2016-04-15

NJË NGA IDEALISTËT E PËRKUSHTUAR TË ÇËSHTJES ÇAME


Homazh për Dinen, Nuredin Isufin


Image result for Albert HABAZAJ


Nga Albert HABAZAJ


Një premte mbasdite më vjen tek puna  Skënder Beqiri, miku im i vjetër dhe i gjithë vlonjatëve e labëve, që e kam quajtur Marubi i ri i Çamërisë, i Vlorës dhe Shqiptarisë. Si lastar vinte. I thatë duket ai zotni burrë, por i thantë. Qëlluar nga erërat e kohës, plaku 87 vjeçar, por i ri, i përvëluar dhe mallpashuar për çështjen kombëtare. Si pak herë, e pashë lot në sy. Nuk i dridhej buza, por i dridhej fjala. Pas tungjatjetimit, më kërkon ta shoqëroj dhe të pijmë një kafe te “Kësulkuqja”, si i themi ne, vlonjatët, lokalit simpatik të Ceno Gjikës. Duke mbyllur derën, e pyes me merak: Ç’hall ke more Këno vëllai, se të kam mik e më shqetëson  pamja jote e vuajtshme? - e pyes. - Eja, pa  të llafos u’ - ma preu dhe dolëm . Zbresim pa folur dhe ulemi në një kënd të qetë të lokalit tonë. Porosita dy ekspres e dy raki. Më pa xixë në sy. Dy liqenë me lot kishte në sy, po unë s’ia pashë. E mbajti veten. Të mos më lëndonte. - Lem’, o Bert, se jam hidhëruar, - nisi bisedën. Na la dhe Nuredini.  - Kush Nuredin, more Këno?!- s’po orientohesha unë. Nuredin Isufi, i Dinejve me histori. Një nga pesë të përkushtuarit e Çështjes kombëtare, që ke shkruar dhe ti te “Telegrafi” e te “Dielli” sa e sa herë. Dinua… Erdhën kafet. E ngushëllova. I fola me respekt për pesëshen e pandarë çame për çështjen kombëtare, që qenë model në Vlorë qysh nga fillimet e viteve ’50 të shekullit XX, që lamë pas: … - Mbaheni mend në qytet ju, të pesë, pesëshja e famshme, siç quhej: Ibrahim Banushi, Nuredin (Dino) Isufi, ti, Skënder Beqiri, Servet Iljazi dhe Fadil Zeqiri, se u bëtë flakadanë të Çëshjes çame me trimëri qytetare. Nuredin Isufi mbahet mend si vullnetar në Brigadat e Rinisë Shqiptare për rindërtimin dhe ringritjen e Shqipërisë, shkatërrruar nga Lufta e Dytë Botërore. Ka qenë vullnetar në ndërtimin e rrugëve në veri të vendit dhe në hekurudhën Durrës - Peqin, Durrës - Tiranë. Në vitin 1948, emërohet nëpunës i Gjendjes Civile në qytetin dhe në rrethin e Vlorës dhe shef i këtij sektori të rëndësishëm, ku punoi me ndershmëri e përgjegjesi, vërtet si ai, kur thonë. Gjithë koha 50 vjeçare, që kaloi ka shënimet e tij të sakta e korrekte, fakt që ka evidentuar punën e tij të mirë dhe të dobishme në qytetin dhe në rrethin e Vlorës. Gjurmët e tij duken. Edhe sot lavdërohet puna e tij me regjistrat e Gjendjes Civile  jo të shkruara, por të qëndisura nga duart e Dinos. Ky volum pune i duhur, i mirë dhe i dobishëm është i verifikueshëm, sepse regjistrat që ka plotësuar Dinua janë edhe sot në përdorim të përditshëm. Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor (në vitin 1978). Dinua e arriti moshën e bardhë të pleqërisë, o Këno! 89 vjeç… I paharruar i qoftë kujtimi Dinos, t’i rrojnë ç’ka lënë pas e ta kujtojnë!- e mbylla fjalën e kujtesës vetiake.  E mblodhi veten. Vijoi rrëfimin:-Erdha tek ti, se e kam shumë të vështirë që të hedh në letërdy fjalë nderimi e kujtimi për shokun, bashkëpunëtorin tim prej 70 vjetësh në Vlorën e Ismail Qemalit. Tok me Ibrahim Banushin, Servet Iljazin, Fadil Zeqirin e Nuredin Isufin, kemi ardhur nga trojet e të parëve tanë, kah Çamëria në vitin 1944, të përzënë nga terrori shovinist grek. Vetëm unë rroj nga ata. Ata nuk jetojnë më fizikisht, porse puna patriotike prej, jo pak por, 70 vjetësh në Vlorë ka lënë gjurmë të pashliera në kujtesën  e popullit çam e atij vlonjat. Nuredin Isufi u lind në Arpicë të Çamërisë më 1 janar 1926 dhe u nda  nga jeta në Vlorë, më 11 mars 2015. Në vendlindje mbaroi shkollën 7 vjeçare shkëlqyeshëm (në gjuhën greke). U rrit i edukuar me ndjenjat atdhetare të të parëve. Gjatë Luftës, u burgos e u internua nga shovenët grekë për pikëpamje patriotike në shërbim të çështjes kombëtare, të asaj që kërkonin të gjithë çamët - bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë. Luftoi me armë në dorë si gjithë bashkëkrahinarët e tij, deri në gusht 1944, kohë, në të cilën popullata çame u shpërngul e u përzu me dhunë nga trojet e veta për në Shqipërinë, këtu…S’kishte si të ndodhte ndryshe, me një komb 8 milionë banorë, ku 30 mijë frimë shqiptarë kah Çamëria morën rrugët si muhaxhirë. Me ta dhe Dinia. U vendos famijarisht në Vlorë, ku krijoi familje të shkëlqyer. La 3 djem e 3 vajza, të cilët jetojnë e punojnë në Vlorë. Mbi të gjitha, la emër. Ai ka gëzuar respekt jo vetëm nga komuniteti çam, por edhe nga vlonjatët jo më pak. Qe respekt i krijuar në marrëdhëniet e punës në kontakt me qytetarët. Në kohën e demokracisë, Nuredini përkrahu proceset demokratike. Mori pjesë në themelimin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, ku dha kontribut të veçantë në organizimin e aktiviteteve dhe mbarëvajtjen e punëve në shoqatë. Gjithashtu një ndihmesë të kualifikuar dha në krijimin e Ansamblit “Çamëria”, në gjurmimin, gjetjen e prurjet me këngë e valle burimore të krahinës së Çamërisë, në përcaktimin e melodive sipas tabanit kombëtar të krahinës, dëgjuar nga të parët e tij të folkorit. Nuredin Isufit nuk i rrihej pa e parë Çamërinë. U nis me traget nga Italia. Pa dokumenta. Si refugjatët e tjerë. Vajti në Çamëri. E pa me sy Arpicën e tij të bukur, fshatin e dashur ku i bë koka “dënk”. Bëri shumë fotografi. Edhe këtë fotografi që zgjodhe ti për gazetën, atje e ka bërë, në Arpicë, në anë të detit. Duket shumë i prekur Dinia. Kujton ne, shoqërinë e moshës, kur bëheshim tok e laheshim në Detin Jon të Çamërisë... Kishte shpirt shumë të pastër. Ishte shumë patriot, por s’donte të dukej. Kështu flasin të gjithë ata që e njohin, çamër e vlonjatë. Shoqëria jonë, sidomos pesëshja, që ti, Berti e ke njohur mirë ka qenë për 70 vjet kompakte, shumë besnike, idealiste dhe e palëkundur. Kjo shoqëri qe jetëgjatë se nuk takoheshim për interesa personale, por se kishim shoqëri të sinqertë, kuvendonim për gjërat që na bashkonin, si Çamëria, interesi kombëtar, Çështja e madhe...Të të flas për Nuredinin duhen ditë e net të gjata, që ti të shkruash volume të tëra. Kujtoj aksionet e Rinisë mbas Çlirimit të Shqipërisë për Rindërtimin e vendit, që ishte shkatëruuar nga Lufta e Dytë. Kujtoj hapjen e rrugës Kukës-Peshkopi, ku u radhitën në brigade vullnetare gjithë rinia shqiptare, me një optimizëm e mobilizim të paparë, me një vullnet e disiplinë shembullore. Atje, në ballë të aksionit ishin edhe Ibrahim Banushi, Servet Iljazi, Nuredin Isufi e shumë të tjerë nga çamët e Vlorës, tok me të rinjtë vlonjatë, që ishin aq entuziastë e sedërtarë e u radhitën në krye të Brigadës Vullnetare. Për kontributin e dhënë atje, dhe për pjesëmarrje në shumë aksione të tjera më vonë, u dekoruan me medalje pune nga Kuvendi Popullor. Gazeta “Bashkimi” e datës 20 Maj 1946 ka shkruar për BRIGADËN E Vlorës dhe ka përmendur, midis  emrave të atyre që janë dekoruar për shembullin e dalluar në aksionet kombëtare të rinisë, edhe emrin e të ndjerit tonë Nuredin Isufi… Të gjithë jemi të dënuar me vdekje - e mbyll bisedën Skënderi- por mua, personalisht më goditi më shumë. Më këtë moshë më iku Resmia ime, me lot të brengosur. Më prishi punë. por unë do të mbahem dhe për të. Balta e varrit iu bëftë pikë mjalti. Kam djalin, vajzat, nipër e mbesa. Plot. Kam ju. Por…Nga pesëshja jonë e famshme, nga shoqëria jonë, vetëm unë jetoj akoma… Më iku Ibrahim Banushi. Më iku Servet Iljazi. Më iku Fadil Zeqiri, atdhetari dhe shkrimtari, që ti me të drejtë e ke cilësuar zgalemi i Vlorës, një penë e një pemë e petriti i Çamërisë, një petrit i letrave shqipe. Tani,së fundmi, më iku edhe Dinia, Nuredin Isufi, që do të ngelet në kujtesën e bashkëkombasve të tij si një njeri shumë i drejtë, punëtor i rrallë, i përkushtuar e atdhetar i mirë. Do të kujtohet sidomos për karakterin e tij besnik.

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...