Prof.
Dr. Gaçe: “Akademia e Shkencave,
duhet të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e shkencore të
prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat janë një material i gjallë i shpirtit
artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm dhe të ardhshëm”
Vjollca TYTYNI BIRAKU
Prof.dr.
Bardhosh Gaçe, kishte kohë që po punonte me përkushtim për organizimin e një
evenimenti shkencor, për jo vetëm për bashkëshoqëruesin e tij shkencor por edhe
për mikun e tij, Qemal Haxhihasani. Në sallën e konferencave “Rilindja” të
Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, gjithçka ishte përgatitur me
kujdes për të prezentuar sa më denjësisht figurën e folkloristit të shquar z.
Q. Haxhihasani, e cila u shpalos nga albanolog dhe njohës të mirë të punës dhe
gjithë aktivitetit të tij studiues në fushën e kërkimit shkencor.
Ndjehem
e detyruar të përkufizoj më këtë rast, impenjimin e dr. Bardhosh Gaçes, i cili
si një studiues i mirëfilltë i fushës së albanologjisë, në mënyrë kronologjike
servoi për të pranishmit dhe njohësit e kësaj figure të shquar, jetën dhe gjithë
krijimtarinë e këtij udhëtari të fushës së shkencës dhe të dijes. Edhe pse, përkundër
gjithë angazhimit dhe falë modestisë që mbizotëron në personalitetin e tij,
prof. Gaçe e dinte se, një organizim i tillë, nuk do mund të përjetësonte brenda
një dite punën e palodhshme të Qemal Haxhihasanit, këtij intelektuali të
shquar. Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi, ka të bëjë me mirënjohjen qytetare
e intelektuale te njerëzve dhe vlerave tona të çmuara kombëtare.
Takimin
shkencori me rastin e 100-vjetorit të lindjes së dijetarit Q. Haxhihasani e
hapi dr. Ermir Xhindi, shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në
Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit të Vlorës, ku ishin të
pranishëm studiues nga Shqipëria, Tetova e Prishtina. Në seancën e punimeve
shkencore të Konferencës me kumtesat e tyre u paraqitën: prof.dr. Agron Xhagolli, folklorist
nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë (QSA), i cili u përqëndrua në temën:
“Personaliteti i prof. Qemal Haxhihasanit, dje dhe sot”, më pas referuan edhe
prof.dr. Nexhip Mërkuri, në temën: “Qemal Haxhihasani për të folmet e fshehta
të Përmetit dhe prirja e tyre si pasuri gjuhësore”, studiueset dr.Vilma Bello e
dr. Migena Balla, të cilat referuan në materialin me temë “E folmja e Çamërisë,
si një hulumtim i thellë e krahasues i dialektologut Qemal Haxhihasani, ndërsa,
prof.dr. Hamit Xhaferi (pedagog i Universitetit të Evropës Juglindore, Tetovë)
trajtoi ndihmesën e Q. Haxhihasanit për arsimin shqiptar në Tetovë, ndërsa,
Albert Habazaj, referoi në temën “Qemal Haxhihasani, një Gjolekë i Folkloristikës
shqiptare”
Dr. Leka Skëndaj, gjuhëtar dhe pedagog i
Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Universitetin “Ismail Qemali”,
Vlorë, shtjelloi kumtesën në temën: “Sfida të kristalizimit të metodologjisë në
kërkimet dialektore dhe ndihmesa e prof. Qemal Haxhihasanit”. Ndërlidhur me këtë,
dr. Leka Skendaj, ndër të tjera theksoi se: “Prof.
Q. Haxhihasani, me pasoinin e lindur u bë i dallueshëm si në tipologji ashtu edhe në përmbajtje.
Dialektologjia, edhe pse nuk mbeti fusha kryesore e studimeve të mëtejshme të
tij, që në vitet e para të veprimtarisë shkencore, është bërë objekt i
trajtesave dinjitoze për vetë shkallën e profesionalizmit dhe të racionalitetit
të problematikave që parashtron, duke u paraqitur kësisoj si model i formatit
metodik për studiuersit e tjerë”.
Prof.
L.Skendaj, duke u ndalur në punimet kërkimore në fushën e dialektologjisë të prof.
Q. Haxhihasanit, tha se: “Punimet dialektore të profesor Qemal Haxhihasanit,
mbeten opus më vete në shtrirjen e gjerë të interesave shkencore të tij.
Studimi në nivel monografik i të folmes së Sulovës dhe më pas përqasja me atë
të Polisit, si pjesë e grupit kalimtar, mbetet pa dyshim ndër të parët e këtij
lloji, duke u bërë kësisoj si modelues i metodologjisë së gjurmimit,
regjistrimit, përqasjes dhe krahasimit të dukurive dhe fakteve gjuhësore”.
“Kështu,
dr. Leka Skendaj, u ndal edhe në studimin e fonemës së labializimit të a-së, nga
ana e studiuesit Q. Haxhihasani, pët të cilën ai tha se: “Atë e gjejmë me
graduacione të ndryshme edhe në të folme të tjera të vendit tonë, si në
gegërishten lindore (në Kosovë, në rrethinat e Shkupit, në Tetovë e Gostivar
dhe pjesërisht në malësinë e Gjakovës). Këtu, jo vetëm a-të e nazalizuara
kthehen në o (hona, gjon, thon, ngron) por edhe ato a që nuk janë në pozicion
afër bashkëtingëlloreve hundore, paraqesin në disa raste nuance labializimi, si
qof (qaf), fore (fare), firor (firar)”.
Gjatë
kësaj analize të thuktë dhe interpretimeve të çështjeve fonetike, dr. L.Skendaj
në fund të kumtesës së tij përqëndrohet në hundorësinë, që, sipas tij, nuk
duhet të kenë qenë si rezultat i veprimit të drejtpërdrejt të trajtave jugore
mbi ato veriore, por një aspekt zhvillimi i atij ligji të përgjithshëm që ka
përftuar rotacizmi në dialektin e jugut”.
Gjatë kësaj seance folën edhe studiues të tjerë, ndërsa senca e
dytë e kësaj Konference Shkencore vazhdoi me kumtesat e studiueseve Arjana
Seiti (QSA) dhe dr. Gladiola Elezi, ndërsa, dr. Edlira Çerkezi, paraqiti kumtesën
“Veçori të përmbledhjes ‘Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun’ të Qemal
Haxhihasanit”.
Duke
u mbështetur në trashëgiminë e pasur fokloristike të Qemal Haxhihasanit, dr.
Edlira Çerkezi, theksoi se: “Jam ndalur vetëm në një aspekt, atë të studimit
dhe botimit të tregimeve dhe këngëve popullore për figurën legjendare të Gjergj
Kastriot Skënderbeut. Figura e Skënderbeut dhe Moti i Madh i tij, na vijnë në dy përmbledhje
kryesore: ” Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun“, (1967 ) dhe “Epika
Historike I” ( 1983 ), por edhe mjaft artikuj dhe botime të kohës. I tërë ky mjedis
dhe figura e kryeheroit tonë sillen prej Qemal Haxhihasanit si një dëshmi e
gjallë dhe mjaft e rëndësishme e cila na
flet për ekzistencën e një epike
historike të shqiptarëve të shekullit të XV. Është pikërisht ky syth këngësh që
na vjen si jehonë nga poezia popullore arbëreshe, por edhe vise të tjera të
Shqipërisë”.
“Në
punën gjurmuese të profesor Qemal Haxhihasani, -potencon më tej dr. Edlira Çerkezi,
-përfshihen edhe mjaft këngë të tjera nga vatra e kryetrimit, Kruja, por edhe
prijësa të tjerë si: Gjergj Arianiti,Vrana Konti,Tanush Topia. Andaj, është
meritë e Qemal Haxhihasanit që ai mbodhi mjaft tregime popullore ku zbulohet
Sënderbeu si një udhëheqes popullor, kryeprijës në betejat e Gurit të Bardhe
dhe Fushë Kuqe, Shën Gjergj, Sfetigrad, Kastriot, Grazhdë, Oranik etj”.
Me
të drejtë profesor Qemal Haxhihasani në parathënien e botimit të “Tregime dhe
këngë popullore për Skënderbeun” si dhe disa artikuj të tjerë që trajton, e
paraqet figurën e Skënderbeut të mençur e trim dhe herë herë hiperbolike….Ai
argumenton edhe legjendaritetin që merr epoka e Skënderbeut dhe trimëria e tij
e cila përcillet me një botë të pasur poetike dhe gjurmë të thella të elementëve
baladikë”, ka përmbyllur fjalën në kumtesën e saj, dr. Edlira Çerkezi.
Ndërsa,në këtë Konferencë shkencore
organizuar në 100-vjetorin e lindjes së personalitetit të shquar Qemal
Haxhihasani, referuan me kumtesat e tyre edhe dr. Artan Xhaferaj, dr. Enkelejda
Billa, Orjona Shegaj (QSA), Ermela Broci (QSA), Agron Xhaho, kurse në emër të
familjes, përshëndeti e bija e Qemal Haxhihasanit, Jeta Haxhihasani, e cila në
monitor komentoi një seri fotografishë të disa prej aktiviteteve më të rëndësishme
nga jeta dhe veprimtaria e Qemal Haxhihasanit.
Referatin përmbyllës “Profesor Qemal
Haxhihasani, albanologu ynë i shquar” e mbajti prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër
i Madh”. I ngarkuar me gjithë organizmin e këtij evenimenti, prof.dr. Bardhosh
Gaçe, theksoi se: “Qemal Haxhihasani, një jetë të tërë la gjurmët e veta në
kulturën dhe shkencën shqiptare. Siç u
vu në dukje edhe nga kumtesat dhe diskutimet e stuiduesve të tjerë, atëherë
themi se, Qemal Haxhihasani është një shembull i rrallë i shkencës shqiptare.
Një jetë të tërë në heshtje e pa bujë, ai punoi më një përkushtim të rrallë si
mësues në disa treva shqiptare, si pedagog e specialist. Ai u afirmua si
pedagog e specialist, si folklorist, etnolog, dialektolog e leksikograf. Ata që
e kanë njohur dhe punuar me të, ata që kanë bashkëpunuar dhe mësuar prej tij, përherë
sjellin ndërmend portretin dhe personalitetin e tij të rrallë për kulturën dhe
shkencën, me kërkesa të rrepta ndaj vetes me dëshira të mëdha për të ndihmuar
studiuesit e tjerë”, është shprehur ne referencën e tij, prof. Bardhosh Gaçe. Më
tej duke u futur në gjithë krijimtarinë historike e shkencore të prof. Q.
Haxhihasanit, prof. Gaçe tha se: “Ky dijetar i rrallë i kulturës shqiptare, ka
një varg botimesh folklorike, etnologjike, dialektologjike dhe kërkimore, të
cilat tashmë shërbejnë edhe si burime për studiues të tjerë. Në veprimtarinë e
tij të gjerë e të larmishme ai arriti të afirmohet si një ndër folkloristët më
të shquar të folkloristikës shqiptare. Kujtojmë këtu, botimin prej tij të “Bletës
shqiptare”, të Thimi Mitkos, një punë voluminoze e me kompetencë, transkriptuar
në pëlhurë alfabetin e sotëm, të pajisur edhe në jetën dhe veprimtarinë e këtij
rilindasi”.
Ndryshe, prof. Gaçe, figurën e prof.
Haxhihasanit e kundroi jo vetëm në sferën intelektuale por edhe në atë të
njohjes dhe miqësisë me shumë personalitete dhe dijetarë të shquar. “Qemal
Haxhihasani ishte edhe një mik i mirë i mjaft studiuesve të shquar”, -tha në
kumtesën e tij, dr. Gaçe, -siç ishin: E. Çabej, Shaban Demiraj, Anton Çeta,
Mahir Domi, A. Xhuvani, Sadri Fetiu, Mark Krasniqi, dhe i atdhetarëvee e
dijetarëve të tjerë evropian, si: Lluka Perrone (Luca Perrone) e Antonio Belluci.
I gjithë qëllimi për organizimin e këtij
evenimenti, i cili përkonte me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit të shquar
Qemal Haxhihasani, për prof. Gaçen kishte edhe një destinacion tjetër, lidhur
me mundësinë e angazhimit insititucional për botimin e shumë veprave të këtij
personaliteti me vlera kombëtare.
“U fol këtu për botimet e Qemal Haxhihasanit,
por, unë mendoj se vepra e tij dialektologjike, folkloristike, etnografike e
letrare ende është në arkiva. Por, ç’mund të bëhet në të ardhmen?”, shton
pyetjen e tij dr. Gaçe. “Andaj,
-potencon më tej dr. Gaçe, -duke e ndjerë të nevojshme angazhimin dhe
kontributin për pasurimin, botimin dhe arkivimin e pasurisë sonë kombëtare, të
cilin jo vetëm njerëzit arsimdashës, por atë me patjetër duhet ta kenë në
konsideratë edhe institucionet tona shtetërore”. Pëmes këtij ‘selami’, prof. Gaçe,
në këtë konferencë shkencore kërkon që: “Institucionet shkencore si Akademia e
Shkencave, të kontribuoi në botimin e materialeve më vlerë kombëtare e
shkencore të prof. Qemal Haxhihasanit, të cilat, duke marrë në konsideratë pikërisht
veprat e këtyre dijetarëve si: Qemal Haxhihasani, Rrok Zojzi, Rebi Alikaj janë
një material i gjallë i shpirtit artistik popullor, që i duhen brezave të sotëm
dhe të ardhshëm”, e përmbyll, kumtesën e tij, dr. Bardhosh Gaçe, duke theksuar
në fund se, ky takim që përkon me 100-vjetorin e lindjes së intelektualit dhe
folkloristit të shquar Qemal Haxhihasani, nuk përmbyllet këtu por do të vazhdoi
me sesione të tjera të cilat do të zhvillohen edhe në Kosovë e Maqedoni, ku prof.
Haxhihasani kishte vepruar dhe krijuar gjatë gjithë jetës së tij.
Konferenca Shkencore me temë: “Qemal Haxhihasani, personalitet i
shquar i arsimit dhe i folklorit shqiptar”, u organizua nga Universiteti
“Ismail Qemali”, Vlore, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në
bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike (QSA).
Qemal Haxhihasani u lind në qytetin e Elbasanit më 16 shkurt
1916 dhe u nda nga jeta më 1 shkurt 2002. Ai dha një ndihmesë të çmuar në fushën
e historisë së folkloristikës shqiptare dhe konsiderohet si një ekspert i
letërsisë popullore shqiptare, si eksplorues, gjurmues e hulumtues, i cili njëkohësisht
ishte i lidhur ngushtë me poezinë popullore, ku punoi dhe u anagazhua në
realizimin e shumë teksteve të këtij zhanri krijues të letërsisë sonë.
Lexoni edhe:
http://floripress.blogspot.com/2013/02/marinaj-nje-pasurues-i-lingusitikes-se.html