Nga Dr. Holta Heba
Gjuha, si mjet i rëndësishëm në komunikim është edhe një përfaqësuese, apo identifikuese e formimit të gjithsecilit nga ne.
Sa e rëndësishme është të përdorim një gjuhë të pastër në komunikim?
Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e saj, në kontekste dhe situata të ndryshme. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Një gjuhë e keqpërdorur na shpie drejt keqkuptimesh dhe moskuptimesh, të cilat nuk do të na sillnin asnjë komunikim të realizuar. Është e ditur se në kontekste të ndryshme, ne nuk përdorim të njëjtën formë gjuhësore. Çdo gjë varet nga bashkëbiseduesi që kemi përballë. Për shembull, në komunikimin me fëmijët ne nuk përdorim të njëjtën gjuhë si me të rriturit. Sigurisht komunikimi me fëmijët kërkon fjalë dhe fjali të thjeshta. Megjithatë, edhe në disa raste në komunikimin mes njerëzve të rritur dhe të mirëformuar për nga ana kulturore dhe gjuhësore, ndodh që vështirësia në kuptimin e asaj që thuhet bëhet shumë e madhe. Një fenomen që vështirëson komunikimin mes dy individësh të së njëjtës kulturë dhe gjuhë, është dhe përdorimi i fjalëve të huaja gjatë bisedës, intervistës apo fjalimit. Shkalla e vështirësisë për të kuptuar bëhet edhe më e madhe, kur flitet për një publik masiv. Disa individë të mirënjohur nga publiku shqiptar, përdorin shumë fjalë të huaja gjatë bisedave, intervistave apo referimeve të tyre në publik. Përdorimi i fjalëve të huaja nuk sjell vetëm rrezikun e moskuptimit të asaj që thuhet për audiencën, por edhe rrezikun për t’u dukur shumë shëmtuar si pasojë e një përdorimi të gjuhës jo të saktë.
Si ndodh kjo?
Jemi të vetëdijshëm se shumë fjalë të huaja kanë hyrë në fjalorin tonë të përditshëm. Kjo për arsye se shumë elemente dhe fenomene të huaja, që nuk u përkasin traditave dhe origjinës sonë, vijnë bashkë me emërtimin përkatës. Fenomeni apo elementi i huaj futet në kulturën tonë bashkë me emërtimin. Në shumë raste, arrin të gjendet emërtimi i përshtatshëm nga gjuha burim në gjuhën e shënjuar, por në raste të tjera, edhe pse gjendet ekuivalenca e duhur, fatkeqësisht nuk përdoret.
Le të përmendim disa raste të përdorimit të fjalëve të huaja nga disa VIP-a, politikanë, biznesmenë, apo drejtues të lartë institucionesh publikë apo privatë, të cilët në të folurin e tyre në media përdorin fjalë të huaja. Janë të shumta arsyet pse e bëjnë këtë gjë, por një nga më thelbësoret është që ata të duken “gjoja” më modernë apo më të kohës. Në fakt, nuk është ashtu. E vërteta është se mospërdorimi i një gjuhe të pastër shqipe në komunikim të ngushtë apo masiv, nuk e bën më të famshëm apo më të ditur një drejtues.
Për fat të keq, teksa dëgjojmë gjuhën që përdorin shumë individë të mirënjohur shqiptarë, nuk mund të rri pa reaguar për një gjuhë të pastër shqipe. Sigurisht që nuk mund të hidhen poshtë vitet e shkollimit të tyre në shumë vende perëndimore prej nga mund ta kenë prejardhjen edhe shumë fjalë të huaja të përdorura në fjalorin e tyre, por megjithatë, përpjekja për të përdorur një gjuhë të mirëfilltë shqipe nuk duhet të jetë pengesë në komunikim. Një e folur e qartë me fjalë të përzgjedhura të gjuhës shqipe, do të sillte një komunikim shumë të arrirë dhe një mesazh të përcjellë saktë. Në fund të fundit, çdonjëri nga ne do të dukej edhe më interesant për publikun e gjerë ose jo, nëse në një komunikim në gjuhën shqipe gjenden fjalët e duhura po në shqip.
Disa shembuj të përdorimit të fjalëve të huaja në media të disa personave publikë dhe zëvendësimi i tyre.
synon të mbajë up standardin = synon të mbajë lart standardin
ky projekt do të implementohet = ky projekt do të zbatohet
një kooperim i frytshëm = një bashkëpunim i frytshëm
distributori në Shqipëri = shpërndarësi në Shqipëri
ishte full me njerëz = ishte plot me njerëz
ilaçet do të jenë free = ilaçet do të jenë falas
shumë nice = shumë e këndshme
transmetim live = transmetim i drejtpërdrejtë
Shembuj të tillë të ngjashëm mund të gjenden pafund, teksa dëgjojmë përdorimin pa kriter të fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, në bisedat, intervistat, apo referimet mediatike të njerëzve publikë në Shqipëri. Ndërfutja e fjalëve të huaja nuk e bën individin të duket më i formuar apo më afër me botën. Përkundrazi, ndihet një lloj shëmtimi në të folur, si dhe mesazhi nuk vjen aspak i qartë dhe sipas standardit të gjuhës shqipe, sidomos në rastet e audiencave të gjëra publike.
Fol shqip, që të kuptohesh. Fol shqip, që të dukesh bukur. Fol shqip, që të pranohesh.
*Universiteti Europian i Tiranës