2016-01-11

Nga MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/VEPRA KUJTIMORE E INTELEKTUALIT TË NJOHUR, KONTRIBUT NË PUBLICISTIKËN LETRARE/

2 eqerm bej vlora


Eqerem bej Vlora, në këndvështrimin tonë, është një figurë e mirëfilltë intelektuale, me kulturë të plotë perëndimore për kohën dhe matanë saj. Ai radhitet ndër emrat e dalluar të publicistikës letrare, ndërkohë, që si figurë historike është mjaft komplekse, me ulje – ngritje e me dritë hije të dukshme. Trajtimi historik i figurës së tij u takon historianëve dhe nuk është objekt i këtij punimi. Objekt i këtij shkrimi është vetëm publicistika e Eqerem bej Vlorës. Kulturologu Ndriçim Kulla e ka përfshirë publicistin aristokrat në veprën madhore “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar” (shih: vep. cit., vëll. 1 (1807 – 1927), Tiranë, Plejad, 2014, f. 557 – 585), duke e përfaqësuar me 9 shkrime të zgjedhura: “Fjalët e një ministri”, “Parahistoria e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, “Vitet pas shpalljes së Pavarësisë”, “Vitet 1920 deri 1923”, “Tetë muaj nëpër Evropë”, “Fan Noli”, “Beu i fundit”, “Përse unë nuk desha?” dhe “Shtëpitë e mëdha”. Pa u futur në jetëshkrimin e tij, gjykojmë të njohim lexuesin e “Tirana Observer” me zërin e tij përgatitur nga historiani Prof. Viron Koka për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH): “Veprimtar politik, diplomat. Lindi në Vlorë [1. 12. 1885, një variant tjetër shënon 21. 02. 1885 – shën. im: A. H]. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij Ismail Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Me Shpalljen e Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Gjatë LPB [Luftës së Parë Botërore – shën. im: A. H] u arrestua nga italianët, por më pas ishte një nga përkrahësit kryesorë të mbështetjes tek Italia. Deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese të v. 1924. Në 1925 u bë senator. Shërbeu në misione të ndryshme diplomatike. Në v. 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e më 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme (1933). Deputet i Vlorës (1937). E.V [Eqrem Vlora – shën. im: A. H] e mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Më 1942 u emërua ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish – Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore). Në kabinetin e Fiqri Dines (1944) kishte postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Pas LDB [Luftës II Botërore – shën. im: A. H] emigroi në Itali e më pas në Austri. E.V. ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore dhe etnografike, si “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar”), “Lebenserinnerungen” I, II, Munih 1968, 1973 (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001, “Mbi historinë e bujqësisë shqiptare” etj. Vdiq në Austri [Vjenë, 25 Maj 1964 – shën. im: A.H] (Shih FESH, 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 2899). Pra, Eqrem Beu evidentohet siç ishte shfaqur: edhe si veprimtar i çështjes shqiptare, edhe si bashkëpunëtor i pushtuesit, për mbrojtjen e interesave të tij. Ai prezantohet erudit, diplomat, politikan, shkrimtar dhe historian shqiptar. I emëruar Beu i fundit, megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, përçoi tek bashkëkohësit dhe më pas tek lexuesit një nga mendtarët më të hollë të breznisë së tij. Pa u marrë më tepër me jetëshkrimin e tij, duhet shënuar se ishte bir i Syrja bej Vlorës dhe i Miri hanëm Toptanit, pra rridhe nga një prej familjeve më të pasura të Shqipërisë së deri asaj kohe. Nuk do të ndalojmë tek periudha e errët e pushtimit italian dhe veprimtaria e tij politike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, kuptohet, as te përndjekja e familjes dhe pronat, as tek titujt dhe nderimet shkencore që ka marrë.
Biblioteka dhe koleksioni arkeologjik
Meraku më i madh i Eqrem Beut, pas familjes qe biblioteka e Vlorajve, e cila ishte një nga bibliotekat private më të pasura të parakomunizmit, jo vetëm në Shqipëri. Biblioteka e Vlorajve ishte ndër më të njohurat edhe në Ballkan. Eqrem beu i përmend vleftën tek “Kujtimet” dhe e qan shpesh si nuk mundej t’ia shfrytëzonte burimet që ishin mbledhur ndër breznitë e Vlorajve që i dhanë rëndësi, nga vetë Eqremi me të atin, Syrja beun. Më 1812, vëllimet ishin diku tek shifra 5200 , pas gati një shekulli, më 1914 librat në bibliotekën e bejlerëve qenë 14640 vëllime; 2000 nga të këta vëllime me rëndësi të posaçme për fusha të ndryshme studimore të cilave do t’i shërbenin shumë. Ajo ndoqi fatin e bibliotekave simotra të Mit’hat bej Frashërit dhe të Lef Nosit duke u “shtetëzuar”, e brendësuar në Bibliotekën Kombëtare. Me t’u hapur Biblioteka “Shevqet Musaraj”, kishte të regjistruar në fondin e saj themelor bibliotekën private të Vlorajve. Përveç se fondit të Vlorajve, biblioteka e qytetit të Vlorës do vendosej po ashtu në shtëpinë e Eqrem beut mbas vitit 1974. Më 1924 në Apolloni nisën gërmimet arkeologjike të misionit të Leon Rey. Me zbulimet që u bënë, lindi nevoja të vendohej diku koleksioni arkeologjik i mbledhur gjer atëherë në ndërtesën e parë qeveritare, ku Eqremi dha shumë nga gjërat e zbuluara nga fshatarët ndër pronat e Vlorajve. Dëshmi për kujdesin që tregonte Beu për zbulimet vijnë edhe nga konti Ugolini, duke pasë mbledhur edhe në shtëpinë e tyre një sasi të çmuar sendesh e antikuaresh, të cilat arkeologu i kishte parë, ndërkohë që bujtte në shtëpinë e bejlerëve gjatë Lëvizjes së Qershorit, 1924.
Botimet. Si njeri i penës, Eqerem bej Vlora, siç dhe e shkruam më parë, përmendet për monografinë e tij “Aus Berat und vom Tomor: Tagebuchblätter” – (“Nga Berat dhe Tomori: Faqe të një Ditari”), Instituti i Studimeve Ballkanike – Sarajevë – Gjermanisht 1909, 1910, “E vërteta mbi politikën e Xhonturqve në Shqipëri”, Vjenë, Gjermanisht. Nga albanalogu gjerman Johann Georg von Hahn (1811 – 1869), që njihet si themelues i studimeve shqiptare, ka përkthyer veprën “Shënime përmbi shkrimin e vjetër Pellazgjik” më 1910 në Stamboll, që u shkëput nga “Albanesische Studien” /Studimet Shqiptare, botuar që më 1854. Eqrem beu shkruan tek “Shêjzat” e Koliqit artikuj me vlerë historike, juridike e folkloristike me trajtesa mbi të drejtën zakonore të Labërisë dhe kalasë së Kaninës; “Forca e Popullit Shqiptar”, (Enciklopedia e Akademisë Diplomatike) Paris, frëngjisht; 1956 dhe në veçanti, “KUJTIMET” e tij në dy vëllime në gjuhën gjermane që ia kishte caktuar dr. Bernath i Institutit “Südost” të Mynihut, botuar pas vdekjes me titullin “Lebenserinnerungen” (“Kujtime”), Mynih 1968, 1973. Ky punim jep një pasqyrë interesante në botën e një fisniku shqiptar të fillim shekullit të XX. Janë përkthyer në gjuhën shqipe “Kujtime 1885-1925″, Tiranë 2002, dhe në turqisht “Osmanli Arnavutluk’undan anilar, 1885-1912″ (“Shënime nga Shqipëria otomane, 1885-1912″), Stamboll 2006. Kemi Dorëshkrimin monumental të tij të daktilografuar në 1200 faqe në bashkëpunim me Baroneshën von Godin “Beiträge zur Geschichte der Türkenherrschaft in Albanien: Skizze eine historische” përkthyer nga Afrim Koçi nën titullin “Kontribute në historinë e sundimit turk në Shqipëri: një Skicë Historike” në dy vëllime nga shtëpia botuese “55”, Tiranë 2010.
“Kujtimet” – kryevepra e publicistit aristokrat
Libri voluminoz nis me shënimin e Beut: “Gruas, si dhe dy vajzave të mia, që jetojnë larg, me dashuri dhe përkushtim të veçantë. Romë, 1963”. Në Shqipëri bëri bujë ribotimi i “Kujtimeve” dhe dëshmive të rralla të Eqrem Bej Vlorës nga shtëpia botuese IDK, përmbledhur në 618 faqe, pas goxha mungese në tregun e librit. Këto kujtime, të cilësuara si një nga librat më interesantë për historinë e Shqipërisë të botuar gjatë kohëve të fundit u pranuan nga opinioni i kritikës dhe lexuesit elitarë, se ishin një rrëfim i munguar, një tregim sa historik aq emocional, ku ndihen drithërimat e jetës së trazuar të një njeriu, të syrgjynosur diku larg në mërgim dhe që i vihet punës për të ndërtuar tablo, fytyra, emocione dhe ngjarje të së shkuarës së tij. “Një libër magjepsës! Një nga dëshmitë më interesante për këdo që dëshiron të njohë të shkuarën tonë, atë çka s’e gjen dot në librat e historisë dhe që të ndihmon të kuptosh shumëçka sot në kundërshtitë e dritëhijeve të jetës shqiptare”, – shkruan në parathënien e librit studiuesi Pirro Misha. Sipas tij, kjo vepër do të hyjë në fondin e artë të letrave shqipe, duke shtuar në këtë fond diçka që na mungonte. “Duke qenë se kujtimet janë shkruar nga një pinjoll i një prej familjeve të mëdha të Shqipërisë e të Perandorisë Otomane, një nga njerëzit më të kulturuar të kohës, me një ndjeshmëri që e bën të tingëllojë aq modern, Eqrem Bej Vlora na ka dhënë një ndër dëshmitë më interesante për një nga periudhat më të trazuara të historisë sonë”, – thekson studiuesi. Kujtimet e Eqrem Bej Vlorës përcjellin në ditët tona dëshmi dramatike të përmbysjes së madhe të një perandorie, çka shënoi fillimin e dhimbshëm e kaotik të transformimit të shqiptarëve dhe, njëkohësisht, të lindjes së Shqipërisë moderne. Studiuesi Misha nënvizon më tej në parathënien e librit se kujtimet e Eqrem Bej Vlorës janë dëshmi dramatike e shembjes së një bote të tërë, dhe në këtë kontekst citon Eqrem Bej Vlorën që shkruante “një botë merr me vete teposhtë ata, që deri atëherë qëndronin në majat e hierarkisë së shoqërisë, duke i “humbur nën gërmadhat dhe nën pluhurin e marrëzisë së barazimtarisë”, që kupton pashmangshmërinë e ndryshimeve, dhe i përjeton ato si një dramë personale…
Është një fakt interesant. Në librin e studiuesit të njohur Robert Elsie, shfletoj, ndër faqet e periudhës së Rilindjes, letërsinë e zgjimit kombëtar shqiptar dhe ndaloj tek përpjekjet për shkollën. Jemi në situatën, kur Porta e Lartë e shihte arsimin dhe librat në gjuhën shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj vendin në padije e errësirë të thellë. Edhe në shekullin e njëzetë madje, autoritetet osmane shpesh shkonin aq larg sa t’u hapnin njerëzve çantat dhe korrespodencën e të bastisnin shtëpitë për të gjetur gjësendi të shkruar shqip. “Publicisti aristoktrat Eqrem bej Vlora – shkruan Elsie – njofton për një bastisje të tillë shtëpie në prill 1903: “Nuk doli gjë e madhe. U gjet një kartolinë e shkruar shqip në një fustan gruaje. Ky zbulim tronditës shkaktoi syrgjynosjen dhe burgimi e tetëdhjetë zotërinjve nga krahina e Vlorës”. (shih: Elsie, Robert, “Historia e Letërsisë Shqiptare”, 1997, f. 208.). Njoftim lakonik, tronditës, tërë fodullëk, therës në ironinë e tij ndaj sejmenëve të Perandorisë gërdallë në ngordhje, dhe, njëkohësisht i lartë për krenarinë e tij shqiptare. Kështu na duket. Art dhe realitet. Një fotografi artistike me shkronja shqipe. Një vizatim vërtetësor dhe letrar që s’të shklyhet dot nga kujtesa. Kurrë: “U gjet një kartolinë e shkruar shqip në një fustan gruaje”. S’ka të dytë. Gdhendur si me daltë historike kjo fjali e mrekullueshme. Është e botuar. Ka meritë për këtë paraqitje shkrimore Beu. Pikë.
Kontributi: Është pranuar ajo që dhe dihet siç ka funksionuar, se Eqerem bej Vlora është një figurë me dritë hije e kulturës shqiptare dhe e historisë së Shqipërisë. Duke bërë një vështrim krahasues, dallohet Eqerem Bej Vlora si studiues dhe emri i tij është i mbushur me dritë në fushën e kulturës shqiptare. Ai është një zë i nderuar i mendimit shqiptar dhe, sipas kriterit kronologjik radhitet krahas Vaso Pashës, Sami Frashërit, Luigj Gurakuqit, Mithat Frashërit, Gjergj Fishtës, Fan Stilian Nolit etj. Eqerem Vlora është ndër 25 intelektualët shqiptarë të periudhës 1879 – 1945, të cilët përfaqësojnë antologjinë e mendimit shqiptarë, jo vetëm për kohën që jetuan, me ndikim jo vetëm në hapësirat e banuara me shqiptarë. Përkrah mendimin e një studiuesi bashkëkohor, që i cilëson ata edhe si “ndërgjegjja e nesërme e kombit shqiptar”. Nëqoftëse në fushën e kulturës, Eqerem Bej Vlora na mbush me dritë dhe vetëm me dritë, në rrafshin historik figura e tij ka dritë, hije dhe hije. Edhe në histori, ai është një figurë enciklopendike, e përfshirë në botimet e nivelit akademik. Sipas “Fjalorit Enciklopendik Shqiptar” (FESH), ai njihet si veprimtar politik dhe diplomat, i arsimuar në Vjenë dhe në Stamboll, ku mbrojti doktoraturën për drejtësi. Shërbeu në poste me rëndësi të Perandorisë Osmane. Edhe sipas këndvështrimit tonë, drita e tij në histori duket, kur u bashkua me Ismail Qemal Vlorën në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas historianëve, Eqerem Vlora “Me shpalljen e pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë (1912). Gjatë Luftës së Parë Botërore u arrestua nga italianët…”. Ky është fakt dhe e vërtetë dhe kjo paraqitje është pamja e tij e bardhë, me dritë. Në burimin e sipërcituar, vijon fjalia: “por më pas ishte një nga përkrahësit kryesorë të mbështetjes nga Italia”. Është fjala për kohën kur, në Vlorë dhe në krahinat e saj, italianët erdhën si kolonizatorë dhe pushtuan trojet e banorëve vendas, të cilët i kishin trashëgim prej të parëve të tyre. Njihet miqësia për interesa personale e Eqerem Beut me Piaçentinin. Ky fakt dhe kjo e vërtetë nuk mund të jetë faqe e bardhë, pra as dritë, por hije e cila u pasua nga një tjetër hije në vitet e Luftës së Dytë Botërore. “E. V. e mbështeti pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste”. Shqyrtimi ynë ka të bëjë me pjesën me dritë të tij dhe pikërisht me kontributin e tij në lëmin shkrimor.
Vepra kujtimore e Eqerem Bej Vlorës. Kontributi i mendimit të Eqerem bej Vlorës është i dukshëm dhe i dobishëm në këto fusha të dijes: në publicistikë, kulturë dhe histori, me punimet albanologjike, me studimet historike, arkeologjike, kulturore, etnografike e sidomos etnologjike. Nga literatura e tij e botuar, vjen me shungullimë vepra madhore “Kujtime nga jeta”, pjesa I, II (Mundien, 1973), e cila, në dorëshkrim daton Romë – Mynhen, 1963; ndërsa për botimin shqip u përgatit nga Shtëpia e Librit & Komunikimit, në trajtën më të plotë më vitin 2003, nën kolanën “Bota Shqiptare”, përkthyer nga gjermanishtja prej Afrim Koçit, nën redaktimin e prof. Ethem Likajt. Një lexues i vëmendshëm di ta lexojë dhe ta interpretojë tekstin, duke kuptuar dhe vlerësuar rolin e stafit realizues për botimin shqip. Libri në shqip titullohet “Kujtime (1885 – 1925)” dhe vjen në dy vëllime. Vëllimi i parë rrok periudhën 1885 – 1912, pra arrin deri në mbledhjen e Kuvendit të parë Shqiptar, më 27 – 28 nëntor 1912. Vëllimi i dytë kap segmentin kohor të ngjeshur me ngjarje 1912 – 1925 dhe përfshin edhe zgjedhjen e Ahmet Zogut si president i Republikës Shqiptare në vitin 1925. Monografia është e pajisur edhe me shtojcë, ku shënohen shtëpitë e mëdha, listat gjenealogjike, treguesi i emrave të personave dhe treguesi i emrave të vendeve. Jeta dhe veprimtaria e Eqerem bej Vlorës, i cili mbahet mend për kujtesën e habitshme, ka qenë e pleksur ngushtë me regjimin osman dhe me lindjen e Shqipërisë moderne për kohën. Sipas studiuesve, libri me kujtime i Eqrem bej Vlorës i ndarë në dy vëllime, përkatësisht vëllimi i parë 1885 – 1912 dhe vëllimi i dytë 1912 – 1925 të përkthyera nga gjermanishtja e të botuara në shqip më 2001 është jo vetëm libri më i rëndësishëm I autorit, por një prej librave më interesant dhe tërheqës për mendimin shqiptar. Vepra kujtimore e tij mund të quhet pa drojë hartim i një përshkrimi monografik të historisë shqiptare. Ajo vjen herë si serum i kujtesës historike, herë vjen si tetanos nga veprimtaria e tij politike. Gjykojmë se duhet të bëjmë dallimin në personalitetin e dyzuar të Beut të Fundit, se vlen dhe për të tjerët. Asnjë gjë nuk mund të pritet me thikë, veçse figura e Eqerem Vlorës nuk mund të shihet më bardhë e zi, sepse ajo kakolorit ngjyrash interesante dhe me kontraste të fuqishme, e dobishme dhe e dëmshme, veçse gjithmonë me një mendim intelektual të zgjedhur. Faqja e tij politike dhe diplomatike finalizohet në funksion të interesit personal. Faqja e tij kërkimore – shkencore është në interes të kulturës shqiptare. Nuk mund të zbehet shkëlqimi shkrimor i tij nga lëkundjet apo pamjet e kokolepsura politike të Beut, as dhunimi deri në shfarosje deri i bibliotekës së tij nga regjimi komunist. Në formë telegrafike po prezantojmë çka është botuar në “Kujtime”, atë çka është gjetur në dorëshkrimin e kujtesës së tij për jetëshkrimin dhe vitet e fëmijërisë, atyre të rinisë, të pjesës së parë të veprimtarisë politike, ekonomike dhe shoqërore të E.V. në Shqipëri. Nga libri, nëpërmjet dëshmive të tij, marrim një informacion të munguar, të pagjetur dot në librat e historisë. Ai rrëfen për vitet e fëmijërisë në Vlorë (1885 – 1899); vijon kujtimet shkollore në Terezianum të Vjenës (1899 – 1903); me vitet e mësimit në Stamboll; me përurimin e hekurudhës së Hexhazit, Siri (vjeshtë 1904); me udhëtimet nëpër Europë; flet për parahistorinë e lëvizjes kombëtare shqiptare; ritakimin me Shqipërinë, pas kthimit nga Stambolli (9 maj 1906- janar 1907), udhëpërshkrimin për në Stamboll, nëpër Tripoli (Pranverë 1907); shkreptimat para stuhisë, siç i quan ai lëvizjet kombëtare të kohës; jep pamje nga revolucioni i parë shqiptar, (në se shprehemi me gjuhën e tij) me Idriz Seferin etj, luftën midis dy drejtimeve për përdorimin e shkronjave latine apo arabe; më tej, për në vendin e faraonëve të rinj, Kajro (fund viti 1911); pamje nga revolucioni i dytë shqiptar me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin etj., kundër Turqve të Rinj; udhëtimet shqiptare (Maj- Korrik 1912); me misionin diplomatik të Gusht – Shtator 1912, që ai e quan të kotë; vjen një panoramë e vrullshme me ngjarje lufte (Tetor – Nëntor 1912); ëndrra e plotësuar nga Kuvendi i Parë Shqiptar dhe Qeveria e Përkohëshme e Plakut të Pavarësisë, që ishte xhaxahi i tij, Ismail Qemal Vlora. Më tej, marrim informacion për princ Vidin, gjerman protestant, nga dera e Vidëve, nip i mbretëreshës së Rumanisë; rrëfen Beu për fatin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore nëpër Europë; përsëri në Atdhe, mars 1919; vitet 1920 -1923; Shqipëria në udhëkryq dhe Beu i fundit. Për kohën pas vitit 1925 dhe për ditët e trishtme – shkruan Eqerem Vlora – kur unë u bëra top i fatit në vende të huaja do të shkruaj në vëllimin e tretë, por ai vëllim nuk arriti të shkruhej, sepse mbasditen e 25 maj 1964 ai uli penën në tavolinën e shkrimit dhe mbylli sytë përgjithmonë. Pa bërë analizë të tekstit, mund të shprehemi, se mendimi i studiuesve të sotëm është vlerësues pozitiv për këtë libër të rrallë me kujtime. Për “Kujtimet” e Eqerem Vlorës, jemi në krahun e atyre studiuesve që bëjnë këtë vlerësim: “janë perla në gjerdanin e praruar që zbukuron fondin më të mirë të letërsisë sonë historike, në këtë gjini botimesh” (shih: Verli, Maringlen, Syrja Vlora “Kujtime nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës”, Tiranë, Iceberg, 2013, f. 7 – 8). Në kuadrin vlerësues të plotmërisë diturore dhe të kontributeve të tij, jo vetëm në fushën e gjuhësisë, por edhe në rrafshin historiografik dhe të kujtimeve, gjykojmë të trajtojmë ndihmesën e prof. Ethem Likaj për redaktimin e librit madhor të Eqrem bej Vlorës “Kujtime (1885 – 1925)”. Në lëmin e albanologjisë, njihet emri i Eqrem bej Vlorës (Vlorë, 21 shkurt 1885 – Vjenë, 25 maj 1964), si një politikan, diplomat, shkrimtar dhe historian shqiptar. I cilësuar si Beu i fundit, ai qe mishërim i aristokracisë së mirëfilltë shqiptare megjithëse vinte nga një kastë e themeluar nga parimet e feudit ushtarak, shkollimi i tij dhe stili në të shkruar përcjellin stërhollimin interesant të një eruditi. Njohës i 9 gjuhëve të huaja, të vdekura dhe të gjalla, ku veçojmë turqisht, arabisht, italisht, latinisht, frëngjisht dhe gjermaisht, me bibliotekë personale nga më të pasurat e kohës jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, ai ishte i plotësuar edhe me një kulturë gjermane. Veprën e tij madhore, “Kujtime (1885 – 1925)”, ai e la në dorëshkrim, që u botua në gjermanisht, (Mynih, 1968, 1973). Për modelin e botimit në gjuhën shqipe të librit “Kujtime” të Eqrem bej Vlorës, (Tiranë, 2001, 2003) me këtë formë dhe përmbajtje që është paraqitur në shërbim të lexuesve dhe studiuesve shqiptarë etj., jemi të mendimit se roli i redaktorit të librit është i dukshëm, i prekshëm, i dobishëm. Redaktor i këtij botimi madhor të historiografisë shqiptare është gjuhëtari i njohur, prof. dr. Ethem Likaj, i plotësuar, edhe ky, me kulturë gjermanike.
Ndihmesa shkencore e Prof. Ethem Likaj me redaktimin e librit me kujtime Beut: Sipas mendimit tonë, Eqerem bej Vlora është një personalitet me peshë, protagonist i ngjarjeve të mëdha në historinë e vendit për gjysmës së parë të shek. XX, me dritëhijet e pranueshme. Në kohën e sotme, letërsia dokumentare, memoaret paraqesin interes tek lexuesi. Kujtimet në gjuhën shqipe, me analizat dhe vlerësimet për ngjarjet e jetuara të Beut të fundit, para se të mbërrinin në dorën e lexuesit, kanë kaluar në dorën e mjeshtrit të gjuhës shqipe, prof. Ethem Likaj. Duket përkujdesja e vëmendshme dhe përgjegjësia shumë e madhe për këtë angazhim kapital të Profesor Ethemit. Kush e njeh stilin dhe profilin e punës kërkimore – shkencore të Profesorit e ndjen dhe e shijon redaktimin e përkthimit të “Kujtimeve”(2003) të Eqerem Vlorës dhe çdo ndërhyrje rindërtuese, realizuar sipas kritereve më të mira për botimete e kësaj natyre. Vlen të përmendin, se është ruajtur plotësisht jo vetëm origjinali, por edhe stili e zhargoni i autorit dhe përkthyesit. Ndoshta e njëjta origjinë me autorin e kujtimeve dhe fakti që redaktori, po ashtu, është njohës i shkëlqyer i gjermanishtes, e ngre këtë monografi në nivelin e botimeve më cilësore në gjuhën shqipe. Edhe studiues të tjerë bashkohen me mendimin tonë, që, pavarësisht vështirësive të shumta, gjithçka të realizuar profesor Ethemi e ka bërë në respekt të shkencës, të autorit, të përkthyesit dhe patjetër në nderim të lexuesit. Puna skrupuloze, përkushtimi për finalizimin e suksesshëm të botimit meriton fjalët më të mira për kontributin e madh që profesori ka dhënë që “Kujtimet” e Beut të Fundit të botohen me cilësi. Është dinjiteti shkencor i Prof. Ethem Likaj, që dorëshkrimin e shndërroi në një vepër madhore, etalon për botime të tjera të nivelit akademik. Nuk mjafton të thuash që redaktimi është thjeshtë ai procesi i ndreqjes e i përpunimit të një vepre para se të botohet; është tepër më shumë se kaq. Nga përvoja shkrimore dhe studimet, mund të shprehemi se, redaktimi është shkalla më e lartë e realizimit shkencor, gjuhësor dhe letrar të monografisë që përgatitet për botim. Atë mund ta bëjë vetëm një njeri i aftë i fushës përkatëse, që ka mësuar dhe e njeh mirë botën e botimit, që shkëlqen në fushën e redaktimit dhe rezonon punën me botuesin, korrektorin, recensuesin, përgatitësin, apo përkthyesin, sipas rastit, me aftësi të shfaqura e të pranuara nga bota e krijimit, që di të ruajë integritetin shkencor. Mos ka ardhur koha që redaktori (edhe korrektori) të jetë i plotësuar me arsimin e editorisë në nivel universitar dhe pasuniversitar? Bota e Librit prodhon perla, vlera të mirëfillta albanologjike, siç është edhe libri me kutime i Eqerem Vlorës, me redaktor Ethem Likaj. Por, bota e parasë sot prodhon edhe qofte të qullta nga furrat botuese. Është tronditës një lajm kulturor që ndoqa një një televizion lokal disa ditë më parë,të këtij maji 2014. Bëhej një përurim libri. Gazetari intervistron autorin (s’ja mbaj mend emrin autorit, se, as e kisha takuar, as e kisha dëgjuar më parë. Flet libërbërësi: Libri im me poezi është shumë i mirë. Kjo poezi ashtu e ajo poezi ashtu, njëra më e mirë se tjetra. Hej, dreqo punë, thashë me vete. Autorit i takon të flas për vete, apo të tjerëve…Gjysma e të keqes – kjo që dëgjova. Më tej tha: “Falënderoj redaktoren e librit, sepse i thashë shiko presjet, pikat dhe kaq. Asgjë më tepër, nuk e lejova të më ndryshojë asnjë fjalë” (S’po ia përmend emrin asaj, është mësuese letërsie, e njoh dhe kam respekt, por…) A nuk është tronditëse kjo situatë?!, këmbëngul në mendimin që me redaktim duhet të merren njerëz të pajisur me liçensë dhe jo gjithologë…
E bëra këtë ndërhyrje, sepse më vjen në ndihmë për të gjetur shtegdalje nga llumi i fasadës boshe shkrimtaria e Eqrem Vlorës. Gjykoj se në shkrimet e tij, Eqerem beu, ishte i besueshëm, brenda hapësirave që na lejon raporti midis objektives dhe subjektivitetit. Po përmend rrëfimin e Beut te libri “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar”, Tiranë, 2003 (Aus Berat und vom Tomorr) me studime sociale, përshkrime udhëtimi, folkor dhe etnologji. Diku paraqet bujtjen tek një fshatar i lodhur e i pikur, i cili, i gjendur në pozitë të vështirë, përpiqej t’i priste sa më mirë mysafirët e rëndë, me salltanetet e kohës, që ai, i varfëri, mendonte se ishte uturaku, që nxorri për qerasje. Kujtojeni situatën dramatiko – komike që u krijua. Beu na e tregon vetë, e shkruan. S’ka komplekse. Ai ironizon dhe veten kështu. S’ e ka problem se ç’do mendojnë të tjerët dh eta fshehë qoftë edhe një ngjarje qesharake si kjo. Pra, kur flet ashtu për veten, ç’pret? Të ruajë e të lustrojë apo të legjendarizojë të tjerët?! Jo, jo! Ai i godet veset e shqiptarëve. “…nuk kanë qenë kurrë engjëj të pafajshëm: dhuna, kapardisja, etja për grabitje, padurimi kanë qenë prej kohësh tipare të spikatura të tij”. Ndërkohë Beu nuk tregohet nihilist, ai ua vlerëson virtytet dhe tiparet fisnike, kur shkruan: “Shqiptari është trim, kokëkrisur, besnik, shpirtmadh, bujar, i vetësigurtë dhe i zgjuar. Ai i përvetëson njëlloj shpejt si vetitë e mira, ashtu dhe ato të këqija”. (Shih: Vlora, Eqrem bej, “Kujtime”, vëll. 2, Tiranë, 2003, f. 252 – 255.). Nëqoftëse do të flasim me gjuhën e publicistit erudit këta gjithologët vocërrakë janë gramë, nuk janë bimë e dobishme dhe grami, krisja, siç ndodh në natyrë, shtohet, harliset. Kërkon zgjidhje serioze nga vertikaliteti i drejtimit, shqetësimi intelektual i Prof. Dhurata Shehri për hierarkinë e vlerave të qëndrueshme letrare, që kërkon domosdoshmërisht mediumin e kritikës, “statuset” apo rregullat e kritikës. - See more at: http://gazetadielli.com/eqerem-bej-vlora-aristokrati-i-publicistikes/#sthash.S3xSCha6.dpuf

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...