Nga Fritz RADOVANI:
PJETËR GEGË
GURAKUQI: DOSJA NR. 318...
■“Kriminel lufte dhe armik i
popullit”. Pse asht akuzue i tillë?
■Vetem pse ka lé në Shkodër... më 2
janar 1912.
Mbas mësimeve të para në vendlindje,
gjimnazin e ka krye në Beograd.
Akademinë Ushtarake e ka përfundue në
Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri
në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën
e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit
1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të
Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve.
Me ardhjen e Mahmut Golemit si
Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat
e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune
deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga
Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte
nga Pjetri me shkue prap në Berat.
I përgjegjet thirrjes dhe shkon atje
deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan.
Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin
nga gjermanët dhe i sillnin aty.
■Në janar të vitit 1945, arrestohët si
“kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë
prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam
qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në
ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit... Populli
i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje...”
■Me datën 8 gusht 1945, Gjykata
Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki
Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl
Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të
huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka
patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.”
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue
njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap.
Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan
Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli
deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka
liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në
Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit,
ku shënohet: “Si paraqitet Pjertri ? - Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i
Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për
té...Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e
k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është
shumë i kënaqur.
■Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në
burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me
Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të
japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet.
Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku,
kriminel me famë. Spijun. Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë
kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v.
■Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të
mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka
terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur
ishte gjykatës.
■Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk
Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.
■Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje
nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë
dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e
komandantit”...
■Cila ishte përgjegja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë
Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.
■GJYKATËS USHTARAKE - Berat
Gjegje
e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet
ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga
Plashniku,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga
Plashniku.
Na
lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar
Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.
V.F.L.P.
■Komandant
i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
***
■Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
“Në
orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e
sipërm.
Vullneti
i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I
Bexhet Mema d.v.”
■“Komandanti” për të gjithë donte me
dijtë vullnetin e fundit!! Prandej e kemi “Hero”!
■ShenimFR:
HAPJA E DOSJEVE ASHT DOMOSDOSHMENI. AJO PENGOHET NGA
PASUESIT DHE TRASHIGIMTARËT E TERRORISTËVE NË PUSHTET.
Melbourne, Janar 2016.