerëzore, e pushkatuen.
Dom Ndreu, autori i pesë melodramave me permbajte kombtare, ka qenë predikator e konferencier i njohun, publicist i disa organeve, erudit e perkthyes i talentuem, njohës i mirë i psikologjisë, i mënyrës së jetësës, i foklorit e i mitologjisë së popullit tonë. Qe edhe poeti i lirikës mjediane.
E filloi veprimtarinë e meshtarit, atê shoqnore e artistike me mendje të kthjelltë, pse me ide të qarta; me ndergjegje të paster, pse me veprime të paperlyeme; me shpirt të gëzuem, pse me virtyte të pasuna që, së bashku, formojshin atë gjenerator shpirtnor që i krijonte ide, energji, vullnet.
Ka qenë punëtor i palodhun e prodhimtar, por nuk ka pasë mundësi ekonomike me botue veprat e tij. Në fushën e melodramatikës, ai eci neper shtegun që çeli Fishta, por tue i hapë udhën asaj pasunoi gjurmët e traditës melodramatike me 5 melodrama: faqe artistike me theks aktualiteti nga historia e mitologia jonë; puhizë pertërise e edukuese e traditave tona ma të mira; prozë plot hire fetare e kombtare.
Melodramma e Zadejës “Ora e Shqypnís”, melodramë per edukimin atdhetar të brezit të ri e per ruejtjen e tanësisë tokësore të atdheut, shfaqë per herë të parë më 1919, si edhe në kohen e luftës së Vlonës, “Hijet e zeza”, per bashkimin vëllaznor kombtar, per t’u ruejtë nga politikat djallëzore antishqiptare, shfaqë me 1921; “Rozafa”, per flijen e ndergjegjshme per atdhe, shfaqë më 1926, “Rrethimi i Shkodrës”, per qendresën, mbrojtjen e atdheut nga sulmet e të huejve, shfaqë me 1937, “Ruba e kuqe”, shfaqë me 1936. Janë të gjitha plot nerv patriotik e jetë kombtare, pershkue tanësisht nga idealet e binomit “Fe e Atdhe”, të cilat poeti ynë i mbrojti me fjalë, me vepra, me jetë, me vdekje. Mbrujtë me tharm kombtar, melodramat synojnë të edukojnë brezin e ri me virtytet shqiptare, me vlerat tona kombtare per të qenë në Europë si etnì me dinjitet. La në dorëshkrim “Shpella e Bogdanit”, si edhe “Ora e Shqypnís”, ruejtë në kohën e diktaturës prej meje, e botue tash së voni, mbasi e kontrollova disa faqe me një dorëshkrin që ruente Arkivi. Ka botue poezi e artikuj, konferenca e kronika në organe të ndryshme të kohës.
Perballë synimeve grabitqare, tanë cmirë e ngatërresa të qarqeve shoviniste, poeti vuni ndiesitë patriotike që zgjuen ndergjegje kombtare, të cilat shperthyen në veprime konkrete. Melodramat e Zadejes me permbajtje thellësisht patriotike, shkrue e shfaqë në vitet plot vrull atdhetar, sensibilizuen tejet popullin tonë. Vetem një fakt per ilustrim: në melodramen “Ora e Shqypnís”, në çastin kur po flitej per bashkimin e tokave të pushtueme të atdheut, Engjelli i Vjosës shqipton vargjet: “Adres m’i thuej krenare / Vlona âsht tokë shqyptare”, “Rrnoftë Vlona jonë”! Konsulli italian Perricone e gjeneral Frankavila, të pranishëm në shfaqje, u ngritën në kambë në shêj proteste, per të dalë nga shfaqja, por konsulli francez Bardi de Fortu, në prani të rektorit jezuit i qetësuen me këto fjalë: “Kur në Skala të Milanos populli italian në prani të pushtueve austriakë brohoriti “Viva Verdi”, asnjë nuk u ngrit të dilte jashtë, madje duertrokitën”.
Disa vite ma vonë Kordinjano botoi artikullin e tij famëkeq, ku mohonte autoktoninë shqiptare, mohonte prejardhjen ilire pa mund të vertetojë gja shkencërisht. Dhe ja, në janar 1942, ndjenja e fyer atdhetare e Zadejës u pergjigj me dinjitet, pa frymë hakmarrjeje, me anë të një letër të hapun drejtue Át Fulvio Kordonjanos, ku shkruen: “Harrohet e nuk harrohet çdo dhunë mbi tokë, por nderi per komb âsht i shejtë, si i shejtë âsht gjaku i derdhun per Atdhe e Fe”.
I frymëzuem nga dashunia per atdhe, poeti me vargun e tij të qetë, elegant e melodioz, ka endë në mendimin e tij poetik idenë se vepra e bukëpermbysunit âsht “ravizë e zbehtë tradhtie, âsht gjurmë gamili” ndaj popullit tonë të vjeter e plot virtyte etnie, si: mikpritës e bujar, trim e i besës, me histori të lavdishme, me prejardhje e gjuhë ilire. Poeti porositë: “… zakonet t’i ruejmë ilire e gjuhën të paperlyeme”!

Pak sfond historik si brumë i melodramës “Ora e Shqypnís”, botue së pari, në vitin 2000

Poeti ynë ndiqte me vemendje të interesueme ngjarjet e historisë kombtare, sidomos veprimet patriotike të bashkëvëllazenve të vet. Aso kohe, kuvendi i Rubikut qe shndërrue në voter të lëvizjes patriotike: Pater Pal Dodaj merrte letrat nga Imzot Kaçorri e Luigj Gurakuqi per Shpalljen e Pavarësisë në Vlonë e ngrite flamurin në Rubik (tri ditë mbas Vlonës) dhe shperndante lajmin në tanë Veriun atdhetar.
Fishta ngriti flamurin më 13 qershor në kumbonare të françeskanëve, nderkohë, në të gjitha famullitë e fshateve e të zonave ngritën flamurin kombtar: në Qelëz të Pukës, Dom Gasper Thaçi, ma vonë kryeipeshkëv i Shkodrës; në Pukë, u organizue prej Imzot Kolecit me priften, freten e bajraktarin; në Zymb (Kosovë), Pader Pashko Prela; në Bishkas: Pader Marin Sirdani; në Shalë: Pader Çiril Cani; në Palç: Pader Bernardin Llupi; në Traboin: Pader Luigj Bushati. Kështu u ngrit flamuri edhe në famulli tjera, si: Pulaj, Obot, Shirokë, etj. prej famullitarëve. Kudo me festa popullore, me të qitje pushke, me kafe, raki e kangë. Ma vonë, 19 mars 1914, u ngrit në Bashki të Shkodrës, por sidomos në kalanë e Rozafatit, në pranì të një populli të madh të qytetit e të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Postrribës, Pukës, Mirditës, Bregu i Matës, etj., u festue me madhështi. Ligjeruen: kryekomandanti de Filips që ngriti me dorë të vet flamurin tue brohoritë: “Rroftë Shqipnia”; Haxhi Hafiz Imeri prej Jakove, Pader Vinçenc Prendushi, foli edhe Abat Doçi. Këto të dhana qenë lanë në heshtje e mohue nga historianët e diktaturës me ca shkrime “socialiste” si kafshime gjarpni.
Jemi në vitin 1918: Trinomi Fishta, Gurakuqi, P. Anton Harapi tue angazhue meshtarët e maleve organizuen demonstraten e malsorëve të Hotit, të Grudës, të Triepshit, perfaqësuesit e të cilëve hynë në Shkodër të primë nga flamuri i Shqipnisë e tue këndue:

“Hot e Grudë janë betue,
Pa gjak malet mos me i lëshue…”

E tue brohoritë: “Rrnoftë Shqypnija”! kerkojshin që malet e tyne të mos ndaheshin, por të rrijshin në Shqypní. Pregatitën edhe një Memorandum, nenshkrue nga krenët e Hotit e të Grudës. Memorandumi iu dorëzue komandantit francez në Shkodër e mandej, ky Memorandum prej Fishtes e Gurakuqit iu dorëzue Konferencës së Paqes, në Paris, perkatësisht ministrave të punëve të jashtme të SHBA-së, Anglisë, Francës, Italisë. (Edhe këtu nuk mungoi as mllefi komunist, as jargu i fanatizmit: Fishtës e Harapit iu mohue kjo veprimtari patriotike).
Pak analizë:
Me një sfond të tillë patriotik, poeti ynë krijoi melodramen “Ora e Shqypnís”, melodrama e parë e tij. E shkroi me forcë fjale e fjalë zemre, e kompozoi me ngrohtësi zemre e shpirt kristiani. Melodrama synon të edukojë në brezin e ri dashuninë per atdhe e ndjenjen e lirisë, vetëdijën per vuejtjet e popullit tonë në robnitë e hueja e ndergjegjen per traditat e pasuna e të vjetra tonat, ruejtjen e tanësisë territoriale e mendimin se rruga e lirisë âsht e gjatë dhe e vështirë. Dhe të jemi optimistë se Perendia nuk do të na lejë në robní.
Personazhet e melodramës që mëshirojnë këto ide e ndiesi, janë krijesa njerëzore, qiellore e mitologjike që, së bashku, e harmonishem, veprojnë në realizimin e ndjenjave të tyne.
Sokoli plak, perfaqësues i brezit të vjetër, edukon fëmijët me fjalë e ma fort me shembullin e tij vetjak, me vuejtjet e veta e ma fort me plagët e veta. (“Diçka kam punue edhe unë per Shqypní e veç gjakun e zemres ende s’e kam derdhë. Heu, të kishe dekë per Shqypní, sa i lum do të kishe kenë”). Ai u mësonte kangët e flamurit e kujtonte se edhe gjyshja e tij i ka pasë thanë: ”Bir, banu shqiptar i vlefshëm e mos e korit Shqypninë”. Me këtê personazh poeti tregon si familja, si qelizë e shoqnisë, ka detyrë të edukojë ndjenja e virtyte të nalta e këto t’i transmetojë brez pas brezi. Edhe shtojzovallet shqiptare, mësue të këndojnë në zhegjet e muzgjet e Shqipnisë, këndojnë:

S’due tjeter me pa
S’due tjeter me ndie,
Veç ty, moj Shqypní
Kjo zemer t’lakmon.

Po një pikë kulmore e melodramës perban: “Pro Hoti e Gruda” e “Pro Shkodra”, kur engjujt e lumejve të Shqipnisë, perballë Europës që don ta coptojë Shqipninë, kerkojnë bashkim e vëllaznim të shqiptarëve, i japin zemer e entuziazem atyne plot frymëmarrje etnike, pse:

“Hyji soditë prej qielli,
Shqypnin’ etnike Ai lypi”.

Engjëlli i Bunës:

“Në kjoftë se fletët e tua
Don me t’i k’putë Europa
Edhe këto krahët e mi
U bajshin copa-copa”.

Ndërsa Engjelli i Matit dëshiron që gjamen e Cemit të vogel ta ndigjojë Tirana, e Engjelli i Shkumbinit, prej fushave të Elbasanit, tregon se edhe Tosknia ka hetue gjendjen në Veri të Shqipnisë e pohon me vendosmëni shqiptare:
“S’ka jetë, thonë valët e mija
Pa Hot e Grudë Shqipnija”

Pas këtij kushtrimi mbarëkombtar, shqiptarët trima, të bashkuem, pohojnë plot besim në forcat e veta:

“Adries m’i thuej krenare,
Valona âsht tokë shqiptare!”

E Engjëlli që ruen Shkodrën, Engjëlli i Bunës këndon:

“Çka kanë sot mali e fusha?
Pse po gjimojnë poterë?
Ta dijë mirë Jugosllavi,
Se Shkodra vdes me nder!
S’e mblon shkodranin dhuna
Pa u mblue me gjak krejt Buna!”

Mandej engjujt tue këndue largohen ngadalë-ngadalë e ndërsa zhduken, fëmijët arrijnë te farka, pra, te ai mjedis shoqnor ku kalitet e edukohet njeriu me idealet e binomit “Fe e Atdhe”. Por, ama, ajo farkë âsht e hyjnueshme, pse: “Ku âsht shpirti i Zotit, aty âsht liria!”.
Ora e Shqypnìsë “që nuk njef ligështì, as droje”, Ora e tokës vigane:

“Kur Leka e Burri lidhë me besë të Zotit
Njehin t’lirë, o zhduken n’tym t’barotit”

Krenare per traditat iliro-shqiptare e plot ndjenja të forta etnie pyet:

“A thue âsht gjallë Kosova, ajo fushore
Ku per Shqipní, shqiptarët u banë therore”?
… Me i mësue m’u rritë perherë në besë të Zotit
E n’armë me ndjekë gjurmët e Kastriotit!

Por tradhtia punon, punon pa pertim. “Kullotë n’kuletë t’kujdohit / Atdheut tue i ramun mohit / E thue se jam shqiptar / Trathtar, trathtar, trathtar!”
Ja edhe një ninullë nga Zadeja ku zanat mitologjike e engjujt qiellorë mbrojnë, ruejnë e ndihmojnë të rritet fëmija, ndërsa nana i mëkon dashuninë per atdhe. Ora këndon:

“Jo mos kjaj n’atë djep, o njome,
Flej n’qet’sì me ej e zana,
Si ma t’mirin nder sa kombe
Per Shqypní tash t’rritë ty nana!

Krahaso me Mjeden: “Qe nder djepa rrisin / Nanat e Hotit djelmënìn ushtore / E idhnim n’anmikun nëper gji iu qisin”.
Vëreni: Ma i fortë e ma i rreptë Mjeda, ma i butë e ma i ambel Zadeja!
E fëmija këndojnë: ”Kaloi koha e robnisë / Si âsht urdhni i Perendisë!” Melodrama mbaron me fjalët: “Rrnoftë Shqipnia!”.
Në skenë shndritë porteti i Skanderbeut, si në fillim të melodramës. Aty, nen te engjujt me kunorë e shpatë, aty “Ora e Shqypnís” me flamur, valle shqiptare që perfaqësojnë krahinat e atdheut, aty orë, zana, shtojzovalle këndojnë himnin kombtar, ndërsa bie sipari.
Kjo melodramë u luejt edhe në kohën e Luftës së Vlonës, edhe në kohën e luftës së Koplikut, e ndonëse ma shumë synon edukimin patriotik të fëmijëve, ajo sensibilizoi krejt spektatorët.
Kthjelltësia e mendimeve e finesa e ndjenjave, flaka patriotike e profuni i traditave kombtare, pastria e gjuhës e etika kristiane e bajnë melodramën fort të kandshme e fort terheqëse.
Por diktatura kishte mendim tjeter per Zadejen. Si e arrestuen në Sheldí, perfaqësuesit e kryepleqsisë e të këshillit të kishës zbriten në Shkodër, shkuen në komitetin ekzekutiv të rrethit per të kërkue pafajsinë dhe lirimin e Dom Ndreut, famullitarit të tyne. Por, ky punëtor i palodhun, që nuk pranoi të mohonte besimin, as t’i perulej diktaturës, pasi u torturue në mënyrë çnjerëzore, u pushkatue më 1945, jashtë mureve të varreve katolike.
Per këtê disident Enver Hoxha u shpreh kështu: “Axhentë të OVRA-s dhe të Gestapos, Dom Ndre Zadeja dhe të tjerë, do të mbeten figurat më tipike që shitën atdheun”. Në sherbim të këtij vlerësimi malinj, Bashkëpunëtori i vjeter shkencor Rakip Beqaj, më 1966-72, do ta quajë “prift reaksionar”, ndërsa Fadil Paçrami do të shkruejë, më 1970: “Ndër kryebanditët që u zunë me armë në dorë ishin edhe Dom Ndre Zadeja, Dom Nikollë Gazulli…”!

Fjala e hapjes së mbledhjes jubilare të 50-vjetorit të ramjes së martirit D. Ndre Zadeja

Të nderuem klerikë
I nderuemi Z. Pjeter Arbnori, kryetar i Parlamentit;
I nderuemi Kryetar i Bashkisë;
Të nderuem të ftuem;
Po hapim këtê mbledhje përkujtimore për një nga figurat ma të shqueme të qytetit tonë e të Atdheut, të martirit Dom Ndre Zadeja.
Plot 50 vjet ma parë fantazma e komunizmit, tre muej mbasi u vesh me pushtet të pakufizuem, filloi viktimat e para, e, nder ma të parët, ma të mirët, e nder ma të mirët ishte edhe Dom Ndre Zadeja, i denjë per mirënjohje e kujtim të perjetshëm.
Dom Ndreu kje pjesë e energjisë krijuese të Shkodrës “djep kulture e vater atdhetarizmi”, kje ideal i flijuem per idealet “Fe e Atdhe”, kje kangë plot hove të ambla lirike me vezullime arti. Te poezia e Zadejës, mendimi i kjartë, ndjenja e ngrohët, e figura e thjeshtë shkrihen e harmonizohen me shkelqim margaritari.
Jo, o Dom Ndre, kemi kja dikur per vdekjen tuej, jemi dëshprue dikur: Ne sot krenohemi me Ju e të tjerët si Ju, karakteri burrnor i të cilëve nderohet në Europë si karakter shqiptari. Ju jeni shembull i një shpirti të madh e të paepun, qelizë e ndërgjegjes së pastër kombtare.
Ju na mësuet se “Ideali nuk âsht një djep ku perkundet fantazia e poetëve, por një lamë ku lufton i urtí e vdes i forti”. Fjala juej e urtë dhe e ambel na ndihmon të ftofim flakët perpise të inatit e të urrejtjes, na ndihmon të shuejmë valët e egoizmit të verbët. Ju kjetë ndër nismëtarët e kulturës europiane në Shqipní. Me Ju do të kishim hy në Europë ma parë e me dinjitet, me kredinë e vlerave tona kombtare, pa ecë në shtegun e çilun nga diktatura, pa ecë nën drejtimin e veteranëve të rij, të cilëve demonkracia po u krijon lehtësi politike e ekonomike per të marrë pushtetin e per të fillue persëri luftën e klaneve.
Po e mbylli me porosinë e Dom Ndreut:
Harrohet
e s’harrohet çdo dhunë mbi tokë,
por nderi i derdhun per komb âsht i shenjtë,
“Fe e Atdhe”

- See more at: http://gazetadielli.com/atdhetari-e-poeti-dom-ndre-zadeja/#sthash.ZmKUo8wX.dpuf

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...