Autor që shkruan për fëmijë e për të rritur (poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare), Veli Veliu (1958) që nga viti 1982, ndër të tjera, ka botuar këta tituj librash: “Zogj merrmëni me vete” (1982), “Nën strehën e yjeve”, “Ditari i Zana Frangut”, “Rrugët nuk ndalen”, “Rruga e rrezeve”, “Shqiponja”, “Shtatë përralla”, “Vite të stuhishme”, “Besa e Konstandinit”, “Zogu i yjeve”, “Orët e pagjumësisë”, “Fundi i perandorisë së vogël”, “Me Zotin e tokës”, “Zog i këngës shqipe”, “Shkolla e natës”, “Drita e shpirtit të shenjtë”, etj.
Vitin e kaluar ky autor botoi edhe dy tituj të rinj poezish: “Në jugun e mallit tonë” (poemë për të rinj) dhe atë të soneteve, “Nën qiellin e tokës së ndarë”. Poema për të rinj, “Në jugun e mallit tonë” (botues “Meshari”, Prishtin, 2013), që është njëfarë udhëpërshkrimi poetik, do të mund t’i shkonte si moto thënia e një shkrimtari tonë të njohur: Njihe, duaje dhe ndërto atdheun!
Libri hapet me katrenën “Parafillimi” dhe përmbyllet me katrenën tjetër “Pasmabarimi”. Ndërmjet fillimit e mbarimit strukturën e poemës, përkatësisht të librit e përbëjnë dyzet njësi poetike. Këngëtimet e Veliut në formën tradicionale të vargimit (të shumtën në katrena të rimuara) bëhen për rrugën e kombit, për Liqenin e Fierzës, mirditasit, Vjosën, për Kaninën, Onufrin, për Fushën e Myzeqesë, për detin e Vlorës, Borshin, Durrësin, etj. Këto poezi i karakterizon narracioni, por edhe përshkrimet poetike për vende, ngjarje, personalitete e mbresa të tjera të subjektit lirik përgjatë një ekskursioni poetik nëpër vise e qytete të ndryshme të Shqipërisë. Krahas muzikalitetit që e mundëson metrika dhe rimariumi, poezitë shquhen edhe për qartësinë e pasimit të mesazhit poetik me qëllim që t’ia lehtësojë lexuesve të rinj komunikimin poetik me vargjet e librit dhe me porositë që përçojnë ato.
Ndërkaq, libri tjetër “Nën qiellin e tokës së ndarë” (botues “Meshari”, Prishtinë, 2013), është një përmbledhje sonetesh, një lloj tjetër i poezisë klasike, që shkruhet gjithnjë e më rrallë në letrat tona. Në fund të librit është dhënë edhe një kurorë sonetike me titull “Hija e Tomorrit”, ndërsa përmbyllja e saj me sonetin e fundit, në vend se Magjistrali nuk e di pse, gabimisht ka dalë Magjistari. Autori në krijimet poetike të këtij vëllimi këngëton për tema e motive të ndryshme, për situata e përjetime që vijnë si reflekse kohësh e moshash nga vendlindja (Veli Veliu është i lindur në fshatin Muhovc, të komunës së Bujanocit), për personalitete të ndryshme si ballkanologia Edvokia Kaslari, për malësoren, për gjyshin, Prizrenin etj. Më tej lexuesi do të gjejë vargje edhe për kujtimet nga Fakulteti Juridik, nga gjimnazi i Bujanocit, por edhe për një varg shqetësimesh të tjera që autori i shndërron në art poetik.
Në vëllimin poetik “Nën qiellin e tokës së ndarë”, poeti e jep mesazhin e tij në këtë mënyrë, si te vargjet: “Rruga e hapur, të vish, në çdo kohë, / Edhe vonë në mesnatë kur ka furtunë! / Jemi të një gjaku, më njeh e të njoh,/ Nesër mund të jesh ti, e ti të jesh unë” (soneti “Nën qiellin e tokës së ndarë”, fq. 44).
Meqë mund të konsiderohet se çdo autor i ka lexuesit e tij, Veli Veliu sikur do t’iu qëndrojë besnikë atyre, mbase duke e respektuar shijen dhe mundësinë e perceptimit të tij, shkruan kritiku Ragip Sylaj. Duke shkruar qëllimisht letërsi qëllimore, siç do të thoshte një studiues yni i letërsisë, ndoshta e ka edhe synimin tjetër ekstra letrar që nëpërmjet vargjeve mesazhi i tij të ketë ndikim sa më të madh ndër lexues.