Nga Përparim Hysi : Qeni i Degës...(Tregim)

Fehrat Grëmallari qe çuar heret. Më heret se zakonisht. Ka vendosur që të vejë në qytet për të parë babanë e tij, shtruar në spital. Qyteti është larg që këtu, se, edhe po të ecësh "likthi" ( në Myzeqe, likthi përdoret si me vrap), të duhen të paktën nja dy orë të mira. Por Fehrati ia ka gjetur ilaçin kësaj pune. Nuk shkon xhades, por shinave të hekurudhës. Se këto, or byrazer,- thotë Fehrati,- ta bëjnë si tetë me dy. Do e hedhësh vallen sipas muzikës së trenit: s'ka këtu të ecësh navash- navash, sikur m'i ke punët në terezi, por "likthi", sikur nga mrapa, të ndjek dikush me shkop. Nëse nuk e nget këtë "muzikë", mos shkel mbi shina se xërrohesh e thyen hundët copë. Kështu thotë Fehrati dhe kështu do bëj, por, para se të niset për në qytet, ka një punë pakëz me "axhale". Epo me "axhale", pa "axhale",e ka vendosur dhe t'i dalë tymi mu tek "Plepi i Naqes"! "Plepi i Naqes", pak larg që këtu, por bëhet si afër për "habere".
E di që po vrisni mendjen se ç'është kjo "puna me axhale" e Fehratit? Por me radhë dhe, pa u ngutur, se qoftë unë që po e shkruaj, qoftë dhe ju si lexues, nuk kini pse ikni "likthi" si Fehrati.
E, megjithatë, ju mjafton të ndiqni seç bën ai.
* * *
Hodhi sytë andej nga ara e Resulit dhe pa që brigada foragjere kish korrur jonxhën dhe një postat i tërë kish mbetur pa transpotuar. Mori një thes dhe tinzisht hyri tek jonxha, e mbushi dingas thesin dhe, sakaq, hyri në kasolle. E përzjeu jonxhën me kashtë dhe ia mbushi grazhdin lopës. Tani po,- i bëri qejfin vetes,- tani do ia mbushi tenxheren plot "asajta". "Asajta" është e shoqja, por Fehrati, është burrë zakoni dhe nuk e thërret gruan me emër. Do të thoni ju, po mirë, por kur është burrë zakoni, si vete dhe vë dorë mbi jonxhën e kooperativës? "Komprativën",- thoshte,- kurrë s'e kam dashur. Por kur bie kolera (se kolerë e shkuar kolerës), nuk të njehë kush për Sulo-be. Të zë me kuç e me maç. Nuk e do ti, aq m'i bën atij lart, në hyqymet, apo ca më shumë në parti. Por të keqen pepja tyja, kur bën gjyq me kadinë, nuk ka kush ta bënë davanë. Dhe ngeci, karkaleci! Por me komprativën na ka gjetur si me atë që tregojnë: me inat më foli, me inat iu përgjigjësh. Kështu, or tunjatjeta, u bëmë si pakëz hajdut. U bëmë nga e keqja. Unë, që thuaj ti, jam besimtar dhe për çdo të xhuma( të premte) drejt e në xhami. Falesha, or tynjatjeta, dhe hoxha na thosh të parën: mos vidh! E pastaj... të tjera... e të tjera. Por ke parë ti se kujt i polli mendja dhe tak kazmën. Kemi partinë,- i dhanë karar dhe nuk ka ç'na duhet xhamia po dhe kisha. Mirë, o të keqen pepja tyja, ti paske partinë, po unë nuk e dua "atëna" ( këtë po ta them tyja, se Çeçua ka biçak,de), unë dua xhaminë. Le që i prishën, po na thanë:- Prishini ju! Ta lënë dobiçin në derë, badjava. E prishën, e prishën, por ata që vunë dorë, kanë për ta paguar. Më kujtohet që hoxha i paska thënë timati:- Kur të bën lazëm në shtëpi, është harram në xhami!!! Qe i zgjuar hoxha ynë. I binte pragut të dëgjonte dera. Llaf për llaf: në të duhet në shtëpi, merre në komprativë. Ja për atë Zot! Dhe nuk ka shtëpi fshati pa vënë dorë gjakund. Se ndryshe nuk rrohet. Mos shiko qytetin ti. Ata, të qytetit, kanë lindur me këmishë. Ne mbjellim grurë dhe e hanë ata. Na mbiu ibridi në stomaq. Dhe, bereqaves, që kemi lopën se, aha, keq e më keq do qe hesapi.
* * *
E mbaroi atë "punën me axhale", veshi ato shallvaret që mban në sepete si për mik dhe,sa la xhadenë, hipi në trasenë e hekurudhës. Aty ia"shkeli likthi" dhe, o burra, për në spital. Në spital arriti pa ardhur mjekët dhe, pasi la tek komodina e të atit ato që kish përgatitur "ajo" ( e shoqja), priti të vinte mjeku i pavijonit. Edhe për mjekun, e kishte "harxhin" si pakëz më të rëndë: një pulë shqirake që"ajo" e kish rrjepur me kujdes. Erdhi mjeku dhe si "llafosi" mbarë e prapë me të, e ndau fjalën që në fund të javës tjetër, babanë do ta nxirte të shëruar. Lajmi i mirë e bëri si me shend dhe, ca më shumë, që doktori nuk bëri naze për darovinë ( epo darovinë e pëlqen dhe mbreti që ka një mbretëri të tërë,- thotë Fehrati) dhe, sa u përcoll me të atin, u nis për në fshat. U nis për fshat dhe përsëri nga hekurudha. Se ajo"puna me axhale" sikur i është vënë pas si hije dhe, tek hamendëson se ç'do ketë ndodhur kur kanë parë "hatanë" me postatin e jonxhës, sikur merr të trembur dhe jo vetëm nuk i duket se po ikën "likthi", por sikur po ecën sëprapi. Si gaforre! Se këta të qeverisë, po u preke gjëkafshë, mezalla se të falin. Megjithatë, tek u jep këmbëve, sa më shumë afrohet,aq më shumë "largohet". As që e di se ç'ka ndodhur.
* * *
Brigadieri me qerrexhinë erdhën tek ara e Resulit. - Bobo,- vuri kujen. E paskan vjedhur postatin e korrur dhe lopët ta mbajnë kokën tek trarët. La qerrexhinë aty dhe frymën në sektor.- Alarm! Na kanë vjedhur! O burra, të lajmërojmë degën. Rrahën telefonin dhe njoftuan. Kur Fehrati qe në qytet, operativi me policin që kishte qenin e Degës, mbrriti mu tek postati i jonxhës. Qeni u vu në kërkim dhe arriti tek kasollja e Fehratit. Lopa ia kishte "zbardhur" faqen se e kish kollofitur duke mos lënë asnjë fije, por qeni hungëronte. U informuan se pritej që të kthehej dhe zunë, si të thuash, pusinë.
- Ja,- bërtiti brigadieri. Qy që vjen hekurudhës është hajduti, Qy është Fehrati. E lanë sa u afrua dhe i lëshuan qenin. Qeni mend iu hodh sipër. - Hë,- tha operativi,- vëri hekurat se është hajdut.
- Ore, ça hajduti,- thoni ju. Unë qeshë në spital.
- Qe në spital, por qe pas"dasmës",- foli tërë inat operativi. Ke vjedhur jonxhën e kooperativës , se kot nuk t'u hodh qeni në kokë.
Por Fehrati i kish shkuar kësaj pune me "axhale" jo pa rriskuar, se kollaj nuk ia hante qeni shkopin dhe, sikur kjo punë nuk kish të bënte me të, ia zbrazi:
-Pse qenit i besoni ju? Por qeni, po nuk të njohu, të hidhet në kokë,se ndaj është qen. Ja hajde pakëz tek oborri im dhe ta lëshoj atë Balikun tim, po të shohësh ti, pastaj, e kam vjedhur unë apo ti jonxhën. Ky sherr hidh e prit sikur po zgjaste shumë dhe, dalngadalë, u grumbullaun njerëz si shumë. Fehrati kur pa se një anë e ballancës sikur po anonte nga ai, vazhdoi:- Ore shoku operativ, e di ti që qeni, ndonjëherë, ha dhe të zotin, se nuk e njeh?
Ja,- tha,- e sheh Hekuranin ( ky njihej si kalibalash se qe infermieri më i vjetër jo në fshat, por dhe në qytet). Pyete, pyete Hekuranin. Këtë desh e hëngri qeni i tij, se qy natën del nga shtëpia dhe natën kthehet. Kaq u desh dhe njerëzia ia dhanë të qeshurit,se e dinin të gjithë që kështu i kish ndodhur Hekuranit. Kish hipur në fik që të hante fiq dhe i biri, tak dhe i lidhi qenin tek fiku. Kur bëri të zbriste,qeni mend këputi zinxhirin. Ai që lart nga fiku, britmën që të hiqni qenin se mos e hante. Shpotia qëlloi në shenjë dhe operativi me policin e qenit u larguan. Fehrati u mbush me frymë, por "shakanë" me zarar, nuk e harroi.
-Desh ika për dhjamë qeni nga qeni i Degës,- më tha. Por bereqaves nga Hekurani.
* * *
Epilog...
Unë këtë tregim nuk do ta kisha sjell fare, sikur mos përkonte me diçka të përafërt me këtë "qenin e Degës" që desh mori më qafë Fehratin. Por, në e përcolla për lexuesit, e bëra nga një njoftim që, për mua, është paksa jo vetëm tronditës, por dhe jo plotësisht i besueshëm. U njoftua se për persona që shërbejnë në politikë a në organe të specilaizuara, veç tjerash, do bëjnë "provën" e "makinës të së vërtetës". Jo vetëm jam anti asaj "makine", por, kam frikë, se një"makinë" e tillë zor se i afrohet dhe "qenit të Degës", se atij të Hekuranit që hante dhe të zotin, jo që jo.
Por, në fund të fundit, pse do t'i hajë "qeni i Hekuranit" këta politikanë tanë që janë "qelibarë" në të gjitha drejtimet?!!!

Tiranë, 22 prill 2016

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)