Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit Enver Hasani për kryerjen e veprave penale: falsifikim i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria po ashtu ka pushuar hetimet për një vepër penale, për të cilën i pandehuri ka qenë duke u hetuar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar - kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës - ka vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare me rastin e vendosjes për kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me dekretin e saj, që ka pasur të bëjë me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Hasani, sipas aktakuzës, ka nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës tre persona.
“Gjithashtu, i pandehuri Hasani, me dashje, ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështjeje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nëpërmjet një komunikate thotë se për aktakuzën e ngritur ndaj tij sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka mësuar nëpërmjet mediave.
Hasani aktakuzën e ka quajtur hakmarrje ndaj tij.
Sipas tij, kjo mënyrë e të ngriturit aktakuzë nuk shihet as në sistemet totalitare.
“Ju njoftoj se as në sistemet më totalitare nuk ngritet aktakuze pa pasur një deklaratë të të pandehurit. Unë dje kam qenë në polici pa avokat dhe kam dërguar kërkesen që Gjykata Themelore është duke e shqyrtuar qe disa muaj dhe akoma nuk ka verdikt”, thotë Hasani.
Hasani thotë se edhe hetuesve ua ka bërë të qartë se deklaratë nuk është e tij dhe as mbrojtje në heshtje siç kërkohet sipas ligjit.
“Kjo sepse një procedurë gjyqësore për çështjen e sigurimit të provës është duke u zhvilluar dhe akoma nuk ka përfunduar sepse ngelet e pazgjidhur çështja e imunitetit. Ngelet në ju ta vlerësoni nëse kjo është kështu. Emri i hetuesit që kam kontaktuar është Rreshter Avni Reqica”, thuhet në komunikatën e Hashani”, thuhet më tej në komunikatën e tij.
“Kjo është më shu më se hakmarrje ndaj meje, arbitratitet i pafund.”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Enver Hasani, për kryerjen e veprave penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe ka pushuar hetimet për një vepër penale, për të cilën ka qenë duke u hetuar.