2016-09-06

Ilir Nikolla: Letra e Ambasadorit Lu, këmbanë për ata që kanë veshë


Donald-Lu

S’kemi parë fitues më të dëshpëruar sesa dyshen e koalicionit qeverisës dhe triumfues më të sëmurë nga rakitizmi i protagonizmit, sesa Erion Velinë. Edi Rama dhe Ilir Meta po harxhojnë energji për të na bindur se duhet t’i harrojmë zgjedhjet e 21 qershorit e duhet të shohim më përpara, pasi “ditët e mira paskëtaj vijnë…”, ndërkohë që Erion Veliaj po përjeton pas 21 qershorit ditët e vetmisë së tij më të madhe, ditët kur atij s’ia mban as të dalë në media e të thotë se “fitova se e meritova” apo se “do kem mbështetjen e të gjithëve për një administratë të të gjithëve”. Edi Rama dhe Ilir Meta s’guxojnë as ta përmendin karikaturën që po prodhohet me numrin e votave për këshilltarë bashkiakë, aq turp u vjen e aq baltë është procesi, sa po errëson edhe çka mund të jetë bërë disi mirë me 21 qershor dhe gjatë numërimit të votave për krerët e bashkive. Erion Veliaj jo veç s’mundet të bëjë disi transparencë për shpenzimet marramendëse në fushatë (veç spotet elektorale e fundosin si strategji financiare), por s’po merr urim prej askujt, as brenda Shqipërisë, as në Kosovë e as nga “miqtë” e tij ndërkombëtarë. Me sa duket “miqtë” e Veliajt s’janë aq publikë sa të mund të postojnë telegrame publike për “fitoren” e 21 qershorit.
Megjithatë, kjo traditë e turpshme e heshtjes pas rrënimit të procesit, u thye nga një letër publike e ambasadorit të SHBA-së Donald Lu, drejtuar Dr.Halim Kosovës, kandidatit të PD dhe opozitës shqiptare për bashkinë e Tiranës. Për Zotin Kosova, ambasadori Lu ka veç përgëzime për fushatën e tij. Bile ai që në fjalinë e dytë, kujton se “Ambasada jonë ka folur shpesh në muajt e fundit rreth politikanëve të korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, shantazhim dhe manipulim të institucioneve demokratike”. Përkundër kësaj klime e këtyre faktorëve, që duket se kanë rrënuar perspektivën për një garë të drejtë e rrjedhimisht edhe kanë komprometuar rezultatin e 21 qershorit, ambasadori Lu, thekson në letrën e tij se “ne pamë që ju ishit personalisht i angazhuar në një proces të ndershëm dhe të hapur. Ju folët për çështje që shqetësojnë votuesit e Tiranës. Ne mendojmë se fushata juaj ishte një shenjë për qytetarët shqiptarë se sistemi i tyre politik po maturohet. Ne të falenderojmë për përpjekjet tuaja për të përmirësuar vendin. Në veçanti, ne vlerësojmë punë tuaj të jashtëzakonshme si Ministër i Shëndetësisë…”.
Përshëndetja për Dr.Halim Kosovën dhe fushatën e tij qytetare është një mesazh që spikat për këndvështrimin, por së pari për jehonën që përcjell. Në letër përmendet klima e terrorit parazgjedhor dhe vendimi i kandidatit kryesor të opozitës për t’u përballur me këtë front përmes qytetarisë dhe alternativës. Letra injoron “berihajin” dhe vlerëson risinë elektorale.
Përkundër këtij mesazhi këto ditë po vërejmë izolimin e Erion Velisë si një shenja publike të pushtetit të ri. Shenja të tjera kemi anonimatin e këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin dhe fitoren “en block” të të gjithë kandidatëve që vetë faktori ndërkombëtar i kishte denoncuar si të inkriminuar.
Letra është një mesazh ‘a posteriori” ndaj shurdhërisë së politikës shqiptare, për shkak se problematika e ritheksuar është e njëjta, në mos edhe më e rëndë e më spikatase pas 21 qershorit. Ambasadori Donald Lu këmbëngul edhe pas 21 qershorit për modelin e Halim Kosovës, si qytetarin e angazhuar për komunitetin, si njeriun e pakompromis e të panjollë në historikun 35 vjeçar profesional. Në këtë letër shfaqet edhe opinioni anonim i emisioneve televizive, analistëve, telefonuesve radiofonikë e shkruesve nëpër portale e faqe blogjesh. Të gjithë thonë se Halim Kosova është modeli i tyre dhe atë do të donin të kishin zgjedhur…
Fakt është se në noterinë e KQZ-së ai s’figuron fitues, por kjo s’e pengoi ambasadorin e SHBA-së të dërgojë një letër falënderimi për modelin “Kosova” në fushatën zgjedhore. Është një model evropian që i përmbush të gjitha standardet dhe që u mbështetka edhe nga shqiptarët. Atëhere, letra zbulon mospërputhjen, kërcitjen mes rezultatit elektoral dhe produktit që do duhej nxjerrë nga një fushatë zgjedhore e lirë, e drejtë dhe e barabartë.
Letra është një këmbanë për ata që kanë veshë, prandaj edhe shqetësimi i oborrit edvinist dje ishte i kudogjindshëm. U prodhuan lajme të tilla që paralajmëronin se “miqtë e Internacionales Socialiste do të dalin nesër me një deklaratë ku do mbështesin standardet e zgjedhjeve të 21 qershorit”. Bile lajmet kishin edhe ngjyrën e gjyqeve popullore, teksa u informua se Internacionalja do të shprehej edhe “për deklaratat e kreut të Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Elmar Brok”.
Beteja për të mbyllur diskutimin për zgjedhjet e 21 qershorit është një betejë e oligarkisë e cila kërkon hipotekën dhe projekton sinore të tjera zaptimi, por letra e ambasadorit të SHBA-së s’u vjen hiç për shtat. Ajo duket se po regjistron veç fillimin e vet dhe oligarkët s’do kenë të bëjnë veç me korrierët që blejnë votat me miell a me kërcënime që shqiptarët të mos paraqiten në kutitë e votimit, por duhet ta dinë se me modelin e Halim Kosovës do të përballen edhe në të ardhmen dhe metodat e deritanishme s’kanë për t’u mjaftuar si strategji shpëtimi. Gjyqi për 21 qershorin sapo ka nisur, por qysh tani e dimë se modeli i Halim Kosovës ka për të qenë një makth që oligarkët do ta kenë shumëfish dhe kudo në zgjedhjet e 2017-s. Paralajmërimi paradhënie u dha dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë dhe kambanat bien për ata që kanë veshë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...