Reportazh
Nga Tiranë për në Gllogjan, rruga është e gjatë. Është një rrugë që nga fusha shtegëton luginave, maleve, fushave prap, maleve prap, e kështu për disa orë. Të kesh në krah një të moshuar, ai fillon e të flet për kohën e tij, për kohën e të parëve që e ka dëgjuar nga të tjerët, për shtigjet e vështira nëpër të cilat bëhej kjo rrugë, të flet për kohën dhe njerëzit, për historinë dhe sakrificën njerëzore.
Në këto udhëtime kanë rrjedhur me dhjetra histori dhe opinione në gazeta dhe shënime shkrimtarësh, gazetarësh, turistëve të huaj, njerëzve të apasionuar pas maleve dhe njerëzve që jetojnë në këto hapësira, për politikanë dhe heronj, për martirë dhe udheheqës shqiptarë dhe të huaj, në një lloj kuptimi në këtë rrugë ka udhëtuar përmes vështirësive, terrenit të ashpër dhe humnerorë, befasive të motit dhe vështirësive të tjera një botë e vërtetë shqiptare. Kanë udhëtuar politikane, patriot, tregëtarë, njerëz në hall, kanë udhëtuar njerëz të thjeshtë. Kjo rrugë, që tashmë është “muzeale” ka përpirë sytë e mallit të qindra mijra shqiptarëve nga trojet etnike, të cilët mezi e kanë pritur lirinë dhe kohën për të shkuar dhe ardhur tek njëri- tjetri.
Është një, meditimi i thellë i pleksur jo vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë, që ndajnë kufirin me vëllezërit e tyre në një vijë gjatësore të gjatë, por dhe për shqiptarët e përtej kufirit, të cilët vijnë në Shqipëri me një emocion të dallueshëm vëllazërorë. Në një lëvizje të përherëshme, gati njëzetë vjeçare, kam pasur rastin të udhëtoj me njerëzit, me historitë, me dhimbjet, me emocionet, me një histori të jashtëzakonshme njerëzore të nisur njëqind vjet më parë e që sot në vitin 2018 vijon në një përmasë dhe në një dimension tjetër emocional, të shprehur në qindra mundësi dhe forma që ka komunikimi njerëzorë.
Sado të ecin kohët, sado të kesh njohur njerëz nga trojet, sado të kesh njohur histori familjare, krahinash, kullash apo njerëzish në Kosovë apo në trojet e tjera shqiptare, gjithmonë, të godet fort ideja fillestare sa herë që thua:- Do të shkoj në Prekaz, do të shkoj në Prizren, do të shkoj në Shkodër, do të shkoj në Vlorë apo do të shkoj në Krujë, do të shkojë në Gllogjan apo gjetkë! Instinktivisht një gjendje e thellë shpirtërore njerëzore, merr një “trajtë” vlimi dhe befasie. Nuk shkohet në një vend të zakonshëm, as në Prekaz, as në Prizren, as në Krujë, as në Shkodër dhe as në Gllogjan. Me dashje apo pa dashje, në ndërgjegje fillon të të shfaqet kujtesa historike, historitë, njerëzit, ngjarjet, motivet, tradita, këngët, zakonet, pra një kompleks gjërash, ashtu siç ka rrjedhur jeta jonë nga shekujt dhe siç rrjedh dhe sot e kësaj dite.
Në të vërtetë sado të njohësh apo mos të njohësh shtegëtimin e rrugëve, njerëzve, automjeteve, nga rrjedhin lumenjtë, ku shpalosen bjeshkët me pyjet e magjishme, asnjëherë nuk mund t’i shmangesh meditimit, pyetjeve pafund që ia bën të njohurit apo të panjohurit, vetes dhe kohës:-Si ka rrjedhur koha në këto anë?- Si është mbajtur jeta, kultura, historia, si është krijuar vetëdija historike, marrëdhëniet me botën dhe veten, mitet, këngët, zakonet, epet, filozofia e bashkëjetesës me të vjetrën dhe me të renë, me rregullin e rreptë të jetës, me komunitetin, i cili për shkaqe të njohura historike në veri, ka qenë shumë i konsuliduar.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme, më madhoret, më udhëtaret e para të çështjes sonë kombëtare. Është një nga momentet më legjitime, më të zgjuarat, me ndërgjegjen madhore të burrave dhe njerëzve të ditur, të cilët kuptuan se sa të rrezikuar ishin trojet, njerëzit dhe e ardhmja e tyre, që kuptuan aktualitetin dhe të ardhmen e Perandorisë Osmane, e cili i kishte pushtuar trojet për pesë shekuj, kuptuan se ngrehina otomane po binte e bashkë me të po groposej dhe kombi shqiptarë, të cilin do ta shqyenin copa- copa lukunitë ballkanike dhe ato jashtë ballkanike, por ajo që është më e rëndësishme, është akti i parë zyrtarë dhe i dakordësuar i shqiptarëve për shtetin dhe kombin e tyre. E kështu, qyteti i lashtë Prizreni nuk mund të anashkalohet kurrë. Nga Morina në Prizren ka lapidare, lugina, bjeshkë, fshatra, rrugica dhe shtigje ku lapidaret e vjetër dhe të rinj të kujtesës së luftës gjallojnë dhe të kthehen si ca udhëtarë që të çojnë drejt Selisë ku u mbajt Lidhja.
Prizreni nuk mund të anashkalohet qoftë për shkak të lashtësisë, qoftë për shkak të kulturës, të dijes, arkitekturës dhe historisë së vet dhe të Shqipërisë.
Për të shkuar deri në Gllogjan ka rrugë dhe shtigje të shumta, fshatra, qytete, krahina, bjeshkë e fusha, kodra e kulla, por ajo që është vërtetë interesnate në këto udhëtime ka një fenomen interesant historik. Nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat dhe nga krahina në krahinë në Kosovën e ditëve tona, në rrugëtim të shoqërojnë dhjetra memorial të luftës së fundit. Është një tokë dhe kohë e ”mbjellë” me një sakrificë sublimne për lirinë. Të rinjtë shqiptarë i kanë bërë kurban jetën e re tokës së Kosovës.
Sapo të shkon në mendje se po shkon drejt Gllogjanit, në kujtesë të shfaqet kulla e pamposhtur e Haradinajve. Gllogjani i gjithi ka qenë një front lufte, por 24 marsi në çdo vit, që nga 1998, ka një raport të fortë reflektimi, ka një kthim në kohë, për ta bërë luftën e UÇK-së, më reale, më të qartë, më të kuptueshme dhe më komunikuese. 24 marsi është dita e Gllogjanit, është moment pët të shkuar tek Kulla e Haradinajve, tek epopeja e Haradinajve për të komunikuar, për të kujtuar dhe për të parë rrugëtimin e mbijetesës së lirisë. Kulla e Haradinajve dhe legjenda e Gllogjanit, një legjendë që e kanë ushqyer dhe dhjetra familje e luftëtarë të tjerë lirie është një realitet interesant, ku të gjallët dhe të vdekurit, të moshuarit dhe të rinjtë, dhimbja dhe gëzimi janë bashkë. Aty është historia, është beteja e parë frontale në Dukagjin. Shteti serb ka sulmuar Gllogjanin, në shinjestër të të cilit ka qenë familja Haradinaj.
Beteja e Gllogjanit dhe e Kullës së Haradinajve është e njohur. Pervëç humbjes së luftëtarëve Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinajt dhe Agron Mehmetaj, në horizontin e luftës për çlirimin e Kosovës ndriu njeriu epokal Ramush Haradinaj. Ramush Haradinaj shkëlqente si një shpresë e madhe për atë që po ndodhte në Kosovë, përkundër mizorisë sllavo-serbe, e cila dhe në këtë rast përveç të zënit rob të disa fshatarëve të Gllogjanit, kishte kërkuar të përdorëte nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina” si një mur lëvizjeje, për të iu shmangur përplasjes fatale me luftëtarët dhe rezistencën e banorëve të Gllogjanit. Në luftën më të rëndësishme të historisë së Kosovës, Kulla e Haradinajve do të shndërrohej në një nga bazët e rëndësishme të saj.
Sa herë flitet për Kullën e Haradinajve, detyrishmisht duhet të flitet për familjen Haradinaj, e cila është dhe mbetet një gurthemeli në të cilën i rritën dhe edukuan luftëtarët e njohur të gjallë dhe jo të gjallë Ramush Haradinaj, Luan Haradinaj, Shkelzen Haradinaj, Daut Haradinaj, Enver Haradinaj.
Ramush Haradinaj që në ditët e para të luftës, jo vetëm pse shquhej për cilësitë e një luftëtari të aftë për të përballuar çdo kundërshtarë, por një nga tiparet më të rëndësishme të një prijësi qe marrja e përgjegjësive të mëdha, për gjegjësinë e luftës, përgjegjësinë për të marrë luftime të shumta me luftëtarët e tij, të cilët ishin djemtë më të mirë të Dukagjinit dhe të Kosovës.
Epopeja e Gllogjanit, nxori në pah një kompaktësi të jashtëzakonshme të një populli që ishte i përgatitur për luftë. Ramush Haradinaj dhe shumë të tjerë kishin ardhur nga Zvicra, ku përveç edukatës familjare, rrëfimeve dhe përballjes me urrejtjen dhe totalitarizmin serb në vendlindje, në emigracion kishte mësuar dhe kishte përafruar qëllimin e vet për lirinë me shumë bashkëkombas të tjerë, të cilët ishin bërë bashkë nën kauzën e lirisë së vendit të tyre Kosovës, pavarësisht preferencave politike. Kudo ishte gjendur, Ramush Haradinaj, familja e tij, bashkëluftëtarët e tij kishin një informim të madh për ç’ndodhte në Kosovë.
Ashtu siç ndodh në histori epokale, historia e Gllogjani, Kulla e Haradinajve lidhte fort me thelbin historik jo vetëm të Dukagjinit, por të gjithë Kosovës, pasi ajo ka jetuar dhe ka pasur lidhje të vazhdueshme me të gjithë ngjarjet që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës. Sado të kalojnë kohët, në çdo 24 mars në Gllogjan dhe në Kullën e Haradinajve, me Bacë Hilmiun, Ramushin, luftëtarët e tjerë, njerëzit e tjerë do të flitet për emigracionin, shokët e idealit atdhetarë, do të flitet për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, për Femi Lladrovcin, Abedin Rexhën, Bekim Berishën, Bedri Shala, për Luan Haradinaj, Daut Haradinaj, Himë Haradinaj, për Lah Brahimaj, për Mujë Krasniqin, për Shkëlzen Haradinaj, për Enverin e Frashërin, pra flitet për luftën në ditët e lirisë.
Më 24 mars vijnë të gjithë. Gjithë dukagjinasit, kudo janë shkojnë në Gllogjan, shkojnë tek Kryekulla e Dukagjinit, Kulla e Haradinajve. Është një zakon i vjetër, që iu pëlqen të gjithëve. Vjen Ramush Haradinaj, krye-luftëtari i gjithë betejave të Kosovës në luftë dhe në paqe. Është një rast unikal në botën e qytetëruar përballja e Haradinaj në Gjyqin Ndërkombëtarë të Hagës, që për shkak të akuzave sllavo- serbe, iu kërkua të mbronte dhe të legjitimonte luftën më epike, luftën më dinjitoze, luftën më emblematike të Rendit të Ri Botërorë.
Dy herë në Hagë, dy herë kryeministri i Kosovës, por përherë një luftëtarë i paepur i kauzës së lirisë, Ramush Haradinaj vjen në Gllogjan, aty ku plekset rinia me burrërinë, familja me dinjitetin personal, aty ky bisedat dhe kujtimet për lirinë kanë kuptimin e madh.
24 marsi është një reflektim i mrekullueshëm i luftës dhe lirisë, i burrërisë, i familjes dhe individit. Është historia e sintetizuar në një sukses të fituar me sakrifica të shqiptarëve dhe gjithë Kosovës. Ramush Haradinaj sot është kryeministri i vendit, por gjëja më e rëndësishme në këtë fakt është se në thelbin e tij qëndron vendlindja e tij, kulla e tij, Gllogjani dhe Dukagjini.
Dhe këtë vit ne shkuam në Gllogjan, si çdo vit tjetër. Kishin ardhur shumë, luftëtarët, të rënët, të rinj e të reja, kishin ardhur vizitorë të rinj. Kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, e hijeshonte vendin Baci Rifat Jashari, Bekim Jashari, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Jetullah Lushtaku, Xhevahir Geci, Rexhep Selimi, Shefqet Musliu, Lah Brahimaj, Fatmir Limaj, Nasim e Agron Haradinaj, Bashkim Ramosaj, Avdyl Mushkolaj, Xhavit Jashari, Fadil Shurdha, Adem Grabovci, Safete Hadergjonaj, Ali Geci, Drita Krasniqi, Safete Shala, Arif Vladi e Ilir Shaqiri, i bëri të gjithë bashkë 24 mars dje dhe sot. Dhe në çdo 24 mars në Gllogjan duket se shkruhet një libër i ri. Historitë dhe kujtimet e bëjnë gjithmonë e më të prekshëm realitetin atdhetarë të Dukagjinit dhe Kosovës.
Gllogjan, 24 mars 2018 Rajmonda Maleçka