Bisede me Tenorin Saimir Pirgu




Bisedë me tenorin me famë botërore Saimir Pirgu



Intervistoi: Mimoza Dajçi




Prill 2016, New York



http://www.zeriamerikes.com/media/video/3274916.html

Tenori Saimir Pirgu dhe violinistja Merlin Tushe

Me Saimirin u takuam në hollin e hotelit ku ishte akomoduar, jo larg “Kaufman Music Center” ku do të mbante edhe koncertin e tij recital. Ishte i saktë, erdhi në kohë. U përshëndet me ne. Veshur me xhinse e kapele sportive, dhe me mënyrën e thjeshtë të komunikimit, bënte të harroje për pak çaste që përballë kishe këngëtarin operistik me famë botërore. Me vajzën time Merlinin kishin studjuar bashkë në Liceun Artistik – Tiranë. Së bashku folën rreth muzikës, miqve të përbashkët e më pas unë i drejtova disa pyetje për intervistë.

M.D - Përshëndetje Saimir, e mirë se u takuam në New York!


S.P - Eshtë kënaqësi edhe për mua.

M.D - Ju vini këtu pas disa koncerteve të suksesshëm nëpër Europë e botë, po pas New York-ut cila është ndalesa juaj operistike?


S.P - Ndalesa tjetër do të jetë në Chicago, ku do të interpretoj operan “Falstaff” të dirizhuar nga Maestro Riccardo Muti, shoqëruar nga “Chicago Symphony”. Sapo kam ardhur nga Moska ku interpretova në Teatrin “Bolshoi”. Sot jam në New York për mbylljen e turneut tim botëror “Il mio canto” që mban titullin albumit tim të cilin jam edhe duke promovuar në nivel internacional. Në këtë turne u përfshinë 9 performanca si në Tokyo, Tiranë, Firenze, Opera e Vienës, Opera e Berlinit, Teatri Châtelet i Parisit. Janë nga qytetet më kryesore, ku unë kam pasur sukses vitet e fundit dhe kam një publik që më ndjek rregullisht. 


ms2
M.D - Si ka qenë pjesëmarrja e shqiptarëve gjatë turneut tuaj?


S.P - Në Tokyo, përveç përfaqësisë diplomatike, mesa di unë nuk ka shumë shqiptarë. Prezent në koncertin tim ishte vetëm ambasada jonë. Kam takuar shqiptarë në Vienë, se ka më tepër popullsi shqiptare, shumë pak shqiptarë në Berlin, por kam përshtypjen se në New York është pjesa dërrmuese e diasporës tonë, të cilët përbëjnë një numër të madh si ndjekës të koncerteve të mia.
Kam një publik internacional që më ndjek prej 12 vitesh, ku unë kam kënduar në Operan “Metropolitan” në Manhattan e në Teatrin “La Scala” në Itali, por çfarë më bën përshtypje është se prezenca e shqiptarëve është e pranishme, pavarësisht faktit që repertori im nuk përmban vepra shqiptare në përgjithësi.

M.D - Sa e rëndësishme është për ju muzika lirike - operistike dhe kur filluat të merreshit me tingujt e saj të parë?


S. P - Muzika operistike është jeta ime. Sfida është tek ajo ç’ka ti do të sjellësh të re tek një vepër klasike e kompozuar 100 apo 200 vite më parë, dhe kjo është gjëja më e vështirë. Mënyra se si ti do ta interpretosh përpara publikut bën diferencën midis teje dhe qindra të tjerëve që e këndojnë. Të kënduarit për mua nuk është punë, është diçka hyjnore.

M.D – Në fëmijërinë tuaj keni studiuar për violinë. Kur i keni rënë për herë të
fundit instrumentit tuaj të dashur?


S.P – Hera e më e fundit kur unë kam luajtur në violinë ka qenë me nipin tim, me rastin e vitit të ri që lamë pas. Ai është gati 4 vjeç. Improvizuam një koncert dhome për familjen. Ai dirizhonte e i binte pianos. Unë këndoja dhe më pas i rashë violinës.

M.D - Në çfarë moshe morët leksionet e para në violinë?


S.P - Në klasën e parë të shkollës fillore.

M.D - Pse ndryshuat drejtim nga instrumentist violine në këngëtar i muzikë operistike. Kush e dëshiroi i pari këtë zhanër tek ju, ju vetë, prindërit apo ndonjë pedagog i
juaji?


S.P – Në retrospektivë, nuk e shikoja veten në një nivel të lartë si violinist. Endrra e bukur e të kënduarit filloi me koncertin e tri tenorëve Plácido Domingo, José Carreras dhe Luciano Pavarotti në televizor kur isha ende fëmijë, derisa mori përmasa që as në ëndërr nuk do t’i kisha menduar. Nganjëherë e lexoj curriculumin tim dhe habitem me arritjet e mia.

M.D - A është e vërtetë se Pavarotti është ai që zbuloi tek ju talentin e rallë me famë botërore?


S.P - Ajo ç’ka më dha pa masë Maestro Pavarotti ishin leksionet si dhe më mësoi të mos kënaqesha me pak e me arritjet e vogla në jetë. Në këtë aspekt kam qenë shumë me fat. Shikon një koncert në vitin 1995, ku tre tenorët këndojnë, dhe jeta e sjell që me njërin (Pavarottin) studjon e bëhet pjesë e jetës tënde deri sa u nda nga jeta, ndërsa me tjetrin (Domingon) këndon së bashku në Operan “Metropolitan”.

M. D - Nga kush e trashëgoni artin e bukur të muzikës, violinës e kantos?


S.P - Asnjë nga prindërit e mi nuk është muzikant, por janë dashamirës të artit. Gjithsesi nuk më kanë shtyrë me ngulm në këtë drejtim.

M.D – Për arritjet e sukseset tuaja jeni fitues i disa Çmimeve të mëdha nëpër botë, e tani së fundi Bashkia Tiranë ju dekoroi me Çmimin e Lartë "Çelësi i Qytetit". Ç’do të
thotë kjo për ju?


S.P – Eshtë e vërtetë se jam fitues i disa çmimeve nëpër botë, por asgjë nuk arrihet pa sakrificë e përpjekje intensive. Ftesa nga Bashkia e Tiranës ishte e çiltër, e sinqertë. Pati shumë kërkesa për bileta nga publiku. Vura re se kishin dëshirë për të më ndjekur live, pasi kishin kaluar shumë vite që nga hera e fundit që kisha mbajtur koncert atje. Herës tjetër duhet të organizoj një koncert 2-3 netësh për të kënaqur bashkëkombasit e mi artdashës.

M.D – Në karakterin tuaj gjithashtu spikat edhe humanizmi. Së fundi fitimet e koncertit që mbajtët në Tiranë i dërguat për fëmijët e sëmurë.


S.P – Po ashtu ka ndodhur. Ishte dëshira ime që fondet e atij koncerti t’i adresoja për fëmijët e pediatrisë. Menduam që t’i jepeshin fëmijëve në nevojë, të cilët kanë sëmundje terminale dhe janë në fazat e fundit të jetës. Me kërkesën time, kjo iniciativë nuk u bë publike, për vetë faktin se i shërbente një kauze bamirësie që nuk ka nevojë për reklamë.

M.D – Një gjë që i bëri përshtypje artdashësve të muzikës klasike, ishte çmimi i arsyeshëm që vendoset për shitjen e biletave.


S.P - E kam bërë me dëshirë që t’i vendos çmimet e biletave me 30 dollarë, në mënyrë që t’i jap mundësi më shumë njerëzve të vijnë. Pasi jemi në kohëra të vështira e njerëzit vuajnë ekonomikisht. Kur jam në “Metropolitan” sigurisht që vendosja e çmimeve të biletave nuk varet nga unë, por ky është recitali im.

M.D – Faleminderit Saimir e suksese të mëtejshme!


S.P – Faleminderit edhe juve!

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)