2016-10-06

“Letërsia jonë mund të mos e mbërrijë kurrë Kadarenë”

Shkelqim Cela

Ka fituar çmimin “Kadare” në edicionin e dytë me tri novela të përmbledhura nën titullin “Embriologji”. Shkëlqim Çela jeton në Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe profesioni prej të cilit nxjerr jetesën nuk ka asnjë lidhje me letërsinë. Punon si statisticien. Por gjen kohë për shkrimtarinë, siç ka gjetur edhe për këtë intervistë të gjatë të cilën, shpeshherë e ka interpretuar si shkrimtar, e herë të tjera si inxhinier

Nga Alfred Lela



Çdo të thotë të jesh shqiptar?

Merr linjën Frankfurt-Tiranë dhe në të hyrë të Shqipërisë, shikon nga dritarja e avionit atë vargmalin që përfundon në Krujë. Po të foli ai vargmal, je pa diskutim shqiptar. Po nuk të foli, ka një gjasë që edhe nuk je. Shqiptar do të thotë një vazhdimësi e tokës tek individi – po të ndjekim një përkufizim të kulturës nga Aleksandër Dugin. Ose më saktë, shqiptar është një ngarkesë ideore që vepron me tokën përkatëse duke prodhuar një vetëtimë prej tensionit. Është pra një çështje voltmetrash, dhe këtë e përfton vetëm përkatësia në një religjion. Pra, të jesh shqiptar është edhe një përpjekje për të sipëruar matricën e zakonshme fetare.

A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?

Ka aq shumë, saqë fizionomia shqiptare është bërë një farë ideali i paprekshëm fizikisht, por që nga kjo merr edhe një farë vlere të shtuar.

Kur themi “qytet” në kuptimin “polis”, ku ndaleni me mendje në hartën e Shqipërisë?

Në Korçë. Është i vetmi vend që më ka dhënë ndjesinë “polis” në Shqipëri. Tirana nuk e jepte dot, edhe pse ishte qyteti im, edhe pse ishte në një farë mënyre “misionar” si qytet, sepse mundej (siç edhe mundet) të bënte më shumë në funksionin e vet qytetërues për vendin. Kjo më ka bërë të mendoj gjatë për konceptin e provinciales si të tillë dhe të kuptoj se për disa gjëra nevojitet kohë, nga ato që prodhojnë traditë. Kur lexoja Julian Jaynes dhe trajtimet e tij për qytetin-qytetërimin, vegimi që shoqëronte leximin ishin pikërisht rrugicat e Korçës dhe ai eter i domosdoshëm për të ngjizur ndjesinë e domosdoshme për “qytetin”.

Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Magjepsem nga fjala “brerimë”. Nuk duroj dot fjalën “mollaqe”. Por fjalët që më magjepsin kanë jetë të shkurtër, sepse i zënë vendin njëra-tjetrës.

Ka një traditë letrare në gegnisht, por ka edhe përpjekje të rimarra për të patur edhe një gegnishte të standardizuar. A i kuptoni ata që i bëjnë këto përpjekje?

Gegnishtja ndaj standardizimit të vet qëndron si një femër e bukur në “moshë problematike” ndaj martesës. Duhet pra, një këshill i mirë shkuesish me pak vullnet. “Beqaria” e padëshiruar nga askush e gegnishtes ka vazhduar shumë gjatë.

A e konsideroni të tejkaluar nocionin Shqipëri etnike?

Jo. Madje e quaj si një sprovë për të përcaktuar palcën intelektuale të shumëkujt.

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Natyrisht. Është rreziku më i madh për kohët e sotme. Dhe unë për rrezikun flas profesionalisht, se me të “nxjerr bukën”. Rreziku është produkt i gjasës me shkallën e dëmit. Shkalla e dëmit për rastin është aq e madhe, aq e lemerishme, saqë mban çdo gjasë, sado të vogël. Imagjino, ka shqipfolës qe e quajnë Turqinë “vatanin tonë”. Kjo është katastrofale!

A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Jo. Rreziku ka qenë për regjimin në Shqipëri, dhe ky është diçka tjetër nga Shqipëria. Togfjalëshi anglo-amerikan duhet lidhur me prirjen historike të duhur tonën dhe assesi me fjalën rrezik. Ajo fjalë ka qenë një retorikë e menduar mirë nga një mendje prej profesionisti në lëmin e pushtetit, pasi ka zënë vend, siç shihet.

A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?

Ka, por është e tillë që përforcon të përbashkëtën. E tillë që kanalizohet drejt diversitetit, pra pasurisë.

Si do e përkufizonit një toskë e si një geg?

Nuk e përkufizoj dot, pasi më mungon aparati i duhur teorik dhe teknik për ta bërë atë përkufizim. Por mund të bëj një krahasim. Një tosk është si një ftua i bërë mirë dhe i ruajtur gjatë në sepet. Një geg është si një shegë, pavarësisht nga grada e pjekjes.

A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?

Natyrisht që po shkruhet, por letërsia e shkruar nën diktaturë është sipërane. Unë nuk di nëse letërsia jonë do jetë e aftë të arrijë ndonjëherë nivelin e të paktën dhjetë titujve të Kadaresë që u shkruan nën diktaturë. Në këto punë krahasimet bëhen me majat, jo me masën mbushëse, ballastin. Dhe letërsia në liri ka qëlluar pak “fatkeqe”, sepse stekën që i duhet të kapërcejë e ka mizorisht të lartë. Meqë po flasim për këtë, titujt e Kadaresë që përshkruajnë realitetet osmane janë jo si prej kësaj bote; artistikisht janë asimptotike. Romani goxha i mirë “Nënshtrimi” i Uellbekut, artistikisht është vetëm një fraksion i vockël para veprave në fjalë të Kadaresë sonë.

Një shqiptar/e që ju frymëzon…

Gjergj Kastrioti. Është i pabesueshëm. Nuk di me çfarë e kemi merituar.

Cfarë mund të thoni në pak rreshta për kontesha hungareze Geraldine Apponyi e cila u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve?

Një petal i domosdoshëm në fushën e përbaltur tonën. Por ishte lule teke, që më kujton “Lulen e kaktusit” me Ingrid Bergman. Shqipëria kishte nevojë për aristokracinë e vet. Sot ka edhe më shumë, ç’është e drejta. Dhe këtë e them pa qenë fare monarkist. Kjo që them për Geraldinën nuk ka të bëjë as me Ahmet Zogun, sado paradoksale mund të duket kjo.

Partizani, Tirana apo Vllaznia?

Partizani.

Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…

Dyshja Samuel Huntington dhe Lawrence Harrison me qasjen kulturaliste të shpjegimit të botës.

A ekzisiton një Shqipëri europiane dhe një orientale?

Po, madje në shumë prej nesh ka një personë orientale dhe një europiane, njëkohësisht, në të njëjtin individ. Për kushtet e sotme, kjo jo rrallë vepron si një farë paradigme Jekyll & Hyde. Është mundësi për poliedrizëm, por më shumë për skizofreni.

Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

I njoh pak dhe e lejoj veten të ndikohem ndonjëherë sa për sport.

Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë…

Teksti i Enver Hoxhës për lëvizjen e Haxhi Qamilit është një atentat i rëndë që iu bë kulturës sonë, jo aq për nga cilësia e tij, se sa për komponenten e padiskutueshme direktive që pati. Është ndoshta ndër gjërat më të rënda që i ndodhën letrave tona, për mua më e rëndë se libri “Me Stalinin”.

Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan…

Është në kundërshtim me natyrën njerëzore në matricën shoqërore. Jo në grupime më të vogla. Kjo shpesh nuk kuptohet. Dështimi i komunave utopike nuk ka ardhur aq nga brenda tyre, se sa nga mospërshtatja e tyre në një shoqëri të shkallës. Kalimi nga individi në grupin e vogël e pastaj tek popullata më e madhe shoqërohet me shndërrim të vektorëve veprues, ndonjëherë në kahje të kundërt. Komunizmi nuk punon shoqërisht, pra në suaza të mëdha kolektive. Komunizmi është një dështim shoqëror (deri më sot!), gjithë duke mbetur një aspiratë shumë njerëzore për individin apo grupin e vogël.

“Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Kam një frikë se Noli këtë e ka thënë më shumë për hatër të rimës.

A mendoni për vdekjen?

Shumë pak dhe nuk kam asnjë problem me të.

Për këtë diell! apo, për Zotin!?

Për këtë diell qëndron ku e ku më lart. Për arsyen e thjeshtë se Zoti është krijim njerëzor, kurse Dielli jo vetëm nuk është, por mundëson edhe ekzistencën e shumicës së jetës siç e njohim ne. Pra, pa diell nuk do kishte as Zot. Por edhe ontologjikisht, feja e krishtere është një vazhdim i kultit të diellit.

Nëse do të zgjidhnit një epitaf për kryet e varrit tuaj…

Shkëlqim.

A është i paragjykuar Kanuni?

Në qoftë se fantazia e Jurasic Park nuk do të ishte e tillë, pra në qoftë se dinosaurët mund të rizgjoheshin vërtet për të qenë aktivë mes nesh, a do t’i quanim ata të paragjykuar?

Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Mblidhen helme në zonën e stomakut. Fizikisht dhe vërtet. Dhe Shqipëria nuk është dorështrënguar në thagmat që prodhon për të të shtyrë të mendosh ashtu. Përveçse zemër, Shqipëria është edhe tëmth.

Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar! si ndiheni?

Siç kur shikon fëmijën tënd që thyen një degë anësore peme në pyll. Nuk e vdes pemën, por edhe nuk po bën ndonjë gjë për t’u lakmuar – ndërkaq i forcohet krahu si një ndikim anësor. Në total, nuk e vlen ta qortosh për atë gjë. Dikur duhet kuptuar se “të jetë mirë se je shqiptar” s’ka pse të jetë karshillëk, as diçka fodulle, por rezultat i studimeve dhe njohjes së botës dhe vetes për të parë se ç’sjell të veçantë qenia shqiptar. Dhe ajo sjell shumë!

Kriza, ka bërë që në aula të ndryshme, kuptohet të majta, të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. Në c’lloj krize jemi në fakt: shpirtërore, morale, financiare apo sistemike?

Kriza është intelektuale. Nuk po kuptohen më as gjëra aksiomatike dhe kanceri i kohës sonë është korrektesa politike. Unë jam i shqetësuar nga kjo, flas për realitetin në Amerikë.

Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?

Ky është një rast tipik i dikotomisë së gabuar. Mua më tërheq më shumë pozitivizmi.

Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. Pse kështu?

Sepse niveli politik i shqiptarëve nuk përputhej me qasjen e tyre ndaj pushtetit. Them se ai nivel nuk ka ndryshuar shumë as sot. Pa ndërhyrjen perëndimore, niveli ynë do të prodhonte ende diçka si monarkia gjysmëkushtetuese. Historia jonë këtë provon në mënyrë të pakundërshtueshme. Ne kemi nevojë për një “cultural change”.

Ndër gjërat që ndalojnë fetë cila është më e pandalueshmja?

Ndoshta coitus interruptus?

Ka një debat rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Them se do të mbijetojë, pasi gjithnjë do të ketë një nevojë për një opinion/lajm që të mund të shërbejë si pikë nisëse në debat, dhe shtypi i shkruar e ka atë venë autoriteti që kërkohet për ngjizjen e asaj pike nisëse, dhe kjo për shkak të profesionalizmit të nënkuptuar në të (shtypin e shkruar).

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Kadaresë, nëse e mban mend çastin kur iu ngjiz ideja për “Pallatin e ëndrrave”.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Ç’është “njëshi”? Do mbaja një leksion për së mbari mbi këtë me studentë shqiptar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...