Fotografia e saj ka zë. Zë vajze, zë gruaje. Jo domosdoshmërisht ai i ëmbli, i buti që qetëson kryet e lodhur e mendimeshumë të burrave. Pikërisht për ta zbuar njëherë e mirë këtë mendësi që e mban gjysmën e shoqërisë shqiptare nën vargonjtë e paragjykimeve dhe shtypjes dhe vetë-nënçmimit si qenie më e ulët se gjinia tjetër , fotografja e re ka vendosur të luftojë. Zëri i saj është i fuqishëm përmes subjekteve që mbërthen fokusi i artit…Ajo çka për botën është provokim, për Brigelën është ana tjetër e së vërtetës që nuk duan të na e shfaqin
Fotot: Brigela Demaj
Përpara se t’ia shihja katalogun e fotografive përmes albumeve virtuale në një prej rrjeteve sociale, më kish tërhequr jo rrallë vëmendjen vajza e re shkodrane ( mikeshë virtuale të cilën nuk e kisha e ende nuk e kam takuar personalisht) me mesazhet e forta në mbrojtje të vajzave dhe grave që në një vend si ky i yni trajtohen si objekte( mbi të cilat edhe mund të shfryhet inati apo frustrimi fizikisht. Thjesht sepse burri ka grusht më të fortë ) apo në rastin më të mirë si qenie të brishta që duhen ruajtur e mbajtur në ‘kulla të fildishta’ për të mos u njollosur nga papastërtitë e këtyre kohëve ( lexo: nga uria seksuale e po të njëjtit lloj) .
Pyetjeve dhe akuzave tendencioze iu përgjigj të gjithave një e nga një. As nuk fshehu përkrahjen e saj nga komuniteti LGBT. “Mbështes çdo lloj komuniteti që përbëhet nga njerëz”- rrëfen ajo.Nuk ndalet të flasë gjatë për punën e saj, sepse mjaftojnë imazhet për këtë. Ajo që pohon është se në çdo fotografi duket se ka zbrazur diçka që klithte për të dalë prej saj.Shkodra, apo më saktë mjedisi i mbyllur i një qyteti shqiptar, thotë se e ka ndihmuar punën e saj (mbase njeriu në presion është i aftë të japë më të mirën), por kur vjen puna te mënyra sesi ky vend i trajton gratë edhe burrat, revoltohet dhe refuzojë të pranojë ç’i kanë thënë qysh së vogli … se ajo gjëja që gratë kanë në mes të këmbëve është “molla e ndaluar”, diçka e mbrapshtë, që nxit dëshira të pakontrollueshme te burrat, diçka që thjesht …Ka faj. Si mund të ketë vagina faj? Si mund të ketë faj gruaja sepse ka vaginë?” – vijon Brigela.“Jetoj në një vend ku vajzat e gratë konsiderohen nëna te mira e nëna të këqija, motra që të nderojnë e motra që të turpërojnë bashkëshortë që dinë të gatuajnë e bashkëshorte që nuk dinë të gatuajnë vajza të ndershme e vajza kurva, të lehta e të vështira, të bukura dhe të shëmtuara…dhe epitete pafund.
Para pak kohësh u hap një debat në medie për një fotografi të shkrepur prej teje me dy vajza që putheshin përballë një banderole ku shkruhej “Gëzuar Bajramin”. A mundesh të na e rrëfesh për lexuesit e Madame si qëndron historia pas asaj fotografie? A ishte një shkrepje spontane apo ishte foto konceptuale? Ti e mbrojte punën tënde dhe kjo u kuptua edhe sikur ti ishe një prej përkrahësve të komunitetit LGBT. Cili është qëndrimi yt ndaj debatit? Për ta sqaruar njëherë e mirë për të gjithë ata që kanë paragjykuar apo kritikuar edhe pa e ditur mirë qëndrimit tënd..
Përtej këtij debati të kam parë shumë aktive në rrjetet sociale ku ti mban qëndrim të fortë feminist, kundërshton fort maskilizmin e shoqërisë shqiptare. Ti je në një moshë të re, a e ke ndjerë vetë presionin e shoqërisë apo ngre zërin edhe në emër të vajzave e grave që nuk munden, edhe pse nuk e ke vuajtur ndonjëherë personalisht maskilizmin e shoqërisë?
Si mund të ketë vagina faj? Si mund të ketë faj gruaja sepse ka vaginë? Dhe…si ndodh që burrat janë gjithmonë të justifikuar, gjithmonë pa faj, gjithmonë gati për beteja të reja ku molla e sherrit është gjithmonë një Helenë?! Këto janë pyetje që vazhdoj t’i shtroj edhe sot. Jetoj në një vend ku vajzat e gratë konsiderohen nëna te mira e nëna të këqija, motra që të nderojnë e motra që të turpërojnë bashkëshortë që dinë të gatuajnë e bashkëshorte që nuk dinë të gatuajnë vajza të ndershme e vajza kurva, të lehta e të vështira, të bukura dhe të shëmtuara…dhe epitete pafund. Duket sikur askujt nuk i shkon në mend rastësisht njëherë në jetë se këto vajza dhe gra, janë qenie njerëzore e se gjinia e tyre nuk përcakton rolin e tyre në familje, shoqëri a më gjerë. Unë flas si një vajzë që e jetoj çdo ditë mendësinë patriarkale shqiptare, por si një njeri që kam zgjedhur të kem një zë me anë të jetës qe kam zgjedhur si artiste, flas në emër të të gjitha vajzave dhe grave që jetojnë të njëjtin realitet me mua, apo realitete të ndryshme nga i imi, por që mbeten shtypës ndaj qenies grua. Flas në emër të të gjitha grave të botës.
Në vende si Shkodra, duhet të kesh guxim dhe integritet për të qenë vetvetja e për të bëre atë çka dëshiron, çfarëdolloj gjëje qoftë ajo. Më shumë se guxim, shikoj te vetja mungesë të theksuar interesi për të qenë e pëlqyer dhe e duartrokitur. Ja përshembull, ky mund të jetë ndër momentet e rralla kur ndalem e mendoj sesi mund të dukem në sytë e dikujt tjetër. Unë bëj atë çka di të bëj më mirë, nuk përfaqësoj asnjeri përveç vetes sime dhe e thënë në dialekt shkodran “Nuk m’del gjumi natës” sesi ndjehet Shkodra mbi këtë fakt.
A ke menduar ta zhvendosësh punën tënde në Tiranë?
Po, kam menduar të çel ekspozitën time të parë në Tiranë. Nuk dua ta prish surprizën dhe as nuk kam planifikuar gjë akoma, gjithsesi nëse çdo gjë shkon mirë, do të kemi një ekspozitë të tërë me fotografitë e një transgjinori.
A ndihesh sikur njerëzit që të rrethojnë në Shkodër shpesh nuk e kuptojnë artin tënd, konceptet dhe idetë që ti ke për jetën? Ndihesh si e mbytur?
Sikur të kisha qëllim t’i flisja vetëm publikut shkodran, do isha duke fotografuar pedonalen e Shkodrës e duke i thurur lavde qytetit. Sikur njerëzit në Shkodër të më e kuptonin të gjithë rrjedhimisht të më simpatizonin, do mendoja se ka diçka që nuk shkon me mua. Nuk besoj se kam nevoje për aprovimin e dikujt për të bërë çka më pëlqen dhe e ndjej ta bëj, gjithsesi, realiteti shkodran, ka rezultuar frytdhënës për punën time. Kjo “mbytje”, si duket, më bën produktive.
Kam parë disa prej punimeve të tua, për të cilat dua të të përgëzoj, ku dukesh për parapëlqen fotografitë bardhezi. Kush janë frymëzuesit e punës tënde? A ke fotografë të preferuar?
E kam gjetur veten aty që herët e para që kam tentuar të fotografoj. Deri vonë fotografoja pa ia pasur idenë se çfarë po bëj. Nuk e njihja fotografinë nuk njihja asnjë fotograf, e bëja thjesht sepse kisha dëshirën e madhe për ta bërë. Akoma e kam, nuk zbehet kurrë, çuditërisht. Tani, sigurisht që jam e informuar mbi ata që kane themeluar historinë e fotografisë e artit botëror e të tjerë, por nuk mund të them se jam frymëzuar diku.
Manekinë, kukulla të thyera, sy që të mbërthejnë si me magnezitëm dhe të fusin në një gjendje, edhe kur janë kukullash apo buratinësh, por edhe një eksplorim të trupit femëror në lakuriqësi. Çfarë kumtojnë fotografitë e tua? Cili është mesazhi i madh që ti kërkon të përçosh me anë të punëve të tua?
Sinqerisht, nuk besoj se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk do dija si. Çdo gjë që mund të them është se çdo fotografi ka një pjesëz timen brenda, diçka që kishte ngecur diku dhe donte dëshpërimisht të trupëzohej diku.
A ke çelur ndonjë ekspozitë me fotografitë e tua? Apo a ke ndërmend ta bësh një të tillë?
Jo, akoma nuk kam çelur një ekspozite timen dhe po, e kam menduar.
Pak ditë më parë ishte folësja e një prej edicioneve mujore të “Creative Mornings” mbi Dashurinë. Ç ‘është dashuria për ty, e parë në disa dimensione; si vajzë, si artiste, si një e re që jeton në Shqipëri, si një zë që përpiqet të bëjë një ndryshim në mentalitetin e shoqërisë sonë?
Dashuria lind dhe manifestohet në mënyrën e saj të natyrshme vetëm kur njerëzit fillojnë ta konsiderojnë njëri-tjetrin qenie njerëzore të lira e të afta për të dashur. E perceptoj dashurinë si një ndjenjë universale, gjithëpërfshirëse e që nuk njeh rrethanë apo kontekst. Nuk besoj se dikush mund të ketë background-in e duhur për te folur mbi dashurinë Gjithmonë është diçka që nuk e dije, që nuk e kishe provuar, një forme ndryshe dashurie, e re, e panjohur, e parrokshme për racionalen. Dashuria është komplekse, e çuditshme.