Ashtu siç ishte paralajmëruar, mbrëmë vranësirat kanë filluar të marrin zhvillim të hovshëm të shoqëruara me uljen e dukshme të temperaturave, duke shndërruar reshjet e shiut në borë.
Kjo për shkak se vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave të ftohta të ajrit me origjinë siberiane.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik i Kosovës, këto masa ciklonike do të ndikojnë në prishjen e këtij ekuilibri termik, i cili ishte plot tetë ditë të kaluara.
“Sipas parashikimeve numerike, sinoptike dhe atyre radarike, reshjet e borës do të vazhdojnë gjatë vikendit dhe në disa vende edhe në pjesën e parë të ditës së hënë. Karakteristikë e kësaj gjendje meteorologjike është edhe rënia e theksuar e temperaturave minimale të cilat ishin parashikuar qysh më herët, por që besueshmëria për një çrregullim enorm të motit sipas parashikimeve të fundit gjithnjë është duke u rritur”, thuhet në komunikatën e IHMK-së.
IHMK thotë se nga dita e shtunë e tutje vlerat e minimaleve dhe maksimalet do të jenë gjithnjë negative në termometër.
Nga dita e hënë e deri të premten IHMK thotë se temperaturat minimale do të zbresin dukshëm diku nga -16 deri -19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu dhe verilindja herë-herë me vrull me shpejtësi mbi 18m/s.
“Në bazë të paralajmërimeve meteorologjike se do të ketë borë dhe acar gjatë fundjavës dhe javës që vjen, Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit”, thuhet në komunikatë të kësaj komune.
Sipas komunës, në kushte atmosferike ekstreme vështirësohet pastrimi i rrugëve nga bora dhe akulli, andaj Komuna e Prishtinës kërkon nga ngasësit e makinave që t’i kenë të gjitha pajisjet dimërore siç janë të obliguar me ligj dhe mos të dalin të papërgatitur në rrugë, pasi po e bllokojnë rrugën dhe po shkaktojnë kaos në qytet.
Po ashtu , komuna apelon tek pronarët e dyqaneve që ta pastrojnë borën në trotuar, para dyqaneve të tyre, siç parashihet në rregullore, në mënyrë që së bashku ta bëhet i mundur qarkullimi sa më i lehtë të njerëzve.
Ndryshe, kompanitë e pas trimit që në mëngjese janë parë në rrugët e kryeqytetit.
Pas reshjeve të fundit të borës, është shtuar fluksi i vizitorëve në Brezovicë .
Sot për në qendër të skijimit janë drejtuar një numër i madh i automjeteve si dhe autobusëve me nxënës të shkollave të mesme dhe fillore nga të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës në ekskursione njëditore.
Autobusët që i bartnin këta nxënës kanë qenë pa pajisje adekuate dimërore dhe nuk kanë mundur që ti transportojnë nxënësit deri te qendra e skijimit. Kjo ka bërë që nxënësit me profesorët e tyre kanë qenë të detyruar që pjesën e rrugës prej rreth 10 km ta vazhdojnë në këmbë, për çka disa prej tyre nuk kanë pasur kondicion dhe kanë ngecur prapa grupeve dhe policia gjatë patrullimit në rrugën Brezovicë-Qendra e skijimit, kur ka hasur në këta nxënës, i ka transportuar deri te terenet e skijimit, ku numri i tyre ka qenë rreth 60 nxënës.
Policia apelon tek drejtorët e shkollave dhe organizatorët e këtyre ekskursioneve që të sigurohen se firmat transportuese t'i kenë autobusët e përgatitur me të gjitha pajisjet dimërore për kushtet e tanishme atmosferike, me qëllim që fëmijët mos të jenë të detyruar që të ecin këmbë dhe njëherit të jenë nën mbikëqyrjen e pandërprerë të përcjellësve të tyre e jo të ndahen nga grupi i shkollës, pasi që në këtë teren ka reshje të mëdha të borës dhe në çdo moment mund të rrezikohet siguria e tyre.
Bora që ka filluar që nga mëngjesi ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në rrugë. Si pasojë e kësaj në këto momente ka ndodhur një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Orllat.
Në aksident janë përfshirë 3 automjete dhe sipas qytetarëve që kanë dërguar fotografitë, ka ndodhur për shkak se magjistralja Prishtinë-Pejë, nuk është duke u mirëmbajtur si duhet nga kompanitë. Megjithatë, përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Një gjendje e vështirë për të lëvizur është edhe në autostradën e kombit, ku sipas gazetarëve të KP, deri vonë nuk ka filluar pastrimi.