Nga Anida Lera
Vepra “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është ndër veprat më të rëndësishme të autorit, e cilësuar si ‘kryevepra’ e tij, që me një formulë të thjeshtë hedh rrënjët e strukturës së saj diegjetike[1] nëse do shpreheshim me termin e Mandalasë, në të cilën rrëfehet ngjarjen e një rrugëtimi të një gjenerali të një ushtrie të huaj dhe një prifti të ardhur në Shqipëri, me një ‘mision hyjnor’ për të kthyer në atdheun e tyre eshtrat e ushtrave të rënë në luftë. Entuziazmi e gëzimi i gjeneralit kur mbërrin në Shqipëri gjatë qëndrimit në hotel “Dajti”, gjallëria për këtë mision do i shndërrohet shumë shpejt në mërzi, në nervozitet për baltën, në lodhje e topitje, sapo të kthehet sërish pas gërmimeve në malet shqiptare.
Bërthama të tjera narrative që ndërfuten mes ngjarjes kryesore të zhvarrimit të ushtarëve është ajo e shtëpisë publike e rrëfyer prej kamerierit. Ndërsa, në tregim kemi dhe personazhin e gjeneralit tjetër, që ka ardhur në Shqipëri me të njëjtin mision. Tregimi mbyllet me dialogun e tyre dhe dehjen në bar e zhvendosjen më pas në dhomën e hotelit të gjeneralit.
Pika kulmore e tregimit arrin me vajtjen në dasmë të të dyve, edhe pse prifti ngul këmbë për të mos shkuar, njohja me ritualet, gëzimin, traditat e një populli krejt të huaj, të një populli që i kishte vrarë bijtë e tyre. Një skenë e brishtë ku përshkruhet një prej gëzimeve më të mëdha në jetën e shqiptarëve.
Pëshpëritjet e pazëshme të plakës Nicë, një prej monologëve më të bukur, më ngjethës të letërsisë shqipe, arrijnë kulmin me hedhjen e eshtrave të kolonelit para këmbëve të gjeneralit, gjatë dasmës.
Më pas, prej bisedës me gjeneralin tjetër mësojmë se gjenerali ka zgjedhur t’i hedhë eshtrat aq shumë të kërkuara në lumë, e për këtë fakt është grindur me priftin e nuk flasin.
Personazhet janë më të pakta në numër, në krahasim me romanin që botohet në vitin 1963, edhe struktura e tregimit ndryshon prej romanit që do konceptohet në kapituj, mes tyre dhe një kapitull pa numër etj.
Përkundër vlerësimeve të kritikës së kohës që do i përmendim më poshtë, mund të themi se kjo vepër u qëndroi larg modeleve shabllone të veprave të kohës, është ndër të parat romane që e trajton luftën estetikisht dhe siç shkruan vetë autori ishte një kompromis mes traditës dhe risisë.
Pyetjes së Éric Faye-së nëse “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është i përcaktuar mirë në kohë dhe nëse është frymëzuar në fakte të vërteta, Ismail Kadare i përgjigjet:
“ Po, e saktë, mbështetet mbi fakte reale. Sapo isha kthyer nga jashtë, në përfundim të studimeve, dhe një ditë vajta me disa miq te hotel ‘Dajti’. Aty pashë një gjeneral italian, njëkohësisht edhe priftin. Kishin ardhur për një mision të tillë.”
Kështu zuri fill ngjarja e trilluar e Gjeneralit, që gjenezën e merr prej një ngjarjeje reale, për të marrë më pas përmasa botërore. Një vepër që do e bëjë të njohur pas botimit në Francë e më pas me botën perëndimore, në kushtet e mbylljes prej një regjimi të rreptë diktatorial që ekzistonte në Shqipërinë e asaj kohe.
Me sa duket, një sinjal na vjen që prej zanafillës së veprës që cilësohet prej vetë autorit si e ndërlikuar, për shkakun se për bërthamën e saj shërbeu hapja e shtëpisë publike, përmasën e fillimit do ta reflektoj në këto ripunime të veprës për të cilën Kadare në veprën e tij autobiografike “Ftesë në studio”, shprehet se s’ka mundur t’i fashitet nervoziteti gjatë punës me veprën.
Pyetjes së Eric Faye-së sesi do e kuptonte se kishte arritur të varianti përfundimtar, ai do i përgjigjej se “Disa romane mund t’i ripunosh pa pushim… kam përherë dëshirën t’i rikthehem romanit tim të parë, ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë.”
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” botohet për herë të parë, si tregim në revistën “Nëndori”, në 5 maj të vitit 1962 në numrin 5 të saj dhe zë faqet 53-76. Në dy prej faqeve ka dhe ilustrime, përkatësisht në f. 59 dhe f. 64.
Duket se kjo formë e të ndryshuarit të veprës do e ndjekë Kadarenë që prej ndryshimit të llojit të tregimit në roman e më pas në gjithë botimet e mëvonshme.
Të njëjtin fat s’do të këtë titulli i veprës deri në botimet e ditëve të sotshme, në ndryshim prej veprave të tjera që kanë pasur të njëjtën rrugëtim ripunimesh duke u bërë dhe objekt studimesh me rëndësi si në rastin e veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, “Kështjella”, “Qyteti pa reklama”, “Nëpunësi”, që trajtohet së fundmi në një punim interesant nga Matteo Mandala, por nuk është rasti për t’i shqyrtuar më hollësisht këndvështrimet e tyre në lidhje me titujt e veprave të sipër përmendura.
Botimi i dytë i Gjeneralit do të dalë në muajin qershor në dy numra të gazetës “Zëri i rinisë”, në datat 23 dhe 25 qershor të vitit 1962, nën përcaktimin e tregimit. Ky lloj do të jetë i fundit sepse që në vitin 1963, Gjenerali do botohet si roman dhe ripunimet dhe variantet e tij do jenë të llojit të romanit.
Në kritikën e kohës do vlerësohet kështu:
“Romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ pohon optimizmin historik për të ardhmen e popullit shqiptar…..duke e paraqitur disfatën e armiqve në përqasje me fitoren historike të popullit shqiptar, vepra ka fituar një tingëllim të gjerë. Kriza shpirtërore që jeton gjenerali…është fundi logjik i një konflikti të thellë me popullin shqiptar.”
Më pas, Jorgo Bulo e vlerëson Gjeneralin si një dukuri të re në zhvillimin e letërsisë shqiptare, jo vetëm për thellësinë e problematikës që trajton, por dhe për risinë e formave artistike.
Ndërsa, një tjetër kritikë i kohës, Adriatik Kallulli, do e vlerësonte krijimtarinë e Kadaresë kështu: “ Arti i tij është një këngë sublime, me tinguj të madhërishëm për pavarësinë shqiptare, që garantoi vetëm pavarësinë shqiptare që e garantoi vetëm Partia dhe revolucioni socialist, për dinjitetin e kombit dhe të popullit në këtë epokë…”
Objektivi i punës do jetë, ai i analizës filologjike mes këtyre dy botimeve të para, që zë fill me botimet në periodikët e kohës, punë e cila ka një synim të mëvonshëm, si pjesë e një studimi për veprat që kanë pësuar ndryshime.
Në këtë punim kemi marrë në shqyrtim variantet tekstore, në të cilat vërejmë ndryshime, shtesa, heqje, zëvendësime, të cilat i kemi reduktuar në dhjetë prej tyre.