Besoj bashkarisht, gjithë sa jemi të pranishëm,i bashkohemi mendimit që dekada me radhë, sidomos në rininë tonë dhe shumë më vonë, njëra prej shëmbëlltyrave që ndikoi fuqishëm në formimin tonë patriotik , atdhedashës, qe padyshim shëmbëlltyra emblematike e “Heroit të Popullit”Dedë Gjo’ Luli, në personalitetin civil dhe ushtarak të të cilit do të manifestohej impenjimi total deri në pikën e fundit të gjakut në emër të mbrojtjes së trojeve tona dhe të një ardhmërie në liri, në pjesën tonë të diellit, përballë barbarisë sa klasike, sa moderne të pushtuesit osman dhe po aq ndaj sjelljes sa grabitqare, sa asimiluese të kontinentit plak me mbështetje gjithherë nga oreksi aneksues i shovinizmit fqinj . Synimin fisnik të kësaj veprimtarie, organizuar nga shoqata patriotike -atdhetare “Malësia e Madhe”Nderi i Kombit”” me president z.Sytki Ndrecaj, e lexoj si një apel për një reflektim serioz ndaj obligimit që ne kemi për një analizë kritike, bashkëkohore, të personaliteteve, dëshmi dhe aq më shumë faktorë në historinë tonë kombëtare, ndryshe si njëlloj emergjence sui-generis në posthistori, në kontekstin e kontestimeve deri edhe denigrimeve të pamotivuara profesionalisht si njëra nga plagët e tranzicionit tonë të tejzgjatur në mjedisin tonë nga ai i zakonshmi deri tek ai akademik. Ky akt reflektimi vjen si sfidë serioze ndaj asaj filozofie mjerane, që, ndonëse vetëdija jonë e shëndetshme popullore, etike, letrare dhe historike nuk i nxjerr dot nga vetvetja vlerat dinjitoze historike, tek shqiptari i ditëve që po jetojmë, mjerisht ,vërehen deri prirje të dukshme për të injoruar apo denigruar,këtë vetvete, historinë e kombit të tij, sa klasike, sa moderne.Absurditeti i këtij qëndrimi sa tragjik, sa komik manifestohet me denigrimin drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë të figurave serioze, faktorë prehistorikë dhe historikë, që nga epoka iliro-shqiptare, ku shkëlqyen figura të tilla si Agroni, Genti apo Teuta, vijon me epokën e lavdishme antiosmane të “Heroit tonë Kombëtar “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pasurohet me cinizmin injorues ndaj figurave të tilla, si: “Heronjtë e Popullit”: Ismail Qemali, lideri historik i Pavarësisë së Shqipërisë,Luigj Gurakuqi, sekretari dhe njëri nga bashkëluftëtarët më dinjitozë të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, vazhdon me trajtimin abuziv,të politizuar, aspak shkencor dhe mirënjohës, ndaj Fan Nolit, njërit nga kryeministrat shqiptarë dhe evropianë më të kulturuar të kohës, sikurse nuk harrohet në këtë mes hija e heshtjes injoruese dhe denigruese publike ndaj tribunit popullor, Dedë Gjo’Luli dhe mbyllet kjo lloj duhme, nën peshën e kultpragnmatizmit, apo kultpartitizmit karikaturë, sui-generis shqiptar, me denigrimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, aneks fatndritur i Luftës II Botërore, pjesë e Luftës së Koalicionit Antifashist Botëror , fitorja e të cilit është mamia që shoqëroi Lindjen e Epokës së Demokracisë liberale, gjithëpërfshirëse të ditëve tona. Ditën për diell lartësohen politikanë ordinierë me profile të kthjellët diktatorësh. Provoni të vini në lëvizje memorian tuaj dhe do të mësoni se si prirja e baltosjes së vetvetes sonë po kompromenton keqas aspiratën tonë evropiane si komb, aq sa edhe sot në këtë ditë jubile të vrasjes së pabesë të Tribunit popullor të Malësisë, ne na mungon një shtatore e kësaj legjende të qëndresës kundër Perandorisë Osmane, ndryshe e Flamurtarit të parë të Pavarësisë në tërë Shqipërinë Natyrore,Dedë Gjo’Lulit! Do të thoni pse kjo situatë turpi sa lokale, sa kombëtare?!? Më falni,nëse detyrohem të përsëris vetveten:”Dedë Gjo’ Luli dhe familja e tij nuk votojnë në fushatat tona elektorale, sikurse edhe atje ku prehen apo gjallojnë farë e fisi i tij, politikanët shqiptarë kanë frikë ta artikulojnë këtë emër të madh, publikisht, edhe në Ditën e Flamurit, sepse do të mirrnin mbi vete urrejtjen e politikës zyrtare të Podgoricës, ndryshe do të cënonin flamurin e kultpragmatizmit dhe të kultpartitizmit të skajshëm në paturpësinë e tij! Në analogji me këtë, pa patur frikë se po dalë nga tema , do të më lejoni t’u sjell në vemendje se, nëqoftëse në qendër të Shkodrës sonë të vlerave sa historike ,sa kulturore, qeveria turke financoi ngritjen e një monumenti vigan dhe të merituar të Hasan Riza Pashës, vrarë pabesisht nga antishqiptari më i urryer, Esat Pashë Toptani, fare pranë tij, ndryshe as 20 m. larg ngrihet monumenti memec ,që mund të jetë i kujtdo, por jo i atij Fishtës së Madh, i cili me përmasat e vokacionit politik, letrar dhe historik deri në diplomacinë evropiane përmes “ Lahutës së Malcis” i këndoi dhe përjetësoi karaktere të tilla, sa letrare, sa historike, si: Oso Kuka, Dedë Gjo’ Luli, etj. etj.si modelet identitare më autentike, sa shpirtërore, sa filozofike, të vetë Poetit tonë Kombëtar, avokatit të pashoq të mbrojtjes së Çështjes sonë Kombëtare në arenën ndërkombëtare, në Konferencën e Paqes në Paris etj. Jo rastësisht, Prof.Eqerem Çabej eposin e Fishtës “Lahuta e Malcis”, për nga funksioni misionar kombëtar i saj , në kontekstin e emergjencës historike të kombit shqiptar, përballë etjes grabitqare antishqiptare, sa evropiane, sa asaj fqinje ndaj vendit tonë, eposin e Fishtës”Lahuta e Malcis” do ta vlerësonte më të arrirë nga eposi “Histori e Skënderbeut” i Naimit, Poetit tonë Kombëtar. Konkluzioni shkencor i Prof.Çabejt do të rridhte nga fakti se, kur shkroi Naimi , interesi për poemën , apo poezia popullore tek ne, ndryshe nga poezia kroate, serbe apo ajo malazeze me Njegoshin(1813-1851), në shekullun XIX nuk kishte lindur ende, pra nuk pati ndonjë efekt në zgjimin kombëtar. Ajo, më thelbësorja , në këtë konkluzion Çabejin do ta diktonte argumenti shkencor, më kokëfortë: autoriteti maksimal, që kishte fituar në krijimtarinë popullore bëma historike, ndryshe gjithë investimi total , sa personal, sa familjar, i Dedë GJo’ Lulit, këtu kam parasysh kontributin e shkëlqyer veçanarisht të dy djemve:Gjergjit dhe Kolës si dhe Norës, gruas së Kolës, “djalit më të mirë”, sipas Dedës. Qëndresa e tij legjendare u bë simboli më brilant i identitetit tonë, po ashtu i krenarisë të të qenit shqiptar .Vepra e “Heroit të Popullit” Dedë Gjo’ Lulit zuri vend nderi në letërsinë gojore dhe atë të kultivuar, sikurse edhe në atë dokumentare evropiane të kohës, sepse Dedë Gjo’ Luli qe malësori që diti të orientohet drejt dhe të kryejë më së miri detyrën në zonën e vet, në emër të M.Madhe”, -nënvizon studiuesi, akademiku i asociuar Dr.Maringlen Verli(Simpoziumi ”Hoti në rrjedhat e shekujve”, nëntor 2o13).Pas Fishtës me “Lahutën e Malcis”dhe Mjedës me poemin”Liria”, poemat si “Lufta e maleve” e sekretarit dhe bashkëluftëtarit të Dedë Gjo’ Lulit, mësuesit, poetit dhe publicistit Pal Traboini, poezitë e Risto Siliqit si pjesëmarrës dhe dëshmitarë okularë të ngjarjeve historike, si kryengritjet e Malësisë së Madhe në vitet 1911-1912, janë të një rëndësie të veçantë historike, letrare dhe dokumentare. Më 1913, kur planet ogurzeza të Evropës plakë nuk ngopeshin dot me grabitjen e tokave shqiptare, Risto Siliqi, poeti dhe bashkëluftëtari i Dedë Gjo’ Lulit do të shkruante:”
”Ah, prapë duan t’na ndajnë copa,
Prapë mendimi i parë asht’ ngjallë,
Por ta marrë vesh gjithë Evropa,
Dedë Gjo’ Luli prapë është gjallë”.
Ndërsa Pal Traboini, njëri nga flamurtarët e parë në Epopenë e Deçiçit, më 6 prill 1911, përmes vargjeve të goditura në poemën”Lufta e maleve” mishëron apelin e pavarësimit të plotë , pra të çlirimit nga pushtuesi osman, si shprehja më kuptimplote e dinjitetit kombëtar :
“Tue krisë pushka shpat m’shpat,
Një djalë Hoti vjen prej larg,
Pa pikë frymë prej Dalmacisë,
Dedë Gjo’ Luli e ka nisë,
Me pru flamurin e Shqipnisë “.
Media e kohës, gazeta ‘’Ora e maleve “,nr.20 e vitit 1923, do të shprehej:”Emri i Dedë Gjo’ Lulit nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojnë edhe kepat e thepishme të maleve tona , prandaj emri i tij do të vuloset i gdhendur në historinë tonë kombëtare”.Populli do ta qëndiste në vargje sfidën dinjitoze morale të Dedë Gjo’ Lulit , së bashku me 7 mirditorët të cilët do ta shoqëronin në bazë të traditës kanunore: Mark Llesh Doda, Ndue Kolë Pjetri, Zef Ndue Gjoka, Prend Cub Deda, Prend Gjokë Skanaj, Bibë Mark Lula dhe Llesh Deda ,përballë pritës së pabesë dhe makabre, më 24 shtator 1915, në Sheshëz të Oroshit të Mirditës , realizuar nga krimineli serb, kapedan Gjura” (Sipas historianit, Mr.Ndue Oroshi , libri ”Dëshmi kohërash”, fq.37-43. ). Një analizë e thjeshtë rrethanash politike të çon në konkluzioni n se kjo vrasje-kurth vinte nga një kombinim i fshehtë i serbëve me antishqiptarin më të tërbuar të kohës, Esat Pashë Toptanin, kur kujtojmë se,në qershor të këtij viti, 1915-tës, nënshkruhej në Tiranë marrëveshja mes këtij të fundit dhe ministrit serb të luftës, Luba Jovanoviç, në kontekstin e këmbënguljes së vazhdueshme serbe për të siguruar me çdo mjet daljen në detin Adriatik duke marrë Shkodrën, po aq sa njihej edhe vendosmëria e palëkundshme e Dedë Gjo’Lulit, ”pushkë e ngrehur për mbrojtjen e trojeve shqiptare” për ta dështuar me çdo kusht një objektiv të tillë të serbëve. . Në bjeshkë të Oroshit na u derdh zani,
Se ç’ban me ne serbjani,
Si ata trimat kanë rrethue,
Me vargonj na i kanë shtrëngue,
Zana e malit t’jam ankue,
Curril gjaku tue u shkue
Mu në Sheshëz burrit të botës,
Pa iu tremb qerpiku i lotës,
Serbi thikën i ngul në krahnuer
Dedë Gjo’ Luli burrë malcuer,
Po i thotë këto fjalë açik:
“Gjaku em të shkojë fli ,
Për me pshtue të shkretën Shqipni.
Po ashtu gjenerali i poezisë shqipe,Lazgush Poradeci, në poemën”Mbi ta” do të lartësonte madhërishëm virtytet e luftëtarëve të shquar shqiptarë, solidaritetin e tyre të mrekullueshëm në përballjet, aspak të barabarta, numerikisht, me barabarët osmanë dhe lakmitë kobëzeza sllave, mes të cilëve, luftëtarë të këtij kalibri, artikulohet edhe emri i “Heroit të Popullit” Dedë Gjo’ Luli.Nuk mund të mos evidentohet fakti që Dedë Gjo’Luli qe nga të paktët breza luftëtarësh që do të shuheshin, me fare e fis, në emër të lirisë.As bashkëmalësorët e Dedë Gjo’ Lulit nuk rreshtën së nderuari veprën legjendare të tribunit të tyre, këtij personifikimi të maleve shqiptare, vatra të pashuara zjarri kundër hordhive osmane, në kuptimin sa organizativ-vetëmbrojtës, sa ushtarak dhe tokësor të kësaj fjale.Në këtë vështrim në këngët tona, si trevë dhe si Shkodër, shoqëruar nga instrumentë të muzikës popullore apo të kultivuar, ka gjetur veten edhe jehona kushtuar “Heroit të Popullit” Dedë Gjo’ Luli.Kështu, bie fjala, kënga popullore:
“Dedë Gjo’ Luli çoi një letër,
Valiut të Shkodrës ia ka çue,
Se Shqiptari s’do gjë tjeter,
Don veç veten me sundue,
nën interpretimin brilant, veçanarisht të “Artistit të merituar” Bik Ndoja, u përjetue gjithherë si një manifest atdhetarie, ndryshe si himn i dinjitetit tonë historik si shqiptarë, po aq si krenari e ligjshme e të të ndjerit të vetvetes sonë, si pasardhës të bijëve të tillë si Dedë Gjo’ Luli.Në këtë sens vlen të kujtohen edhe kontributet, sado të vona, të krijuesve apo hulumtuesve shkodranë apo malësorë si: Prof.dr.Mahir Hoti, anëtar i Seminarit shkencor ndërkombëtar”Shkodra në shekuj” dhe Prof.as.dr Romeo Gurakuqi me studimet dhe kumtesat e mbajtura herëpashere në simpoziumet shkencore kushtuar kësaj figure të ndritur historike, Nikolla Spathari, shkrimtar, me poemën” Flamurtarët e Deçiçit”, revisata periodike”Fjala” me pronar dhe drejtor poetin Gëzim Vuçaj, publicistika historike e zotërinjëve Ndue Bacaj, Nikë Bujaj dhe Gjokë Luli, krijimtaria folklorike e poetit popullor Palokë Luni, kontributi folklorik i rapsodëve të talentuar Jonuz Delaj dhe Rrok Gjelaj, kryetar I shoqatës kulturore”Si e muar emrin Malësia?”, tekstet dhe interpretimet e këtij profili të këngëtarëve të talentuar Lindon Camaj, Nikollë Nikëprelaj, investimi publicistik dhe eseistik i intelektualit Kadri Ujkaj, anëtar I Seminarit shkencor ndërkombëtar ”Shkodra në shekuj”, librat “ Malësia e Madhe dhe fiset e saj” me autor Prof.Lulash N.Palushaj, si dhe libri i dytë, “Malësia e Madhe” , i shoqëruar me Albumin-foto-montazh, ” Amaneti i tokës dhe shpirti i të parëve” me autor studiuesin Sokol P.Lulgjuraj, shkrimet e Gjergj Nikëprelaj, revistat “Kuvendi” dhe, veçmas, “Ëndrrat shqiptare”në Michigam, SHBA-ës, me pronar dhe drejtor të saj publicistin dhe intelektualin kelmendas z.Rush Dragu. Shumë interesant vjen në këtë drejtim vëmendja e studiuesve të huaj ndaj vlerave identitare të Malësisë së Madhe duke marrë spunto nga vepra historiko-legjendare e tribunit të Malësisë, Dedë Gjo’ Luli: Kështu Prof.gjerman, Dr.Ferdinand Huepe, do të theksonte:”Vetëm në malet shqiptare u zmbraps furia sllave”, kurse francezi Ciprion Robert do të nënvizonte:”Malësitë janë nervi kryesor i Shqipërisë”, ndërsa admiruesja e mirënjohur botërisht e shqiptarëve, Dora D’Istra do të pohonte:”Në Malësitë e Veriut ka gjetur strehë shpirti i Pavarësisë së Shqipërisë”.Njëherish historianët e shquar perëndimorë, Hamilton Greb dhe Heny Bowen e kanë vlerësuar Hotin si mal qëndrese, i cili do të njihej botërisht si mal i parë, në atë trevë, nisur nga fakti ,se aty lindi, u rrit dhe u burrërue Dedë Gjo’ Luli”, beja më e madhe e të cilit ishte”Mundi dhe gjaku i Skënderbeut”. “Sipas albanologëve të huaj Dedë Gjo’ Luli , referuar sukseseve të tij usharake, krahasohej me gjeneralë të shkolluar evropianë, po aq sa i sfidonte, në këtë aspekt, gjeneralët turq. Jo rastësisht , Kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit( 1878-1881) do ta zgjidhte Dedën komandant i forcave ushtarake të Malësisë dhe zëvëndëskomanadant i përgjithshëm për Shkodrën. Matematika e përballjes legjendare të Dedë Gjo’ Lulit me forcat ushtarake turke, në rapot 1:8, të komanduara nga gjenerali Turgut Pasha, është algjebrika më misterioze e suksesit të Dedë Gjo’Lulit si strateg ushtarak popullor përballë një gjenerali, me autoritet dhe shkollim të kompletuar akademik, si Turgut Pasha. Për kuriozitet të dëgjuesit dhe të lexuesit le të kujtojmë se “përballë 3280 forcave ushtarake, që numëronte Dedë Gjo’ Luli, prej të cilëve 380 ishin grudas, 900 hotianë, 100 nga diaspora, 500 kastratas dhe shkrelas, 500 shaljanë në jug dhe 900 kelmendas në veri përballë ushtrisë së Turgut Pashës me 11000 këmbësorë, 8 mitrolozë të rëndë, 8 topa malorë, me detyrë të bllokojnë daljen e malësorëve në Mal të Zi, të pushtojnë Deçiçin dhe të marrshojnë drejt Rapshës.Në Koplik, po ashtu, numëronte 11000 këmbësorë, 4 mitrolozë të rëndë, 8 topa malorë, me detyrë të mos lejojnë ndihmën nga Dukagjini, kurse në të djathtë të pushtojnë Kastratin dhe Shkrelin dhe të dalin në Rapshë.Sikurse nga veriu pozicionohet, fillimisht, kundër malësorëve me 500 këmbësorë, 8 mitrolozë të rëndë, 12 topa malorë. Pra, në total, përballë 3280 trupave ushtarake, modeste nga sasia dhe aq më shumë cilësia e armatimit, të Dedë Gjo’ Lulit, me shkollën ushtarake të maleve, ishin vendosur 27000 trupat ushtarake , 20 mitrolozë të rëndë dhe 27 topa malorë të Turgut Pashës me dy akademi ushtarake, të kryera njërën në Stamboll, tjetrën në Gjermani.Megjithatë pushtuesi turk , nuk arriti t’i sigurojë tjetër avantazh vetes, veç disfatës së turpshme të Turgut Pashës përballë qëndresës legjendare të forcave luftarake të Dedë Gjo’Lulit, aq sa Porta e Lartë detyrohet ta shkarkojë si gjeneral dhe ta largojë nga Shqipëria Turgut Pashën, e shnderuar botërisht përballë gjeneralit legjendar të maleve tona, “Heroit të Popullit” Dedë Gjo’ Luli”(Pal Doçi”Simpoziumi shkencor kushtuar 85-vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe, më 13.04.1966). Le të jetë, të nderuar pjesëmarrës, edhe ky simpozium shkencor, organizuar në “100-vjetorin e ndarjes nga jeta të tribunit popullor, Dedë Gjo’ Luli, një tjetër investim serioz, në funksion të nderimit, evokimit dhe të prehjes, larg çdo folkorizmi, krenare dhe të pakontenstueshme, në Panteonin e Kombit, të “Heroit të Popullit” Dedë Gjo’Luli, ndryshe një obligim nga më fisnikët përballë zbehjes aktuale, mjerane, të vlerësimit të historisë sonë sa lokale, sa kombëtare, në të cilën “Heroi i Popullit” Dedë Gjo’Luli, do të rrezatojë në shekuj lavdinë dhe përjetësinë e dinjitetit tonë, sa kombëtar, sa civil, si njëri nga popujt më të lashtë të Evropës.