Nga Julian Zyla
“Cinco de Mayo” (shqip: 5 Maj) është një festë në Meksikë. Festohet gjerësisht edhe në Shtetet e Bashkuara, nga meksikanët dhe jo vetëm. Këtë vit u shënua edhe nga Donald Trump. Ai publikoi një foto në media sociale, duke ngrënë ushqim meksikan dhe duke deklaruar: “Unë i dashuroj hispanikët”.
Vetëm pak muaj më parë, në fjalimin hapës të fushatës së tij për president, mes ofendimesh të tjera për hispanikët, ai ishte shprehur se “meksikanët… janë përdhunues”. Të kuptohemi, të pozosh me ushqim tradicional meksikan në atë që në SHBA shihet si dita për të nderuar kulturën dhe trashëgiminë hispanike është thjesht një tjetër lloj ofendimi, por ajo që ka rëndësi është sinjali që Trump po jep. Tashmë, kur pritet vetëm zyrtarizimi i triumfit të tij brenda Partisë Republikane, ai është gati të ndryshojë rrënjësisht mesazhin e tij politik.
Deri tani ai u ka thënë kundërshtarëve republikanë ato që nuk donin të dëgjonin dhe elektoratit republikan gjithçka që donte të dëgjonte. Tashmë, është gati t’i thotë demokrates Hillary Clinton gjithçka që nuk do të donte të dëgjonte dhe elektoratit amerikan gjithçka që dëshiron të dëgjojë. Aftësitë në komunikim tashmë i ka treguar. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh se sa shumë është kritikuar, është thuajse e pamundur që ndaj tij të ngjisë kritika: “Trump po ndryshon qëndrim. Ja çfarë ka thënë më parë”. Atëherë, a mund të humbë Trump?
Akuza për ndryshim të qëndrimeve politike ishte një nga thembrat e Akilit e z. Mitt Romney, kandidati republikan që humbi zgjedhjet ndaj Presidentit Obama në vitin 2012. Por me z. Trump kemi një tjetër nivel të populizmit. Mund ta quajmë trumpulizëm. Ky fenomen dhe ky kandidat është kritikuar e dënuar me deklarata të forta nga njerëz publikë jo vetëm brenda Amerikës, por edhe nga përtej oqeaneve. Duket qartë se do të jetë dhe një nga misionet strategjike të zonjës Clinton në këto zgjedhje. Por a përkthehen kritikat ndaj Trump në fitore ndaj tij? Mund të pyesim për këtë rreth 16 ish-kundërshtarët e tij republikanë.
Sondazhet janë krejtësisht kundër mundësisë së një fitoreje të Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme. Por, a nuk është herët për t’u dhënë rëndësi këtyre numrave? Partia e tij sapo ka nisur të shprehë mbështetjen ndaj tij. Dhe mesazhi i tij trumpulist ende nuk i është drejtuar mirë elektoratit të gjerë. Kur kjo të ndodhë, a do të mjaftojë për ta ndalur t’iu kujtohet njerëzve se çfarë ka thënë më parë? “Edhe Hillary po thotë gjëra të ndryshme nga çfarë ka thënë më parë,” do të mund të jetë një nga përgjigjet e tij.
“Unë i respektoj gratë në maksimum. I dua shumë hispanikët. Le ta bëjmë Amerikën të madhërishme sërish, të gjithë së bashku”, mund të jenë disa mesazhe të tjera. A mund të humbë Trump nëse këmbëngul me fjali të tilla?
Sigurisht, kemi faktin që shumë amerikanë thonë në sondazhe se do të preferonin disa lloje sëmundjesh më shumë sesa Trumpin president. Por ata kanë vetëm nga një votë në dispozicion. Shumë të tjerë nuk e ndjekin nga afër politikën. Madje, shumë njerëz, mund të mos e kenë ndjekur fare fushatën deri tani. Këta janë publiku i radhës i trumpulizmit.
Strategjia e Donald Trump në zgjedhjet paraprake ishte brilante. Ekstremizmi ishte e vetmja hapësirë për të dhe ai u fut, duke nxjerrë gjithë të tjerët nga pishina. E dinte që, për të bërë lajm, duhet të ofendonte emigrantët. E bëri. E dinte që, për të bërë lajm, duhet të sulmonte kundërshtarët. E bëri, me suksesin si rezultat.
Tashmë, Trump e di që duhet të ndryshojë përmbajtjen e mesazhit. Po nis ta bëjë, duke ngrënë ushqim meksikan, ose të paktën duke pozuar me ushqim meksikan. Duke thënë se i respekton shumë gratë. Duke thënë se i do hispanikët. E mbani mend që ka thënë se “meksikanët… janë përdhunues”? Për një moment e harruam, apo jo? Kështu mund ta harrojnë, ose mund ta falin, dhe ata që do të vendosin të votojnë për kandidatin e Partisë Republikane në zgjedhjet e radhës në Shtetet e Bashkuara. Pra, siç kuptohet, pyetja nuk është a mund të fitojë Trump.