2016-09-04

Çështja shqiptare në Maqedoni dhe perspektiva





(Prioritetet e shqiptarëve në Maqedoni për ndalimin e diskriminimit dhe sigurimin e progresit të përgjithshëm)


Abdulla Mehmeti

Për zgjidhjen e drejtë të çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, duke e konsideruar si çështje me prioritet në nivel kombëtar, deri në zgjidhjen përfundimtare të saj, i tërë potenciali politik, ekonomik dhe intelektual, fillimisht duhet të orientohet në këto çështje:

Të formohet me çdo kusht Këshilli koordinues i subjekteve politike shqiptare në Maqedoni (parti, lëvizje dhe koalicione), i cili çështjet e pazgjidhura me interes kombëtar t’i bashkërendojë ndaras nga interesat e ngushta partiake;
Të vendoset moratorium për subjektet politike shqiptare, në afat të pacaktuar, për trajtimin e çështjeve me interes kombëtar në nivel të subjekteve politike, duke ia bartur këtë kompetencë ekskluzivisht Këshillit koordinues të subjekteve politike shqiptare në Maqedoni;
Të formohet një organizëm i përbashkët (lidhje, bashkim), me përfaqësues të organizatave joqeveritare, shoqatave profesionale dhe subjekteve të tjera jopolitike, i cili do të ketë karakter këshillëdhënës për zhvillimet politike, ekonomike, kulturore dhe çështje të tjera me interes të përgjithshëm, për politikat zhvillimore afatgjata të shqiptarëve në Maqedoni;
Të formohet urgjentisht Qendra informative shqiptare, me kuadër profesional të dëshmuar dhe me përvojë, duke siguruar edhe hapësira të përshtatshme dhe pajisje të nevojshme, e cila do të merr përsipër mbledhjen e informatave nga tërë hapësira shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm, për punën e institucioneve të pushtetit, në nivel qendror dhe lokal, si dhe për zhvillimet tjera të përgjithshme në vend, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo qendër duhet të mbledh dhe shpërndajë çdo ditë lajme dhe informacione të besueshme për çështjet e sipërpërmendura, në gjuhën amtare dhe në disa gjuhë botërore, si anglisht, gjermanisht, frëngjisht etj. Një herë në muaj të përgatit buletinin e ngjarjeve më të rëndësishme në vend, ndërsa kopje të tij t’u drejtohen institucioneve më të rëndësishme të vendit, përfaqësive diplomatike në vend dhe institucioneve relevante ndërkombëtare;
Të formohet një Fondacion kombëtar, i cili do të drejtohet nga Oda Ekonomike Shqiptare në Maqedoni (aktualisht OEMVP), me përfaqësues të subjekteve ekonomike më të fuqishme të shqiptarëve në Maqedoni dhe disa veprimtarë të dëshmuar të çështjes shqiptare në Maqedoni, e cila duhet të ndihmohet edhe nga filialet e saj që do të hapen në shtetet tjera ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, sidomos në shtetet e BE dhe SHBA. Detyrë e këtij Fondacioni duhet të jetë mbledhja dhe destinimi i mjeteve financiare dhe të mirave të tjera materiale dhe jo materiale, për zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe shkencor, për nevoja emergjente, si dhe për qëllime të tjera humanitare dhe bamirëse;
Të formohet një Këshill kombëtar për reforma thelbësore në arsim, planifikim afatgjatë dhe politikë zhvillimore të arsimit dhe shkollës shqipe në Maqedoni, në të gjitha nivelet, nga entet parashkollore deri në arsimimin universitar dhe pasuniversitar;
Të formohet një Qendër kombëtare për ngritje profesionale dhe specializim të kuadrove në botën e jashtme, e cila me mbështetjen e fondacioneve ndërkombëtare, ndihmën dhe përkrahjen edhe të qeverive të vendeve mike, do të përgatisë dhe specializojë kuadro të ri për udhëheqje dhe menaxhim me institucionet politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore të vendit në të ardhmen. Seleksionimi i specializantëve të ri do të bëhej sipas një Rregullore të miratuar nga Bordi kombëtar (vendor) dhe Bordi ndërkombëtar i emëruar nga Këshilli i fondacionit të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo Qendër do të merrte përsipër të përzgjedh, së paku në 5 vjetët e ardhshëm, nga 70-100 studentë dhe studente të reja, me rezultate të larta në studime, të cilët do të qëndronin së paku 1-3 vjet për specializim dhe ngritje profesionale në institucionet e njërit nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe SHBA, në fushën profesionale të tyre;
Të formohet një Gjykatë e Nderit, nga profesionistë të dëshmuar, me vlera morale dhe kombëtare, e cila do të paraqesë raporte me mendime dhe vlerësime publike, vjetore dhe periodike, për pastërtinë e figurës së secilit funksionar, udhëheqës institucioni, organi shtetëror dhe publik, si dhe për bartësi të çfarëdo funksioni tjetër me interes të përgjithshëm shoqëror. Mendimi dhe vlerësimi për mundësitë e implikimit të mundshëm të personave bartës të detyrave me përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare, do ta luftojë në mënyrë të drejtpërdrejtë kriminalitetin, korrupsionin, nepotizmin, paaftësinë profesionale dhe çfarëdo implikimi në afera të ndryshme, të cilat janë në kundërshtim me normat morale dhe traditën kombëtare të shqiptarëve;
Me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare kompetente, në botën e jashtme të formohet Banka për Zhvillim e Shqiptarëve të Maqedonisë, e cila do të kujdesej për financimin e projekteve kapitale me rëndësi ekonomike dhe shoqërore, për shqiptarët në veçanti dhe për vendin në përgjithësi.
Sipas nevojës, në të ardhmen të krijohen edhe organizma të tjerë, të cilët do të kujdesen për zhvillimin dhe përparimin e vendit, sidomos të vendbanimeve shqiptare në Maqedoni, me nivel të ulët të zhvillimit ekonomik, si dhe për përmirësimin e mirëqenies së shqiptarëve dhe të qytetarëve të tjerë në Maqedoni, me çka do të krijohen kushte për parandalimin e shpërnguljes masive të shqiptarëve jashtë atdheut dhe kthimin e të shpërngulurve në vendlindje.

(Poshtëshënim: Iniciativën, mbështetjen profesionale dhe financiare për krijimin e këtyre organizmave për avancimin e çështjes shqiptare në Maqedoni e merr përsipër Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Nju Jork – Shkup).



2.Shqiptarët në njësin nr. 6 zgjedhore, humbin së paku 10 deputetë


Sipas sistemit zgjedhor aktual, Maqedonia është e ndarë në 6 njësi zgjedhore. Deputetët shqiptarë i fitojnë mandatet kryesisht në njësitë zgjedhore 1, 2, 5 dhe 6.

Numër më të madh të votuesve shqiptarë ka njësia nr. 6, përkatësisht rajoni i Pollogut, plus Kërçova dhe Dibra. Në këtë njësi, në zgjedhjet e derisotme parlamentare janë zgjedhur zakonisht afër 15 deputetë shqiptarë, ndërsa 5 deputetët tjerë nga kjo njësi u takojnë nacionaliteteve të tjera.

Mashtrimi qëndron në faktin se, njësia nr. 6 përfshin 1/4, ose së paku 25% të popullsisë së përgjithshme në Maqedoni, me mbi 500 mijë banorë, nga afër 2 milionë banorë sa ka gjithsej Maqedonia, sipas të dhënave zyrtare. Atëherë shtrohet pyetja: Pse në këtë njësi zgjedhore zgjidhen vetëm 20, në vend se 30 deputetë, ose 25% e numrit të përgjithshëm të deputetëve, prej 120 sa i ka Parlamenti i Maqedonisë, sipas 25% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni, sa ka njësia zgjedhore numër 6?! Pra, njësia zgjedhore numër 6 përbën 25% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, ndërsa përfaqësohet me afër 17 %, ose 8 % më pak! Ky është absurd dhe diskriminim i hapur, apo jo?!

Sipas matematikës së thjeshtë, kjo domethënë se, nga kjo njësi zgjidhen 10 deputetë më pak (afër 8 % e numrit të përgjithshëm prej 120 deputetëve).

Nga kjo njësi zgjedhore, edhe disa deputetë të tjerë shqiptarët i humbin me manipulime të tjera, të përllogaritura mirë nga organet e pushtetit, kuptohet me prapavijë politike. Që domethënë se, vetëm në këtë njësi zgjedhore shqiptarët humbin së paku 10 deputetë.

Edhe nga tri njësitë tjera zgjedhore, 1, 2 dhe 5, ku shqiptarët janë shumicë, ose në numër të konsiderueshëm, si në Shkup, Kumanovë, Strugë etj., shqiptarët humbin së paku edhe 7 deputetë të tjerë.

Realisht, në Parlamentin e Maqedonisë, nëse do të eliminoheshin këto anomali të sistemit zgjedhor, nëse do të plotësoheshin standardet dhe siguroheshin kushte normale për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, shqiptarët do të siguronin së paku 42-45 deputetë, jo 27 deputetë sa i kanë aktualisht në Parlamentin e Maqedonisë.

Sa për ilustrim, nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë, prej afër 2 milionë banorë, del se afër 1 milion e 800 mijë janë votues, ose 90 % e banorëve të vendit! Ndërsa, në njësinë zgjedhore nr. 6, ku shqiptarët janë shumicë, nga 500 mijë banorë, në listën e zgjedhësve janë përfshirë vetëm afër 300 mijë votues, ose 60% e numrit të popullsisë së kësaj njësie. Pse ekzistojnë gjithë këto dallime, nga 90% në 60%, me ndryshim prej 30%, kur duhet të zbatohen të njëjtat ligje dhe të plotësohen të njëjtat standarde?!

Atyre që kjo analizë u duket e pabesueshme dhe joreale, le ta marrin kalkulatorin para vetes dhe le t’i përllogaritin, madje sipas të dhënave zyrtare: Numrin e përgjithshëm të banorëve sipas njësive zgjedhore, numrin e përgjithshëm të votuesve sipas njësive zgjedhore, numrin e votuesve për një deputet sipas njësive zgjedhore dhe përbërjen e popullsisë në këto njësi, që të sjellin përfundimet si më sipër, me kusht që këto llogari të mos i bëjnë anëtarët e Qeverisë, zyrtarët e Entit Shtetëror të Statistikës, anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, drejtuesit e partive politike dhe organet e sigurimit të shtetit, sepse të gjithë këta vërtet kanë probleme me matematikën, politikën dhe demokracinë.".

3.Ja sa kanë lindur,martuar dhe vdekur për 3 muaj në Maqedoni!


Në tremujorin e tretë të vitit 2016 në Maqedoni janë evidentuar 5.559 fëmijë të lindur gjallë, që është për 2,8 për qind më pak nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar, kumtoi Enti shtetëror për statistikë.

Zvogëlimi prej 1,6 për qind është vërejtur edhe në numrin e personave të vdekur në tremujorin e dytë dhe arrin 4.777, ndërsa prej tyre 55 janë foshnje të vdekura.

Rritja natyrore arrin 782 persona, që do të thotë, për kaq persona, numri i fëmijëve të sapolindur është më i madh nga numri i personave të vdekur.

Në tremujorin e dytë të vitit janë lidhur 3.194 martesa, që është për 14,6 për qind më pak se vitin e kaluar. Në këtë tremujor janë regjistruar edhe 279 divorce.




4.Maqedonia duhet të ribëhet shtet me koncept të ri



Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, nga regjistrimi i fundit i banorëve, familjeve dhe banesave, në vitin 2002, Republika e Maqedonisë ka pasur gjithsej 2.022.547 banorë.

Ndërkaq, regjistrim i ri i popullsisë në këtë vend nuk është bërë një kohë të gjatë. Regjistrimi i rregullt i banorëve të vendit, i filluar në vitin 2011, u anulua me arsyetim për mungesë të klimës politike në vend. Por, ekspertët e kësaj çështje kanë konstatuar se regjistrimi ka dështuar për shkak të dyshimeve të bazuara për zvogëlimin e madh të numrit të popullsisë, si dhe ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë në këtë vend.

Gjatë viteve të fundit, edhe pse nuk jepen të dhëna zyrtare të sakta, mendohet se Maqedoninë e kanë braktisur së paku 300 mijë qytetarë të saj, kryesisht për shkaqe ekonomike, por edhe për shkaqe politike dhe të tjera.

Së paku 200 mijë qytetarë të këtij vendi, me përkatësi etnike maqedonase, e kanë braktisur vendin për të siguruar të ardhme më të mirë, në Australi, Kanada, SHBA dhe shtetet e Evropës Perëndimore.

Po ashtu, vetëm gjatë dekadës së fundit, mbi 100 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi në drejtim të SHBA-ve dhe shteteve të Evropës Perëndimore, në mungesë të perspektivës në vendin e tyre.

Mbi 200 mijë qytetarë të Maqedonisë viteve të fundit kanë marrë shtetësi bullgare, të cilët e konsiderojnë veten bullgarë, ndërsa atyre u mohohet e drejta e deklarimit të lirë sipas bindjes së tyre. Në asnjë cikël të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni nuk është paraparë rubrikë për pakicën bullgare, si për bashkësitë tjera etnike, edhe pse dihet që historikisht në Maqedoni jeton një pakicë bullgare në numër të konsiderueshëm.

Në anën tjetër, mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë të besimit ortodoks dhe po aq qytetarë me përkatësi tjetër etnike, sidomos vlleh, shprehin tendenca të hapura për t’u rikthyer në identitetin e tyre të natyrshëm, për shkak të humbjes së privilegjeve që i kanë gëzuar gjatë regjimit të mëparshëm.

Gjithashtu, një numër i madh prej disa dhjetëra mijë banorësh me përkatësi sllave nga Maqedonia e Egjeut, që i sjelli pushteti komunist nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, për mungesë të perspektivës kanë filluar të largohen me shumicë nga Maqedonia.



Numri i përgjithshëm i votuesve

Numri i përgjithshëm i trupit votues në Maqedoni, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014 ka qenë 1.780.128 votues.

Nga analizat e fundit, sipas organeve kompetente të këtij shteti, është konstatuar se afër 500 mijë qytetarë të përfshirë në listën e përgjithshme të votuesve, janë fiktivë.

Nga të dhënat e mësipërme del se, prej afërsisht 2 milion banorë, vendin e kanë braktisur së paku 300 mijë banorë.

Afër 400 mijë banorëve vendës u mohohet e drejta e deklarimit të lirë sipas përkatësisë etnike, 200 bullgarëve, 100 shqiptarëve ortodoksë dhe afër 100 mijë qytetarë të tjerë, sidomos vllahëve.

Ndërsa, afër 1/3 e qytetarëve në listën e përgjithshme të votuesve dyshohet se janë fiktivë.



Nevoja për ridefinimin e konceptit të shtetit

Nga kjo del se, Maqedonia nuk ka mundësi të mbijetojë si shtet nacional, sepse asnjëri prej nacionaliteteve të këtij vendi nuk e përbën shumicën, prej së paku 50% të qytetarëve, që t’i njihet e drejta e shtetformimit, sipas parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, me ndryshimet e reja të domosdoshme të Kushtetutës së këtij vendi, Maqedonia duhet të definohet si shtet i qytetarëve të saj, pa dallim të përkatësisë etnike, gjuhësore dhe fetare.


Problemet kyçe

Përderisa, gjendja në vitin 2016 vazhdon të jetë e paqartë me numrin e banorëve dhe të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa në Listën e përgjithshme zgjedhore në Maqedoni është konstatuar, nga organeve kompetente të shtetit, se janë përfshirë afër 500 mijë votues fiktivë, ose afërsish 1/3 e numrit të përgjithshëm të votuesve në vend;
Kur, ekspertë të kësaj çështje dhe disa përfaqësues të partive politike maqedonase kanë deklaruar se, mbi 200 mijë qytetarë me përkatësi etnike maqedonase duhet të fshihen nga lista zgjedhore, pasi ata që e kanë braktisur përgjithmonë Maqedoninë;
Për sa, Maqedonia përmes ligjeve raciste vazhdon t’ua mohojë të drejtën për shtetësi një numri të madh të qytetarëve të vet shqiptarë, duke mos e respektuar kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare, ku mbi 50 mijë shqiptarë të Maqedonisë ende mbeten pa shtetësi;
Deri sa, nga vetë organet e shtetit është konstatuar se mbi 40 mijë shqiptarë të Maqedonisë janë fshirë nga lista zgjedhore, dhe për këtë skandal të pashembullt Këshilli Shtetëror Zgjedhor deklaron se nuk ka informata, ndërsa organet tjera kompetente të shtetit dhe partitë politike heshtin;
Edhe përkundër nënshkrimit të Marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në vend, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, më 20 qershor 2016, edhe më tej shumica e qytetarëve të këtij vendi mbeten të pashpresë se kriza politike dhe ekonomike mund të zgjidhet në një të ardhme të afërt.

Pyetje të domosdoshme

Cili është roli i vërtetë ndërmjetësues i faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në këtë shtet?

Cila është rëndësia praktike e marrëveshjes për dalje nga kriza politike mes katër subjekteve politike më relevante (dy shqiptare dhe dy maqedonase), e nënshkruar në Shkup, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar?
Cilat janë garancitë se zgjedhjet e ardhme parlamentare, të parapara të mbahen në dhjetor të këtij viti, do të jenë të lira dhe demokratike, për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike dhe ekonomike?
Sa mund të jetë e besueshme kjo marrëveshje, kur palët nënshkruese të saj janë po ato subjekte që me politikat e tyre të gabueshme vetë e krijuan këtë krizë të thellë politike dhe ekonomike në vend?

Përfundime

Nga kjo situatë mund të konstatohet se, nuk janë fajtorë qytetarët e Maqedonisë, shqiptarët dhe maqedonasit si shumicë, as qytetarët e nacionaliteteve të tjera pakicë, për krizën politike dhe ekonomike në vend, por fajet qëndrojnë në konceptin e shtetit dhe mungesën e mekanizmave ligjorë për llogaridhënie para qytetarëve nga partitë politike, të cilat e kanë udhëhequr vendin deri më sot, ndërsa në anën tjetër, lejohet që shteti të mbijetojë vetëm në saje të mbështetjes nga faktori ndërkombëtar, në planin politik dhe financiar, për interesa gjeostrategjike të caktuara.
Në këtë gjendje të krijuar, qytetarët nuk shohin asnjë perspektivë nën udhëheqjen e subjekteve politike që aktualisht e qeverisin vendin, të bindur se ato janë fajtorët kryesorë për krizën aktuale, me dyshime të bazuara se udhëheqësit e po këtyre subjekteve, gjatë viteve të fundit kanë qenë të interesuar vetëm për tjetërsimin e pasurisë së shtetit dhe fare pak janë kujdesur për mirëqenien e qytetarëve dhe sigurimin e progresit shoqëror dhe ekonomik të vendit.
Nga ana tjetër, borxhi i përgjithshëm i shtetit ndaj institucioneve të jashtme financiare vazhdon të rritet në disa miliardë dollarë, ndërsa dyshohet se garnitura politike aktuale ka tjetërsuar afërsisht 6 miliardë dollarë nga pasuria e shtetit dhe qytetarëve të tij.

Zgjidhja

Kjo gjendje ua imponon qytetarëve të këtij vendi, sidomos shqiptarëve, si dhe faktorit ndërkombëtar, të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për tejkalimin e krizës politike dhe ekonomike në vend, përmes mbajtjes së një Konference Ndërkombëtare për Maqedoninë, për ribërjen e këtij shteti me koncept të ri, duke u bazuar në realitetin historik dhe etnik të këtij shteti, sipas parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...