Çmimi Kombëtar ,,Ali Vishko” u ndahet personaliteteve për vepër jetësore, kontribut të shquar dhe të arritura me rëndësi të veçantë në lëmin e arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.
Të drejtë konkurrimi kanë:
Institucionet e arsimit të lartë;
Institucionet shkencore;
Shoqatat shkencore dhe profesionale;
Shoqatat tjera të qytetarëve dhe studiues individualë.
Propozimet duhet të jenë të arsyetuara me shkrim dhe të përmbajnë:
Të dhëna personale për autorin,
Të dhëna bibliografike dhe
Arsyetim të propozimit për marrjen e çmimit.
Propozimet duhet të dërgohen në 5 kopje dhe të njëjtat duhet të dorëzohen deri më 31. 5. 2018, në adresën: Shoqata për kulturë dhe art ,,Tradita”- Tetovë, Këshilli për ndarjen e Çmimit Kombëtar ,,Ali Vishko”, 1200 Tetovë, Rruga ,,Ivo Llolla Ribar”, nr. 211/10, Fahu postal, nr. 50.
Propozimet e pakompletuara dhe ato të cilat nuk do të dorëzohen në afatin e paraparë nuk do të merren parasysh.
Kush ishte Ali Vishko ?
Ali Vishko është studiues i mirëfillt i problemeve historike në veçanti të historisë kombëtare dhe identitetit të tij në rrjedhën historike me theks të veçantë në periudhën osmane në Vilajetin e Manastirit dhe Pashallëkun e Tetovës. Ai i dha shkencës dhe historisë shqiptare dije dhe informacione të argumentuara për problemet kombëtare që i përkasin të shkuarës mbi të cilat ndoshta ka akoma diçka për të thenë e për të bërë.
Vepra e A. Vishkos është e tipit analitik argumentues ku prezanton kulturën, historinë problemet e arsimit shqiptarë në Perandorinë Osmane për Vilaetin e Manastirit dhe pashallëkun e Tetovës. Kjo do të thotë se krijimtaria shkencore e tij lidhet jo vetëm me mjeshtrinë e analizës dhe prezantimit të problemeve, por gjithashtu edhe me botëkuptimet e tija, me pikëpamjet e tij filozofike, sociologjike, politike - shoqërore dhe shkencore.
Punimet dhe veprat e tij mbështeten në metodologji dhe strukturë logjike e shkencore, në parimet shkencore dhe metodën e punës së cilës i përmbahet autori.
Tezat e studimit të prof. Vishkos kanë një rëndësi të madhe për studimet e mëtejme në fushën e histories dhe kulturës kombëtare.
Fjalët kyç: Ali Vishko, profesionale, shkencore, profesor, histori, arsim, kulturë, Perandori Osmane, Pashallëku, Tetova, Manastiri, pikëpamje, krijimtari dhe veprimtari.
Rreth personalitetit
Profesor Ali Vishko i lindur në qytetin e Strugës (1930 – 2009) është i njohur si arsimdashës dhe profesor historie. Personalisht e njoha në gjimnazin e Tetovës ku disa vite punuam bashk.
Njihet si personalitet që mblidhte të dhëna historike, por nuk pranonte informacione të paverifikuara. Angazhohej për qasje objektive në shkrime e studime.
Ishte guximtarë, mendjemprehtë. Reflektonte fisnikëri, mirësjellje dhe zemërmirësi. Ishte njeri i qetë, konstruktiv dhe korrekt me të tjerët.
Te profesor Vishko vërehej dhe ndjehej një personalitet dinamikë, krijues, komunikues dhe një intuitë e madhe. Ishte njeri i matur dhe vështirë hidhërohej. Por kur hidhërohej vështirë pajtohej. Zakonisht në raste të tilla e përdorte fjalën “ e angri”. Prej tij kanë mbetur edhe shprehje të tjera karakteristike që i përdorte me nxënësit, si për shembull: për nxënësin që nuk ishte i përgatitur, thoshte “ulu, rri dhe mëso”, për ato që flisnin pa argument thoshte “ shumë ke folë, por asgjë s’ke thënë” ose “ke folë n’hava”
Në këto shprehje të profesor Vishkos vlen të ndalemi më hollësisht, sepse ato shpesh ishin përgjigje të vërteta e të plota për problemin që ai donte ta shpreh.
Këto kualitete reflektonin shumë në krijimtarinë profesionale e shkencore të tij. Megjithatë kam edhe një vërejtje. Ndryshe nga vepra “Rregullimi administrative I Vilajetit të Manastirit” apo “ Kongreset e alfabetit e te shkollës shqipe”, libri “Harabati Teqe e Tetovës dhe veprimtaria e saj”, ka një rendësi të madhe sepse hedh dritë në disa aspekte të panjohura mire të jetës dhe veprimtarisë së Teqes, që është një nga institucionet komplekse të jetës shoqërore në veçanti të komunitetit bektashian.
Puna, studimi dhe elementi profesional ishin shumë të favorizuara, por nuk mjafton të jesh krijues dhe vetëm origjinal, duhet të jesh edhe vetvetja. Profesionalisht ishte i vendosur të arrije maksimumin prandaj partnere të jetës e zgjodhi historinë.
Veprimtaria arsimore – pedagogjike
Veprimtaria arsimore pedagogjike e tij është e shtrirë në një periudhë të gjatë e të gjerë afërsisht dyzetvjeçare .
Siç e dimë edhe nga biografia, po edhe nga rrëfimet e profesor Vishkos veprimtarinë arsimore e filloi si mësues i shkollës fillore në vitet 1946 deri nga 1960 në fshatrat Lopatë, Matejçe, Tatesh, Veleshtë, Livadhi dhe Studeniçan e më pas si profesor historie.
Veprimtaria shkencore - profesionale
Veprimtaria e profesor Ali Vishkos ka një domethënie të rendësishme për kulturën kombëtare. Ai gjithnjë kërkonte të dhëna të reja dhe puna e tij tashmë është vënë nën kontekstin e përgjithshëm të një pasqyre të vlerave historike dhe kulturore të kombit tonë. Ishte gjurmues dhe hulumtues i kulturës, të kaluarës kombëtare dhe kryesisht u morr me problemet historike e kombëtare gjatë periudhës osmane.
A.Vishko ka merita të konsiderueshme që nisi të merret me trajtimin e problemeve nga historia dhe kultura kombëtare në Perandorinë Osmane. Kjio mbase ai ishte njohës i mirë i osmanishtes dhe ajo i ndihmoi në studimin e historisë.
Lëmi kryesor i veprimtarisë së prof. Ali Vishkos është historia kulturore dhe historia kombëtare në Perandorinë Osmane me theks të veçantë në Vilaetin e Manastirit dhe Pashallëkun e Tetovës.
Ali Vishko me studimet e tij krijoi një përfytyrim më të plotë për të kaluarën historike shqiptare dhe gjendjen e shqiptarëve në Perandorinë Osmane me theks të veçantë në Vilaetin e Manastirit dhe Pashallëkun e Tetovës. Këtu vlen të përmendi çështjen e alfabetit, ndarjen administrative të Vilaetit të Manastirit, komuniteti bektashian etj.
Në veprimtarinë e tij shkencore trajtoi edhe probleme nga historia e arsimit dhe shkollës Një punim shumë domethënës dhe me rendësi pedagogjike, historike e kulturore, në të cilin prof. Vishko ndriçon problemin e hapjes së shkollave dhe bibliotekave në Tetovë e rrethinë është studimi i tij me titull “Rrethanat arsimore në Tetovë dhe rrethinë në periudhën osmane”.
Trajtimi i problemeve arsimore është e një rendësie të veçantë. Prof. Vishko, në këtë punim hedh dritë mbi shtrirjen e shkollave në Tetovë dhe fshatrat e Tetovës si dhe të bibliotekave në qytetin e Tetovës. Me këtë vë në pah politikën arsimore të Perandorisë Osmane dhe përhapjen e kulturës e të arsimit osman për të bërë asimilimin e shqiptarëve, të vetëdijes dhe ndërgjegjes së tyre kombëtare.
Një kontribut të gjerë për problemet e shkollës dhe të arsimit në periudhën osmane jep në librin “Manastiri dhe rrethina në gjysmën e dytë të shekullit XIX sipas burimeve osmane dhe diplomatike”. Në pjesën e katërt me titull “Rrethanat kulturore arsimore”, kapitulli i parë që mban titullin “Shkolla dhe arsimi”, profesor Vishko elaboron gjerësisht rrethanat arsimore dhe shtrirjen e arsimit e të shkollës fillore, të mesme e të lartë, të arsimit ushtarak e fetar. Ai jep në formë të dokumentuar hapjen e shkollave në Manastir e rrethinë. Kësisoi jep pasqyrë për shkollat fillore turke (iptidae), shkollat e ulta qytetare dhe shkollat mesme, shkollat e mesme dhe shkollat e larta ushtarake, shkollat fetare ose medreset, hapjen dhe shtrirjen e shkollave greke, shkollat bullgare, shkollat rumune ose vllehe, shkollat katolike ose shkolla të propagandës frënge, shkolla protestane ose amerikane, shkolla serbe, shkolla evreje,shkolla shqipe në disa fshatra në rrethin e Manastirit, duke e vënë në pah rolin e Qiriazëve.
Në këtë aspekt profesor Vishko na ofron një dokumentim të gjerë e të kuptueshëm mbi të cilin mund të bazohet historia e shkollës dhe arsimit kombëtar dhe historia e mendimit pedagogjik në përgjithësi.
Shkroi dhe morri pjesë në shumë konferenca e takime shkencore dhe ishte organizator i simpoziumit shkencor me rastin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës. Punimet këtij simpoziumi u botuan në përmbledhje të veçantë.
Ai me punimet e tij na çon thellë në historinë tonë kombëtare.
Puna e frytshme e këtij krijuesi është me interes kur kihet parasysh se shtrihet në periudhën osmane dhe reflektimet e saja për kulturën kombëtare.
Të gjitha punimet i mbështet dhe argumenton me fakte, duke përdorur njëkohësisht edhe literaturë osmane dhe burime origjinale osmane e diplomatike. Kjo e bën objektive veprimtarinë shkencore të prof. Vishkos.
A.Vishko nxori në pah shumë probleme kombëtare të pranishme në Perandorinë Osmane dhe lëvizjet kombëtare për identitetin kombëtar. Ai ato nuk i la nën hijen e kohës. Kësisoi e pasuroi literaturën historike me dëshmi dhe argumente shpjeguese.
Duke studiuar pozitën e shqiptarëve në Perandorinë Osmane veçanërisht në Vilaetin e Manastirit dhe Pashallëkun e Tetovës, profesor Vishko vë në pah politikën e Portës së lartë e cila merrte aktivitete që e rrezikonin gjendjen e shqiptarëve në disa drejtime. Në këtë kontekst në punimin e tij “Kryengritja e Dervish Carës” këtë rrezikim e shikon në këto drejtime:
“- ruajtjen e identitetit të popullit shqiptar;
- ruajtjen e gjuhës shqipe;
- mbajtjen e kulturës, traditës e historisë shqiptare;
- mbajtjen e autonomisë shqiptare nëpër krahinat ose pashallëqet shqiptare e tjera”.
Sa ngjashmëri kanë këto kërkesa me ato të ditëve të sotme. Prej vitesh në sistemin monist në formë të ashpër kërkesat e këtilla të shqiptarëve nuk përfilleshin, kurse sot në demokraci, këto kërkesa sërish shtrohen në kontinuitet para politikës maqedonase si për shembull, përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, ruajtjen e gjuhës shqipe, ruajtjen e kulturës, traditës dhe historisë shqiptare, kërkesa për popull shtetëformues e të ngjashme.
Ekziston një dallim qenësor prej dikur dhe sot. Prof. Vishko në fjalën e hapjes së simpoziumit shkencor “Kryengritja e Dervish Carës”, thotë :”Ne sot po ndjehemi fatbardhë, sepse për here të pare në këtë truall, në një ambient të ri, të posafilluar demokratik, lirisht do të shprehemi, do të këmbejmë mendimet dhe do të komentojmë qëndrimet për të kaluarën tonë historike, që njëherit është pikënisje dhe bazamenti kryesor, si dhe më i rendësishmi për të përballuar të tashmen dhe për të pritur e përjetuar të ardhmen, të cilën e kemi përpara”.
Përqafimi i proceseve demokratike
Profesor Vishko luajti një rol të rendësishëm në përqafimin e rrjedhave demokratike dhe inaugurimin e pluralizmit politik, madje ishte i pranishëm në afirmimin e proceseve demokratike. Ai kishte shumë për zemër lëvizjen demokratike përkatësisht përkrahte aktivitetet politike të partisë së parë shqiptare në Maqedoni – PPD – së.
Me një rast në një bisedë të lirë tek zyrat e SHB “Cabej”, te Pallati i Kulturës, Tetovë, zëshëm deklaroi: “PPD-ja është pjesa më e bukur e shqiptarëve me ide të mirë që ecën për tokë, dhe se nuk nuk ka ide më të mirë se sa të luftosh për liri, barazi, demokraci, të drejta e përparim kombëtar”.
Përmes PPD-së, duket se ishte edhe kumbar i Republikës së Iliridës, të cilën e përkrahën të gjithë shqiptarët. Në një intervist me ish kryetarin e PPD –së N. Halilin, në pyetjen: Kush e shpiku Iliridën? N. Halili, mes tjerash thotë: “Profesor Ali Vishko na tregoi se lumi i sotëm Treska që buron diku mes Kërçovës dhe Strugës, emrin e tij antik e ka Ilirida. Ky emër na erdhi shumë joshes me një domethënie shumë kombëtare”.
Në bisedat rreth problemeve, zhvillimeve dhe ngjarjeve me instalimin e pluralizmit politik, ai shtronte si kërkesa me rendësi, që të thellohet përmbajtja e veprimit politik të shqiptarëve. Ai fliste se përmbajtja e re sjell edhe forma të reja të veprimit e të organizimit. Sikur profesor Vishko e prejudikonte historinë e kulturës dhe ate e konsideronte si histori e bashkëveprimit me përmbajtje dhe forma të caktuara-Prof.dr.Xheladin Murati.
Përfundim
Këto janë në vijat e përgjithshme, disa nga çështjet kryesore në të cilat përqëndrohet interesi ynë arsimor. Nga këto që thamë mund të arrihet në përfundim:
(1) Profesor A. Vishko gjithmonë në veprimtarinë e tij shkencore dhe arsimore kishte prioritet ndriçimin e problemeve kombëtare në Perandorinë Osmane dhe ate në Vilaetin e Manastirit dhe në Pashallëkun e Tetovës. Ka pasqyruar një kohë të bujshme dhe me shumë interes për trasimin e rrugës së ardhmërisë së shqiptarëve.
(2) Historinë e kishte dashuri dhe mënyrë të jetesës e të shprehurit kreativ.
(3) Ai punoi dhe kërkoi shumë qartë të identifikojë edhe identitetin kombëtar edhe të drejtën e vetëpërcaktimit si e drejt themelore e shqiptarëve.
Flori Bruqi