2016-04-20

Kolonelit që kam përse i shkruaj...



Kujtimit të Ëngjëll Dervishit

Tregim







Nga Përparim Hysi

Ka qenë viti 1982, kur u njoha me kolonelin Ëngjëll Dervishi. Atë kohë ai ishte komandant në një regjiment kondra-ajror dhe, pikërisht atje, në atë repart im bir kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Nëse e mbaj mend vitin, nuk ndodh se kam një kujtesë për t'u patur zili, por ka ca data që nuk i harron dot. Kështu ndodhi dhe me mua. Kur të lexoni më poshtë, as mos u çudisni që veç vitit 1982, mbaj mend dhe ditën: ishte 1 janar 1982. Pra, festa e vitit të ri, dhe, ndërsa unë po e bëja grurë me mysafirin që kisha ftuar për drekë, dhe, ndërsa imeshoqe, jepte e merrte në kuzhinë, befas ndjej që më thërresin. Zëri vinte nga poshtë, në oborr, dhe unë, sado që banoja në katin e dytë të një pallati, e ndjeva mirë që më thërrisinin. Dola në ballkon dhe, kur njoha thirrësin, e ftova që të vinte lart. Ai ngulmoi që të zbrisja unë poshtë dhe, pasi i kërkova lejë mysafirit, zbrita në oborr.
- E di pse të thirra këtu,- më tha ai. Dhe, ndërsa pa shënjën mohuese me kokë, filloi të shpjegohej:
- Nuk doja të shqetësoja Sikën (ishte fjala për time shoqe), por duhet të nisesh urgjent për në Fier,se S... (ishte fjala për timbir), është rrahur me një ushtar që ishte në vendroje dhe ka thyer pushkën që kishte roja.
Sa më tha kështu, tak m'u prish gjithë ai gëzim që kisha duke pritur dhe mysafirin dhe të ftohtët më drodhi dhe zemrën.
- Ka thyer pushkën, në gjuhën e ligjit të asaj kohe, do të thoshte:- Burg, më prit me dyerhapur! Po ku kish kohë për t'u menduar më? Mikut i kërkova leje se nuk do vonohesha as edhe një orë, mora biçikletën dhe u bëra erë për në Fier. Nga shtëpia ime, Fieri nuk është as 4 km larg, por, tek pedaloja si një çiklist në një garë individuale shpejtësie, me mendje qeshë bërë tym dhe ku nuk më shkonte mendja.
Dhe kjo më duhej. Të shkoje në gjyq ushtarak për dy thyerje të rënda: ka sulmuar rojen dhe jo vetëm ia ka marrë pushkën, por dhe e ka thyer atë në dy copa. Por ja,çfarë bën armiku më shumë se sa kaq?!
Ashtu, tym nga koka, mbrrita në Fier, por tani nga do t'ia mbaj? Patjetër, që duhet të takoj o komandantin o komisarin e repartit. Të paktën të nxjerr merakun, se më shumë nuk kam se çfarë bëj. Si i vdekur, hyra tek "Turizimi" dhe recepsionisti që më njihte si pare e kuqe, ma pati:" Ore, por dhe sot për vit të ri, nuk t'u durua pa ardhur këtu për kafe ti?". Kur e pa që nuk isha në të, më pyeti:- Po si e ke hallin, se sikur je prishur në çehre?
-E di,- i thashë,- më bën një nder, Dua të flas në telefon me komandatin e repartit X... Ma zgjati telefonin dhe, pasi formova numrin, duke u dridhur prisja zërin matan.
- Jam babai i ushtar S...,- fola ashtu përmbytshëm. Të më falësh, se është dhe festë, po a ke mundësi që të vish deri tek "Turizmi" për një kafe?
-Po vij,- tha zëri tjetër.
Kur tha kështu, veten e ndjeva pakëz më lehtë dhe, për të qetësuar pak më shumë veten, e ndeza dhe e bëra tym. Isha ulur në një nga tavolinat dhe, kur pashë që erdhi, u ngrita në këmbë.
E ftova dhe, kur zuri vend ballas meje, nuk më la që të flisja.
- E di pse je shqetësuar. Ytbir ka bërë një faj të rëndë. Ka sulmuar rojen në vendroje dhe jo vetëm kaq: i ka marrë pushkën dhe, tek ka dashur ta godasë me kondakun e pushkës, duket pushka ka takuar në çimento dhe është thyer. Kur tha"thyer", mua tak dhe zemra m'u thye dysh. Por unë çuditem me një gjë,- vazhdoi komandanti,- si ai ushtari në vendroje nuk e ka vrarë tëtbir? Kjo do ishte më fatale se sa çdo gjë tjetër. Kur pa që kafja ime u ftoh dhe u bë buzëgjysheje, më tha:-Pije kafen, se t'u ftoh. Isha në repart dhe e mora vesh dhe shkakun e atij sherri aq banal. Tek gjerba gllënjkën e parë, komandanti filloi të më tregojë...

* * *


Ytbir kish shkuar për në banjo. Pak i kapërdisur ai, ytbir, se kushedi se ku kish molloisur një rryp marinari nga ato me tokëz pak si të"artë". Si qejfli që qenkësh, e bënte me solidol dhe nën dritën e diellit shkëlqente. Të gjithë ushtarët e tjerë e kishin ndryshe rrypin e mesit, me tokëz të thjeshtë, kurse ky, bandilli yt sikur bënte vezë të kuqe, me yll në ballë: me atë tokëzën e ndritshme që, kur nuk kishte solidol, e pastronte me pastë dhëmbësh. Dje, kur ndodhi dhe "proçka", paska shkuar në banjo dhe, pasi e ka hequr rrypin, e ka varur në murin e banjos. Kur ngrihet që të marrë rrypin, shikon se rrypi sikur paska bërë këmbë e ka avulluar. Del jashtë me vrap, shikon rreth e përqark dhe asnjë ushtar për be. Vetëm roja,atje në vend roje. Afrohet dhe jo vetëm harron që roja dhe mund të të vrasë nëvendroje, por e sulmon jo vetëm me fjalë, por përleshen turp me trup. Ia merr dhe pushkën dhe, si të thashë, tek maste ta godiste, e theu. Epo tani nuk mbante më ujë pilafi. Siç llogarisja, djali im, e kishte hak si burgun, por dhe më tej: dhe gjyqin ushtarak.
- Komandant,- fola dhimbshëm,- të falnderoj që erdhe, aq më tepër sot, që është ditëfeste. Faji i djalit tim është i lexueshëm dhe kot nuk thonë që atë që të bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia.
Por komandanti jo vetëm ishte një oficer i zoti, por ishte njeri me zemër të madhe. Isha në repart, ia tërhoqa veshët tëtbiri dhe ia bëra një pashë, por e mbyllëm këtë ngjarje që desh u bë krejt tragjike. Tëtbiri le t'i bëhet mësim dhe, pasi më përqafoi, ika andej nga kish ardhur. Unë isha gati që ta merrja në krahë që aty nga turizmi dhe deri atje ku kishte shtëpinë.
Nga ana tjetër, mezi prisja që ta shihja timbir, dhe jo t'ia zgjasja veshët e t'ia bëja tërkuzë, por gati që t'ia prisja e ta lija me shënjë për tërë jetën. Se a kishte shaka kaq të"rënda" si kjo që për një tokëzrrypi, të shkoje si qeni në vresht?
Mbrrita në shtëpi, tash i qetë, dhe dreka kaloi vaj , sikur mos kish ndodhur gjë.
Dhe me komandantin u bëmë miq. Xhëku shkëmbenim ndonjë kafe, sado që ai ishte për mish të pjekur. Por...
* * *
Por qëlloi prapë një "thyerje" pushke. Por këtë radhë "thyerjen" nuk e bëri imbir, por unë. Sado që kjo ishte një"thyerje" e një lloji tjetër, prapë ka lidhje me komandantin.
Gruaja e komandantit, Ferzileti, ishte shefe kuadri në spitalin e Fierit. Imeshoqe punonte në maternitetin e Fierit dhe mua më shpuri puna atje , tek zyra e kuadrit. Nuk e mbaj mend se përse vajta, por, siç gjykoja, kisha të drejtë. Kisha të drejtë unë, por nuk gjykonte kështu ajo e kuadrit dhe unë, tip impulsiv dhe fare i padurueshëm, u përlesha me fjalë me të. Aq e humba pusullën, sa harrova që, në fund të fundit, kjo ishte gruaja e mikut tim. U largova tym nga zyra dhe u betova që, për cilëndo arsye më mos shkelja atje. Në fund të fundit, ç'punë kisha atje, kur fare mirë imeshoqe mund t'i zgjidhte vet punët e saj? Sidoqoftë, ndodhi dhe si ndodhi, i kisha rënë në qafë apo më kish hyrë në hak, as që kishte më rëndësi dhe mikut tim as që do t'ia zija në gojë.
Nuk ia zura unë, por ja që ia paska zënë në gojë vet e shoqja. Po unë as do ta kisha marrë vesh këtë gjë. Por ja se si ndodhi. Isha para maternitetit dhe po prisja timeshoqe, kur ndjeva zërin e Ferziletit që më thërriste. Fillimisht, bëra sikur nuk dëgjova, se unë jam iinatçi dhe nuk harroj kollaj, por Ferzileti ngulmoi dhe unë shkova drejt saj.
- Dëgjo,- më tha,- atë zënien bashkë ia rrëfeva Ëngjëllit dhe a e di seç më tha:- Nuk dua që të dëgjoj fare. Fajin e ke patur ti dhe kërkoj të falur Papit!!! Ndaj,- vazhdoi fisnikja Ferzilet,- më fal! Tani më qenë skuqur që të dy veshët dhe, natyrshëm, u bëmë miq.
* * *
Epilog...
Me kolonelin dhe të shoqen e tij, Ferziletin, jemi takuar tek "Taivani" në Tiranë dhe kemi bërë nga një qerre me muhabet. Ashtu si gjuha vete atje tek dhëmb dhëmbi, edhe ne fjalën e kemi çuar tek fëmijtë. Këta, dy çupa i kanë në Belgjikë dhe një në Kosovë. Edhe dy miqtë e mi, kohën më të gjatë e kalojnë pranë çupave. Mirëpo në Begjikë ndodhi hataja dhe, duke menduar se edhe dy miqtë e mi, me siguri janë atje, po provoj t'u bëj një telefon. Me këtë mendim po kthehesha në shtëpi, po mu tek rruga "Myslim SHyri" pashë një lajmërim vdekjeje. Afrohem dhe mbeta për një çast i ngrirë. Komandanti aq i mirë, Ëngjëll Dervishi, kish ndërruar jetë. Lamërimi thosh se do e nisnin në Vinçan nga dhe ishte. Më mbyti trishtimi dhe, si ngushëllim për këtë KOLONEL NJERI, ky shkrim modest imi.
Lamtumirë, or mik i mirë! Dheu të të jetë i lehtë si pupël,se ti veç që qe një ushtarak i zoti, ishe NJERI me zemër të madhe!

Tiranë, 24 mars 2016

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...