2016-10-04

Vështrim i shkurtër mbi veprimtarinë poetike të Seveme Fetiqit

Shkruan Laureta Miftari –
Sevëme Fetiqi 01Në nënqiellin europian të mërgatës sonë, në mes të një laramanie harmonike letrare gjejmë një thesar të lënë nganjëherë pas dore, gjë që është në kundërshtim të habitshëm me krijimtarinë e mërgimit botëror në përgjithësi. Jam e mendimit se shum pak i jepet rëndësi letërsisë jashtë trojeve etnike e kjo krijon një mangësi morale ndaj autërove që me mund të pashoq krijojnë në kushte të pavolitshme, vepra që rradhiten në lartësitë e letërsisë sonë.
Një ndër autorët që meriton respekt të posaçëm për arritjet poetike, që jeton e krijon në perëndimin europian, dallohet Seveme Fetiqi e cila padyshim, qëndron në anën e poetëve që kultivojnë një gjuhë të kulluar shqipe, pa rëndime të panevojshme me huazime që ngaherë është bë modë tejet e dëmshme në letërsi e sidomos në gazetari e politikë por edhe në forume të ndryshme anë e mbanë botës shqiptare. Kur flas për gjuhën e Sevemes, përmend edhe faktin se autorja preferon krijimin e një fjale të re (neologjizmën) dhe kështu fiton një adhurim të posaçëm nga idhtarët e gjuhës së pastër sepse me këtë vë në pah fuqinë e saj krijuese dhe dashurinë ndaj amëtares duke iu mënjanuar fondit të fjalëve të huaja, këtij snobizmi të kohës sonë.
Poezia e viteve gjer më 1981/82 dallohet me një gjallëri sentimentesh rinore të botës së revoltave dhe përjetimeve të paharueshme, që me bukurinë e shprehjes edhe simbolikës, këndon ngjarjet historike të demonstratave të viteve paraprake është padyshim “Natë e plagosur” (Kurorë e kaltër”, 1985). Këto vjersha lexohen me ëndje me dhjetëra herë, janë aq të fuqishme…, gati mistike në brendinë e vet domethënies së tyre sa që ngjallin etje të pashueshme për lexim e rilexim. Shpesh në literaturën botërore, gojore apo të shkruar, hasim në vargje me “pëllumba të bardhë” por shifeni çfar magjije i jep autorja kësaj “formule” aq të lexuar e dëgjuar që nga lashtësitë:

me pëllumba të bardhë
nga syri imi lëshoje
në qiellin tënd të paskaj
Në spektrin emocional e filozofik, vitet e paraluftës në Kosovë, posaçërisht ata të kohës para dhe gjatë demonstratave ’81, janë të shtjelluara nëpërmjet metaforës që është pasojë, në fillim, e ngarkimit terorizues të pushtetit të huaj por që autores i sjell famën e zotërueses më të madhe të kësaj figure shprehëse. Metafora në poezinë e saj zë vendin e mbrojtëses së integritetit psokofizik e nga ana letrare, shkëlqen si margaritar i rrallë i simbolikës poetike të kohës së vrullit demonstrues kundër pushtuesit në Kosovë, pjesëmarrëse dhe përjetuese e të cilave është edhe vet autorja.
Fuqia dhe bukuria e shprehjes ; e vargut në poezinë e Sevemes nuk lind nga ndonjë shkollë apo ndikim special i mësuar ose i përvetësuar nga poetë të rangjeve botërore ose kombëtare. Ajo vjen si ujë burimi nga thellësitë e përjetimeve vetanake përgjatë trazirave të njohura kombëtare dhe luftës së vazhdueshme për liri. Për më tepër, konsideroj se këto vargje janë sublime dhe shprehin një rrugëtim historik shekullor të veshur me petk lirik tejet mbresënëlës. Dallohet gjithashtu një ndërtim sintaksor që shndrrit rreze gati euforike liridashëse. Në këtë kontekst ndërtimi stilistik, dallojme në disa vende anaforë të mrekullueshme (u bëra murane në pritje / u bëra klithje në heshtje) dhe simbolin, për të cilin kam bindjen se është figura më e preferueshme e poetes.
Përmenda më lartë se Sevemja posedon një forcë befasuese në krijimin e neologjizmave. Ajo në disa vënde me lehtësi të paparë gjen dhe ndërton fjalë me të cilat plotëson një « shprazëtirë » shprehëse ; sikur i mungon fjala e duhur, andaj ajo me estetikë të pamohueshme prodhon fjalën që ia kënaq dëshirën e shprehjes në varg. Ndaj këtu shembullin më të bukur kur ajo nga « hapësirave » ndërton shprehjen « hapërimave » që nuk do koment, ka një ngjyrë shum më domethënëse se termi i zakonshëm burimor.
Ndër veçoritë e rradhës së parë, pa mëdyshje është forca tërheqëse për të lexuar poezitë (librat) e Sevemes. Lexuesi, nuk kalon mbi këto vjersha me një hedhje syri. Nuk janë këto vjersha që eventualisht mund të lexohen shkel e shko. Lexuesi byle këthehet disa herë në të njëjtën vend. Lexon dhe rilexon. Kjo magji tërheqëse që mban peng lexuesin krijon një ndjenjë adhurimi ndaj fjalës dhe analizës së « historikut » të fillit dhe mbarimit të vargut e lidhjes së tij në hapësirën e brenda vet vjershës, ciklit dhe librit në përgjithësi.
Kur flas për veçoritë e veprave në përgjithësi, do të vë në pah një moment tjetër që flet për preokupimet e Sevemes që i hedh në letrën poetike. Moralisht e paluhatshme, ajo i ndejti besnik shfrytëzimit të temave dhe çështjes kombëtare, që më së miri i « flejnë » për zemre dhe nuk tregoi as tentativën më të vogël t’i rreket, si shum shkrimtarë këtyre dekadave të fundit, shkarravinave pornografike me të vetmin qëllim të arritjes së një emri e sidomos, arritjes së suksesit në tregun e librit. Personalisht, nuk kam hasur në asnjë shkrim të saj edhe ndryshimin më të vogël në rrugëtimin e saj drejt majave të poezisë shqipe.
E mbyll këtë shkrim të shkurtër me bindje se Sevemja do të na prezentojë akoma libra të rinj, duke i ndenjur besnike gurës së gjertanishme të frymëzimit dhe do të dijë të ruajë stilin joshës të mbushur me jetë kombëtare dhe jo, si që hasim shpesh tek disa poetë, me katrahura mitike jashtilire që bastardhojnë të kaluarën dhe të tashmen tonë sublime.
Në vazhdim, disa poezi të autores, zgjedhur nga Filolet:

NATË E PLAGOSUR I

Në shtegun e pritjes
me agim në duar të gjata
në lojëra stinësh
me pëllumba të bardhë
nga syri imi lëshoje
në qiellin tëndë të paskaj.

Hiri ynë pluhurosi shekujt
kur ra nata e plagosur
mbi fytyrat e përlotura
nata e pagjumësisë erdhi
heshturazi gjurmëve të mia
nga ikën pëllumbat e agut.


NATË E PLAGOSUR II

Sërish u  kthyen  pëllumbat
e mi të agimeve  të përhimta
zbritën me shpresë
mbi pullazet e shtëpive
te kodra e diellit

e dini se dita po vjen
kur sqepat i ngjyrosnin
në lumin e përgjakur
të kësaj nate të plagosur

pagjumësia me rolin
e dëshmitares së pagabueshme
së bashku  me pëllumbat
i shkundnin krahët e lodhur
në pluhurin e shekujve
puthnin plagët e muzgut të skuqur all
dhuronin bardhësinë e puplave
përfundimit të lidhjes së plagëve
të kësaj nate të përlotur

unë pritja me drojë
në pragun e ekzistencës sime

rrini këtu o pëllumba të agut.

Kur ç´mbështillet lëmshi

Shiko qe
po i ç´mbështolli nyjet
sikur zanat kur i ç´mpleksin
gërshetat për fitoren e endërruar

eja
permes Çamërisë e Tiranës
përmes Dibrës e Gostivarit
përmes Plavës e Gucisë
deri në Dukagjin
shtriju si fëmijë i llastuar
mbi Fushë Kosovë
duke i njehsuar fijet e barit
deri në pafundësinë e hapërimeve
ngjitu në freskinë e Bjeshkeve të Nemuna
t´i ndjesh mushkëritë si lirohen
nga dashuria e mbytur

eja
fotografive të kohës së gurit
lëkurën t´ia rrjepim
kohës së qiellit të lirë
t´ia qepim fustanin e mëndafshtë
as më të gjërë as më të ngushtë

eja
këtu të lundrojmë
në lumenjtë e përtërirë

(Marr nga përmbledhja “Dëshmia e kthimit tim”1998)

Tregim i trilluar

Kjo poezi lindi mu ditën e parë
te mergimit kur mundohesha bijes sime Blertes
t ia zbus mallin per Kosoven

1.
Koha tallej me ne
kur mbi supe mbanim
rruget e shkuarjeve
me buqeta ardhmerie
se do te kthehemi

Blerte
loti ne faqe
ishte me i rende se
se Bjeshket e Nemura
ne prehrin e Tokes

fytyrat e zbehura
mbeten imazhe te kthyera
kah malet e Cycavices
harqet e pershendetjeve
i mashtruan shoqet e tua

ato mbeten pas nesh
ecjet tona kah perendimi
merrnin ngjyren e perhimte
te gezimeve te rrejshme

2.
ketu dimrat jane te ftohte
ketu e e kemi banesen tone
me nje dritare kah bota e civilizuar
do te vizatojme tere boten
(vetem ky eshte komunikimi yne me boten)
lotet ne fytyren e Palaqos se marre

duke i varur ne muret e zbrazta
buzeqeshjet ne vend te pikturave
me kryevepren tone do te tallemi
sa bukur kemi vizatuar jeten e re

Lundra te bardha do te ndertojme
me to te lundrojme cdo nate
ne lumenjte e loteve tane
deri te Edina Fitorja Lumnia
peshqeshe dhembjeje do tu dergojme
ta gezojme gjyshin dhe gjyshen në Kosove
per ta qetesuar Unin dhe Pezmin tone
ne shitoret e pendimeve

njëmijë e një puthje do ti dergojmë
me to te ngrohen femijte ketij dimri
derisa ti guxon te marresh fryme lire
ajri ketu eshte i paster
ajri blehet ketu me te holla

ne shkolle do te te dojne shoqet mesuesja
do te mesojne si duhet dashur atdheun
gjuhen shqipe prindin
do te mesojne se duhet te kthehesh
rrugeve te hirit qe i le ne endrra

3.
Deri kur do te qeshesh
me fytyre kah era
deri kur do te vizatosh lote
ne vend te luleve te vendlindjes
me premto do te kthehemi
ti ne pune une ne prehrin e gjyshes
si dikur

nuk e dij Blerte
ku ta gjej ate pastel
t ua jap ngjyren e vertete
premtimeve te mia

e dij vetem kete e dij
cka qe ajo qe percaktoi fatin
e ketij tregimi
me tere kuptimin e hidhur
te mashtrimit

Marr nga përmbledhja “Dëshmia e kthimit tim” 1998
Shkruar në Prym, tetor 1992


DASHURIA

…është një botë e vogël
ne Univers
nje enderr e embel
qe zgjat shume shkurt
stuhi qe fryn ne cdo stine
fillon ne bebze te syrit
jeton ne dritherime zemrash

dashuria…
te shkrepetine ne shikim
ndezet ne pasione
si helmi shperndahet ne gjak
si nje thike me dy tehe
te ngulitet ne mendje
si qelq i shkelqyer
damaret ti pren
lene vrrage ne shpirt
eshte e shurdhte
fjale nuk degjon

eshte e bukur si poezia
spirituoze si pjese teatrale
mbaron si nje perralle

ne fund
mbeten
germadhat e dhembjes

Diellin e pashë

Kur me mbollën
në tokë
së pari deshta
të të shoh vetem Ty
o Diell
e lule pa Ty
me shekuj isha
në errësirë i krehja
rrezet e tua
i ëndërroja
agimet e purpurta
në fytyrën tënde
të perënduar

…dhe plumbat shekullor
ballin ma qëlluan
sytë mi verbuan
me hirin e robërisë
me shtatqind dimra
fjalën në gjuhë ma ngrinë
petalet mi shpërndanë
një nga një
kah bota e largët

vetëm farat i mbulova
me dheun e larë me gjak
e rrënjët e mia
i shartova
me agimet e bardha
për tu takuar
në dëshirat e mia të
klorofilta

mallkova errësirën e kuptova
edhe lulja paska aht

u bëra muranë në pritje
u bëra klithje në heshtje
u shndërrova
në myje të pamposhtur
me fije shpresash
thurra kuotat e fitoreve
pikova lotë të kuq

shqiponjat lajmëronin
Festën e pritur
ngrita kokën
rrezet e tua i putha
unë lulja jote e vuajtur
u ktheva kah Ti
Ty të pashë
Diellin tim e pashë

Tash edhe në vdeksha ndashtë
(E shkruar me 17.02.2008 Dita e shpalljes
së pavarësisë së Kosovë)

Mallit verja çfarëdo emri

U mesova c nuk u mesova
me dhembjen time-thike me dy teha
ne gji te neteve
te bredh me pagjumesi
mes mureve të ftohta
te perbirohem
me fuqine gjigante
te perplasem si pike e shiut
ne dritaret e huaja
te ngrihem,te shkelqej
si fjolle bore ne krahneze

sec u mesova
te rrokullisem
ne ererat e Perendimit
vetem nuk u mesova
te jetoj pa Ty

Kosovë

Macja me virtyte

Nuk ecte kurre
Mbi pullaze
Ecte neper skaje
Shume me kujdes
Skajet ishin orientimi i saj

As nen sofra
Nuk hynte
Kur e nuhatte
Eren e mishit
E minjtë e perhimtë
Loznin valle rreth saj

Nuk kotej
Afër zjarrit
Rrinte prapa
Dyerve
E sillur
Rreth e përqark
Heshtjes se vet

Ndonjehere e mllefosur
Me thonjte e mprehte
Gerryente
Durimin e saj
Mbi gur

Nuk e pinte
Qumshtin nga pjata
As ujin e shiut

Nente shpirterat e saj
Ketu ne kete vend
I kishte lene

Sa here
Ia mbyllen deren
Sa here
E humben ne largesi
Cdohere e gjeti
Rrugen
Deri te pragu
I shtepise
Ku ishte lindur

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...