Me 43 vite karriere mbi supe, Çun Lajqi, vazhdon ta ketë pjesë të jetës aktrimin. Së bashku me te tjerët, ai i përket brezit qe shënuan teatrin duke e bërë një art fisnik dhe me një mision të madh. Ai, gjithësesi, mbetet njeri nga aktorët me të gjithanshëm dhe me te adhuruar nga dashmairët e këtij arti suprem. Çuni i skenës dikur, tashme është bërë një Orfe i kësaj skene dhe Homer i poezisë shqipe në Kosovë(Flori Bruqi)
Prof. Dr. Islam LAUKA
Poeti Çun Lajçi është tejet kritik ndaj pushtetit, i cili, sipas tij, është përgjegjës i drejtpërdrejtë për realitetin e hidhur në Kosovë. “Kush i ik popullit, i ik atdheut e Zotit”, thotë poeti. Milan Kundera ka shkruar se lufta kundër pushtetit, në thelb, është luftë e kujtesës kundër harresës. Çun Lajçi na ndihmon të mos harrojmë traditat tona, kulturën dhe gjuhën tonë.
Poezia e tij, duke qënë kritike, shpesh është edhe tragjike. Në të ka shumë dhimbje. Poezia “ikja e çlirimtareve” është e tillë. Midis refugjatëve shqiptarë, Çun Lajçi nuk u drejtohet të rinjve, as të rejave, madje as intelektualëve (trurit të kombit), por një kategorie krejt të veçantë, luftëtarëve të UÇK-së, që, pasi bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, tani nuk kanë bukë për të ushqyer fëmijët, sepse, siç thotë poeti, “ata nuk hanë vargje, as poezi”.
Përse ndodh kjo hemoragji ? Çun Lajçi e ka një përgjigje: sepse pushtetarët “po hanë liri”, ndërsa çlirimtarët “po blejnë robëri”. A ka gjë më tragjike se sa ata që dje me gjakun e tyre çliruan Kosovën, sot detyrohen të marrin rrugët e botës?
Poezia e Çun Lajçit është shumë shprehëse, e pasur me figura letrare, sidomos metafora. Kur poeti ngjitet bjeshkës, të duket sikur së bashku me të, ngjitesh edhe ti, mes këngës së zogjve (shpesh të qyqes), gurgullimës së rrëkeve, barit të gjelbër, liqeneve alpine.
Çun Lajçi është misionar. Në një vjershë të tij, ai shkruan se “ka pi tamel ulkonjash”. Po edhe ujku është misionar, thonë në Tropojë. Misioni i Çun Lajçit është mision në shërbim të kombit, të atdheut. Ai është kundër relativizimit të moralit, për të e keqja është e keqe dhe e mira, e mirë, tek ai ato janë të ndara qartazi dhe jo sic thonë pseudomodernistët, se ato janë njëlloj dhe mund të alternohen.
Këto ditë, në Tiranë, në prani të Kryeministrit Rama, iu dha çmimi autores Rita Petro, për librin e saj “Vrima”. U tha se ky çmim është dhënë për kopertinën, pra për bibliofili. Mbase, kështu është, po kur hap kopertinën, veç “vrimës”, nuk gjen asnjë vlerë tjetër. Në këtë kontekst, më shumë se çmim për bibliofili, në gjykimin tim, ai është një cmim për përversofili.
Libri i Çun Lajçit është dicka krejt tjetër. Ai është një libër me vlerë, që himnizon vlerat tona, pa të cilat, nuk do të ishim këta që jemi.
Unë u jam mirënjohës mikut tim Çun Lajçit dhe shtëpisë botuese “Buzuku” që, në prag të vitit të ri 2016, na kanë bërë një dhuratë kaq të bukur, si libri “Fjalës nesër i bëhet vonë”.