Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama sot priti Komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, gjeneralin Sali Çolak, të cilin e njoftoi me zhvillimet aktuale, si dhe sfidat që e presin FSK-në.
Gjatë bashkëbisedimit, Çolak premtoi thellim të bashkëpunimit të Ushtrisë së Turqisë me FSK-në si dhe përkrahje të saj drejt anëtarësimit në NATO.
Çolak, me një delegacion të lartë po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë.
Ministria për Forcën e Sigurisë, njofton se komandanti i Forcave Tokësore të Turqisë u prit me ceremoni ushtarake nga Njësia Ceremoniale dhe Trupa muzikore e FSK-së.
“Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama falënderoi komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, gjeneralin Çolak dhe përmes tij Qeverinë e Turqisë për përkrahjen e madhe qe ata po japin jo vetëm në fushën e arsimimit, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së me donacione, në kuadër të bashkëpunimit të gjerë mes dy ministrive dhe dy shteteve mike”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit, Rama e njoftoi Çolakun dhe delegacionin që ai drejton me zhvillimet aktuale dhe sfidat që e presin FSK-në, duke nënvizuar transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).
Gjithashtu, gjeneral Rama, e njoftoi gjeneralin Çolak edhe lidhur me bashkëpunim e mirë të FSK-së me NATO-n, KFOR-in dhe partnerët tjerë strategjikë.
Po ashtu, gjatë këtij takimi gjeneral Ramën e shoqëruan sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkëlzen Sylaj, gjeneral Zymer Halimi dhe gjeneral Gëzim Hazrolli.
Ndërsa, komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë e shoqëruan ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic, gjenerali Ahmet Kirker, kolonelët SaimBagci, OmerTurgut, Ugur Karaca, Necdet Ozdemir dhe major YunusCan e Nejdet Eroglu.
“Gjatë qëndrimit në Ministri, delegacioni i Ushtrisë së Turqisë u prit edhe nga Ministri i FSK-së, Haki Demolli , ku të pranishëm ishin edhe zëvendësministrat Fadil Gashi e Muhamet Latifi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe kolonel Fadil Hadërgjonaj”, thuhet tutje.
Edhe ministri Demolli e falënderoi komandantin e Forcave Tokësore të Turqisë, gjeneralin Çolak, për mbështetjen e vazhdueshme që vendi i tij ka dhënë dhe po jep për FSK-në. Ministri po ashtu e njoftoi gjeneralin Çolak me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, si dhe me zhvillimet e fundit rreth transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Ndërsa, nga ana e tij, komandanti i Forcave Tokësore të Turqisë, gjenerali Sali Çolak falënderoi ministrin Demolli dhe komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën për pritjen e përzemërt.
Ai njëherësh premtoi thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në mes Ushtrisë së Turqisë dhe FSK-së, si dhe angazhimin e vendit të tij në përkrahjen e Kosovës dhe të FSK-së, drejt anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë dhe në NATO.
“Në fund, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral Zymer Halimi përmes një informimi të shkurtër e njoftoi delegacionin ushtarak nga Turqia me strukturën e FSK-së, shkollimin, trajnimet rajonale, pjesëm arrjen e FSK-së në operacionet e shpëtimit në shtetet fqinje, për bashkëpunimin me NATO-n, KFOR-in, si dhe partneritetin me Gardën Kombëtare të Ajovës”.
Të pranishëm në takim ishin edhe gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, kolonelët Ilir Qeriqi, Naim Haziri, major Berat Shala dhe rreshter majori Genc Metaj.