2018-04-20

FILXHANI ME BUZË TË KAFSHUAR

Image result for Kadri Tarelli





Skicë


Pasi piu një gllënkë ujë, afroi filxhanin më pranë vetes dhe pa i lënë radhë të tjerëve, Fatriu e filloi bisedën:
- Kur po shikoj këtë filxhan kafeje kaq të bukur, më vjen ndërmend një ndodhi, që nuk e kam përmendur, po bën gati 30-vjet.
Ishte mes shtatori i vitit 1992. Më emëruan drejtor shkolle diku në periferi të qytetit të Durrësit. Kohë ndryshimesh dhe trazirash të mëdha. Plazhi sapo ishte mbyllur, megjithëse vapa rëndonte ende. Zbrita nga biçikleta dhe e lidha pas një druri, pranë shkallëve të kafenesë së vetme në atë zonë. E rregullova mirë, që të mos pengoja kalimtarët. I ngjita me të shpejtë ato tre-katër shkallë dhe u futa në kafe. U stepa për një çast, pasi nuk e prisja atë pamje aq të zymtë. Nuk më pëlqeu që lokali ishte fare bosh, megjithëse ora shënonte shtatë e mëngjesit, kur njerëzit fillonin punën.
U ula në një tavolinë pranë derës, pasi m’ u duk si me më shumë dritë. Në banak qëndronte banakierja disi e përgjumur. Mbase askush nuk e kishte shqetësuar në këtë mëngjes të trishtë. Dëgjohej vetëm vërshëllima e avullit të ekspresit të kafesë. Banakierja, si duket po kryente edhe punën e kamarjeres, ndaj erdhi të marrë porosinë.
- Një kafe të mesme! – I thashë, pa lënë kohë, që ajo të fliste. Nuk e kuptova atë nënqeshje në shikimin e saj.
- Nuk doni ndonjë pije alkoolike? – pyeti e përmbajtur.
- Nuk e përdor alkoolin që në mëngjes. – i’ u përgjigja thatë. Edhe sot e asaj dite nuk e kam prishur këtë zakon.
Ajo u kthye dhe, si e lodhur, shkoi drejt banakut. Një rutinë e përsëritur mbase mijëra herë. E ndiqja me sy. Mori xhezven, hodhi ujë, kafe dhe sheqer dhe e vendosi tek tubi që nxirrte avull. Më pas, erdhi me tabaka në dorë dhe qëndroi pranë tavolinës. Me ngadalë, si me përtesë, e vendosi më parë një gotë uji e më pas një pjatë dhe filxhanin mbi të. E shtyu me kujdes drejt meje. Nuk e di pse nuk iku menjëherë. Në fytyrë kishte një lloj buzëqeshje të hidhur.
Gati sa nuk shpërtheva. Pse, do thoni ju? U trondita, kur pashë filxhanin aq të shëmtuar, sa nuk ua merr mendja. Nga jashtë dukej i mirë, por në buzë, nga brenda ishte hequr zmalti i bardhë në copëza të vogla, sikur ishte ngrënë me dhëmbë, ku dukeshin njollat e kuqërremta. Nuk kishte vend ku të vije buzët. Ja, cifla-cifla rrethe qark. – Fatriu çoi gishtin tregues tek buzët e filxhanit.
Kamarjerja më shikonte dhe nuk fliste, e gatshme të sulmonte që në fjalët e para, nëse unë do të bërtisja apo të ulërija. fjalët e tyre në raste të tilla ishin: “Po deshe pije, po deshe lere. Shteti këto na ka lënë”. Le që, ç”po them edhe unë, se edhe ju e dini, mbase më mirë se unë, atë kohë.
Nuk e di si u përmbajta dhe ç’pamje kisha në fytyrë. Në fillim, pjatën me filxhanin e kafes, që vazhdonte të nxirrte avull e afrova pranë vetes, për ta parë më mirë, pastaj me të dy duart e shtyva ngadalë drejt kamarjeres, duke e parë ngultas. Në mendje bluaja këto fjalë: pse e bëre këtë, se nuk më njeh, apo ç’ dreqin ke?
– Shumë paske duruar, - u hodh e tha Flamuri, duke lëvizur nga vendi. – Unë do ta kisha përplasur në çimento, ose do t’ia hidhja në fytyrë, po të ma punonte ashtu.
- Nuk di bëra mirë apo keq, por unë kështu veprova dhe besoj se bëra mirë. Kamarjerja nuk e priste këtë veprim, por në buzë nuk i shqitej ajo nënqeshja e ftohtë, sikur donet të thoshte: “E shikon ç’na bëri demokracia, jo vetëm po na le pa punë, ja vetëm ti po kërkon kafe sot, por edhe me filxhanë të tillë, që duken sikur i kanë kafshuar qentë”.
– Nuk mund ta pi kafen me këtë filxhan! - i thash me qetësi dhe nxora nga xhepi lekët, që i vendosi mbi tavolinë.
– Edhe këtë e paske bërë? Si munde të paguash? – foli Vaso. – Shumë i duruar je treguar.
- Unë sapo kam filluar punë këtu në Plazh, - i thashë kamarjeres, - dhe mendoj ta pi kafen këtu, se nuk ka lokal tjetër. Nëse nuk e kini bezdi, nesër po ju sjell një filxhan nga shtëpia ime.
Fytyra e gruas përballë u skuq, si spec djegës. Mbase u habit nga sjellja e papritur dhe fjalët e fundit, ndaj nxitoi të përgjigjet:
- Jo! Nesër do ta sjell unë nga shtëpia. - Dhe e mbajti fjalën. Të nesërmen, sapo u ula, erdhi dhe pruri kafen, duke buzëqeshur, sikur do më thoshte: “Ja e shikon, e solla filxhanin, besoj se do t’u pëlqejë!”. E falënderova.
Po ç’ndodhi në fund të javës, do të thoni ju? Sepse historia nuk u mbyll me kaq. Kolegët mësues, vendosën që në fund të mësimit, të uleshim në kafe, si për të më uruar “Punë të mbarë”. E pranova me kënaqësi.
U futëm në lokalin, ku unë pija kafe. Përsëri ishte fare bosh. Nuk kishte njerëz, megjithëse ishte mesditë. Kamarjerja, erdhi me një herë për të marrë porosinë.
Unë porosita një kafe dhe një fërnet, kështu edhe tre-katër të tjerë, ndërsa disa vetëm nga një gotë raki. Biseda vërtitej te ankesat ndaj mungesave në shkollë, që me thënë të vërtetën ishin të shumta. Nuk i numëron dot.
Pas disa minutash, kamarjerja me tabaka në dorë solli porosinë. Në fillim te unë, pastaj me radhë. Sytë e kolegëve lëviznin sa tek filxhani im, tek filxhani i tyre. Un me filxhan të mirë, ndërsa at me filxhanë me buzë të kafshuar. Unë po qeshja nën zë dhe vështroja fytyrat e tyre, që u rrudhën dhe u vërejtën si qielli dhe deti me stuhi, gati të shpërthenin.
Ajo e kishte menduar që më parë, prandaj i doli përpara grindjes, duke i sqaruar, se nuk kishte filxhanë të tjerë të mirë, pasi atë të drejtorit, domethënë filxhanin tim, e kishte sjellë vetë nga shtëpia. Plasi e qeshura mes nesh. Ata nuk e pinë kafenë, por Ademit, që ishte edhe sekretar i shkollës, s’ ju durua:
- E o drejtor! Ç’ na u bëre, si shoku Xhemë, qëmoti! - Të gjithë i hodhën sytë te mësues Xhemili, që e thërrisnin Xhemë, me që ishe me origjinë nga Rugova e Kosovës.
- Nuk është mësues Xhemili, Xhema i filxhanit. Ishte dikush tjetër. Dhe ja dha të qeshurit me zë të lartë, vuri duart në mes dhe s’pushonte, aq sa i dolën lot nga sytë. Mbas disa çastesh mundi të thotë: Çudi, akoma s’është harruar filxhani i shokut xhemë!.
Kjo ndodhi u mbyll duke qeshur, ashtu siç po qeshni edhe ju tani.
Kadri Tarelli
Durrës më: 16 të prillit, 2018.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...