Humbet Shpresa
Humbet shpresa dita-ditës,
si pusi që s'ka më burim.
Në udhëtim mungesa e dritës,
një vetëtimë që s'bubullin.
Ditët ikin si flakë kashte.
fillon mëngjesi me konjak.
Ja nis Vlonjati këngës labçe
dhe isua zgjatet deri në dark.
Nga do lëviz kërkojnë pare,
në autobus,në rrugë,në shtrat.
E sotmja mbylli një dritare,
e nesërmja zgjohet si lugat.
Politikani kërkon votën,
nuk ka as turp,nuk ka as cip.
Hajduti i thotë: Lyema rrotën
që të rrëshqasin qeveritë!
Rrugës eci kot së koti,
s'di çfarë të bëj,s'di nga t'ia mbaj.
dhe nëse falje u jep Zoti,
këta s'janë njerëz, janë djaj.
Askujt...!
Kam rendur si kaçak nëpër male,
jam endur në qytet si i pirë.
Askujt nuk i thashë: Kam halle!
Askujt nuk i thashë: Mëshirë!
Kufijtë i kalova pa viza,
dëborën e shtrova jatak.
I lodhur me ferra dhe driza,
asnjëherë nuk u shtriva në baltë.
Kam kënduar në dasma,gosti,
kam lotuar në vdekje të rënda.
I vetëm kam çarë,pa njeri,
askujt nuk i thashë : U çmenda!
Kam rendur si kaçak nëpër male,
jam endur në qytet si i pirë.
mbi supe kam mbajtur shumë halle,
askujt si kërkova mëshirë.
Në një Tavernë
Në një tavernë në mes Tirane,
u ula të haja një drek.
Më vjen menuja me çitjane
dhe kamarieria si biftek.
S'di ç'të shikoj,s'di çfarë të ha?
Nga do hedh sytë një turbullirë.
E thashë me vete ky fat më ra,
po ja filloj me një gotë birrë.
Më dukesh gota si fund deti
dhe kamarieria lakuriq.
Fërkoi sytë,ta hajë dreqi
Se nuk është jeta bukë me fiq.
E mblodha veten me një gotë verë,
një peshk në zgarë e kallamar.
Si kur të vija këtu ngaherë,
vërtetë do dukesha si djalë.
I ktheja gotat pa potere,
i zhvishja pjatat si në plazh.
Kjo bukuroshia kamariere,
po më peshkonte si për dash.
Në botën time flinte vera
dhe unë me të në dashuri.
Harrova se nga ishte dera,
harrova se kisha shtëpi.
Në sytë e mi feksi shkëndija,
u perpelit e prapë u fik.
Tek kjo tavernë nisi rinia
tek kjo tavernë u zhurit.
Lotonte
Lotonte një grua,
lotët si një krua.
Lapsi i piktorit,
në dorë u shtrëngua.
I pikturoi lotin,
mbi mollëzat e kuqe,
tek gropat në faqe,
çeli një burbuqe.
Lotonte një grua,
lotët si përrua.
S’di për kë lotonte,
ndoshta dhe për mua.
Më shkon mëndja…….
Na mori malli të mbledhim lule në mal,
lule nga mali Çajupit, Golikut.
Mes pyllit të gdhihem duke u ngrohur në zjarr
dhe të dehem nga shija e ëmbël e fikut.
Për çfarë s’ më shkon mëndja nga ato anë.
Bije fjala,për ujin e ftohtë të Bratit,
për tingujt e ëmbël që sjell një gjinkallë
kënduar në vapë mbi degën e rrapit.
Për hingëllimën e kalit që kullot në brinjë
dhe qetësinë ja prish luginës të tërë.
Për gjithçka që ka të bëjë me të djeshmen, rininë
për arën tek selishta e mbjellë me tërshërë.
Për Bigën, Symyzën, Sjadunin, Sodolin,
more ,për çdo gur,gëmush e livadh,
Për syrin e bukur që çmendi piktorin,
qëndisur me lulet e varura mbi gardh.
Puthjet fal për dashuri
Jeta është veç një frymëmarrje,
tani merr,nesër nuk mund,
sot e gjen një shteg për dalje,
nesër pret të keqin fund.
Jeta është një buzëqeshje,
sot e merr,nesër mungon,
pjesë të jetës mban për veshje
dhe atë që s'dashuron.
Jeta është një psherëtimë,
regëtimë e thellë në shpirt,
sot shikon një vetëtimë,
nesër baltën do kesh mik.
Jeta është një tik-tak zemre,
po e ndjeve ndjehesh mirë,
puthe fjalën e çdo femre,
që të ndjesh një lamtumirë.
Jeta është hap e mbyll sytë,
ëndërr dite me sy hapur,
askush nuk jeton të dytë
dhe kush qiellin ka kapur.
Jeta është një gurgullimë,
si burimet në Këlcyrë,
kush s'e ka puthur njerinë,
poshtë në varre s'do ketë zyrë.
Jeta është një fllad pranvere,
që tund fletët e një rrapi,
vdekja që të rri pas dere,
s'të tregon kur do të kapi.
Jeta është varg poezie,
sot e ndjen edhe e shkruan,
nesër muza kthehet hije,
harron çfarë ke dashuruar.
Jeta është një dallgë Vjose,
një fund mali Trebeshine,
për të mirën shpirtin sose,
të keqen hidhe pas shpine.
Jeta është ajo që është,
lumë kush di që ta jetojë,
të mos ngelesh qen në vresht,
mos e ndot të mirën gojë.
Jeta është thesari i zemrës,
mrekulli mbi mrekulli,
planet kurrë mos ja prish ëndrrës,
puthjet fal për dashuri.