2016-10-06

Blerim Uka: E kujt është shtëpia e shqiptarit?



Në romanin “Prilli i thyer” i përkthyer në frëngjisht nga Jusuf Vrioni (Avril Brisé, Fayard,1982.) në faqen 86 të këtij botimi thuhet : «La maison de l’Albanais est la demeure de Dieu et de l’hôte.» Ata që e dinë frëngjishten e kuptojnë lehtë se përkthimi është i shtrembëruar: Thuhet disi: «Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikpritësit.»Fjala frënge «hôte» e ka kuptimin «mikpritës», «dikush që pret njërëz në shtëpi». Nuk e vë në dyshim këtu përkthimin e Jusuf Vrionit por jam i bindur se stafi botues frëng e ka modifikuar atë fjali sepse në kuptimin që ka ai "ligj" në shqip, një përkthim i kuptimit të saktë do të ishte joligjor në frëngjisht. Në një shoqëri të civilizuar, shtëpia është një hapsirë padhunueshme dhe u përket atyre që jetojnë në të. Ata që jetojnë aty mund të çlodhen, të shijojnë lumturinë familjare, intimitetitn e tjera. Sipas paragrafit 602 të Kanunit ku thuhet: "Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut" që do të thotë se shtëpia nuk i përket pronarit të saj por të huajit.

Mund ta shtrojmë pyetjen: Çfarë psikologjie ka krijuar në popull thënia “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”?

Për të filluar, mund të themi me rezervë apo me naivitet se kjo shpehje ka qëllim t'i urojë mirëseardhje dikujt i cili kur vjen në shtëpi dhe ndihet i turpëruar. Në shumë gjuhë të mëdha përdoret shprehja “ndihuni i lirshëm si në shtëpinë tuaj” por nuk është ligj që përcakton pronën dhe pronarin. Në shoqëritë e civilizuara, kur dikush shkon në shtëpinë e tjetrit, minimumi i mirësjelles është që të mos pengojë. Është normale që miku të turpërohet dhe, me plot arësye, të ketë frikë se e pengon tjetrin. Pra, ai që pret nuk stresohet, nuk turpërohet, nuk ka frikë se gjykohet por është i fortë në hapësirën e tij, në zonën e tij të konfortit. Vetëm në këtë situatë, shprehja e mikpritjes “ndihuni si në shtëpnë tuaj” e ka kuptimin pozitiv.

Në të kundërtën, nocioni i mikpritjes është keqkuptuar nga shqiptarët sepse nuk bëhet fjalë për mirësjellje por për një ligj i cili shprehet në paragrafin 602 të Kanunit. Po të shikohet hollë e hollë dhe me seriozitetin më të madh, ky ligj e ka rregulluar jetën e shqiptarëve në gjitha trojet dhe është bërë pika qendrore e Kanunit.
Në krahasim me ligjin e mikpritjes, gjakmarrja është pikë periferike. Gjakmarrja nodh vetëm në disa pjesë te trojeve tona dhe po çrrënjoset gradualisht sepse ajo është më spektakulare dhe më lehtë e sulmuar me argumente nga njerëzit e shkolluar. Nëse lexojmë gjithë nenin 96 të Kanunit që fillon pikërisht me paragrafin 602, mund të kuptohet se miku edhe armiku mund të futen në shtëpi dhe se pronari është i detyruar t'i ushqejë ata pa dallim edhe kur s'ka bukë për fëmijët e vet.

Në trojet shqiptare, edhepse shtëpia nund të ketë oborr të rrethuar me çelik e beton, të jetë kullë e fortë apo kala, shqiptari është i xhveshur, lakuriqu, i dobët, i destabilizuar, i çorientuar... sepse psikologjikisht, sipas ligjit, nuk është në terrenin e tij. Normalisht, kur ndeshen dy ekipe futbolli, ekipi që luan në fushën e vet konsiderohet se ka përparësi për të fituar. Në të kundërtën, shqiptarët mu atëherë janë të dobët. Ndërsa, kur ndodhen tek tjetri, i lejojnë vetes të shkojnë më larg se duhet dhe të konsiderohen pronarë të pasurisë më të madhe dhe më të shtrenjtë që mund të ketë njeriu: shtëpisë. Po të flasim me gjuhën e drejtësisë moderne (ndoshta edhe klasike) kur dikush pretendon se është pronar i pasurisë së tjetrit, ai ështe hajn, kriminel. Pra, paragrafi 602 krijon çoroditje raportesh ndërmjet shqiptarësh dhe shok të madh kulturor me popujt tjerë.

Kam bërë studime në degën e administrimit të biznesit, ku ka shumë drejtësi, psikologji, sociologji, analiza kulturash për të bërë negociata, e tjera. Kam dy raste personale që më bindin se ne e kemi të ngulitur në tru mosrespektin e pasurisë dhe jetës së tjetrit.

Rasti i parë. Jam malësor dhe kam studjuar në Amerikë. Shkova në shtëpi tek një shok amerikan për të marrë diçka sipas marrëveshjes. Posa e hapi derën, unë isha i përgatitur psikologjikisht të hyja. Nuk kisha fare nevojë të prisja t'më ftonte. Kur e pa shoku im i studimeve se po kaloja kufirin e asaj që sipas tij nuk lejohej, ma zuri rrugën, ma dha dosjen, më përshëndeti, u fut brenda dhe e mbylli derën duke më lënë jashtë. Më vonë e kuptova se ishte me një shoqen e tij dhe kishte gjëra me interesante të bënte se t'më priste mua. Kur u takuam pastaj në universitet u soll si më parë, sikur nuk kishte ndodhur gjë. E kuptova lehtë se unë kisha problem se desha të futesha në intimitetin e tij e jo ai që nuk më lejoi.

Rasti i dytë. Gjithashtu në Amerikë, shkova te një shqiptar dhe i cili krenohej me faktin se ishte burrë zakoni dhe se i ruante traditat e tij “të mira” edhe në diaporë. Më priti dhe kur u futa në sallon, u ula. Ai qëndronte në këmbë. Qëndroi e qëndroi në këmbë derisa më shkoi mendja t'i thoja të ulej. Unë, i huaji në shtëpinë e tij, duhej ta ftoja të ulej!!!

Psikoanalisti Erik Erikson (1902- 1994 ) pohon në një nga studimet e tij në lidhje me etapat e zhvillimit të individit se pa identitet nuk ka intimitet dhe pa intimitet nuk ka identitet. Tek shqiptarët, intimitetit i tjetrit nuk respektohet dhe ndoshta për këtë arësye nuk kemi identitet të fortë. Paraqitemi si grekër kur nuk jemi grekër, si të pasur kur nuk jemi të pasur, si të fortë kur jemi të dobët, si të shëndoshë kur jemi të sëmurë, si të sëmurë kur jemi të shëndoshë. Më brengos fakti se ende nuk kam parë në trojet shqiptare mesazhe të shkruara në derë ku thuhet: “Ju lutem mos më pengoni, nuk kan kohë të pres miq apo musafirë, jam duke e bërë një punim shkencor, një studim... duke u çlodhur!” Aq më keq, është turp të kërkosh nga tjetri respektin e intimitetit.

Një mik kosovar nga Prishtina më ka treguar një rast në lidhje me këtë që thash: “Një i afërt nga një fshat, vinte çdo javë për pazar në qytet dhe familja ime duhej ta priste. Pas një kohe u lodhëm dhe nuk doni ta shihnin në shtëpi atë mik i cili me kohë u bë armik i tërë familjes sepse e konsideronte shtëpinë tonë si hotel apo mulli, ku s'paguante asgjë. Në kokën (dhe në interesin e tij) të pritej si mik ishte e drejtë e tij legjitime. Kur u lodhëm, një ditë, duke u bazuar në orarin e autobusit, u paraqitëm se nuk ishim në shtëpi kur erdhi miku në fjalë. Ai u ul para derës dhe priti disa orë. Pastaj shkoi te fqiu për të na denoncuar duke thënë se nuk donim ta prisnim me qëllim. Fqiu i cili kishte të njëjtin problem si neve me një mikun e tij i ka thënë: - “Unë po të isha ne vendin tënd, sa herë të vija për pazar në qytet, do të shkoja në hotel apo motel dhe nuk do të pengoja askënd”. Miku u hidhërua dhe nuk erdhi më dhe kjo gjë ishte shumë pozitive për tërë familjen time”.

Një i huaj që e kam njohur vetë në përëndim donte të udhëtonte në Shqipëri. Më kërkoi t'a dërgoja te familja ime që të flinte. Unë i sugjerova të shkonte në hotel që të ndihej më mirë duke e informuar se në vendin tim ka hotele të kategorive të ndryshme dhe restaurante të kategorive të ndryshme. I shtova gjithashtu se normalisht njerëzit janë të dashur dhe mikpritës në shërbim të turistëve sepse edhe politike shtetërore ka interes të ketë turistë dhe investon që ata te ndihen sa më mirë. Ai më tha se e dinte këtë gjë por kishte dëgjuar se.... Ajo “se...” për mua do të thoshte: “Paragrafi 602 i Kanunit”. I shpjegova turistit potencial se paragrafi 602 i cili takon mesjetës nuk është më në fuqi në trojet shqiptare. Ai shkoi në Shqipëri sepse kishte punë, por që nga ajo ditë më respektoi si njeri normal bashkohor dhe jo si një krijesë nga mesjeta siç i konvenonte të më paragjykonte më parë.

Në përfundim, të përkujtojmë se pagagrafi 602 i Kanunit thotë tekstualisht "Shpija e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut". Folëm për shtëpinë dhe mikun por gati e harruam Zotin. Ta përkujtojmë Zotin por me logjikë. Nësë shtëpia e shiptarit është e Zotit, edhe shtëpia e afrikanit, gjermanit, indianit, grekut, turkut, serbit; edhe dhelpra, ujku, gjarpëri, qelizat, qimet, qindra e mijëra fe, kultura, popuj të botës.... janë të Zotit. Unë si ekonomist, nuk kam frikë se koncepti Zot i çorienton shqiptarët sepse ai normalisht simbolizon gjithësinë, gjithpërfshirjen.

Mirëpo kur shqiptarit i prishet çatia e shtëpisë, shqiptari nuk duhet ta shqetësojë dhe ta pengojë Zotin me lutje që ai (Zoti) t'ia riparojë çatinë (e pamë se sa shumë ka për të administruar Zoti!) por të hip me shkallë dhe ta rregullojë vetë. Shqiptari duhet të jetë vet zot në shtëpinë e tij ose, më mirë të themi, duhet të bëjë provë para Zotit dhe njerëzimit se është i zoti i shtëpisë së tij. Tani nëse dikush ka ndërmend të shkruaj një Kanun bashkohor, duhet patjetër ta modifikojë paragrafin 602. Një sugjerim modest nga ana ime do të ishte: “Shtëpia e shqiptarit është e të zotit ndërsa miku zotëron në shtëpinë e vet personale”.

Ma photo

BLERIM UKA


Jam me origjinë nga Malësia. Kam kryer studimet universitare në degën e administrimit të biznesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2008, pas studimeve, jam kthyer në Shqipëri. Një xhaxha i babait, sjell një argument se fisi jonë është në gjak, sipas Kanunit, me një familje tjetër qysh para sistemit komunist. Unë deklarohem haptaz se nuk dua të përfshihem në gjakmarrje dhe vendos të braktis familjen. Shkoj në Kanada dhe martohem me një shoqe që e kam njohur gjatë studimeve në Amerikë. Pas vdekjes së plakut nxitës të konfliktit, në fillim të shtatorit të vitit 2009, marr një letër nga babai me të cilin s’kisha folur qe një vit. Në atë letër babai më informon se e ka mbyllur “konfliktin” pa ndërhyrës siç kisha propozuar unë. Dy javë më vonë, në fund të shtatorit 2009, unë dhe bashkëshortja ime Sophie Savard-Uka shkojmë dhe e takojmë familjen në Shqipëri. Interesi im në këtë blog është të dikutohet për Kanunin : A është Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhje ligjesh apo folklori? A merret si pretekst për të nxitur konflikte? A a favorizon ajo vepër (folklor ose ligje) psikologjinë e konflikteve?

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...