Nga Fatime Mënalla
Kur ke dashuri për “germat” e gjuhës tënde, nuk është e rëndësishme largësia që të ndanë prej tyre…Jo shpesh ndodh që në një qytet tjetër, në një vend tjetër në atdheun tënd të mblidhesh e të diskutosh për vargjet, për poezinë. Pak ditë më parë në qytetin e Selanik u zhvillua një mbrëmje letrare, ku në fokus ishte promovim i letërsisë shqipe që jeton e zhvillohet në këtë qytet.
Pritshmëria i kalojë kufijtë, lexuesit shqiptarë dëshmuan se dashuria për librin vijon të jetë prezente në jetën e tyre, edhe pse jetojnë në një vend ku nuk flitet shqip. Ky eveniment tregoi se dashuria e popullit shqiptar për librin është e madhe, e kjo vërtetohet nga krijimtaria që rritet e zhvillohet në emigracion. Organizata “Jeta” së bashku me lidhjen e shkrimtarëve “Dega e Blertë” në Selanik, improvizoi pak ditë më parë një “shtëpizë” libri, ku mes atdhetareve u promovuan dy libra që e kanë parë dritën e botimit pak kohë më parë. Bëhet fjalë për vëllimin me poezi “Nesër do të jemi më të mirë” të autorit Dhimitër Nica dhe “Ju ruajta për gëzimin e zemrës sime” të autores Kristina Demiri Dojce. Në “shtëpizën” e librit nuk munguan edhe komentet për poezinë, por jo vetëm.
Sakaq, në mbrëmje nuk munguan edhe pjesë të lexuara nga krijimtaria e tre autorëve të tjerë si: Anila Rezhda, autore e librit me tregime “Prekja”, Mimoza Berisha autore e vëllimit me poezi “Fli të bëhet natë”, Petros Kume me librin “Ti, që quhesh grua”.
Veprimtaria letrare
Mimoza Berisha është një vajzë e re që dëshmon se penda e tutuar nga një grua bëhet më e fuqishme dhe më sensitive, gjithashtu. Në vëllimin me poezi “Fli të bëhet natë”, autorja dëshmon qartazi dëshirën dhe ndjenjën që ka një femër për vendin e saj, për germat e saj. Në vargjet e saj lexuesi gjen veten, e shpesh herë vallëzon me valët e mëdha të jetës së një gruaje emigrante. “Fli, fli i dashur, mbylli sytë, të bëhet natë…! Dita s’po na do, po na ndjek me gurë, na paska inat…! Fli, fli të bëhet natë.” Autorja preferon të flejë, të flejë sërish sepse kështu “dashuria” e saj do të jetë aty. Gjatë mbrëmjes letrare vetë autorja e “Fli të bëhet natë” bëri me dije se shumë shpejt do të botojë librin e saj të dytë me poezi. Kristina Demiri Dojce është një mësuese e hershme e gjuhës shqipe, ajo është një figurë e rëndësishme e arsimit shqiptarë ndër vite.
Nëna Kristina, ashtu siç e quan ajo veten për të gjithë është një grua me pasion dhe me dëshirë të madhe për të ecur para. Vëllimi me poezi “Ju ruajta për gëzimin e zemrës sime” nuk është i rastësishëm. Ajo dëshiron t’i thotë çdo gruaje që të luftoj me peripecitë e jetës dhe të dijë t’i dali para edhe të pamundurës. Lidhja e saj me poezinë është e hershme, që në adoleshencë. E megjithëkëtë vëllimi i saj me poezi ka vetëm pak ditë që ka dalë në dritën e botimit.
Ajo e ka cilësuar këtë libër si fëminë e saj të parë, pasi sipas saj rruga e krijimtarisë së saj ka plane për të ardhmen. Tashmë ajo është duke punuar për një libër tjetër, kësaj here në prozë.
Dhimitër Nica është një poet që jeton e ushtron aktivitetin e tij prej shumë vitesh në vendin helen. Vlera dhe cilësia e vargut zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë e autorit. Vëllimi me poezi “Nesër do të jemi më të mirë” është i treti për nga radha e krijimtarisë së tij letrare. Siç duket nga titulli, libri është një tërheqje pozitive, aty duket se vullneti ynë për të qenë njerëz më të mirë është një dëshirë e pakusht. Tematikat e poezisë së Nicës janë të shumëllojshme, por ajo që vlen të theksojmë është se temat që godasin janë ato që lidhen më aktualitetin e atdheut. Autorin e shqetëson gjendja aktuale politike në të cilën katranoset çdo ditë e më shumë, atdheu i tij; Shqipëria. Por gjithashtu, autori shkruan edhe për tematika të tjera që duken kaq të thjeshta në pamje, por që kanë një rol të rëndësishëm në detajet e jetës së një shqiptari që jeton në emigracion.
Anila Rezhda është një gazetare dhe përkthyese e larguar shumë herët nga vendi i saj. Dëshira për një jetë më të mirë dhe ambicia për dije e detyrojë atë të lërë familjen e të largohej për në shtetin grek, i cili ato kohë ishte shpëtim për çdo shqiptarë. Pasi përfundoi studimet në “Univeristetin Aristotelus”, vajza e re shqiptare kërkojë me vendosmëri dëshirën për të ecur para. Pas shumë vitesh në emigrim ajo vendosi që peripecitë e jetës t’i hedhë në letër.
Libri me tregime “Prekja” u botua më 2007 në Tiranë dhe u promovua pikërisht në kryeqytet, në vendin ku Nila u rrit dhe kaloi vitet më të bukura fëmijërisë. Tregimet janë të fokusuar në ndjenjën e shpirtit të çdo gruaje që vendos ta përballoj jetën e vetme. E vetme jo fizikisht, por e vetëm në vendime dhe në arritjet e saj profesionale. Tregimi “Kapelja” që ndodhet mes faqeve të këtij libri është ndoshta, pjesa më prekëse e prozës së Rezhdës.
Ajo tregon dëshirën dhe mungesën e mundësive të një vajze të re shqiptare kundrejt të rinjve grekë, të cilët bridhnin rrugëve me lekët e prindërve. Po kështu, një tjetër vëllim poetik ishte i pranishëm në mbrëmjen letrare selanikëse. Poezia melodike e poetit Petros Kume, bëri që gratë të mbanin frymën dhe të dëgjonin përshkrimin që ai i bënte asaj; gruas.
Vëllimi poetik “Ti, që quhesh grua” ndjek rrugën e përshkrimit të dashurisë, e ku ka përshkrim më të bukur për dashurinë sesa femra. Autori jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij në Korfuz, por dashuria për librin bëri që vepra e tij letrare të ishte e pranishme në Selanik.
“Fryma” letrare në emigracion
Nuk janë të pakta rastet kur emigranti trajtohet si i huaj edhe në vendin e tij. Mungesa e përkrahjes së kësaj kategorie bënë që shumë herë shqiptarët të mohojnë origjinën e tyre, duke e quajtur vetën grekë. Pse?! Është pikërisht mungesa e mbajtjes së kulturës sonë kombëtare gjallë. Kjo vjen për arsye të ndryshme, që kanë njëmijenjë këndvështrime. Këta autorë, janë një dritë e re jeshile e mbajtjes gjallë të kulturës sonë kombëtare. Ata çdo ditë ushqejnë me vargjet e tyre bashkatdhetarët e tyre, duke zgjuar tek ta dëshirën e pranimit të vetvetes.
Germat e tyre na tregojnë se, edhe pse jetojmë larg ne përsëri mund ta zhvillojmë pasionin tonë, shpirti artistik vijon të jetë refren krijimtarisë së tyre. Aktivitetet të kategorive të ndryshme bëjnë që shqiptarët të mblidhen, e të diskutojnë mes tyre më furishëm rreth mbajtjes gjallë të identitetit të tyre. Janë pikërisht këta autorë që meritojnë një falënderim të madh sepse me pasionin e tyre frymëzues, na bëjnë ne këta që jemi; të vërtetë.