Sejdi Berisha është një poet i mirënjohur shqiptar. Ai është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
Sejdi Berisha deri më tani i ka mbi 30 vepra të botuara me poezi, ese, prozë, dramë, monografi etj.
Për lexuesin e Floripress-it kësaj radhe ju sjellim një buçetë lulesh-me poezi që të bëjnë të meditosh gjatë.
MBI VARR TË NËNËS
Pak behar pati kësaj vere
Të gjitha lulet i mblodha
I hodha mbi Ty
Si për inat
Natyra ndërroi pamjen
Edhe gjethet u zverdhuan
Diçka e tmerrshme më kaploi
Prej sot jam i vetmuar
Tamam qyqekall vetëm
Nënë moj
Sot mbi Ty solla
Tërë frymëmarrjen e stinëve
Edhe të motmoteve të mia
Edhe hënën dritë të bëjë këtu
Si ajo që di kur është vetmi
Kërkoj fjalën tënde
Por heshtja ngulfatë
Lulet veniten bëhen shkrumb
Heu more Zot
Edhe hëna sikur nuk bën dritë
E këto fusha
Sikur terri i kapërdinë
Tamam prej sot
Jam kalorës i vonë
Që kot vrapon
Pas fluturave të bardha
Që kurrë nuk u ngop
Me lojëra fëmijërore
Sonte kur ta kthej shpinën
Hapat tunxh më bëhen
Këmbët dot nuk ecin
Për në shtëpi
Ku tash në mur
Rri fotografia jote
E, po shumë kam humbur
Atje në shtëpi
Nuk ka kush më thotë:
Ah, biri im
Edhe çatia gëzohet
Kur të shoh Ty
Sa shumë vaje e përmallim
Një jetë histori
Gati njëshekullore
Mbëltoi dheun e kësaj toke
Histori e gjatë nëna ime
Edhe nga varri
Ajo m’i fshinë lotët
Qepallat m’i ledhaton
Heu more Zot
Kudo që preku tokën
Shoh nënën time
Jetë e ndrydhur
Por amshim
ZGJOHU, O PLAKU IM...
Zgjohu, o plaku im
Në ndërrim motesh
Pritjen ta kemi bërë diell
Dhimben
Në këngë shndërruar e kemi
Zgjohu, o plaku im
Sofër të madhe kemi shtruar
Ashtu si gjithmonë që ke pasur dëshirë
Të gjithë të jemi bashkë
Çfarë të them tjetër
Me kaq
O, plaku im
Po e mbyll këtë sene
Vitin 2015...!
E HOQA SHQIPONJËN NGA FLAMURI...
(Ose “protestë” me rastin e festave të nëntorit)
Shikoja flamurin si valonte
Mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave
Edhe ngjyrën e kuqe
Nga pëlhurë e flamurit nxora
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Kush e di se kah
Shprushte gjakun e njeriut
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Në te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë
I ndrydhur nga ethe gjaku thashë
Po sa shumë janë të lidhura
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Po kush mund të bëjë mëkat
Nëse përpiqet t’i ndajë këto dy madhështi
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë janë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat...
NË DIELL AKULLI...!
Ti diell
Me madhështinë që ke
Më ngroh edhe mua
Ose të mbërdhijmë të dy
Se kështu nuk bën më
Tash
Kush ka më shumë fuqi
Ti apo Unë
E njeriu
Edhe bëhet diell
Edhe bëhet akull...
“PROMOVIM” LIBRI...
Në sallën e errtë
Një piano e çakorduar
Violina pa tela
Kitara me pluhur sipër
Dy tavolina këmbëthyera
E pa ulëse fare
Mysafirë të heshtur
Pa recituar asnjë varg
Pa thënë asnjë fjalë
Metodë e re
Sa peshë ka jeta
Nganjëherë
Njeriu asgjë nuk kupton
Mu si në këtë çast
Kur këto vargje i shkrova...
DUKE ECUR...
...U rrit gjyshi me gurin e vatrës
Flaka i ishte ndezur
Në bebëzat e syrit
Atdheu i ishte bërë amë drite
Tokën për ta pjelluar
Kishte ardhur babai
Me fuqinë e gjakut
Folenë e kishte ngritur
Për zogjtë e lumturisë
Edhe sot u frikova për nipin
Se rrugët ende janë të gjata...
COPËZ E KËPUTUR DITARI...
Më rrëfe çfarë të duash
Hape zemrën
Fol e kallëzo
Se unë jam lypës i këngës
Se jam rob i vargut
Më thuaj çfarë të duash...
KUJTIM...
Njëherë
Nëna më kishte thënë
Biro
Mos kultivo vetëm lule
Ndonjëherë le të mbijnë edhe thera
A di sa madhështi është
Kur ato në lule i shndërron...
DY PRANVERA
Një pranverë si ferr
Tjetra mjegullinë
Lulëgjake stinët
Toka ime
Si diell pa dritë
DITËT IKIN FARE PA ARDHUR
Ditët
Shpesh vijnë vonë
Ndodhë
Ikin fare pa ardhur
Kurse netët
Kurrë nuk vijnë vetëm...
DY PRANVERA
Një pranverë si ferr
Tjetra mjegullinë
Lulëgjake pranvera
Toka ime
Si diell pa dritë...
PEIZAZH...
Ç’peizazh
Eshtrat nuk janë
As arra as lajthia
Për t’i gjetur
Për t’i mbledhur
Sa jemi shkelur e tretur
Zëri ynë kacavjerrë...
DO I LUS VARGJET PËR NJË DOLLI...
Një ditë
Se kur as vetë nuk e di
Do i lus vargjet
Edhe shkrimet e mia
Në një mbrëmje
Të bëjmë aheng së bashku
E të dehemi
E të flasim për dhunën
Që atyre ua kam shkaktuar
Për dhembjen
Që ua kam sjellë
Do ngrehim dolli
Për hidhërimet e përbashkëta
Se as sot nuk ka lëvizur gjë
Nga toka as nga qielli
Krejt në fund
Do u kërkoj falje
Vargjeve e shkrimeve të mia
Për lumturinë e dhembjes
Për fjalën e ndrydhur
E në mëngjes
Do zgjohemi së bashku
Ashtu katralëmsh
Siç është vetë jeta...
LUTJE...
Bile tani
Njeriut të kësaj toke
Në mos ndryshe
Dashurinë t’ia sjellim
Në një strajcë lypësi
Në një qerre druri
Në një kulaç buke
T’ia dhurojmë dashurinë
Le t’i mbushet mendja
T’i forcohet ashti
T’i ëmbëlsohet jeta
T’i zbutet fjala
T’i kthehet besimi
Bile së paku sot
BIÇIKLETA...
Koha erdhi
Edhe biçikletën për ta shitur
Djali thekshëm më pyeti:
Pse po e shesim, babi
Duke e menduar përgjigjen
M’u përthuren fjalët
Iku biçikleta
Rrugëtimi barrë e rëndë
S’ka rëndësi kjo
Një fletore e një libër
Duhet blerë
Biro,
Edhe kështu ecën...
UNË DHE BARKA IME...
Barka ime nuk i ka vellot
As lopata
Detin për ta lëvizur
Dhe kështu
Rrugëtojmë së bashku
Duke u përkundur
Duke i çmendur stuhitë
Duke e zemëruar ujin
Porse
Në cilin det
As në cilën kohë
Nuk e di as vetë
KAHERË E SHKUAR...
Sa do dëshiroja
Kohën për ta kthyer
Vetëm për një ditë
Vetëm për një natë
Ama vetëm për një çast
E të futem brenda në Ty
Dhe përgjithmonë
Aty të pushoj
Sepse
Jeta është vetëm kaos
INTERESANT...
Toka mori zjarr
Edhe lulet edhe etjen
Për shërimin e dashurisë
Lapsi m’u ndal
Fjala ngeli e pathënë
Kush e bëri këtë
Vargu im
Pëllumb i plagosur
PËRCËLLIMI
Nuk e di
A me të ftuar
Pasi je në mua
Ma kthe një përgjigje
Bile dikur
Se edhe ashtu
Më përcëllon..
DHEMBJE E KAHMOTSHME...
Edhe lulet e para
Barin e ditëve pranverore
Kopenë e deleve
Edhe qengjat me blegërimën e tyre
Rrezet e para të diellit
Muzgun e pritjeve
Edhe fjalët
Që nuk kam ditur t’i shkruaj
Edhe këngën
Të cilën nuk di se ku e ruaj
Të gjitha t’i fali
Bile tash më përqafo
Kurse buzët të mos i puqim
Se çdo gjë digjet si copë gazete
Pastaj njëri-tjetrit
Nuk kemi as çfarë t’i flasim
Të gjitha t’i fali
Merr çfarë të duash
Vetëm dhembjen time ma kurse
Tjerat
Nëse do m’i ruaj
Në atë rrezen e hënës
Që më kishte përcëlluar
E sot më shoqëron
Si ninullë gjumi për fëmijë
ENDE KA KOHË...
Në buzët tuaja
Kujtime mëngjesesh
Në vetulla
Vesa e atëhershme
Në sy
Shikimi si rrëfim
E buzëqeshja
Si shpirt i ndrydhur
Eja
Se ende ka kohë
Bashkë ta lindim diellin...
MEDITIM NËN DRITËN E LLAMBËS...
Më ka ikur treni
Tani kanë ngelur do fjalë
Të shurdhëta e të ndrydhura
Acari duke i mërdhirë
Vapa duke i përcëlluar
Qetësia duke i tmerruar
Ka ikur ajo vesa pranverore
Ndoshta ka ngelur
Një copë pikturë
E vjeshtës së vonë
Edhe oxhaku që tymon
Rrëfimet e përrallave për t’i ngacmuar
Dhe belbëzimin e këngës
Nën dritën e llambave
Që deri vonë pasmesnate
Ndriçonin odat e llafeve
Ëndrrat e fëmijëve i trimëronin
Tek trapazani
Në fund sobe burrash...
KUVENDIM NATE...
Hënë...
Po sa bukur
Sonte në sy të rri vetmia
Qyqekall vetëm qenke
Mua duke më shikuar
Se si në lumin e njelmët
Jam duke notuar
Hënë...
Sonte më merr në gjirin tënd
E tërë natën të kuvendojmë
Për jetën time
Për madhështinë tënde
Ndoshta
Do na zë gjumi të përqafuar
Nesër
Nuk është e diel
As ditë e martë
Është një ditë...
LUTJE NË STINË DIMRI...
Mos i mbyll dyert
Kur nuk është koha
Se pritjet lëndohen
Mos i hap portat
Para se të vjen pjekja
Se mund të përbirohet dhembja
E kënga dot nuk na zgjon..
MAJAT E AJSBERGUT NUK EKZISTOJNË...
Kush është ai
Që po i vjedhë minutat
Që po i huq orët
Edhe ditët e ditëve
Kush është ai
Që muajt po i mashtron
E viti po qan
Kush është ai
Që po i vjedhë deceniet
Edhe shekujt
Do ta ndez një qiri
Që përgjithmonë do bën dritë
Që kurrë nuk do fiket
Mos e hupni rrugën
Majat e Ajsbergut
Nuk ekzistojnë
Kurse viti tjetër
Bezdisshëm e i frikësuar
Veç sa nuk ka filluar...
HIJE MËNGJESI...
Sa e gjatë
Hija e mëngjesit
Atë
Kurrë nuk mund ta kapë
Hija
Bashkë me mua zvogëlohet
E në mesditë
Sikur e shkel në kokë
Nën këmbët e mia fshihet
Apo më mashtron
Hija...
QË MË DJEGË...
Duke ëndërruar
Për përrallat dhe kujtimet
Malli më djegë fare
E kënga
Dërdëllitet përreth meje...
ROBOTI I KOHËS
Për çdo vit
Defilojnë
E parakalojnë kujtimet
Madhështohet malli
Etja e shkrumbi
Si lypës shekujsh
Gjithmonë rrinë në buzë
Jeta
Ky robot
I kohës
Që nuk i numëron vitet...
KËNGË E MOÇME
Shkapërthe xhamadanin
T’i lexoj shkronjat e historisë
Ato shkrime të strukur
Si bonjak në sofrën pa bukë
Si etje e dritës
Zhvishe atë xhamadan
Ta shoh shiun e zemrës
Duke lagur shpirtin
T’i shoh ato hieroglife
Të jetës plotë rrugë
Të cilat duhet lexuar
Edhe duhet rilexuar
Vetëm e vetëm
Për t’i dhënë shkëlqim shikimit
Dy mundësi i ke
O, Kreshnik dhembjeje
Ose ta vrasësh mallin
Që të djegë e të shkrumbon
Ose të këndosh këngë
Që nuk këndohen
Ky është guximi
Kjo është dashuria
Shkapërthe xhamadanin
Se gjoksi nxjerr zjarr
Atëherë thuaj gjithçka
Atëherë përgjithmonë hesht
Ti kënga ime e moçme
TMERRSHËM MARR FRYMË...
...A ka dikush
Që këto fjalë e këto shkronja
T’i murosë në lartësitë e këngës
Në thellësitë e lotit t’i ruajë
Se jeta
Është me stinë të këputura
Por që pranverës i ngjanë
Sa i krisur
Në pelegrin shndërruar jam
Hallkën e bashkimit për ta gjetur
Sa tmerrshëm marr frymë
Për ngrohtësinë e tokës
Për lartësitë përrallore të shqiponjës
Për durimin e gjakut
Për peshën e fjalës
Stinëkëputura jeta ime
LEXONI EDHE KËTË:
http://floripress.blogspot.com/2011/02/shkrimtari-dhe-publicisti-i-mirenjohur.html