2016-01-13

Spaç, rruga nuk është harresa

Burgu i Spacit (1)
Filozofia na bën ta shohim më thellë dhimbjen, duke e kuptuar atë. Dy profesorët e Shkencave Politike në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, Julian Bejko dhe Dritan Karadaku, kanë gjetur një formë ndryshe ndërgjegjësimi mbi të shkuarën, me studentët e tyre. Për të kuptuar e për të lexuar më mirë jo vetëm komunizmin, por gjithë krimet e bëra mbi dijen e shoqërinë në një kohë të caktuar, ata i ftuan studentët në një bashkëbisedim në Burgun e Spaçit. Hapësira ku kaluan pjesën më të madhe të jetës jo vetëm njerëz të zakonshëm por dhe shumë personazhe të njohur të letrave tona, tashmë e shndërruar në një bosh të frikshëm, u kthye në një skenë ku dy profesorët gjetën mënyrën për t’i lënë studentët të vendosnin dorën në plagë, për të kuptuar historinë. Gjithë këtë eksperiencë ata e sjellin në dokumentarin “Republika e Spaçit” e cila do të transmetohet sot në Muzeun Historik Kombëtar, ora 18:00.
Burgu i Spacit (2)
“Republika e Spaçit”, keni zgjedhur një titull provokativ për një temë të ndjeshme siç është burgu i Spaçit… Pse Republika dhe çfarë kërkoni të sillni përmes këtij dokumentari?
Dritan Karadaku
                 Dritan Karadaku

Spaçi është çështje e ndjeshme po aq sa republika dhe veçanërisht Republika e Spaçit. Spaçi është maja e ajsbergut të një terri ku jetoi gjithë shoqëria jonë për një kohë shumë të gjatë. Projektimi i kësaj marrëzie synonte të gjithë ata njerëz që nuk përkonin më tablonë delirante të “njeriut të ri”; me një botë të përkryer, të drejtë, të barabartë, me ligje e institucione, pa shfrytëzim, skllavëri dhe në fund, madje edhe pa Zot. E meqë erdhëm te çështjet e së drejtës, ligjit, institucionit, nuk do mund të shmanget aspak trajtimi i Spaçit si një fenomen shtetëror, politik dhe shoqëror, gjë që na shpie në shfletimin e literaturës filozofike e më konkretisht, në tekstin e famshëm të Platonit, Republika. Aty Platoni përshkruan dialogët që mjeshtri dhe ati i filozofisë, Sokrati, zhvillonte me qytetarë të Athinës. Dialogë që prekin problemin e drejtuesit të shtetit – mbretit filozof – politikës, ekonomisë, edukimit, artit, ushtrisë etj.

Burgu i Spacit (3)
Referenca fillestare është ky tekst klasik dhe prej këtej jemi nisur për të ekranizuar me një stil artistik, poetik, filozofik, sociologjik, historik dhe muzikor, si në një simfoni apo opera, një shumësi problemesh të shoqërisë sonë, asaj të regjimit diktatorial dhe të tranzicionit, përmes Spaçit. Rreth tij duhet diskutuar jo vetëm si vend (90 km nga Tirana) i së keqes së largët dhe i vuajtjes së kapërcyer të kushedi sa e sa njerëzve, por si pasqyrë e një realiteti të ligsht që s’mund të veçohet nga debati mbi regjimin e shkuar dhe në lidhje me përpjekjet e shoqërisë për t’u demokratizuar dhe për të përmirësuar ligjet sipas parimeve të së drejtës dhe së mirës. Republika e Spaçit është çështje e së gjithë shoqërisë sonë.
Burgu i Spacit (4)

 Qëllimi ynë paraprakisht e realizimi i disa vizitave studimore me studentë të fakultetit, njohja nga afër me fragmente të ngrira të një republike të çuditshme, me mbetjet e një morgu. Ndoshta jemi të parët që kemi shkelur aty në këtë kuadër dhe ky fakt i mundshëm na trishton sepse mendojmë që një punë dhe detyrë e tillë do duhej të ishte kryer kohë më parë. Së dyti, për hir të natyrës së punës sonë akademike në filozofi, sociologji dhe shkenca politike, vajtja në Spaç ishte diçka sa intelektuale, edukuese dhe informative për ta materializuar në një film-dokumentar dhe natyrisht, për t’i folur shoqërisë falë imazheve se rruga e shërimit nuk është ajo e braktisjes dhe harresës.
Julian Bejko
Ky dokumentar flet për kujtesën historike, në një kohë kur ka shumë libra apo dokumentarë të tillë që flasin mbi kujtesën… Në këndvështrimin tuaj si profesorë, si ka qenë optika e të parit të kujtesës në këto vite?

Librat dhe dokumentarët, si çdo gjë tjetër, shprehin trajtën dhe nuancat e arsyeve pse bëhen, si dhe të atyre që i bëjnë. Pasi çdokush e lexon dhe e shpreh një realitet sipas botëkuptimit të tij, sipas atij botëkuptimi që është vetë personi në fjalë. Në rastin tonë ky film-dokumentar nuk ishte qëllimi kryesor. Në fillim të dhjetorit që shkoi ne vizituam dy herë bashkë me studentët burgun e Spaçit. Ky ishte edhe synimi fillestar; vetëdetyra e një profesori dhe e studentëve, veçanërisht ata të shkencave shoqërore. Të shkonim për herë të parë bashkë me studentët në një vend i cili është simbol i rrënimit tonë shpirtëror, intelektual dhe njëherazi dëshmi e faktit që kujtesa historike e popullit tonë është tejet afatshkurtër. Deri diku kjo është e kuptueshme nëse marrim parasysh realitetin e tranzicionit. Por, në vend që kujtesa historike të kish shërbyer për t’i mbyllur plagët e popullit tonë, ajo është perceptuar më së shumti nisur nga “vlera që ka në politikën e ditës”. Mjafton të mendojmë që populli ynë feston ende dy data çlirimi. E në lidhje me këtë duhet theksuar se pak rëndësi ka data si e tillë; rëndësi ka ndarja dhe përçarja, një lloj “lufte civile permanente” që e ka gërryer në palcë këtë popull; e ka çuar nga histeria e çasteve, te dëshpërimi i pandalur, por jo i pandalshëm sigurisht. Është kaq e vështirë të flasësh e të të besojnë se flet, përtej perspektivave të partive politike në këtë vend. Fatkeqësisht kjo është “kultura” jonë. Një “plagë” e cila duhet hapur, jo për të shkaktuar të tjera plagë, por për t’u tharë e për t’u mbyllur. Të gjithë flasin për dhe në emër të popullit, por ky i fundit mbetet i paemërt, dhe pa një histori të vetën. Kujtesa kolektive, përpjekja për të përmirësuar sadopak të tashmen e trazuar dhe shpresa e përbashkët për të ardhmen është ajo që e mban një popull një. Nuk na mungon “edukimi politiko-ideologjiko-partiak”, por mendimi, edukimi, kultura. Mendimtarët, artistët dhe krijuesit e vlerave njerëzore në përgjithësi nuk mund dhe nuk duhet ta shohin realizimin e vetes vetëm si anëtarë partish apo lëvizjesh. Janë ata vlerat e një populli! Madhështinë e Francës, Italisë, Britanisë dhe Amerikës e bënë pikërisht këto kategori njerëzish, krijuesit. Në këtë kuptim, gjendja jonë e mjeruar mund të diagnostikohet lehtësisht nisur nga kjo: ne jetojmë në një vend ku shpirtlarti Fan Noli kuptohet si me qenë “shërbëtor i së majtës”, gjeniali Faik Konica si “roje dere i së djathtës” dhe i papërsëritshmi Migjeni si “rreckë” që i shërben një organizmi politik në fillesat e veta. Fatmirësisht na ka mbetur Naim Frashëri e ca të tjerë jashtë kësaj zymtie e shëmtie. Kujtesë historike nuk është vetëm Spaçi, kujtesë historike janë pikë së pari ata, vlerat e larta të popullit tonë. Studentëve në klasë u përsëris gjithmonë një gjë: në doni të kuptoni se cilat janë vlerat tona si popull, pyesni fëmijët se kujt duan t’i ngjajnë kur të rriten, dhe e keni marrë përgjigjen… Cilët janë emrat që dëgjohen më së shumti në një familje shqiptare…?! Kjo është edhe optika e të parit të kujtesës sonë historike ndër dekada.

Si e keni konceptuar rrëfimin në këtë dokumentar?

Për ata që ende nuk e kanë parë dokumentarin, nisur nga titulli, kanë të drejtë të mendojnë se bëhet fjalë për një film që flet dhe përshkruan torturat dhe përvojat e llahtarshme të të dënuarve të asaj “republike”. Në fakt, dëshira jonë ishte ajo e prekjes së problemit në një tjetër perspektivë, e përbërë në 15 akte apo filma të shkurtër brenda të njëjtit, të cilët kanë logjikën dhe rendin e tyre në nivel imazhi, teksti, muzike. “Republika e Spaçit” nuk është një film narrativ apo intervistues mbi të burgosurit, por një arkeologji e dhunës dhe marrëzisë së një shteti diktatorial, e një drame të tmerrshme vajtuese në themel të së cilës qëndron dënimi me vrasje e Sokratit dhe vetë demokracisë. Kompozimi i gjithë veprës zotëron një strukturë polifonike idesh, ndjesish, nuancash, kuptimesh, kaligrafish, historish. Me Spaçin përpiqemi t’i flasim shoqërisë dhe sidomos rinisë se fenomene të tilla nuk duhet dhe nuk mund të përsëriten kurrë më; se rruga është zgjerimi i njohurive, edukimi dhe përgjegjësia që kemi ndaj së ardhmes dhe së shkuarës, ashtu siç ndodh me skllavin e Mitit të shpellës së Platonit, i cili ia del të heqë prangat dhe të shohë realitetin e vërtetë.

Sa i jemi afruar njohjes së të shkuarës?

Mund të themi me saktësi, në të njëjtën masë që i jemi afruar njohjes në përgjithësi. Duhet të pyesim gjithmonë se si i njohim gjërat, cilat janë vlerat tona si vend; por vlerat dhe jo iluzionet… Kush na orienton, për çfarë arsye dhe drejt çfarë na orienton. Në një botë të qytetëruar njerëzit përpiqen të njohin e të kuptojnë, jo vetëm të shkuarën, por aktualitetin e vetes si individë dhe si popull, nisur nga filozofët, ndërsa ne, filozofinë e ndaluam me ligj në kohën e diktaturës, dhe e shkatërruam pa ligj në kohën e demokracisë. Prandaj dhe njohja e së shkuarës është po aq larg sa dhe qartësia mbi tashmen, duke e bërë të ardhmen tërësisht të pasigurt dhe të pashpresë. Ne kemi përfunduar në një gjendje ku nuk dimë më kujt t’i drejtohemi për të njohur të shkuarën. Brezat e rinj kanë ide tërësisht të vagullta; brezat e vjetër, prindërit dhe gjyshërit tanë, të zhgënjyer dhe të drobitur nga tranzicioni i egër dhe brutal i demokracisë tonë, kanë filluar ta kujtojnë gjithnjë e më shumë me nostalgji të shkuarën; ashtu si ato viktimat që ëndërrojnë për “sigurinë” që i ofronte dhunuesi. E shkuara jonë është një traumë e shtypur dhe e ndrydhur në pandërgjegjen tonë kolektive; prandaj riprodhohet pa fund duke ndryshuar vetëm “lëkurë”. A ka mbetur ndonjë gjë pa u baltosur e pa u përçmuar në këtë vend, që nga Skënderbeu deri te Nënë Tereza?!

Cilët nga momentet gjatë realizimit të këtij dokumentari ju ka prekur më shumë?

Do doja të thosha qelitë e Spaçit, por nuk është e vërtetë. Kanë mbetur pak gjëra në atë vend; duhet imagjinatë e fortë për ta perceptuar dhimbjen dhe vuajtjen njerëzore që dergjet ende aty. Disa nga momentet më prekëse lidhen padyshim me pamjet e atyre të rinjve teksa vështronin, endeshin dhe interpretonin Fjalët e Qiririt, brenda atyre mureve. Asgjë s’mund të jetë më prekëse sesa çiltërsia e atyre që s’kanë asnjë përgjegjësi, por edhe asnjë shpresë për vendin e tyre në vendin e vet; e prapë se prapë, shpresa që mund ta ndryshojmë vetë gjendjen tonë, ajo që na ka siguruar mbijetesën ndër shekuj, është rruga e tyre dhe duhet të jetë edhe bindja jonë. Por për këtë na duhet dije, kulturë dhe njerëzi. Injoranca dhe egërsia do të prodhojnë në çdo kohë veçse Spaç.

a.b.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...